top of page

JO DEKRIMINALIZIM POR EDHE DEKOMUNISTIZIM




Mentor Serjani

Qysh kur filloi pluralizmi në Shqipëri, shqiptarët u përfshinë në një valë entuziazmi të paparë, sidomos pas atyre që, pavarësisht se ç'kishin qënë në te kaluarën, morën zanatin e Djallëzorit të Fshehur. Filluan parrullat. E para qe: Liri, Demokraci! Shoqëruar me dy gishtat përpjetë. Populli gjëmonte ditë për ditë. Pastaj erdhi një parrullë tjetër: -E duam Shqipërinë si gjithë Evropa! Turmat përsëri gumëzhinin. Ecnin nëpër rrugë e sheshe si qënie të verbëra, symbyllur. Vetem goja e hapur vesh më vesh, nuk pushonte. Shqiptarët menduan se morën fund kusuret. Njerëzit hanin e pinin dhe se çdo të bëhej të nesërmen, jo vetëm që s'e dinin, por as e mendonin e as që donin të mendonin. Kujtonin se jeta do të ishte, ashtu siç ishte sot. Epo, qe si qe dje,u bë si u bë dje, e mori ferra uratën, gjërat ndryshuan dhe ishalla marrçin për mirë. Mirëpo nuk qe e thënë per fatzestë shqiptarë. Erdhi 1997-a që mos ardhtë kurrë, ashtu si këndohej dikur «tridhjet e nënte mos ardhç kurrë!». Qysh atëherë e vit pas viti keq e më keq. Në vend te të permirësohemi, më keq varfërohemi. Niveli i mirëqënies është shumë i ulët. U bënë ndryshimet kushtetuese në vitin 2008 dhe vijuam dokumenti më të lartë të shtetit e bëmë leckë, qysh atëherë e deri tani vendi po ecën drejt tatëpjetës. Kryetarët e Partive uzurpuan jo vetëm pushtetin , por edhe qeverinë. Futën në Parlament që nga Dreqi me të Birin e deri tek Dosa me Kulishër. Parlamenti u mbush me drogaxhinj, me biznesmenë të pasur dhe aventurierë, me njerëz të dënuar nga gjykatat e huaja. Pra u mbush me kriminelë. Ata që kishin pushtetin e përdorën këtë për së prapthi. Futën në administratë njerëz pa shkollë, të paditur, njerëz me diploma fallco. Morali u degradua dhe u degjenerua. U bë një luftë e madhe për dekriminalizimin, por ende është bërë shumë pak. Sepse ai deputeti apo ministri, mund të jenë në rregull nga dukja e jashtme, por në thellësi fshehin mistere. Janë të lidhur me kriminelë, me banda. Siguria dhe rendi publik janë shqetësuese. Janë ndërruar dy-tre ministra të punëve të brëndshme, dy të parët të implikuar me banda të tregtimit të narkotikëve. Edhe në dikastere të tjera erdhën ministra e zyrtarë të korruptuar. Duket sikur kriminelët morën fund, por nga të katër anët e vendit vidhet, abuzohet, shkelen ligjet, denoncohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por asnjë nuk dënohet. Bëhen tendera me kompani fallco, te paqëna me shuma marramendesë, por askush nuk do t’iadijë. Të gjitha sa janë bërë deri tani nuk dhanë rezultat. Pse? Sepse shoqëria politike shqiptare nuk u dekomunistizua, pra ne na udhëheqin ende komunistet të veshur me petkun e demokratit. Kështu u krijua një kapitalizëm i deformuar me komunistë përsëri të vjetër, por edhe të rinj! Po kështu ligji famëkeq -7501- i miratuar që në vitin 1991, ishte një Reformë e Dytë Agrare pasi mori pronë ai që nuk kishte dhe ish- pronarit nuk iu kthye, edhe sot e kësaj dite pas tridhjetë e kusur vjetësh. Pra me klasë politike komuniste dhe me mohimin e pronës nuk mund të këtë kapitalizëm. Pluralizmi u zhvleftësua ramë përsëri nën diktaturën komuniste. Sot kemi një qeveri të shkëputur nga populli dhe që nuk punon për interesat e tij, por për interesat e saj, për të mbushur xhepat e saj…


25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page