top of page

Jeta vjen rallë


Fatmir Terziu

Jeta vjen rallë

Nga Fatmir Terziu

Dëgjomëni,

pëshpëritjen

e lënë mbi tasstierë

të shtrenjtit e mi,

vëllezër, motra, grua, nënë,

të dashurit fëmijë,

jam me ju edhe tani.

Tani që dita ka filluar të sfidojë natën

unë zgjohem si gjithnjë çdo mëngjes

për të ndjekur diellin nga dritarja

me orët e tij mbi re të bardha,

bëj leksion në ekranin e qetë

njëlloj sikur dielli me retë

deri sa ndjej përmallje menjëherë

dhe nga dritarja shoh të pikturohet ndonjë jetë.

Unë nuk isha as këtë herë në ëndërr tinëz,

si në ëndërr e trazova këtë poezi

me ngjyrat e fjalëve të karantinës

me forcën e dashurisë sime

prek,

ndjej, si gjilpëra majën e perit,

tiklimet e tastierës që më pret,

flagmat e të padukshmit,

zukamën e Covid-19.

Dhe çdo fije floku që më bie ende,

tani është vetëm një fjalë

nuk është më një sfidë pasqyre.

Me ju edhe ajo fije që bie

duket një lodër mekanike

një kukull e prerë nga ndonjë letër,

nën këmbët e mia,

ecën ngutshëm e tumiret tek memorja,

buzëqesh me pafajësinë që ka fëmijëria.

Ju kërkoj ndjesë për këtë ngarkesë të shpirtit tim

projektuar në një model mes gjumit dhe ëndrrës

me ritmin e ninullës që ma këndonte deri në zgjim,

shpirti dhe zemra e bardhë e nënës,

ndaj mendimet e mia s’kanë pushim,

i marrin hua ritmit të këngës.

Ndjej kështu se jam dashuruar në vizionin tuaj

rruaza kristali mblidhen mbi ballin tim

pluskimet e bulave të djersës mbi tastierë

kthehen në jetë e marrim frymë,

tek ky ushqim i vargut të bardhë pranverë

me çdo pjesë të kujtesës, me dhe pa rimë.

Në çdo copë të rrobave pastaj

shija,

e pandalshme,

forma kripore,

e jodizuar, e athshme,

krijon harta në këtë botë të pushtuar me virus.

Në pjesët më të ngritura të vetmisë,

një kryengritës budalla gudulis

arkipelagun e mbyllur me zinxhirë.

Ari i vetmisë,

varet rreth qafës time si një lak,

mban zi për një bashkim që dikur ishte frymëzim,

një shpirt që bëhet zjarr,

duke u ngjitur Lart.

I rikthej para syve,

skulpturat e busteve

bojë-ngrirë

mbi kënde,

parqe,

botëra të gurta e jeshile,

e kaluara, ah e kaluara,

zbukurohet nën trazime hutaqe,

e sotmja vuan nga mendjet e fryra,

mbi barqe.

Qepen e shqepen në shkëlqimin e harlisur

ëndrrat e mia,

kërkojnë botën e përsosur

aritmetikat e xhepave të fryra,

harrojnë kohën,

ajrin e ndotur,

harrojnë Botën,

vetvetiu të ftohur.

Puna ime më në fund nuk është thjesht të zgjohem

të qëndroj një engjëll pa krahë në gjumë

të qesh e pastaj të ftohem

e të bëj sikur jam vetvetiu një lumë.

Poetë, miq, letrarë e të tjerë,

bëhemi palë sot, nesër, përherë,

prindër, vëllezër, motra,

grua dhe ju fëmijë,

jeta është vërtet një fjalë,

por ama një fjalë që vjen mjaft rallë!

6 Comments


Faruk Myrtaj: Ia vlen edhe me shume, me Tej, kur eshte Fjale e Lire, Terzi me Fat...

Like

Prof Dhora Lloja: Respekte, u ndjeva ne jete mes vargjeve, qe rrjedhin kendshem per t' i dhene kuptim te jetuarit njerezisht realisht, menderisht! Ju Flm! Po e vendos ne statusin tim, shendet, gjithe te mirat,suksese!

Like

Irma Katerina Zaka: Respekt per ju profesor! Fjale zemre te derdhura me mjeshteri ne leter! Jave te mbare!!!

Like

Halit Cela: Shume e bukur reale per jeten mendime te tilla te japin shpresa te medha

Like

Minush Hoxha: Te ve ne spikame me fjale celebruese krtijimet Tuaja, opusin e gjere krijues, mendoj se eshte e tepruar. E kam thene, e kam shkruar dhe dolur me shoke e miq. Eruditi Juaj eshte mahnites, njohurite eciklopedike, e shkathesia ne te krijuar impresive. Dhekjo poezi me kete kronologji ngjarjesh, emocionesh, koherash, metaforash qe i flasin ato, bene pjese ne ate opus, i cili, nuk prane nga erudicioni i shnderruar ne imperativ krijues. Me vie fare mire, ne te vertete, ndjeje kenaqesi nga ,,kondicioni" krijues qe kini dhe deshiroj qe ai deri ne castin e fundit te jetes, t'mos u le.Se, po ju le: c'ju mbetet tjer" C'i mbetet tejeter bnjeriu pervec te meditoj, te mendoj, te imagjonoj, te kundroj…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page