Jeta nuk matet nga numri i frymëve që marrim


Fatmir Terziu

Aty mbeti vetëm e pathëna. E pathëna ishte edhe në shumës, edhe në njëjës. Edhe femërore. Edhe mashkullore. Edhe asnjanëse. Edhe… askush nuk dinte më shumë.

Më i Shtrenjti i tij vdiq në fillim të muajit dhe Ai e ndoqi atë, duke lënë përgjithmonë penën aty mby tryezën e tij në muajin që pasoi vdekjen e saj. Sa ironike. Ai kishte mundur të shkruante diçka kaq elokuente dhe kaq të përshtatshme. Ai shkrim mbeti poshtë penës së tij:

“Paradoks?! …. Paradoks i Kohës… i Botës?!... Paradoksi i kohëve tona …?!

… në histori është se ne kemi pasur rrugë dhe ura që na lidhnin me Botën, por nuk i kemi pasur. I kemi pasur?! …. Noshta, por i kemi shembur që të mos na vinte “armiku”. U kemi vënë dinamitin. U kemi hedhur bombën. Kemi pasur pasaportën që nuk donte asnjë vizë për në Botë, por e kemi grisur duke e larë me lotë. Kemi pasur hapësira të mëdha, por u zvogëluan nga pikëpamjet tona të ngushta. Eh, punë kohërash, punë karakteresh…

Fundja…

Ne shpenzojmë më shumë, por kemi më pak.

Blejmë më shumë, por gëzojmë më pak. E kush na ka hyrë në hak?

Ne kemi shtëpi më të mëdha dhe familje më të vogla.

Ne kemi tashmë më shumë komoditete, por më pak kohë.

Kemi më shumë diploma, por më pak kuptim.

Ne vdesim … por jetojmë për të vdekur….

Ne kemi më shumë njohuri, por më pak gjykim. Ne kemi më shumë ekspertë, por vazhdojmë të kemi më shumë probleme. Vazhdojmë të prodhojmë parti politike, politikanë, deputetë, qeveri e qeveritarë, kryeministra e presidentë, por nuk dimë ende ku jem vërtetë.

Ne ndoshta kemi më shumë mjekësi, por vazhdojmë të kemi më pak shëndet.

Pimë alkoohol më shumë.

Pimë duhan më shumë, madje nxjerrim tym dhe me elektronikë.

Harxhojmë shumë pak, qeshim shumë pak, ngasim shumë shpejt, bëhemi shumë të zemëruar, qëndrojmë deri vonë, ngrihemi shumë të lodhur, lexojmë shumë pak, shikojmë TV shumë dhe lutemi shumë rrallë. Po a jemi ata që kemi qenë vallë? A jemi më origjinalë?

Ne kemi shumëzuar zotërimet tona, por kemi reduktuar vlerat tona.

Ne flasim shumë, e duam shumë rrallë “njeriun” dhe urrejmë shumë shpesh po vetë “njeriun”.

Ne kemi mësuar se si të jetojmë, por jo një jetë për të jetuar.

Ne kemi shtuar vite në jetë jo jetë me vite.

Ne kemi qejf që të gjejmë edhe rrugën për në hënë dhe prapa saj, nëse është e mundur, por kemi vështirësi në kalimin e rrugës për të takuar një fqinj të ri, një komshi që vjen pas shekujsh në të njëjtin qytetërim.

Ne pushtojmë hapësirën e jashtme edhe me “llafe”, por jo hapësirën e brendshme, që na kallet. Kemi bërë gjëra më të mëdha, por jo gjëra më të mira.

Ne kemi pastruar ajrin, por kemi ndotur shpirtin.

Ne e kemi pushtuar atomin, por jo paragjykimin tonë.

Ne shkruajmë më shumë, por mësojmë më pak.

Planifikojmë më shumë, por bëjmë më pak.

Ne kemi mësuar të nxitojmë, por jo të presim.

Ne ndërtojmë më shumë kompjuterë për të mbajtur më shumë informacion, për të prodhuar më shumë kopje se kurrë, por ne komunikojmë gjithnjë e më pak. Fundja kemi një të mirë që na thuk: jemi të gjithë në Facebook!

Ama i kapëm shpejt këto kohërat e ushqimeve të shpejta dhe tretjeve të ngadalta. Ne ishim burra të mëdhenj por mbetëm me karakter të vogël…

E si të ju them: fitime të pjerrëta dhe marrëdhënie të cekëta. Jemi dhe bashkëjetojmë, por më shumë me divorc.

Kemi shtëpi më të mëdha, por jo ama dashamirëse.

Këto janë ditët e udhëtimeve të shpejta. Për bebet dhe … (për ne) kemi pelena të disponueshme.

Moral? Mos më nga, është bërë si një moçal. Fundja ky na ka mbetur, cipali i moralit të hedhur.

Ne jemi vetëm për një natë.

Jemi bashkëautorë të trupave mbipeshë, dhe pilulave që bëjnë gjithçka dhe që na lotojnë nga gëzimi, deri në heshtje, në brimësi të zezë, në qejfje.

Është një kohë kur ka shumë në sallën e një ekspozite dhe asgjë në magazinë.

Një kohë kur teknologjia mund ta sjellë këtë shkrim pa letër tek ju, dhe ju nuk keni as edhe një minutë, as një kohë ta lexoni, ose të paktën ta ndani këtë pasqyrë, ose të nxirrni këmbën tuaj të majtë e të djathtë ta gjuani si mëkatë… kujdes vetëm shtirjen, kujdes vetëm fshirjen!

Ju lutem, ju lutem, ne gjithmonë kujtojmë, se jeta nuk matet nga numri i frymëve që marrim, por nga ato momente që e marrin frymën tonë larg…”

Vetëm kaq…!

Dhe për çudi pena e në dorën e birit të tij të dashur, kishte rënë në paq. Shëtiti lotët derisa i lodhi, e ashtu në paqe i rrodhi, dhe rrethnaja pas ikjes të tjera kujtime ia solli, por Jeta … eh Jeta, tha duke ikur nuk matet nga numri i frymëve që marrim!

43 views1 comment

Shkrimet e fundit