JETA NUK MATET NGA NUMRI I FRYMËVE QË MARRIM


JETA NUK MATET NGA NUMRI I FRYMËVE QË MARRIM

Fatmir Terziu

U thanë dhe u përsëritën të gjitha. Të gjitha qëkur dihej se … E para ishte Fjala… dhe u tha se … dhe u përsërit e u ripërsërit se … Aty mbeti vetëm e pathëna.

E pathëna ishte edhe në njëjës, edhe në shumës, edhe sipas rastit. Edhe femërore. Edhe mashkullore. Edhe asnjanëse.

Edhe… askush nuk dinte më shumë.

Gruaja e tij vdiq në rrëmujë të të thënës dhe të pathënës dhe Ai e ndoqi atë, duke lënë përgjithmonë penën aty mby tryezën e tij në muajin që pasoi vdekjen e saj.

Sa ironike.

Ai kishte mundur të shkruante diçka elokuente dhe aq të përshtatshme.

Ai shkrim mbeti poshtë letrës dhe majë penës së tij:

Paradoksi i kohëve tona në histori është se ne kemi pasur rrugë dhe ura që na lidhnin me Botën, por i kemi shembur që të mos na vinte “armiku”. U kemi vënë dinamitin. U kemi hedhur bombën. Kemi pasur pasaportën që nuk donte asnjë vizë për në Botë, por e kemi grisur duke e larë me lotë. Kemi pasur hapësira të mëdha, por u zvogëluan nga pikëpamjet tona të ngushta. Eh, punë kohërash, punë karakteresh… Fundja… ne jemi ende aty ku ishim. Aty ku kishim e nuk kishim, jemi aty ku akoma jemi të kontrolluar. Akoma jemi të izoluar. Jemi në frikë, dhe prej frikës jemi ende si në atë vakt.

Ndaj ne akoma shpenzojmë më shumë, por kemi më pak.

Blejmë më shumë, por gëzojmë më pak.

E kush na ka hyrë në hak?

Ne kemi shtëpi më të mëdha dhe familje më të vogla.

Ne kemi tashmë më shumë komoditete, por më pak kohë.

Kemi më shumë diploma, por më pak kuptim për qasjen e tyre me jetën, me realitetin dhe të vërtetën.

Ne kemi më shumë njohuri, por më pak gjykim në lidhje me njohuritë. Ne kemi më shumë ekspertë, por vazhdojmë të kemi më shumë probleme. Vazhdojmë të prodhojmë parti politike, politikanë, deputetë, qeveri e qeveritarë, kryeministra e presidentë, por nuk dimë ende ku jemi me të vërtetën e tyre me realitein që ata na gatuajnë para syve.

Ne ndoshta kemi më shumë mjekësi, por vazhdojmë të kemi më pak shëndet. Dhe këtë shëndet e kemi si një provë në epruvetë.

Pimë alkoohol më shumë.

Pimë duhan më shumë, madje nxjerrim tym dhe me elektronikë të qasme estetikisht dhe të panjohur në depërtimin e tij mushkërisht.

Harxhojmë shumë pak, qeshim shumë pak, ngasim shumë shpejt, bëhemi shumë të zemëruar, qëndrojmë deri vonë, ngrihemi shumë të lodhur, lexojmë shumë pak, shikojmë TV shumë dhe lutemi shumë rrallë për njerëzit tanë.

Po a jemi ata që kemi qenë vallë? A jemi më origjinalë?

Ne kemi shumëzuar zotërimet tona, por kemi reduktuar vlerat tona.

Ne flasim shumë, e duam shumë rrallë “njeriun” dhe urrejmë shumë shpesh po vetë “njeriun” që na ndan nga njeriu.

Ne kemi mësuar se si të jetojmë, por jo një jetë për të jetuar.

Ne kemi shtuar vite në jetë, por jo jetë me vite.

Ne kemi qejf që të gjejmë edhe rrugën për në Hënë dhe prapa saj, nëse është e mundur, por kemi vështirësi në kalimin e rrugës për të takuar një fqinj të ri, një komshi që vjen pas shekujsh në të njëjtin qytetërim.

Ne pushtojmë hapësirën e jashtme edhe me “llafe”, por jo hapësirën e brendshme, që na kallet. Kemi bërë gjëra më të mëdha, por jo gjëra më të mira.

Ne kemi (s)pastruar ajrin, por kemi ndotur shpirtin.

Ne e kemi pushtuar atomin, por jo paragjykimin tonë.

Ne shkruajmë më shumë, por mësojmë më pak.

Planifikojmë më shumë, por bëjmë më pak.

Ne kemi mësuar të nxitojmë, por jo të presim.

Ne ndërtojmë më shumë kompjuterë për të mbajtur më shumë informacion, për të prodhuar më shumë kopje se kurrë, por ne komunikojmë gjithnjë e më pak.

Fundja kemi një të mirë që na thuk: jemi të gjithë në Facebook!

Ama i kapëm shpejt këto kohërat e ushqimeve të shpejta dhe tretjeve të ngadalta. Ne ishim burra të mëdhenj, por mbetëm me karakter të vogël…

E si të ju them: fitime të pjerrëta dhe marrëdhënie të cekëta. Jemi dhe bashkëjetojmë, por më shumë me divorc.

Kemi shtëpi më të mëdha, por jo ama dashamirëse.

Këto janë ditët e udhëtimeve të shpejta. Për bebet dhe … (për ne) kemi pelena të disponueshme.

Moral? Mos më nga, është bërë si një moçal.

Fundja ky na ka mbetur, cipali i moralit të hedhur.

Ne jemi vetëm për një natë.

Jemi bashkëautorëve të trupave mbipeshë, dhe pilulave që bëjnë gjithçka dhe që na lotojnë nga gëzimi, deri në heshtje, në brimësi të zezë, në qejfe.

Është një kohë kur ka shumë në sallën e një ekspozite dhe asgjë në magazinë.

Një kohë kur teknologjia mund ta sjellë këtë shkrim pa letër tek ju, dhe ju nuk keni as edhe një minutë, as një kohë ta lexoni, ose të paktën ta ndani këtë pasqyrë, ose të nxirrni këmbën tuaj të majtë e të djathtë ta gjuani si mëkatë… kujdes vetëm shtirjen, kujdes vetëm fshirjen!

Ju lutem, ju lutem, ne gjithmonë kujtojmë, se jeta nuk matet nga numri i frymëve që marrim, por nga ato momente që e marrin frymën tonë larg.

Dhe për çudi pena e tij, kishte rënë në paq. A kishte vërtet paqe ajo penë në fakt!? Fryma i kishte mbetur në çast. Shëtiti në atë botë dhe lotët i rrodhi, dhe ekspertëve pas vdekjes një analizë të mençur ia solli, por Jeta nuk iu mat nga numri i frymëve që mori. Ndoshta nga koha që e pasoi:

Tështini në bërryl. Lani e lani duart me sapun për më shumë se njëzet sekonda…, ose sa të kujtoheni se këndoni ritualin e jetës në ditëlindje… Gëzuar ditëlindjen për Ty. Gëzuar ditëlindjen për Ty. Pra për hir të jetës që duhet jetuar o Njeri!

31 views

Shkrimet e fundit