Do t’i gris
gjithë ç’nuk kam shkruar...
I urrej
vjershat e mia me lirika dashurie...
Do t’i mbys e do t’i gris,
do t’i hedh tek varri i heshtjes,
t’i mallkoj e t’i harroj!...
se më çmendën!
Se më çmendën pa më çmendur,
se më tretën pa më vdekur...
Do t’i hedh tek varri i shpirtit,
do ti mbys e do t’i gris!
Ja kështu!
Kështu do bëj!
Shpirtin
do ta zboj nga shpirti!
Truri s’do më nxjerrë më vjersha!
Do ta marr veten nga dora,
do ta hip në trotuar,
të mos vritet nga makina...
Do ta ul tek stoli i drunjtë,
do t’i jap në dorë tespije...
Të jetojë pa jetuar, pa lirika dashurie!
Ja kështu,
kështu do bëj!
Do t’i mbyll qerpikët e syve,
jo me duar, por me gurë, pllaka varri...
Nuk do shoh
e pse të shoh, ç’vlerë ka më tej shikimi?!
Bota tjetër e unë tjetër,
do rri larg nga kush kam qenë,
as dhe veten s’do e shoh,
Një i çmendur i pa-çmendur...
Një i tretur, i pa-vdekur...
që jeton i pa-jetuar, pa lirika dashurie...
Humba veten,
pa e gjetur!
Do t’i mbys e do t’i gris,
gjithë ç’kam shkruar e s’kam shkruar!
Vetëm shpirtin s’e kap dot,
shpirti im s’qenka i vrarë?!
Shpirti im s’qenka në varr?
Shpirti im s’është më me mua?
Do t’i gris
gjithë ç’nuk kam
shkruar!...
Jeta është shpikja më e vjetër
Nga njëra ditë
tek dita tjetër,
vazhdojmë të ecim
pambarim...
Jeta është shpikja më e vjetër,
nga jeta nis,
tek vdekja mbërrin...
Jeta gjithmonë nis nga një jetë
dhe vdekja,
po nga jeta nis... Nga njëri vit,
tek viti tjetër
vazhdojmë të ecim
pambarim...
Comments