Pa koment
(ndoshta jo për të gjithë ia vlen ky tekst)
Nga Fatmir Terziu
I zbritëm me sy të gjitha yjet
në minderin tonë të parë
ku netëve të gjata të dimrave tartabiqet
kishin ngritur dinastinë e tyre të gjallë.
Në sytë tanë kishim Brixhid Bardonë
atë copë të përvjedhur prej revistës
me këngët e bulkthave në ballkon
zhvishnim dashurinë e ndezuar tinëz.
Përmes netëve për ne e dashur
puthjet vinin nga një botë memece
trupi si një rol busti të shtangur
faqet si prushi i dimrit mbi teneqe.
E kështu memorjet mbi këta fotografi
udhëtonin si blloqe të harruara kujtimesh
jashtë një të zverdhure mbi bardhë e zi
vetëm dashuria jonë e dashur rritesh…
…ishte kohë ëndërrash në varfëri
ku dhe dashuritë i arnonim me fije
por gjithnjë e dashur me zemër e me sy
jemi dashuruar si në hotel me pesë yje.
Comments