top of page

JEHONA E KËNGËVE TË POPUJVE


Fatos Arapi

JEHONA E KËNGËVE TË POPUJVE

Nuhi Vinca

(Fatos Arapi: KËNGË TË POPUJVE, Shtëpia Botuese "Naim Frashëri", Tiranë, 1978, f.222)


Kur e merr nëpër duar librin "Këngë të popujve", që e botoi Sh.B. "Naim Frashëri" në Tiranë më 1973, bindesh se përkthimi i letërsisë është dhe do të mbetet njëra nga detyrat më të rëndësishme dhe nevojë shumë e madhe për ta njohur krijimtarinë letrare të popujve të tjerë. Këtë nevojë kësaj here e plotëson me sukses poeti shqiptar Fatos Arapi me shokët: A. Plasari - 14 këngë të përkthyera, L. Poradeci - 3 dhe P. Jorgoni - 4. Kjo vepër e shqipëruar me mjeshtëri vjen e bëhet për lexuesin tonë një befasi e këndshme vlerash të pamohueshme poetike, një dritare prej kah mund të vihen ura afrimi e njohjeje me thesarin shpirtëror të njeriut kudo që të gjendet ai - në thellësitë e Afrikës, ndër zezakët e Amerikës, te blegtori kurd, fshatari birmanez e gjetiu.

Dëshira, që të shihet se ç'kanë kënduar e si kanë kënduar popujt e këtij rruzulli, është e motshme, por ajo që bënë romantikët evropianë gjithsesi është punë që do përmendur në këtë rast. Kështu J. G. Herderi, jo vetëm që shprehu pikëpamje të rëndësishme për historinë e estetikës e teoritë letrare lidhur me letërsinë popullore, por edhe botoi para dyqind vitesh veprën e madhe folklorike "Zëri i popujve në këngë". Mjerisht në gjuhën tonë nuk kemi pasur deri sot vepra të përkthyera nga letërsitë popullore të popujve të botës. Këtë zbrazëti e plotësoi deri diku vëllimi "Këngë të popujve". Ky vëllim shoqërohet me një parathënie të shkurtër nga Fatos Arapi, prej së cilës veçuam mendimin: "Sot...është e natyrshme që vetë popujt, forcat e shëndosha krijuese të tyre, të kthehen më shpesh e më ndërgjegjshëm te gurra popullore", të forcojnë konceptet materialiste dhe realiste mbi artin. Në të gjitha epokat, arti popullor i ka frymëzuar artistët e mëdhenj. I tillë mbetet ai edhe sot e kësaj dite. (f.5)...

Përmes këngëve të këtij libri vihet kontakt me këngë popullore: angleze, birmane, rumune, kineze, greke, uruguajane, gjermane, bullgare, kurde, italiane, ruse, koreane, franceze, japoneze, spanjolle, ukrainase, polake, braziliane, me poezi popullore të zezakëve të Amerikës dhe peruane.

Ky vëllim ka 93 këngë popullore që janë ndarë në këto pesë cikle:

a. Këngë patriotike (f. 7-30)

b. Këngë proteste për çlirim shoqëror (f. 31-38)

c. Këngë dashurie (f. 93-131)

d. Këngë mërgimi dhe të tjera (f. 137-202)

e. Nina-nana dhe vaje (f. 207-215)

Cilki i këngëve patriotike, fillon me këngën e bukur "Olimpi". Në këtë këngë popullore greke Olimpin e shohim duke e qortuar malin Kisavos, që "Iu falë turqve" ... dhe dëgjojmë rrëfimin heroik të kokës së prerë të një luftëtari që po e hante shkaba. Te kjo si edhe te disa këngë të tjera patriotike greke figurë bazë është personifikimi: "U grindën idhët midis tyre Olimpi e Kisavosi se cili qenka më i famshëm dhe më i ndershëm cili / Me neveri, ia ktheu Kisavosit Olimpi: / Lëre Kisavos... tani mbylle... se ti iu fale turqve... / Kur unë i plakuri Olimp qëndrova i pamposhtur".

Për figurën heroike të femrës spikatet kënga "Vajza klefte" (këngë greke f. 12) qoftë për fabulën interesante për kleften (komiten) që 20 vjet rresht lufton e veshur me tesha mashkulli, deri sa një ditë ngjan ajo që e rrit edhe më shumë figurën e saj heroike: një kleft e dikton dhe i shpall dashurinë, por ajo e kap për flokësh dhe e detyron të bëhet përjetë vetëm shok lufte e shërbëtor i saj, që të vazhdojë luftën si më parë, si burrë. Është me interes se këtu gjenden elemente të përbashkëta figuracioni me letërsitë popullore të popujve të Ballkanit si për karakterin luftarak ashtu edhe atë figurativ.

Befasojnë dhe mahnisin këngët e fundit të këtij cikli, dy këngët kurde: I nipi i Musait nga Mokhtani (f.12) dhe Pemed Çengu (f. 24.) Në të parën mësojmë për luftë heroike të kurdëve kundër sundimit turk, si edhe për një luftë të brendshme me alternativën jetë apo vdekje. Në praninë e Fjalët e nënës, para kokës së prerë të të birit në praninë e oficerit turk dhe në pyetjen se e kujt qe ajo kokë, janë vargje sugjestive që zgjojnë asociacione të shumta: ”/Është kokë e një qengji/Qofshin Bekuar kopetë nëpër male” -tha ngadalë nëna kurde....Dhe e përsërisim qëllimisht: Qofshin bekuar kopetë nëpër male...” Këto fjalë, pra këto78 vargje poetike, dalur nga goja e një nëne që e sheh të birin e vrarë me kokë të prerë, janë tronditëse për notën tragjike-heroike për qëndrimin burrëror dhe fascinuese për vlerën estetike antologjike. Në alternativën: të rrosh me turp apo të vdesësh me nder, heroi i kësaj kënge me një narracion të bukur lirik, zgjedh rrugën e dytë - luftën dhe vdekjen në fushë të betejës. Plasticiteti i vargjeve, dramaticiteti me dialog, nëntekst, figuracion nga natyra e profesioni i kurdëve, njeriut të thjeshtë të këtij trolli e këtij populli, pa shtet të vetin, vizuelizojnë imazhe apo pamje të gjalla heroike e trishtese që të mbesin parasysh përjetë e nuk të shqiten kurrë. Këngët si kjo e shumë të tjera, duken si të jenë krijime moderne në kuptimin pozitiv të fjalës.

Në këngën e dytë kurde “Pemed Cengu” (f. 24) mësojmë për një problem të luftës jo vetëm kundër të huajve, që për Kurdistanin ishin dhe mbetën edhe sot e kësaj dite armiq shekullorë, por edhe në luftën klasore të fshatarësisë kurde kundër të privilegjuarve. Po në këtë këngë vargjet: “Dhe barinjtë dhe çobanët e qeve përgjakur /Shembëllejnë si dhëndurë të posamartuar” - janë sqaruar me një të dhënë rituale në Kurdistan, ku në dasmë mbizotëron ngjyra e kuqe (f. 26).

Në ciklin e dytë janë radhitur këngët që janë protestë kundër padrejtësive me aspirata për çlirim shoqëror. Ky është filli që i përshkon të 23 këngët e këtij cikli.

Në këtë vepër ka këngë që arrijnë deri 300 vargje, por elementi narrativ në të gjitha poezitë është i përshkuar me nota e ngjyra lirike. E këtillë është kënga rumune “Alimosh Toma” (f. 77), kënga “Xhon Henri” e zezakëve të Amerikës (f. 63), “Robin Hudi dhe Peshkopi” (këngë angleze) (f. 44) etj. “Toma Alimosh” edhe pse ka më shumë se 250 vargje mbetet këngë lirike sepse është një monolog i lutëtarit të vetmuar rumun në pyll me hamshorin “që s’ka gojë të kuvendojë”, me armët që “janë hekur i ftohtë”, me pyjet, vidhat, ahet, dushqet, rrapet, duke u ngritur dolli, meqë i konsideron vëllezër që “fshehtas ndjekësve mbajnë”. Porosia për varrin gjithashtu është me interes për ata që duan ta shohin punën në plan krahasimtar. Në vargjet si këto: “Beut lëkurën t’ia rrjep/T’ia bëj gajdes kacek/ Këllëf për koburen!” etj., shprehet qartë revolti i poetit të popullit. Kështu ngjet edhe në 23 këngët e këtij cikli ndaj zhdukjes së robërisë politike, dallimeve sociale, ekonomike, shembjes së klasës së privilegjuar, kundër beut e çifligarit me aludime për një luftë klasore kundër diskriminimeve raciale etj.

Në 28 poezitë popullore të ciklit të tretë janë tubuar këngët e dashurisë të 13 popujve. Bien në sy këto aspekte: dashuria si mall i pashuar (f. 93), si ndarje e pikëllim (f. 99, 113,si ndjenjë gëzimi, (94,104 dhe 105), si dilemë e drojë, si lojë e paralojë, që më në fund të kridhet në zemër për të mos dalur më kurrë, si shqetësim e kënaqësi njëkohësisht (f. 103) dashuria për t’i përballuar pengesat me çiftin e lumtur, apo si xhelozi, trishtim, ndarje e pikëllim, dashuri me karakterin shumëdimensional të saj në një këngë japoneze (118), DASHURIA NË RELACIONE ME PASURINË FIZIKE, AJO SI VAZHDIMËSI E JETËS (119, 122) etj.

Këto përshkruhen me një natyrë që nuk rri indiferente ndaj ndjenjave të të rinjve dhe me një fjalor që bëhet çelës për të hyrë në ambientin tipik të popujve përkatës. Kështu, krahas etnopsikologjisë karakteristike të popujve të veçantë, gjejmë edhe fjalët lotos, bambus, palma etj., në poezinë birmane; kumbullat e qershitë në poezinë e popujve të Ballkanit.

Vihet re një poetikë e veçantë e këngës popullore spanjolle e cila del më shumë simbolike, nuk e zbulon lehtë idenë, aludimin, porosinë, por e fsheh duke lënë shteg për sugjerime, për t’u dalluar e kështu nga poetika e këngëve të dashurisë e të martesës nga popujt e Ballkanit.

Cikli “Këngë mërgimi” e të tjera përfshin këngët me tematikë kurbeti si dhe disa këngë të tjera me tema të ndryshme që nuk mund të hyjnë në asnjërin nga ciklet e deritashme.

Cikli nis me këngë angleze “Biuiku dhe Grehemi”, me 224 vargje me strofa katërshe. Kjo këngë, bashkë me “Dhëndurët e Miushkës” si ajo e titulluar “Këngë shoqërie”, mandej ”Flautisti i vogël” janë më të gjatat e ciklit dhe ndër më të gjatat e gjithë librit.

Në të trajtohet tema e moskuptimit të brezave prindër-djem dhe tradita e dyluftimit që për pasojë ka vdekjen e dy shokëve...Me stil të rrjedhshëm është paraqitur alternativa: të mos dëgjohet dëshira e babait të ofenduar apo të vritet shoku i dashur. Në këtë dilemë fiton norma patriarkale - triumfon e keqja: lind tragjedia, vriten dy shokë në duel për hir të prindërve e normave të tyre. Në çastin e fundit nga goja e djalit del strofa “Pa ngrihu, ngrihu bir, i tha mes dhembjes,/se siç po shoh, fitorja të takoka!/Baba, nuk mundje verë në shtëpi/të pije, të mos na hapej gropa?!/ (f. 145).

“Vajza e Nëna e Diellit” është me subjekt fort interesant. Kënga e vajzës e bën diellin të ndalë udhëtimin e vet e të vonojë perëndimin. Nëna e Diellit e mallkon vajzën, por kur merr vesh shkakun pse ka kënduar aq bukur, ajo e bekon.

Rrezaton dashuria ndaj vëllait që nga mërgimi ka shkruar: “Dhjetë vjet humbur në mërgim,/Pa shenjë o vëllai im/ Vetëm sot na dërgoi kartë/ Qenka nis e po vjen nga larg/...”. Sugjestive është kënga kineze kur të braktisurin e krahason me melin e mbjellur atje ku nuk mund të mbijë, apo pamja kur kurbetliu kinez i drejtohet një gruaje t’i ndihmojë për të qepur këmishën... ku na del një pamje atmosferë e zymtë larg vendlindjes.

Temën e kurbetqarit e gjejmë edhe te kurdët – “Kij mëshirë për të, o qytet” (f. 154). Ashtu si në lirikën shqipe ku mërgimi është ind i përbashkët i këngëve, është ndarja me dy tablo: skena e vetmisë në shtëpi të lindjes edhe skena e ftohtë jashtë vendlindjes, edhe në këto dy këngë vërejmë: gratë e detarëve godasin me gurë detin, valët që ua kanë rrëmbyer burrat e deti u përgjigjet plot vrer: “Në gjiret e mia humbën përgjithëherë”...

“Ura e Artës” është kënga greke që gjithashtu ka gjetur vend në këtë cikël. Kjo trajton motivin e njohur të flijimit të gruas në themelet e një ure apo kështjelle, motivin aq të lashtë e të njohur, të pranishëm te shumë popuj të botës. Grimcat narrative që përbëjnë konstruktin e ngjarjes në këngën greke janë: tri motrat që do të flijohen - njëra për Urën e Eufratit, e dyta për atë të Tunës dhe motra e tretë për Urën e Artës; 40 mjeshtër dhe 60 ndihmës: zogu i parë e zogu i dytë që sjellin e kthejnë lajmin; unaza që bie në gropën e themelit dhe vetë nusja e re me fjalët e saj të fundit: “Po u lëkundtë e dridhtë ura, si dridhet gjethi arrës/dhe si këputet gjethi drurit - këtu rëntë udhëtari...” për ta ndërruar pas pak çastesh këtë mendim për hir të dashurisë së vëllait që e ka në dhe të huaj.

Prandaj thotë: “le të lëkundet dhe kjo urë kur malet të lëkunden/ se kam vëllanë e vetëm larg diku në vend të huaj e ndoshta ai kalon ndonjëherë mbi këtë urë”. Gjithsesi do të vlejë kjo këngë për ata që duhet të bëjnë krahasime në bazë të metodës krahasimtare.

Një poezi e bukur dhe mjeshtërisht e përkthyer është “Mal më mal e një nga një”. Tema e saj është kalueshmëria e jetës dhe kjo thuret me vargje e simbole që kanë për bazë paradoksin që ngjan me absurdin. Kjo këngë merret me përjetësinë e pakthyeshmërinë e viteve.

Vargjet janë muzikalë e ritmi i natyrshëm: “Pa po tragën unë ua gjeta/ në një urë lisi: Mote more ju mor lavarashë/ kthehuni sërishmi.../ Kur të mbijnë përmbi urë/ Lule, lule shqerre/ Veç atëherë do të kthejmë rishtazi pranë teje./ Lule-shqerre asnjëherë s’mbijnë përmbi urë, Motet e mi lavarashë s’do të kthejnë kurrë/. Në ciklin e fundit Nina nana dhe vaje janë 7 këngë. Në dy prej tyre e shohin nënën kurde ta quajë qengj birin e saj, në rastin e parë për trimëri e pastaj për gjumin.

Edhe kjo flet për botën rurale të kurdëve. Spikatet bota e sotme e kurdëve plot trazira: Toka që rrotullohet është plot armiqësira. Në dy ninullat kurde përmendet mërgimi. Në vëllimin e këngëve popullore janë dhënë vetëm 20 shënime fare të shkurtëra, 12 nga të cilat janë sqarime fjalësh e vetëm 8 janë referenca sqaruese.

Në faqen 13 të librit është dhënë shënimi për Tumak Amarun, prijës i kryengritjes në Peru (1781-1790). Këso shënimesh mendojmë se duhej të kishte më shumë sepse lexuesi ka nevojë të dijë më shumë për kontekstet historike të popujve për ngjarje e personalitete që ndërlidhen me këngët përkatëse. Gjithashtu libri nuk ka shënime se prej nga janë marrë këngët apo se nga cila gjuhë janë përkthyer.

Kënga “Bluzë e të braktisurës” nuk ka fare shënim se cilit popull i përket. Po kështu ngjet edhe me këngën “Shndriti dielli si Neda”. Mendojmë se kjo këngë duhet t’u përkasë ndonjërit nga popujt sllavë të Ballkanit qoftë atij serb, bullgar apo maqedon sepse tek folklori i tyre bëhet deshifrimi i figurës...

Kënga “Gugaj, gugaj kulumbri e verës” e ka variantin edhe te serbët e maqedonët (shih, B. Koneski “Zbirka na makedonski pesni”, Shkup, 1947 fq. 228). Jemi të mendimit se trajta gugaj, gugaj nuk duhej të mbetej në këtë konstrukt morfologjik sllav se kjo është folje në vetën e dytë në gjuhën në të cilën është krijuar kënga. Shqip duhej përdor trajta gugat ose ndonjë zgjidhje tjetër.

Duket qartë se përpiluesi i kësaj vepre të vlefshme nuk ka pasur pretendime që librin ta pajisë me aparaturë të duhur shkencore. Sidoqoftë, këto këngë të shqipëruara me gjuhë të rrjedhshme janë krijime poetike që mund të shijohen estetikisht dhe të bëhen ura lidhëse për t’i njohur popujt e krijimtatinë e tyre artistike.

23 views0 comments

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page