
Je një poezi e çuditshme
Nga Fatmir Terziu
Nëse qielli do të më refuzojë
do të bashkohem me sytë e tu
me një Abetare të hapur do të bëhem lexues
pikërisht në malin e madh me vepra
një Kostandin i dalë mrekullisht nga busti
mes pishave që të japin zemër dhe një kohe që fsheh dhelpra.
Nëse Krasta nuk do të më ledhatojë,
duke e bërë fytyrën time të zgjohet acar
në brendësi të Kalasë do të të rikrijoj,
mes formash të çuditshme e çdo imagjinatë.
E më tej në Ullishtë, në këtë mes të heshtur,
nëse nuk do të të gjej si një karakafte
do të rrëmoj kudo që të jesh fshehur
të të mbaj si kujtim në këto rafte.
Do gdhij, do të zgjohem, të bashkohem me sytë e tu
do të bëhem pasion i një dite të stuhishme
do të shkruaj edhe nëse do të mbetem kërcu:
në qytetin tim je një poezi e çuditshme…
… do të bëhem perëndim i prushtë,
i mbushur me dritë do të mbetem i ringjallur
brenda një dritareje sado të ngushtë
jo thjesht në pragun e një dere të hapur.
Nëse qielli do të më kërkojë
brenda pranisë tënde të mbushur me yje
fatin miliona vjet do ta bekoj
që më fali Ty si dritën e syve.
Nëse nuk do të ndodhë kështu një ditë,
i dehur elbasançe do të lutesha fort
që të bëhesh vërtetë vetëm një mit
përtej së shkuarës dhe asaj që je sot.
Unë i dehur dhe ti e çmendur
do të mbesim bashkë një poezi
duke bërtitur me zë të trembur
"kush do të na çojë në shtëpi"?
Nëse qielli nuk do të na dëgjojë,
do të zgjohemi si engjëj në kllapi,
dikush me siguri do të na kuptojë
se ne u dehëm në qytetin me dashuri…
Duke u derdhur nga fustani yt
e kuqe, e bardhë, pak vjollcë e portokalli
kjo dehje do të jetë fati im
kur Ti me ata sy më cyt…
*****
You are a strange poem
By Fatmir Terziu
If heaven will reject me
I will merge with your eyes
with an open Abetare I will become a reader
right on the big mountain of works
a Konstandin miraculously emerging from the bust
between pines that give you heart and a time that hides foxes.
If Krasta won't caress me,
causing my face to wake up frosty
inside the Castle I will recreate you,
among strange forms of every imagination.
And further to Olive land in this silent middle
if I don't find you like a flower
I'll mess up wherever you're hiding
to keep you as a memory on these shelves.
I will wake up, I will wake up to join your eyes
I will become the passion of a stormy day
I will write even if I am paralysed:
in my town you are a strange poem…
... I will become the sooty West
filled with light I will remain resurrected
within a window however narrow
not simply on the doorstep of an open door.
If heaven will ask me
within your starry presence
I will bless fate for millions of years
that you forgave me like the light of my eyes.
If it doesn't happen like that one day
Drunk like in Elbasan, I would pray hard
to become true only a myth
beyond the past and who you are today.
I'm drunk and you're crazy
we will remain together a poem to come
shouting in a frightened voice
who will take us home?
If heaven won't hear us,
we will wake up like angels in brackets,
someone will surely understand us
that we got drunk in the city with lovers…
Spilling out of your dress
red, white, a little purple and orange
this drunkenness will be my fate
when you look at me with those eyes...
