top of page

Jashtë statikes


Prof Dr Fatmir Terziu


Një hapësirë tjetër kohore nominative, karakterizuese dhe e të ekzistuarit, natyrisht nëse do të lexonim Heiddeger do të ishte koha me të cilën e ardhmja do të përkshruhej si e ekzistuar, e jetuar në kohën me Covid – 19. Me këtë do të nënkuptonim ekzistencën materiale, ose jomateriale të një sendi, që do të thoshte se edhe e padukshmja, e panjohura, do të bëhej ekzistencë e ekzistencës së materiales, apo jomateriales në këtë kohë. Pra kjo do të ishte e qenë. E qenë se ne jetuam dhe ekzistuam në këtë kohë me të padukshmen e virusit. Ekzistuam dhe rezistuam. Dhe natyrshëm çdo gjë që ekziston është duke qenë. Duke qenë do të na shtonte hapësirën të shkonim në ontologji. Dhe Ontologjia si dega e filozofisë që studion të qenurit, do të na duhej të shkonte më tej Heiddegerit. Kjo pasi qenia është një koncept që përfshin tipare objektive dhe subjektive të realitetit dhe ekzistencës, dhe jo e kundërta.

Duke shkuar në origjinën e saj, një “qenie” është çdo krijesë e gjallë, nga një person deri tek një insekt, virus. Duke qenë si e tillë, ajo gjithashtu përkufizohet në fjalërët e sotëm sikurse i referohet gjendjes ekzistuese. “Të jesh, apo të mos jesh” (to be, or not to be) - kjo është pyetja kur po flet për të qenurit. Përpos kësaj kuptohet qartë se gjërat që ekzistojnë janë në varësi të qenies: ky kuptim i të qenurit është pak i paqartë, por ka të bëjë me mënyrën se si gjërat janë të gjalla dhe reale. Atëherë kur kjo trajtohet si ekzistencë, si do të ishte një strukturim i saj më i saktë?

Në vend se të mbetemi tek një “gjë” statike, pra, Covid-19 është një strukturë angazhuese, duke u qasur jashtë të jetuarit në botën tonë të akumulimit të gjërave, duke u bërë faktor dhe përcaktor i një ndryshimi me ekzistencën e emërtimit dhe mosdukjen e ekzistencës, qasjes së virusit në formatin pandemik. Në gjuhën e Heideggerit, natyrisht është thelbësisht “qenia-në…”, ose “të qenurit në botë”. Pra, vetvetiu është një formë e cila ka në vetvete padukshmërinë, ka formatin kalimtar, dhe kështu qenia është jo më një varësi e vetë qenies. Ajo si e tillë është një koncept i ri, i cili është në strukturën e formuar nga debati dhe dilema e të qenit, pra referimit tek mesorja e ekzistencës dhe joekzistencës, pasi vetë “lufta” për këtë tipar të ri “Covid-19” është izolimi, mbrojtja dhe maska. Të treja janë përtej një fjale të vetme dhe kështu koha kërkon çmontimin filozofik të të qenit.

Në të ardhmen ne patjetër do të themi: “Jetoi, …jetuam në kohën me Covid-19”, pra qemë ekzistentë në ekzistencën e të qenit kohë pandemike. Kjo natyrisht edhe pse afrohet me konceptin Cartesian-Kantian e “vetëvetes”. Vetëvetja është një pozicion individual i të qenit si objekt i vetëdijës së vet-reflektueshmërisë. Meqenëse vetvetja është referencë nga një subjekt për të njëjtën temë, kjo referencë është domosdoshmërisht subjektive. Ndjesia e të paturit të një veti-apo vetë-prezencë - nuk duhet të ngatërrohet me vetë subjektivitetin e dilemave që prodhon absurdja e ekzistencës, apo mosekzistencës së virusit në këtë kohë pandemie. Ajo që i duhet filozofisë është të cementojë një logjikë më efikase, pasi i duhet gjuhës dhe qasjes adekuate të saj në Fjalor e komunikim shoqëror, jashtë statikes.

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page