KLASA JONË E ALFABETIT
Në Përvjetorin e Festës po e përcjell
këtë Poemë që e kam në dorëshkrim
HYRJE
Në një klasë u bënë bashkë
janë banga tridhjetë e gjashtë.
E në çdo bangë, dy vogëlushë
çelin si lulet në fushë.
Çdo vogëlush e ka një emër
që e lartëson me zemër.
Dhe çdo emër nis, o trim
me një shkronjë në fillim...
Sa ka shkronja alfabeti
emra aq të bukur gjeti
për vogëlushët xhaxhi poeti.
Tingëllojnë bukur e mirë
dhe shqiptarë po dhe ilirë...
###
Artanit, te banga A
në krah i rri Ardita
të lumtur janë ata
të bukur porsi drita.
Te banga B, Bamiri
si shoqe pranë ka Besën
gëzimi u shkrep te syri
si dielli në mëngjes.
Te banga C rri Coli
me zërin si kambanë
dhe ëmbël na i foli
Cetinës t'i vijë pranë.
Te banga Ç, Çiljeta
në krah e ka Çerçizin
si fluturat krahëlehta
ca ëndrra për larg i nisin.
Dorina, te banga D
Dritanit i rri pranë
gëzimi vallen zë
e mbush dhe gjokset tanë.
Te banga DH, Dhurata
përbri i rri Dhimitrit
Hareja u rrit flatrat
kur del nga fundi i shpirtit.
Në bangën E, Ermali
dhe pranë i rri Ermira
natyra u ka falë
eh, sa e sa dhuntira.
Ja Ëngjëlli te banga Ë
në krah të Ëngjëllushes
miqësia rrënjë po zë
si fara tej në fushë.
Në bangën F, Fatmiri
dhe pranë i rri Flutura
dëshira u mbush gjirin
për ditët më të bukura.
Te banga G. Gentiana
përbri e ka Gazmendin
e si dy gonxhe ngjajnë
që lulëzojnë vendin.
Dhe Gjergji, te banga GJ-ë
me Gjenovefën pranë
sa shije të ëmbël lë
urimi në sytë tanë.
Në bangën H, Hygerta
fton Helidonin pranë
si degëzat e blerta
të dy ëndrrat i kanë.
Te banga I, Iliri
Irisës i bën vënd
gëzimi te dritë e syrit
të rrahë zemrën e bën.
Te banga J, Joana
në krah i rri Jetmiri
të dy të bukur ngjajnë
si gurë xhevairi.
Te banga K, ja Kristi
Klodiana i rri ngjit
hareja brenda shpirtit
gëzimin ua rrit.
Te banga L, Lulieta
Lulzimin ka përbri
të dyve u fal jeta
një mal me mirësi.
Te banga Ll, Llukani
me 'të dhe Llambrinia
të dy të bukur janë
u ndrit fëmijëria.
Në bangën M, Marjana
e pranë qëndron Mirushi
të dy syçkat i kanë
të bukur si kokër rrushi.
Në bangën N, është Nora
në krah me Neritanin,
ajo si lule bora,
ai si tulipani.
Njomzakja te banga Nj
pa shok na paska mbetë
që vetëm mos ta lë
po shkoj të ulem vetë.
Në bangën O, Odetën
e ftoi pranë Oresti
dhe shkolla ua bën jetën
të bukur si për festë.
Te banga P, Petriti
përbri i rri Polinës,
hareja tingëlliti
si tel i violinës.
Në bangën Q, Qemali
Qëndresën pranë e ka
e ngjajnë si lule mali
të bukur sa më s'ka.
Rezarti te banga R
në krah qëndron Rudina
hareja vallen zë
si lulet te lëndina.
Te banga Rr, ja Rroku
me Rrushën që pranë i rri
aroma borziloku
përhapin që të dy.
Në bangën S, Skënderi
dhe Saimira pranë
dhe në Tabelë të Nderit
të dy fotot i kanë.
Te banga Sh, Shpëtimi
në krah dhe Shpresën ka
suksesi dhe gëzimi
me krahë i bën ata.
Në bangën T, Teuta
Tomori pranë i rri,
si pema që lidh fruta
më ngjajnë që të dy.
Në bangën Th, Thëllëza
Thanasit i buzëqesh
e garë me gjë e gjëza
po bëjnë vesh më vesh.
Urani, te banga U
Urimes i rri karshi
e shënjtë lind kështu
e bukura miqësi.
Në bangën V, Vegimi
në krah i rri Valbona
të çiltër si ujë burimi
e fllade me aroma.
Dhe Xani te banga X
i buzëqesh Xinxifes,
këtu siparin ngrë
çdo fjalë e bukur shqipe.
Te banga Xh, Xhevairi
me Xhenin kuvendon
e u buron nga syri
një dritëz që i ndriçon.
Ja Yllka te banga Y
Ylberi i rri pranë
e shihen sy në sy
se miq të mirë janë.
Në bangën Z, Zamiri
me Zanën që buzëqesh
gëzimi nga rreze e syrit
u rrit dhe brenda nesh.
Në bangën Zh, rri Zhaku
Zhanetën ka përbri,
të dy - lule zambaku
përhapin bardhësi...
###
Mbërritët gjer këtu
u endët nëpër shkronja,
po rrugë të gjatë, ju
vogëlushë kini akoma.
Se Dritë e Diturisë
ju do të përkushtuar
që fatin e Shqipërisë
ta mirrni nesër në duar...
Kommentare