
O Muzë hap krahët, eja me një frymë...
BALADË QEPAROTASE
Poemë
1. Në vend të hyrjes
Për këtë poemth, gjallë e kam në mend
si erdhi tek unë u ul zuri vend.
Ishte buzëmbrëmje, një shpresë e venitur
me syrin nga deti rrinte duke pritur...
Befas doçkë e flladit në xham ka trokitur
dhe një frymë e shenjtë porsi një puhizë
u end krahëlehtë rreth nëpër shtëpizë,
si djegje thimjami, parfum frymëzimi
e ç'burgosi fjalën, i dha krahë mendimit,
dhe e ndjeva shpirtin shpend në lartësitë,
dhe një lot i vakët bëri poshtë nga sytë,
shtangur bukurish e lashë të rrjedhë,
me tevlig të Muzes u shtrova nën zgjedhë,
po ma merr firomën, më ysht me hosten
nga hojzat e shpirtit dufet gjithë i shfren,
me dufin e nxjerr së thelli një tëngë
dhe u mbrujt poemthi, udhë e mbarë këngë!...
2. E para këngë
O Kapedanë sedërllinj e trima
nga ju shtëmëngej vetëtima,
u mbrujt burrëria në shpërgënjë
zemra - nga guri me rrënjë...
Si eksplorues, skutat e shpirtit gjuaj
të korr dua farën burrërore tuaj.
I thërmoka gjunjët mbi shkëmbinj,
gjuhën e zogjve mësova nën ullinj,
brodha Pihoin,* dremita nën një lis
flladet i mbledh e ëndrat nanuris,
me shpirt në dhëmbë e ngjita Karosin*
shkëmbinj memecë nuk dinë të fjalosin,
Gjivlashit* të sertë iu ula këmbëkryq
"Pa hajde,- i thashë,- të kuvendim si miq.
Iu luta malit me lotë në sy:
"Rrëfemë dhe mua, në ke perëndi!
U dogja mallit të lëçit trimëritë,
kam nevojë si për dritën te sytë,
si për ajrin që mbush mushkëritë,
për fllade trëndeline Orotoi,*
dhe për ujë bore Lizikoi,*
për bukë të misërt mbjellur në Kovaçe,*
me dru lisi Pihoi* pjekur në saçe,
për ullinj Megajthi* si syri i vashës
për djathin si gushë e bardhë të napës,
për vezën e kuqe të Paqshkës,
për hojet e mjaltit të cfakës,
për hirin e ngrohtë të vatrës,
për cipë shelegu pjekur në heje,
për ngrohtësi mikluese nënkreje,
për këngë e valle që ndezin dasmën,
për verë nga vreshtat që u vumë kazmën,
për blegërima qengji që mbushin pranverën,
për miq e shokë që hapur lë derën...
Për të gjitha shpirti, o mal është i etur,
tani pakogjë nga jeta ka mbetur,
ndaj më ndih të zbardhim historinë,
të këndojmë bashkë bëmat, trimërinë
të brezave qe ikën, burrave kapedanë,
frutin e farës fisnike, e ku tjetër e lanë?
Veç këtu te ky vend, te ky dhe i bekuar,
shpirt' i tyre themelesh do jetë ngujuar
e pret çastin të shkrepë shkëndija drite,
ky shpirt patriot i brezërisë fisnike,
ky shpirt atdhedhëmbur, fjalëpakë
i rrëfeu vendin kujt i hyri në hakë.
E DYTA KËNGË
O Muzë hap krahët, eja me një frymë
te Buza e Burrave shtro sharkun të rrimë
e maleve lart t'u vërvitim synë
krushqi do të bëjmë sot me historinë.
Trimërinë, o Muzë do të ve në prikë
t'i këndojmë të bëmet trimërorit Gjikë,
ti shtruar ia merr, unë t'ia kthej me grykë:
Më pesë ditë shënëndre
Gjikë Thanasi lule,
të erdhi një tesqere
për Karadak u nise
që na u bë havale.
Ti me Gjolekën u re
dhe i bëtë kallame...
Qiriako Kapasit këndoi, o Muzë!
Limerin e ngriti te shpella në Buzë,
mburojë për bonjakët, për të ligjtë shpuzë.
Dhëmbjen, varfërinë ndjeu gjer në thua
në sup karafilen larg u refëgua
sorkadh i maleve langua
sorkadh e gjarpër me pika:
Dielli që lëshon çika
hane, hane o Qirjako!
O ylly me shtatë drita,
që s'dijte se ç'është frika
rritur në shpella, në gryka
ku rronin vetëm petrita...
Pa guxo, o Muzë, matu me Gjivlashin
këndo Polo Marën, këndo Zaho Vlashin,
vargjet si në shtrungë, me rradhë t'i ngasim.
O ju këngë vëndi, çfarë iu nxjerr nga fundi
i shpirtit të etur, iu nis me vrap plumbi
të arrini retë, ndizni vetëtimat
përmbi kuaj flake të na vijnë trimat.
Zaho Vlash' e Polo Mara
të dy me armë të lara
që s'iu dil njeri përpara.
Zaho Vlashi - armë çifti
ai trim që të goditi:
"Boboo, derëziu!- briti
vrava trimin e Dovletit
kapedanë e Bregut Detit...
Ikën trimat larg, shkelën male e dete
po lanë të mirët, mbas si bisht komete
një emër, një këngë, një dhëmbje, një lot
dua t'i bëj bashkë, e ku bëhen dot!
Endet shpirti i tyre si nje fllad mbi thua
ngjitet në Gjivlash e zbret në Pihua
herë si pëllumb, herë si fajkua.
Shpirt që të vjen et, o shpirt i trazuar
kapedan Sokratin sot ma ke veçuar,
më bukur se kaq, jo, kush s'ka kënduar:
Qeparo, o majë shkëmbi,
pataksem si s'lot nga vendi!
Humbi Sokrat Lekë drëri,
humbi Sokrat Lekë i shkreti,
kapedan i Bregut Detit,
pallë e namuz i miletit,
plaf i gjithë Kurveleshit,
nur i gjithë Vilajetit.
E TRETA KËNGË
Krenaria jote Qeparo, të trëmb,
fajkua me kthetra kapur lart në shkëmb,
në nder e ne besë mbrun përjetësinë,
mbolle dashurinë, mbolle urtësinë.
Korre për ne brezat e na le thesare,
me thonjë në mal vargove brezare,
nga Megajthi poshtë, gjer lart te Gradishta
dallgëzon si deti një pyll me ullishta,
nuse e stolisur dhe fusha mes brigjesh,
në det bukurie bie po nuk vritesh...
Blerim i përjetshëm si t'i lëbyr sytë,
u ngjizën atje fidan dashuritë,
ylbere në sy - dashuritë e tua
e kë s'drithërojnë dhe sot gjer në thua...
Qeparo - shkallë bimbashi
raftë e të zëntë Gjivlashi!
Qeparo kundruall detit
jeshe kripa dhe lezeti...
E KATËRTA KËNGË
Më plagosën Muzë e m'u shkrep të qarët,
të luftës e fundit do vajtoj të vrarët,
Ç'fola, do vajtoj? Eh o shpirt që vuan,
ku të dhemb më shumë me hobe të gjuan,
të zhurrit në gjoks plumbi i dushmanit,
ndaj u përgjërohem, eni iso mbani!
Trimave që ikën u ka kënga hije,
e ndjeni? Barot në rrëmba na shtie,
këngës e bilbilit po ia rritka vlerën,
gonxhes trëndafilit po ia shtoka erën,
gjethes që përkundet ia nxit drithërimën,
flladit nanuritës po ia mbaka frymën,
dallgës që rropatet po ia zgjatka çapin,
erës së lirisë po ia rritka shtatin...
Bëri krahë e iku ajkë e djalërisë
në betim të zjarrtë iu përgjunj lirisë,
veç në prehrin tënd, o liri u fal,
u gjakos tek ikte nga mali në mal,
nuk kërkoi ndere, s'lypi piedestal.
O kohë që vërtitesh si në një gjeratore
si zogun te foleja, ti Person erdhe more,
te degë e rrapit lart, tinzare hodhe lakun
në shpirt i drithërove të riun edhe plakun,
e trimes Persofoni një lot i ndrin te syri
rrëshqiti nëpër faqe, u tret përbrenda gjirit,
një çast, vetëm një çast një fjalë mbeti në buzë,
urrejtja për armikun të djeg si zjarr e shpuzë,
si lodër ngjan litari dhe vdekjen s'e qas zemra,
e për vendlindjen larg i nis një tufë ëndrra...
Katina, Kristaqi motër e vëlla
të dy të flijohen, eh, se ç'short u ra!
Që kërthi provuan rrugët e mërgimit,
ka shije të hidhur kafshatë e mjerimit,
si macja me miun fati me ne loz,
erëra revolte vjen e mbjell në gjoks.
Kristaq bir, me plumba nazistët të grinë,
ç'dhembje përjetoi toka në Prishtinë!
Të njëqindekatër me këngë në gojë
ikën, ah, Prishtinë s'iu dole mburojë...
Kush barot në zemër të shtiu Katinë?
Po kjo zemër vajze a s'ngjan me lëndinë
si lule plot erë, a s'rrit dashurinë?
Moj Kato-Katinë, o vajza e maleve
ia fale rininë, bijëz, idealeve
të qan nënëdhembura në krye të shkallëve.
Për zemër kishe shkollën, të digjte një dëshirë
të rriteshe i mençur, të bëheshe i mirë,
Sa shumë e deshe jetën, më shumë dashurinë,
por si Petëfi, o Jorgo s'i vure mbi lirinë,
në mes të rrugës mbetën dëshira edhe ëndrra,
qe nga Deçan i largët mbi krahë të pruri kënga.
Dielli mbi Gjivlash si përditë leu,
të flet:"Niko trimi, zgjatëm dorën, ngreu!
Herët valë e luftës mes saj të rrëmbeu.
Ike mbushur shpresa, kokën mbas s'e ktheve,
katër njomëzakë le si zogjth në çerdhe,
te Majë e Policës i vetëm në pritë
luftove e re, të gëzojnë të ritë,
askush s't'u ndodh pranë të t'i mbyllte sytë,
askush s't'u ndodh pranë buzën të të lagë,
eh, plagët e tua dhe për neve plagë.
Nga Aleksajt ishte edhe Hilë trimi,
në grahmat e fundit çapitej pushtimi,
por nuk qe e thënë të shijon lirinë,
plumbi i armikut i kish vënë synë
dhe erdhi shigjetë e dogji te gjiri,
dielli që po lindte iu shua te syri,
në qiell të këngës si një shqipe hyri...
E PESTA KËNGË
Hajde frymëzim të më bëhesh shok,
si mik më hidh krahun të baresim tok,
te dikush të mbahem, o mik kam nevojë,
shkretia këtu s'rrëfehet me gojë,
të shkelim rrugicat nga Bishti në Majë,
si bren mola rrobën, dhimbja do më hajë,
ka veshur lëmyshku muret e avllive,
tani kukumjaçka këndon lart çative,
kanate dritaresh shqyerë e ndukur,
si sy perënduar në gropëza futur,
vrapon e vjen flladi, s'përkund asnjë perde,
në ballkone s'ka as zogj e as çerdhe,
jehona e hapit si shkel në një shpellë,
të ngrin ftohtësia thellë e më thellë...
Kush vallë e kurdisi këtë shkretëtirë,
mos zbriti nga mali ndonjë egërsirë,
Gjivlashi i lartë mos nisi shkëmbënjë,
mos vallë Shën Mitri vendin e ka nëmë
që jeta u shterr, u tha gjer në rrënjë?
Më hidh një cigare, o Muzë për mort,
këtë shkretëti nuk e përball dot,
gjer në Lekëkonde hidhemi një vrap,
këto derte shpirti të m'i bëjnë zap
këta që pushojnë poshtë këtij dheu,
forcë të më japin si toka Anteut,
në i mbyllça sytë asgjë nuk do humb,
vetëm të mos merrja tani këtë plumb.
Skifteri rrëzë më rrëzë,
iku trimi me thëllëzë,
lisi në Buzë - hava
u shkul me rrënjë e bina...
E GJASHTA KËNGË
Shpirt që e ndjen thellë dhimbjen e rrënimit
mos ia mbyll, të lutem, dritaren gëzimit.
Përpushe si pula hirin te vatra,
thëngjillit të shuar jepi flatra,
ndizja xixën shpresës e tulatur
e gjak i jep zemrës e plakur,
forcë epmë hutimin ta hedh tej,
gëzimin që treti prapë ta gjej,
t'i këndoj mugullimit të barit,
kthimit një ditë të mërgimtarit,
e shenjtëruar në ardhtë ajo ditë,
të këndoj s'do më shterrin fuqitë.
Më lejoni për të shprehur
një mendim,
aty lart ku është ngrehur
fshati im,
treqind metra lart në erë
si një zog
Qeparoi im me vlerë
i pa shok.
Udhëtari kur ka shkuar
si gjithmonë
i mahnitur ka kundruar
Qeparonë.
Gëzimet për ne - në sofër thërrime,
mblidhi kokodash, o ti Muza ime,
mblidhi kokodash si zogun mëkomë
me mushtin e shpresës më pastaj kungomë,
të degdis në hone makthin, pështjellimin,
të ndaj si naforë me miq shqetësimin,
si naforën dhembjen me miqtë të ndaj,
copën më të madhe për vete do mbaj.
O jetë, o fat! Në e ndjen me zemër
në shpresa më bëni me shumë vëllezër,
dhe në dëshpërim, gjer sytë t'i mbyll
pa m'u ndodhni pranë, mos jem vetëm fill.
E FUNDIT KËNGË
Udhembarë baladë, udhembarë varg
pa niseni rrugën që iu shpie larg.
"Postjer, kush do bëhet?- i pyeta zogjtë
të m'i shpjerë vargjet anekënd në botë?
"Ke nisur,- më gjegjen, - një rrugë pa krye,
e kujt, o njeri, në mend sot i bie
kokën pas të kthejë për nga Shqipëria?
Por unë kam shpresë, miq, te ardhmëria.
Pa u ktheni bij te streha që pret,
këngët u harruan, vallet mbetën shkret,
nga syri që rrjedh loti u bë det
dhe guri rëndon, djem, në vend të vet...
Comments