top of page

IZET SHEHU: DINO dhe TAPITË



(Arkiva Fjala e Lirë, Londër, (e mërkurë, 25 Mars, 2009 14:54:00 GMT)

 

Dy Tregime

 

Në luginën e lumit vazhdonin të binin shira të verdhë. Vau, që kalohej gjatë stinës së verës në anën tjetër, ku ishte stacioni i trenit, ishte zhdukur nën mbulesën e ujit. Edhe në shpatet e kodrave koha nuk ishte më e mirë. Shtigjet kodrinore qenë mbuluar me një shtresë të verdhë lymi. Dino hodhi sytë nga qielli: Yjet e zbehtë dalëngadalë po shuheshin. Agu kishte zbritur mbi luginë dhe, në të dyja anët e rrugës gjatë së cilës vraponin me potere rrëketë, ndjehej çuçuritja e mëllënjave. Gjithë natën e natës kishte rënë shi. Vetëm në të zbritur të agut, një erë tinzare kishte tundur e shkundur pikat e shiut dhe kishte davaritur mjegullën bojëhiri, që ndjehej mbi luginë. Dino ishte një plak rreth të shtatëdhjetave, i thinjur dhe i shogët, por faqekuq. Kush e shihte për herë të parë, nuk e besonte se ai kishte bërë në kohën e diktaturës komuniste plot njëzet e një vjet burg politik. Fytyra e tij shprehte gatishmërinë për të marrë pjesë në gëzimin dhe hidhërimin e kujtdo. Ecte me kujdes në rrugën e kalldrëmtë, që vende - vende ishte e mbushur me pellgje. Meqë vau s’kalohej, doli te ura. Aty, mu tek këmbëza e parë e urës, një qen i zi e leshtor i lehu.

- Qelbës i fëlliqur! – i thirri plaku me një ton të trembur.

- Qeni u step dhe mori tutje nëpër kaçubet e dendura në breg të lumit. Dino kishte vite që mundohej dhe ushqehej me përralla. Në vitin 1992 mori gruan dhe ia mbathi për në kryeqytet. Fëmijë s’kishte. Kur u arrestua, e la gruan të re së bashku me nënën e tij. E gjora e priti për vite me radhë. Kur Dino u lirua, gruaja s’lindtte më, ndaj s’u gëzuan që s’u gëzuan me një bimëz të ngjizur me shpirtërat e tyre. Në kryeqytet, në fillim , u futën thuajse forcërisht në një dhomë të lagësht në katin e parë tek ish-shkolla e partisë. Pastaj, po forcërisht, i larguan prej andej. Ngritën një çadër në oborrin e shkollës. Edhe këtu i larguan.

- Ku të mbytemi, moj grua, ku?

- Në lumin tonë, - ia priti me një ton të përmortshëm e shoqja.

Barrakën me dërrasa në Savër, në njërin nga nëntë gulakët e internimit, ia kishin zënë të pastrehë të tjerë, kështu që Dino, pasi e bindi të shoqen, vendosën që të ktheheshin në vendlindje në atë luginën e mallkuar, ku binin pareshtur shirat e verdhë dhe ku endej si një shpend i trishtuar mjegulla bojëhiri. Edhe pse ngrehina e zezë komuniste ishte rrëzuar, zërat e saj rrëqethës jehonin sërish nën kurorat e ullinjve. Njerëzisë ende s’i kishte dalë lepuri nga barku. Ndaj e shihnin me sy të tromaksur plakun. Në breg të lumit, rrëzë kodrës me ullinj, të dy, burrë e grua, ndërtuan një shtëpizë. Ishin mësuar të jëtonin me të keq. Ai qelive e galerive dhe ajo barrakave me dërrasa të kalbura ndër gulakët shfarosës. Por, një gjë duhet theksuar: ajo ishte një grua e fortë, me karakter luftarak dhe besnike gjer në vdekje. Nuk qe pak. Priti plot njëzet e një vjet të shoqin, i mbajti nënën plakë, i çonte rregullisht ushqime të shoqit nga burgu në burg. Kur doli në xhadenë kombëtare, Dino i hodhi sytë nga qielli: ai pa se në lindje yjet ishin zbehur fare, ndërsa majat e largëta të maleve e kishin humbur atë bardhësinë e tyre dhe tani nxinin në sfondin e ndritur të qiellit. Rruga për në stacionin e trenit mbante gati një gjysmë ore. Kur pa lëvizjen e makinave, ndërroi mëndje. Do të shkonte në kryeqytet për të plotësuar formularët e dëmshpërblimit për vitet e burgut, për punën në minierat e vdekjes. Hipi në një furgon. Zuri vend pa i parë bashkëudhëtarët e tij. Solli ndër mend ca copëza të irnosura kujtimesh, ca re të trishtuara, ca vetëtima e rrufe shkreptimtare dhe humbi në një gjumë të thellë. Kur në një kthesë shoferi frenoi furgonin, koka iu përplas në sendilje. U shkund i tëri. Përballë sytë i ranë në një plak shtatlart, i thatë dhe i përvuajtur. Flokët, ashtu si dhe xhupin, i kishte të kuqërremë sikur dhe ato t’i qenë shngjyrosur nga dielli dhe era, ndërsa në shprehjen e trishtë, që i ndehej në fytyrë, dilte në pah diçka e mjerë. Buzët e tij, rrudhat si brazda, mustaqet e rralla dhe dhëmbët në ngjyrën e misrit hibrid, tregonin për vuajtjet dhe mundimet që kishte hequr në jetën e tij ky njeri.

Dino u shtang. Fërkoi sytë e turbullt si dy pellgje. E njohu.

- Arseni je ti, apo më bëjnë sytë?

- Ai vetë.

E panë njeri – tjetrin sy më sy. U përqafuan.

- Si jemi bërë?! – pyeti e tundi kokën Dino.

- Si kuaj gërdallë, pa fre e pa shalë, - iu përgjigj Arseni.

- Po.

- Ne do bëjmë tonën, ata të tyren. Ata na mbajnë gjallë me përralla dhe ne i hamë ato. Na duken si petullat që s’i kemi ngrënë kurrë.

Zbritën nga furgoni. Morën trotuarin që të çonte te godina, ku do të plotësonin formularët. Hynë në korridorin e godinës. Aty ishin grumbulluar shumë ish- të burgosur politikë.

- Duhen tridhjetë e pesë dokumenta, - dëgjohej një zë nga turma.

- Oho! U dashka një thes me letra!

- Këto duhen plotësuar brenda dyzet e pesë ditëve.

- Po a ka mundësi kaq shpejt?

- Po deshe, po s’deshe mbathja andej nga erdhe.

- Hej, bela! S’paskërkan të mbaruar kusuret tona?!

- Vetëm në varr. Po dhe atje kemi ca hesape me perandorinë e krimbave.

Nënpunësi, një burrë rreth të gjashtëdhjetave, rrinte në sportel dhe jepte e merrte me sy, me duar e me gojë. Qe një fytyrë e rreshkur e verdhacuke.

- Këto formularë të plotësohen brenda dyzet e pesë ditëve. Ndryshe…

- Ndryshe, jemi të djegur, - e plotësoi dikush nga turma

- Po, - tha me ton të vendosur nënpunësi.

- Ah, mor vëllezër! – shtoi një tjetër me ton të përvajshëm. – Po ne që jemi këtu, të djegur kemi qënë që në mëngjes e të djegur do të shkojmë gjer në botën e përtejme. Aty nga ora dy pasdite, turma e përvujtur, u rrallua. Dino, i duruar sa më s’ka, i djegur sa më s’ka, iu afrua nënpunësit të rreshkur e verdhacuk. Ai e pa.

- Sikur t’i dhashë formularët, apo jo?

- Po, mor, po! – i tha Dino dhe iu afrua më pranë sportelit.

- Mos je operativ Kristo, zotrote?

- Dora vetë, -ia ktheu nënpunësi.

- Shikoma ballin! Ma ke bërë si e çara e shegës. A e mban mend?

Kristo shtangu.

- Ajo kohë ka qenë, i nderuar! Ajo kohë!

- Kush është ministër këtu? -  pyeti Dino.

- Silo Skërka.

- Djali Latif Skërkës, atij Sekretarit të Parë të Partisë së Punës?

- Dora vetë, - ia priti qetë nënpunësi.

- Pse s’thua që kemi trokitur në strofullën e ujkut? – sokëlliu me sa zë pati Dino.

- Jo, zotëri, gabohesh? Kjo është ministria e Demokracisë dhe jo strofulla e ujkut. Ne i sollëm këto ditë të bukura për ju dhe për vete.

- Ju na i sollët, ë? Ju? Bah, çfarë bukuroshe demokracie na sollët?! Si i tha këto fjalë, u xhindos, i mblodhi shuk formularët e paplotësuar dhe ia vërviti në fytyrë verdhacukut. Ata pak ish- të burgosur politikë që ndodheshin aty, u pataksën me formularët e zbukuruar dhe të hedhur në fytyrën e operativit! Vallë, a nuk janë njëlloj bërja gati e mijëra thasëve të tillë në formularë për t’u djegur në zjarrin e mashtrimit! Çdo thes me letra, një shpirt i munduar, një i vdekur në galeri, një i pushkatuar.

Lexues i nderuar! Sille ndër mend flakën e kaltër të këtij zjarri bubulak dhe mos harro: edhe letrat, edhe shpresat, edhe dëshpërimet vdesin në të.

Po kush mbetet gjallë?

 

TAPITË

 

 

Kishe plot gjashtëdhjetë vjet që e kishe braktisur vendin tënd, një fshat të vogël në brinjë të malit të Breshkës. Ai vend për ty ishte më i bukuri në botë. Po i ligu , pasi të vrau burrin pa gjyq si nacionalist, të detyroi me forcë të merrje katër vajzat dhe djalin e vogël, Hekuranin, dhe të ikje nga sytë këmbët. Shtëpinë dykatëshe, me dritaret që shikonin nga perëndimi, tutje fushës së paanë e, në ditë të kthjellta pas shiut, vezullimin e kaltër të detit Adriatik, e le të të braktisur. Në fillim, mbi çatine e saj vajtonin kukuvajkat e më vonë këshilli ngriti flamurin e kuq me yll midis dy kokave të shqiponjës. Të pikonte në zemër, po ç’të bëje. Qenë kohëra të egra. Dhe për gjashtë dekada nuk shkele që nuk shkele në atë shtëpi. Mbase qe më mirë për ty, sepse e ruajte në kujtesë ashtu siç e le. Si klloçka i more me sqep të pesë fëmijët dhe u vendose në një barakë të vogël rrëzë Taraboshit, ku ulurinte era e vallëzonin pikat e shiut mbi llamarinat e ndryshkura. Aty i ngryse ditët e mundimshme e vitet e stuhishme. Në atë barakë rrëzë malit e buzë Bunës, mbi një truall gurishte me një bimësi të varfër, kryesisht shkurre, driza, ferra e shegë të egra, u mundove, u rropate, more frymë. Tani je plakur. Mosha bën të sajën. Del shpesh e më shpesh në breg të lumit. Trupi të është mpirë. Shqisat të janë zbehur. Ke zënë të ankohesh : “më dhëmb këtu, më dhëmb zemra, më dhëmb brinja, më mpihet krahu”. Ke filluar të ankohesh e të rënkosh. Të pëlqen vetmia. Mban dhe një stap thane në dorë kur ecën mes shkurreve në rrugën gjarpërore. Ulesh ngadalë mbi një shkëmb të sheshtë  dhe sjell si në ekranin e një filmi ditë, javë, muaj, vite. Kjo të ka mbetur tani, moj plakë e ngratë.

Të kujtohet dita kur të thirrën në Degën e Punëve të Brendshme në qytezën tënde.

- Emri?

- Zyba. Më thërrasin Baje.

- Mbiemri.

- Pepa

- Sa fëmijë ke?

- Pesë. Katër vajza dhe një djalë.

- Ku i ka fshehur florinjtë yt shoq, Veizi?

- S’kemi pasur florinj. Çdo gjë e shkrimë për të çliruar dheun tonë nga fashizmi. Një muaj Brigada e Parë hëngri e piu në shtëpinë tonë të madhe dhe në ahuret e shumtë që kishim. Ishim të pasur. Të gjitha ç’kishim, gjënë e gjallë, orenditë, gjer dhe lugët na i morët ju, që u mbajtëm me bukë.

- Ndreqe gjuhën, se do ta pres. Na sekuestroi Pushteti Popullor thuaj. Ndreqe gjuhën!

Është e vërtetë që na keni mbajtur me bukë. Kam qënë dhe unë në Brigadën e Parë. E kam njohur tët shoq, Veizin. Po ja që u vërtitka ters bota. Tani në pushtet jemi ne. Nuk thonë kot : Po t’i dihet e mira kaut, nuk i pritet koka kur e lënë fuqitë e kur i bien dhëmbët. Këto i the ti atij oficerit të dalë nga Lufta, atij verdhacukut me fytyrën me gropëza si të vrarë lie. Doje të thoshje diçka tjetër, diçka të tillë si “u ulën malet e u ngritën halet” , por dhëmbët ta frenuan gjuhën. Shyqyr që s’e the. Hajde e duroi torturat çnjerëzore të atij harbuti me turirin si miu i gjirizeve. Fjalët e fundit të atij miushit të goditën rëndë :

- Ik tani! Këput qafën!

- Ku të shkoj me pesë fëmijë? Ku? – i the ti.

Ai brofi në këmbë si i xhindosur, skërmiti dhëmbët si një ujk i zgjebosur dhe thirri me sa kishte në kokë: – Prapa diellit të shkosh! Në esfel të qenëve të shkosh. Ti u skuqe. Sytë t’u errën. Instiktivisht dole nga zyra e ministrit vrerali. Në kokë t’u shfaq një mendim disi i turbullt : në botë paskësh dy soje : sojli dhe sojsezë, fisnikë dhe harbutë. Çdo gjë e gjallë në botë u ndaka në ata që kafshojnë dhe në ata që kafshohen. Dhe ky qenka ligji, thelbi i kësaj jete të ndyrë. Kjo për njerëzit dhe kafshët. Pra, për çdo gjë të gjallë në këtë botë.

Këto gjëra solle ndërmend ti, Zyba Pepa, tek shihje lumin që rridhte për në det ne mospërfillje për sendet dhe gjallesat përreth. Pastaj sytë t’u kapsallitën, sikur s’donin të shihnin ujrat që rridhnin. Ndenje pak kohë  ashtu dhe prapë zure të meditoje. Një këlysh i murrmë të tërhoqi vëmendjen. Në mes të drizave, këlyshi po hante zogjtë e thëllëzës. Ti, me stapin e thanës në dorë, iu afrove. Këlyshi ngriti veshët, rrotulloi sytë nga ti, pa për pak çaste dhe sërisht filloi të shqyente një zoçkë të njomë. Ti bëre t’i bije me stap, po ai t’i skërmiti dhëmbët.

“Si i ke lënë vetëm të gjorët?” – mërmëriti me vete. Lart, në ajër, rrihte flatrat një gjeraqinë. Kthetrat i mbante ngrehur për sulm. Siç duket, shpendi grabitqar, mbasi kishte larë hesapet me thëllëzën – mëmën, donte të kullufiste zoçkat e saj. Prania jote i prishte punë, ndaj ulej e ngrihej fluturim në ajër, hipte nëpër drurët e shegëve të egra, fshihej midis gurëve dhe bëhej gati për sulm ndaj çdo gjallese, që i shihnin sytë dhe e llogariste se mund ta përfshinte me kthetrat e egra. Madje, kur ti u largove, gjeraqina sulmoi dhe këlyshin e murrmë. Ti e pe dhe thirre. Ajo e la vetëm se e more ti në mbrojtje. Pastaj ti fole me mënd : “Bota qenka një arenë kacafytjesh. Të gjithë kundër të gjithëve. Kudo mbretëron kaosi dhe egërsia”.

Përsëri fole me zë: po nuk pate thonj, rriti! Mos blegëri si qingji! Bota qenka e egër!

- Ah, moj Baje! – i thirre vetes. – ke lindur kot në këtë arenë të mënxyrtë beteje. “Ke lindur kot”

Kur u ktheve në barakë, yt bir, Hekurani, ishte ulur në minderin me dërrasa dhe po pinte duhan. Nusja ende s’ishte kthyer nga puna. Nipi dhe mbesa po luanin në oborr.

- Ku qe, moj hallemadhe! – i foli i biri.

- Atje, tek rri gjithmonë.

- Kujdes se mos të pickon ndonjë gjarpër!

- Se mos do t’u le armët varur, – i  the.

- Jo, moj nënoke, jo. Zoti, siç më ke mësuar, thotë: ruaju të të ruaj.

- Ashtu, vërtet, mor bir, po unë po shkel mbi shkallën e tetëdhjetë. Do të bëhet sebep diçka për të na përcjell në botën e përtejme. Mbase do të jetë më e mirë ajo, se kësaj ia pimë lëngun e hidhur si shafran.

Yt bir t’u afrua, të puthi në ballë dhe të pushtoi me të dy krahët. Ti, e ngazëllyer në ato çaste, i the të mos e harroj dheun ku lindi, Malin e Breshkës, shtëpinë e madhe dykatëshe me dritare që shikojnë nga perëndimi, varrin e të atit, Veiz Pepës e gjëra të tjera. Djali të puthi dhe njëherë në ballë dhe të tha: – Si ti marr këto porosi, Baje, si amanet, apo…

- Merri si të duash, – i the ti.

Pastaj vazhdove:

- Sot jam shëndoshë e mirë, shyqyr Zotit, gjersa lëviz me këmbët e mia. Nesër s’i dihet. S’jemi të përjetshëm: si Taraboshi e si Mali i Breshkës. Jemi kalimtarë. Ndaj, në çastin e duhur do të le një amanet. Hekurani u rrënqeth në shtat, u emocionua e s’e gjeti të udhës ta vazhdonte bisedën. Fjala “amanet” iu vërtit në kokë si një fugë ndjellakeqe.

 

  *   

E tillë ishte drejtësia njerëzore në një vend të vogël malor në brigjet e Adriatikut e Jonit dhe ti, Baje, me gjithë dhimbjen e të jetuarit me ndjenjën e gurit  të shkulur, larg të afërmëve të tu, e mënjanuar, e braktisur, e përbuzur (je armike e klasës për gati gjysmë shekulli), nuk mund të mos i jesh mirënjohëse fatit që të dha durimin e Malit dhe shpresën se një ditë do të vinte dhe për ty një xixëllonjë lirie. Tët biri i the ca gjëra  të kuptimta dhe të pakuptimta. Vërtet, ty të ishte mërguar gjumi, por edhe atij ama. Ajo fjala “amanet” si fugë e kishte përzhitur. S’ishte e lehtë t’ia thoshe tët biri, duke pasur parasysh moshën tënde dhe dhimbjen që i shkakton atij qoftë dhe mendimi se nëna e tij e brengosur, do të vdiste në atë barakë me llamarina të ndryshkura, ku diku, jo shumë larg, ende mbahej shtëpia e tyre e lyer me gëlqere të bardhë! Po ti, si fisnike që je, si besimtare ndaj Zotit që je, e di mirë detyrën e një nëne, ndaj ia the qartë ato që mendoje.

Atë natë, kur fshati i vogël rrëzë malit e buzë lumit ra në qetësi, t’u kujtua fshati yt në këmbët e malit të Breshkës. Bëre përqasjen midis tyre. Të dy male me gurë e me bimësi të varfër. Me shkurre ku gjejnë strehë zogj, shpend e kafshë. Njëlloj, egër gjeraqinat mësyjnë thëllëzat. Njëlloj, breshkat me strofkat nën dheun e murrmë bëjnë vezë, lindin e rrisin breshkëzat e tyre. Njëlloj, gjarpërinjtë tinzarë fshihen nën gurë e fërshëllejnë në zheg. Njëlloj, mishngrënësit sulmojnë, shqyejnë dhe e kthejnë vendin në një arenë ku derdhet gjak, ku ngre kokë egërsia dhe një lukuni pa fund e pa krye. Njëlloj…njëlloj.

Pastaj re në krahët e një gjumi të thellë…të thellë…si në mbretërinë e botës së përtejme. Një mace e vogël që shkele pa dashje të shkëputi nga krahët e atij gjumi të pustë. Hape sytë : e kuptove që e kishe kapërcyer dhe një ëndërr.

 

*

  

Macja e vogël kishte ngordhur. Të paktën në ëndërr. Po, ti, Baje qe e tejngopur me ëndërra e zhgjëndrra. Vetëm shpresa e verdhë si flakëza e qiririt mend të shuhej nga erërat e lumit. Ti prisje e prisje pranverën dhe ajo bënte sikur vinte. Po, ti, që ditët i ke mbajtur si gur mbi shpinë, s’e besoje kollaj ardhjen e saj, sa që kur ajo erdhi apo bëri sikur erdhi dhe ti bëre sikur e besove.

Ishte ditë e premte. Djali, nusja ishin në punë nipi dhe mbesa në shkollë. Ti ndjeve një të rrëqethur në trup e në shpirt. S’qe ditë e ftohtë, madje ditë marsi, kur sythet tregonin me gishtat e brishtë ardhjen e pranverës. Energjia elektrike qe ndërprerë. Gjë e zakontë në këtë tranzicion të tejzgjatur e proverbial. Me mundim ndeze bombulën e gazit. Po ç’qe ajo flakë e beftë dhe e menjëhershme në trajtë vdekjeje?!

More e tëra flakë, moj Baje zeza. Ashtu, si një kometë e ndezur, dole në oborr. Nusja e djalit dha ulurimën.

- Mos u afro! – i the.

Nxorre nga gjiri i zhuritur një cohë të dyllosur dhe ia hodhe nuses.

- Merri, – the, – janë tapitë.      

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page