Isopolifonia – kjo perlё shqiptare e jugut


Fatmir Minguli

Nga Fatmir Minguli


Isopolifonia – kjo perlё shqiptare e jugut


(Shёnime mbi librin “Identiteti iso-polifonik “ Milosao, 2018 tё studjuesit Timo

Mёrkuri )

Pra isoja ёshtё mbёshtetje,

aprovim, unanimitet.

Ismail Kadare,

“Autobiografia e popullit nё vargje” f.9

Fshatrat tona kishin mё shumё

qytetari se ç’kanё sot disa

qytetarё. Kishin mё shumё

diplomaci se disa diplomatё

sotёm. Qysh dje shikonin mё

larg se e sotmja jonё, shikonin te e

nesёrmja qё do tё vijё edhe ne.

Timo Mёrkuri, “Identiteti isopolifonik” , f.111


Nuk ka shumё kohё qё pa dritёn e botimit libri i poetit dhe studjuesit bregdetas tё Sarandёs,Timo Mёrkuri, qё edhe pse mban pёrcaktimin “sprovё” nuk ёshtё i tillё por ka formatin e njё vepre dinjitoze me plot argumetime serioze nё lёmё tё artit popullor tё Jugut shqiptar.

Nёse do tё diskutoj mbi strukturёn e kёtij libri, do thoja se ёshtё njё model mbi mёnyrёn e zbёrthimit tё njё pasurie kulturore tashmё me vlera tё jashtёzakonshme, atё tё iso-polifonisё.

Nё kёtё libёr kemi njё pёrqёndrim tё ideve tё shprehura mё parё nё disa libra tё botuar nga po ky autor, mes tё cilave pёrmend “Madhёria e saj- kёnga isopolifonike” sprovё, “Shёnjtёria e isos” – sprovё, “Vesa mbi kёngё” – sprovё, “Vajzё e valёve” – sprovё, libra qё trajtojnё gjerёsisht kёtё traditё madhёshtore tё njё populli tё lashtё.

Duke qenё libёr qё vesh petkun e vёrtetimeve bazuar nё fakte, ai ndeshet dhe i kundёrshton me llogjika tё gabuara tё shprehura nё libra e artikuj tё ndryshёm ku kёrkohet pёrjashtimi i fjalёs “isopolifoni” dhe tё zёvendёsohet me fjalёn e thjeshtё “polifoni”. Madje kёrkohet nga njё grup njerёzish qё tё zhbёhet klasifikimi nga UNESKO i kёtij thesari popullor shqiptar, duke hequr fjalёn “iso” nga emёrtimi “iso-polifoni”.

1. Pёrse termi iso-polifoni?

Kuptohet se Timo Mёrkuri nuk ёshtё zgjeruar nё shumё emra njerёzish qё e kundёrshtojnё kёtё fjalё qё ka fituar vendin e saj tё merituar nё UNESKO. Pak rёndёsi ka pёr tё. Ai zgjedh rrugёn e vёrtetimit me anё tё argumentave jetёsorё, me vetё librat e tij tё shumtё qё analizojnё gjer nё kapilarёt mё tё hollё lёvizjen e gjakut poetik dhe muzikor tё kёngёs iso-polifonike labe dhe himjariote e mё tej, gjak qё rrjedh dhe nё damarёt e vetё Timo Mёrkurit.

Kёto damarё e kapilarё nё trupin e kёngёtarёve madhёshtorё tё iso-polifonisё nuk janё gjё tjetёr veçse “ çarje shpirti”, ashtu si uji i kulluar i maleve mbi det qё çan shkёmbin e rrjedh teposhtё brigjeve tё jetёs. Eshtё ky kumt qё vjen nga pёrkufizimi qё vetё Timo Mёrkuri ka bёrё pёr natyralitetin magjik tё lindjes sё kёngёs polifonike. Dhe gjithçka ka aromёn e pavarёsisё!

Atje, nё atё vend ku pavarёsia ёshtё e paprekur dhe origjinale edhe kultura e tillё ёshtё. E brenda kulturёs ёshtё dhe kёnga. Prandaj me tё drejtё Timo Mёrkuri nё librin e tij mё tё fundit”Honestra e kёngёs himariote” shkruan:

“ Kёshtu ndodh edhe me kёngёn popullore. Honestra e kёngёs grumbullon nё vetёdijen tonё ngjarje, pёrvoja, pёrjetime momentale, luftra, akte individuale ose kolektive tё cialt janё “shiu”, “uji” i tё cilit depёrton nё tokё e mbush honestrёn, ku pas “filtrimit” prej tij precipiton e zakonshmja nё harresё dhe mbetet esencialja, qё rrjedh si ujёt e burimit, nёpёr kёngё. Ne njohim kёngёtarin autor, atё qё kёndon i pari dhe nuk na shkon mendja se ai ёshtё thjeshtё “gryka e burimit”, shkёmbi qё u ça nga dhimbja a nga malli dhe nёpёr tё “çarёn e shpirtit” tё tё cilit buroi kёnga”. ¹

Tё pёrjashtosh ison nga polifonia ёshtё njёlloj sikur tё barazosh kёngёt hipnotizuese labe e toske me kёngёt polifonike qё tashmё janё zhdukur tё vendeve tё Ballkanit.²

Vetё pёrcaktimi i termit polifoni ёshtё i qartё kur nuk pёrmendet pjesa strukturale qё ёshtё grupi i isos. pёr kёtё mjafton qё tё shihet pa syze deformuese ky pёrcaktim nё wikipedia.³

Fenomeni i iso-polifonisë popullore shqiptare është shpallur si "Kryevepër e trashëgimisë gojore dhe jo-materiale të njerëzimit" nga UNESCO. Termi "iso" i referohet stilit që shoqëron këndimin iso-polifonik dhe lidhet me "iso-nin" e muzikës kishtare bizantine, ku grupi i kёtij stili tё kёnduari shoqëron këngën.

Dhe gazetarja e ditёve tona, italiania Brunilda Ternova nё artikullin e saj mbi isopolifoninё shqiptare shkruan:

“Kjo është arsyeja pse iso-polifonia u këndua nga shqiptarët kudo, si në raste gëzimi dhe fatkeqësie, në dasma dhe vajtimet nё vdekje, para dhe pas betejave, brenda dhe jashtë në natyrë të hapur, duke u dhёnё shpirt ditëve tё zakonshme dhe atyre festive. Në vend të instrumenteve, zëri i qenies njerëzore është shprehja e qartë e shpirtit të shndërruar në art.”⁵

Po nuk mungojnё dhe analizat e studjueses tjetёr italiane, Anna Maria Ragno, qё nё artikullin e saj “Shenjat e tingujve qё i takojnё isopolifonisё shqiptare” shkruan:

“ Iso-polifonia shqiptare karakterizohet nga pjesë të përbëra kryesisht nga dy pjesë solo, njëra pjesë kompozon melodinë dhe tjetra kryen një kundër-këngë me një iso korale. Struktura e këtyre pjesëve solo ndryshon sipas mënyrave të ndryshme të të kënduarit pasi çdo grup e përshtat strukturën sipas nevojave të tyre. Sidoqoftë, siç kemi parë tashmë, mund të dallohen tre makro modele: tosk, laborator dhe çam.”⁶

E mbas kёtyre pёrcaktimeve tё sjella nga tё huajt pёr iso-polifoninё shqiptare dhe vetitё e saj le tё shohim se çfarё ka shkruar Ismail Kadare qё nё vitin 1980:

“Kjo ndodh sepse anonimati ёshtё formё e ekzistencёs sё poezisё popullore. Ai ёshtё njё nga mekanizmat bazё tё tё kёtij sistemi. Ai ёshtё nё çdo qelizё tё tij. Nё kёngёn polifonike tё Jugut, isoja, pavarёsisht se nuk ka fjalё ( dhe kjo tregon se ёshtё njё formё akoma mё e vjetёr se kori antik), nuk ёshtё vetёm formё ekzekutimi, por bёn pjesё nё pёrmbajtjen e kёngёs. Kёnga polifonike e jugut nuk mund tё ekzistojё veçse e rrethuar prej isos. Madje kjo murmurimё kolektive, anonime, ёshtё ndoshta mё e rёndёsishme se vetё kёnga. Nёqoftёse isoja ndёrpritet, kjo do tё thotё se kёnga duhet tё ndёrpritet. Pra isoja ёshtё mbёshtetja, aprovim, unanimitet. Me anё tё isos, populli jep tё drejtёn pёr tё vazhduar kёngёn. Me ndёrprejen e saj, ai e heq atё tё drejtё.⁷

A e kanё lexuar vallё ithtarёt e zhbёrjes sё iso-polifonisё!?

Ndёrsa vetё autori Timo Mёrkuri duke shpёrthyer veç forcёs argumentuese edhe shpirtin poetik qё vlon brenda tij, shkruan se “ Duke i hequr emёrtimit tё kёngёs fjalёn “iso” ёshtё si t’i presёsh lisit rrёnjёt”.⁸

Dhe mё tej ai duke bёrё njё analizё strukturale tё kёngёs me iso shkruan se “ Iso nuk ёshtё e kushtёzuar nga marrёsi. Marrёsi ёshtё sinjali i nisjes sё anijes nga porti, por isoja ёshtё deti nёpёr tё cilin lundron flota e kёngёs. Anija mund tё nisё lundrimin edhe jashtё portit, por gjithsesi nёpёr det do tё lundrojё. […] Dhe bukuria e kёngёs nuk ёshtё te teksti, as te zёri brilant i marrёsit. Bukuria e kёngёs ёshtё te iso-ja. […] “Iso-ja” ёshtё lumi i lotёve qё buroi nga sytё e nёnave dhe krijoi detin e kёngёs, prandja kёnga jonё popullore (shumёzёrёshe) ёshtё nё radhё tё parё kёngё me iso. ⁹

Lind pyetja: e pёrse duhet zhdukur kjo fjalё nga emёrtimi i kёngёs si iso- polifoni? Pёr hir tё kujt arsyetimi?

Me sa lexohet nёpёr portale tё ndryshme sheh se UNESKO –ja ka futur nё listёn e trashёgimnisё jo materiale kёngёn polifonike tё Sardenjёs dhe tё Kaukazit. Pra i ka dalluar ato nga iso-polifonia, e cila ёshtё e veçantё nё tё gjithё aeralin e kёngёs polifonike.

Por pa e ditur mirё arsyetimin e kёrkesave pёr tё hequr “ison”, mendja tё shkon se kёrkohet njё uniformitet mes kёngёve polifonike tё popujve tё ndryshёm e kёnga shqiptare iso- polifonike tё humbasё mes tyre e tё mos ketё identitet shqiptar. Kjo kёrkesё duket njёlloj sikur tё tentoje qё Beratit t’i hiqen 1000 dritaret, Gjirokastrёs t’i hiqen sokaket me pllaka guri, Butrintit t’i hiqen skulpturat dhe muret.

Dhe vetё Timo Mёrkuri me ironinё e hollё qё kanё gjithё bregdetasit, njё ironi poetike, e ёmbёl dhe jo therёse, thotё:

“Nuk di pse thirrjet “hiqni iso-n” mё ngjajnё me thirrjet “hiqeni sorrёn nga flamuri”, thirrje mjerane e disa “dumbabistave” qysh nё dyvjetorin e shtetit shqiptar”.¹º

Pak a shumё ndodh si atёhere kur nё kohё tё ndryshme, mbas vitit 1990 nё Shqipёri anatemohej herё B.B.C-ja e herё “New York Times”, nga forca tё ndryshme politike. Ndoshta kemi tё bёjmё me interesa tё vogla, pёr mbajtjen e pushtetit mbi kёngёn polifonike nga disa njerёz tё cilёt nuk pranojnё krijimin e “Rrjetit Kombёtar tё Shoqatave tё Polifonisё”?

Ndoshta!

2.Iso- ja shqiptare- njё histori e lashtё

Por kundёrshtuesit le tё studjojnё akoma mё mirё historinё e kёngёs iso-polifonike, le tё lexojnё me qetёsi librin e Timo Mёrkurit ”Identiteti iso-polifonik” por edhe mendimet e Ismail Kadaresё, i cili shkruan pёrsёri kur argumenton jetёn e gjatё tё kёngёs polifonike shqiptare:

“ …Por kjo s’ishte veçse nё njё gjё e rastit. Ndёrkaq, popujt e Ballkanit, ashtu si njёmijё, dymijё vjet mё parё, vazhdonin tё shoqёronin varrimet e tyre me vaje e kёngё polifonike. Muzika, ajo qё sipas Niçes, kishte heshtur e turpёruar nё periudhёn e zvetёnimit tё tragjedisё, ishte kthyer pёrsёri nё ritet mortore tё ballkanasve”. ¹¹

Prandaj me tё drejtё nё argumetimet e tij, Timo Mёrkuri i referohet lashtёsisё sё kёngёs shqiptare tё Jugut kur merr nё studim jo vetёm tragjeditё e Eskilit por dhe atё tё Shekspirit duke dalё nё konkluizionin se tragjedianёt e mёdhej antikё e kanё marrё nga populli ritin mortor dhe ceremonialin e vajtimit me ligje dhe e kanё vёnё nё veprat e tyre. Nuk ka ndodhur e kundёrta.- shkruan ai me tё drejtё.

Por nuk mbetet me kaq, ai di tё sqarojё bukur dhe shenjtin Jan Kukuzeli cili studjoi metodat e mbajtjes sё isos nё himnet e kishёs, gjё qё e mori nga populli, mori pikёrisht ison. Edhe pse “nuk dinte tё kёndonte labçe”!? Ia vlen qё tё njihesh mirё me studimin e po kёtij autori ku trajton gjerёsisht veprimtarinё e shqiptarit Jan Kukuzeli nё hartimin e veprave tё tij origjinale muzikore kishtare.¹²

Nё shkrimin e tij, qё nuk ёshtё i botuar nё librin “Identiteti iso-polifonik” ai kundёrshton me bindje idenё e hedhur nga ata qё duan tё eleminojnё fenomenin “iso” nga trojet dhe kultura shqiptare. Ja argumetimet qё jep studjuesi Timo Mёrkuri:

-Duke ja veshur Jan Kukuzelit ( krijimin e fjalёs “iso”- F.M.) që jetoi në shekullin e XIII këtë autorësi, pa dashje zvogëlojmë “moshën” e iso-polifonisë.

-E quajmë iso-polifoninë vepër dhe kontribut individual ose së paku, vepër e një grupi priftërinjsh, në një kohë që ajo është vepër e gjithë kombit.

-E quajmë iso-polifoninë vepër dhe kontribut, vetëm i ortodoksëve, kur edhe në krahina  të myslimanizuara të vendit tonë, iso-polifonia ka qënë edhe është…pjesë e “genit” tonë të identitetit kombëtar.

-E quajmë iso-polifoninë vepër e …popujve ortodoksë, por ortodoksë  nuk janë vetëm shqiptarët, pra humbet kështu  karakteri kombëtar i kësaj vlere të madhe.

Dhe për këtë, përdoret kontributi fetar i një bashkëkombasi tonë, emri dhe lavdia e të cilit për kontributin e dhënë  i ka kaluar që në ngjallje të tij kufijtë e mirënjohjes së thjeshtë ballkanase, duke u shndruar në një shënjtor të besimit ortodoks.”

Por nuk duhet lejuar ky keqpёrdorim sepse edhe nё kёtё lloj gjykimi dalin paralele qё iso-polifonia tё jetё njёlloj si e shteteve tё tjera, nёse ka ekzituar ndёr ta, kur dhe kёnga polifonike nuk ekziston mё. Por dihet se qeveria maqedonase, sipas “Tetova sot”, vjedh dhe njё figurё tё kulturёs shqiptare dhe e sllavizon nё projektin skulptural duke e vendosur statujёn e tij nё njё nga urat e lumit “Vardar” dhe ia kanё vёnё emrin Jovan. Po kёshtu serbёt, bullgarёt tentojnё ndrrimin e emrit tё durrsakut Jan Kukuzeli. Pra kёrkohet pёrvetёsimi i Jan Kukuzelit qё mori ison nga kёngёt shqiptare, ashtu siçkёrkohet pёrvetёsimi i lahutёs duke e kthyer nё guzlёn serbe. Pra kёrkohet qё edhe iso-polifonia tё pёrvetёsohet nga tё tjerёt, me dashje apo pa dashje tё atyre qё kёrkojnё elemininim e “iso-s”!?

Kёnga iso-polifonike ёshtё kёnduar gjithmonё nga burrat – thotё studjuesi dhe poeti Moikom Zeqo- vetёm nё kohёn e monizmit u futёn dhe gratё nё grupin e kёngёs iso-polifonike. Eshtё njё thesar i madh dhe i pastёr i kulturёs sonё muzikologjike shqiptare,- vazhdon ai- njё thesar shumё i vjetёr ndёr trojet shqiptare. Janё gjetur terrakota ku duken figura tё burrave qё janё me gojё tё hapur e qё kёndojnё. Kjo kulturё ёshtё zhdukur nё vendet e tjera nga koha nё kohё. Iso- poifonia ёshtё kёnga qё pёrmbledh gjithё bukuritё shqiptare nё shekuj dhe sot ёshtё nё lulёzim tё plotё.

Fakti qё ekziston nё muzikёn kishtare, ёshtё domethёnёs dhe patjetёr ka tё bёjё me historinё shumё tё lashtё tё isos e cila u pёrdor nga kisha bizantine qё pёrpara shekullit tё XII-tё. Edhe Eqrem Cabej e ka vёnё nё dukje “se ka njё lidhje mes muzikёs bizantine dhe njё pjese tё kёngёve tona.”¹³

Lidhur me origjinat e kёngёs polifonike mund tё pёrmendim paragrafin e mёposhtёm: “ Po tё shohёsh historinё e folklotit shqiptar gjen se muzika u shfaq shumё herёt nё vende tё ndryshme sipas disa ligjёsive. Sipas studjuesit tё muzikёs dr. Sokol Shupo, sistemi pentatonik si fryma e parё muzikale ishte mjaft i pёçrhapur nё Ballkan, shfaqet njёkohёsisht edhe nё Lindjen e largёt, si nё Kinё etj, dhe te indigjenёt e Amerikёs. Kёtё pёrhapje kaq tё shpёrndarё nё tё cilat sistemi identifikohet si i njejtё pavarёsisht nga dallimet qё i pёrkasin kryesisht anёs stilistike, tё bёjnё tё mendosh se sistemet melodike janё frut i zhvillimit tё ndёrgjegjews njerёzore.”¹⁴

Ky mendim detajohet si mё poshtё: “ Dhe pёr mё tepёr, siç thekson pёrsёri dr. Sokol Shupo, -po aq qartё, kjo dukuri ( kёndimi monodik- F.M.) dallohet edhe nё zёrin e parё tё kёngёs polifonike labe si dhe nё zёrat e parё tё kёngёve polifonike toske me alternativё tё gjerё.”¹⁵

Pёr ta mbyllur kёtё diskutim mbi hershmёrinё e isos nё mijra vjeçarё, çka vetё autori Timo Mёrkuri e ka zbёrthyer kaq bukur, do doja tё sillja njё koment tё bukur qё Fotaq Andrea, ky studjues i historisё sё kulturёs sё popullit tonё: “ ...ndoshta e ke parё filmin e fundit “Aleksandri i madh” tё Oliver Ston...shumё herё nё skenat e betejave tё famshme, nё hovet e gjeniut luftarak, muzika edhe pse shpёrthyese, kish nё sfond njё polifoni tё pёrpunuar e tё habitshnme me melodiozitet sa epik dhe dramatik, edhe mua atёhere, mё ngrihej qimja e parakolpit pёrpjetё e mishi mё shpurpurizohej nё krejt trupin i pёrpirё nga skenat madhёshtore.¹⁶

3.Iso- polifonia nё shpirtin e poetёve dhe kёngёtarёve

Nё librin e tij “Identiteti iso-polifonik” Timo Mёrkuri sjell shpirtin, zemrёn e poetёve tё jugut, tё atyre “bardёve” kёngёtarё apo poetё, e ç’rёndёsi ka se poetёt janё kёngёtarё dhe kёngёtarёt janё poetё. Ja protagonistёt qё mbartin iso- polifoninё nё kёtё libёr: Anonimёt e kёngёs labe dhe himariote, Neço Muka, poetёt anonimё tё Pilurit, Lefter Çipa, poetёt anonimё vlonjatё, poetёt anonimё tё kёngёs “Fyelli i Tanёs”, legjenda e Kostandinit, Vasil Gjivogli, Anton Nikё Berisha, Petrit Ruka, Agim Mato, Fatmir Terziu.

A mjaftojnё poezitё dhe veprat e kёtyre autorёve shqiptarё qё tё bindin ata qё duan tё çrrёnjosin iso-n nga trualli i shqiptarёve! Por nuk janё tё gjithё sepse janё me qindra kёngёtarёt e isos-polifonisё nё jugun shqiptar. Janё fakte, janё jeta e shqiptarёve, ashtu siç janё lahuta e veriut, ashtu siç janё eposet e kreshnikёve, ashtu siç ёshtё fustanella, ashtu siç ёshtё dhe vetё figura shenjtore e durrsakut Jan Kukuzelit.

“Tё lexosh njё poezi nuk mjafton tё dish shkrim e kёndim, apo tё kesh njё diplomё. Tё lexosh njё poezi do tё thotё tё jetosh nё poezi”¹⁶- kёshtu shkruan vetё autori i kёtij libri. Ndёrsa shkrimtari dhe studjuesi nga Londra, Fatmir Terziu pёr iso-polifoninё shkruan:

...Jon, a e dёgjon/deri kёtu nё Londёr ndjehet isoja jote,

...a tё kujtohet kur lanim lotёt bashkё/ ...ështё isoja jote nё kёtё guackё/

ёshtё kёnga nga qё erdhi dashuria e pastёr e Afёrditёs...

...e ndjej pulsin tёnd ku pёrlotet planeti/

...njё shpёrthim nga de(r)ti.¹⁷

Pёrmes faqeve qё shfletojmё nё librin e Timo Mёrkurit do tё gjejmё dhe njё pёrgjigje pёr ekzistencёn e eposeve ndryshe nё Jugun shqiptar, natyrisht nёn okielon e studimit tё studiuesit prishtinas Anton Nikё Berisha.

Pikёrisht brenda kontekstit tё studimeve pa fund tё kёtij shkencёtari kosovar, Timo Mёrkuri na konfirmon se “ Kundёrshtarёt e emёrtimit “iso-polifoni” tё shumёzёrёshit tonё popullor, duke u shndruar nё mёnyrё tё pavetёdishme (?!) nё kundёrshtarё tё lashtёsisё sё kёngёs sonё popullore, tё qarёt me botё nuk e pranojnё si fillesё tё kёngёs iso- polifonike sesxpe i ngjaka “..ulёrimёs sё ujqёrve...(siç), dhe sepse “...polifonia ёshtё krijimtari e ndёrgjegjёshme artistike(siç). ¹⁸ Nuk mungojnё dhe pёrsiatjet e poetit tё jugut Agim Mato qё sjell rapsoditё e arbёreshёve si reminishenca tё largimit nga dheu amё. Ndёrsa Petrit Ruka, ky bard qё mbijeton me poezinё e tij brilante sjell nё botёn shpirtёrore tё Jugut poezitё e tij tё cilat nuk janё veçse rrjedha tё kёngёs polifonike labe. Tё gjithё kёngёtarёt dhe kantautorёt, bardёt arbёrorё i kanё kёnduar jetёs nё gjithё komlekset e saj, duke filluar nga lindja e gjer nё cakun e fundit, vdekjes, dhe kjo nёpёrmes eposeve nё Veri dhe iso-polofonisё nё Jug.

Si shembull Timo Mёrkuri citon pjesё nga thesari i humorit tё Vasil Gjivoglit, kёtij lapidari tё kёngёs isopolifonike.

Duke mos folur shumё pёr personin e bardit tjetёr tё Jugut, Lefter Çipёn mjafton tё tregoj se si e pёrcakton Timo Mёrkuri, njё fashё tё portretit tё tij: “krijimi i variantit tё kёngёs piluriote, vija e saj melodike dhe struktura e grupit, novacioni i shoqёrimit tё kёngёs me fyell etj, ёshtё njё nga suksete mё tё mёdha tё kёngёs popullore shqiptare. Ky sukses ka firmёn e autorёsisё sё Lefter Çipёs.”¹⁹

Janё njerёzit qё e bёjnё kёngёn, janё jetёt e njerёzve nё vite e shekuj qё thurin notat e njё muzike origjinale mbi njё tokё origjinale. Pikёrisht kёto tё dyja nuk mund tё zhdukё askush, si rrjedhojё as termin kёngё poli- fonike.

kur isha i vogёl fare, im atё fliste pёr kёngёt e Nivicё- Bubarit, fshatit tё origjinёs, e tej nё mёnyrё pakuptueshme kёnga me iso hyri nё shpirtin tim, kёnga e Himarёs, e Pilurit e gjitha krahinave tё tjera. Isoja ёshtё sfondi i njё muzike tё pashlyeshme shpirtёrore. Duhet tё jesh jugor qёta kuptosh mё mirё se tё tjerёt kёtё magji tё pazbёrthyer...

Durrёs 5 prill 2020

----------------------------------------------------------------------------------------------------

¹) Timo Mёrkuri, “Honestra e kёngёs himariote”, Milosao, 2018, f. 4

²)Nё Ballkan kanё ekzistuar disa forma kёngёsh polifonike tё ndara sipas kombeve tё ndryshёm ballkanikё. Eshtё njohur kёnga bizantine, kёnga “ojkanja” dhe “gauqe” nё Kroaci, Serbi, Bosnje-H ercegovinё, kёnga “epiriote” nё Greqi, isopolifonia nё Shqipёri, kёnga “gusla” nё Serbi, Mal i Zi, Bosnje- Hercegovinё, Kroaci, kёnga “lazarika” nё Serbi dhe kёnga me kore grashё nё Bullgari. ( Sipas es.wikipedia.org/wiki/polifonia )

³) Termi polifoni përcakton në muzikë një stil kompozicioni që ndërthur dy ose më shumë zëra të pavarur (vokal dhe / ose instrumental), të quajtur edhe pjesë. Ata evoluojnë njëkohësisht në rrjedhën e përbërjes, duke mbetur të ndryshëm nga njëri-tjetri nga pikëpamja melodike dhe përgjithësisht edhe ritmike, ndërsa rregullohen nga parimet harmonike. Në një kuptim kompozitor termi polifoni bie në kundërshtim me atë të monodisë me një zë të vetëm. Termi polifoni rrjedh nga greqishtja e lashtë që do të thotë:shumë zëra.(sipas it.wikipedia.org/wiki/polifonia )

⁴) es.wikipedia.org/wiki/polifonia )

⁵) Brunilda Ternova, ” Iso-polifonia shqiptare, gjenialiteti artistik i tingullit tё shpirtit”. 9 dhjetor 2009 https://www.albanianews.it/cultura/isopolifonia-albanese-patrimonio-unesco

⁶)Anna Maria Ragno. Shenjat e tingujve qё i takojnё isopolifonisё shqiptare. Arberianews.blogspot.com/2013/08/-i-segni-sonori-dellappartenza-liso-4.html

⁷) Ismail Kadare. “Autobiografia e popullit nё vargje”, Tiranё. 1980. f. 9.

⁸)Timo Mёrkuri. “Identiteti iso-polifonik” Milosao, Sarandё, 2018, f. 11

⁹)Po aty, f.13

¹º)Po aty. f.38

¹¹)Ismail Kadare. “Eskili, ky humbёs i madh”, Onufri, Tiranё 2001, f. 148

¹²) Fjala e lirё 19 tetor 2011

¹³) Eqrem Çabej. “Shqipёria midis perёndimit dhe lindjes” f. 55

¹⁴) Fatmir Minguli, “Daniel Arnaut- simptoma tё poezisё sё shkruar shqipe nё shek. XII –XIII” “2M printing”, Durrёs, 2018, f.20

¹⁵) Po aty, f. 21

¹⁶)Fatmir Minguli,”Tatuazhet e shpirtit-transletёrsia e Moikom Zeqos”, Erik, Tiranё 2017, f. 50-51

¹⁶) Timo Mёrkuri, “Identiteti iso-polifonik” Milosao, Sarandё, 2018. f. 171

¹⁷) Po aty, f. 168

¹⁸)Po aty, f. 121-122

¹⁹) Po aty, f. 73

Fund

59 views1 comment

Shkrimet e fundit