DY LIRIKA NGA MYSLIM MASKA
ISHTE E BUKUR ISABELA…
Vajzës shqiptare që vdiq në spital
Pas një aksidenti automobilistik
Paska jeta plot çudira,
Të bënë shpirtrrëmujë,
Thosh ndër ethe Isabela,
Tek dergjej sëmurë.
Ish e vogël Isabela,
E bukur pa fund…
Me lotë yjesh qante era
S’bënte dot më shumë.
Ajo trembej, drithërohej,
Ndizej ndjenjë e shpirt.
S’e kuptonte se ç’po ndodhte,
Ishte apo s’ishte…
Befas e rrëmbeu një djalë,
Shkrihen këmbë e duar.
Puthen, digjen, ndizen flakë
Duke fluturuar…
Prindërit qanin, ajo qeshte
Tek u tundte dorën…
-Ç’bën, ku shkon, moj Isabela?
Na e nxive botën…
Ish e vogël Isabela,
E bukur pafund.
Kur nuk mundën yjet, era,
Ç’mund të bëja unë…
U BËRE KËNGË…
Kur ti vdiqe,
M’u drodh varri;
Tek ty erdha menjëherë,
Se i vdekuri dhe i gjalli,
Kur duhen, janë bashkë përherë.
Kështu thoshe,
Kështu thosha.
Putheshim, qeshnim pambarim,
Sikur jeta s’do të mbaronte
Vërtet
Kurrë nuk mbaron jeta,
Edhe kur njeriu vdes,
Pork kur erdha,
Pse s’të gjeta?
U bëre këngë, u bëre vesë?
Comments