Interesimi i institucioneve shkencore franceze për Dodonën pellazge


Kujtim Mateli

Interesimi i institucioneve shkencore franceze për Dodonën pellazge në harkun kohor të një shekulli e gjysmë dhe kontributi i kërkuesit shkencor Gilles De Rapper.


Nga Kujtim Mateli


Autori i parë francez më i rëndësishëm që e kërkoi Dodonën në të gjithë territorin e Epirit deri në Tomorin e Beratit, ka qenë Francois Pouqueville, (konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë, në vitet 1804-1813). Ai shkroi një nga veprat më të rëndësishme të tij “Voyage de la Greece” në katër vëllime, Paris 1820. Pukëvili, në librat e tij, i kushton një rëndësi të veçantë vendndodhjes së Dodonës duke dhënë mendimin e tij për çdo luginë apo vend arkeologjik që bashkëkohësit e tij e pretendonin si vendndodhje të saj. Ky autor e vendos Dodonën në pjerrësinë jugore të maleve të larta të cilat mbyllin liqenin dhe luginën e Janinës në veri. Ky vend ishte Gardhiqi.

Në fillim të gjysmës së dytë të shekullit XIX, një mision arkeologjik francez bëri kërkime në terren për gjetjen e vendndodhjes së Dodonës në Epir dhe në përfundim deklaroi se Dodona nuk ndodhet në rrethinat e Janinës.

Po ku ndodhet Dodona që njihet nga institucionet shkencore? Ajo pretendohet në jugperëndim të Janinës rreth 20 km larg, në luginën e Carakovistës. Ky është pretendimi i Kostantin Karapanos në vitin 1878 dhe që është certifikuar dhe nga institucionet shkencore franceze. Po a ndodhet realisht Dodona atje? Dodona e Karapanos ka patur kundërshtimin e shumë dijetarëve dhe shkencëtarëve që nga viti 1878 e deri më sot. Ky kundërshtim ka ardhur si rezultat i provave që kanë sjellë këta autorë të cilët janë mbështetur tek autorët e antikitet, shumë prej të cilëve kanë qenë dhe vizitorë të Dodonës.

-Të gjitha dëshmitë e autorëve të antikitetit, e vendosin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, kurse lugina e Carakovistës ndodhet në mes të Epirit.

-Autorët e antikitetit e vendosin Dodonën në shpat të malit Tomar, kurse qyteti i luginës së Carakovistës ndodhet në krahun e kundërt të luginës në kodrat e Kozmirasë.

-Autorët e antikitetit e vendosin orakullin e Dodonës, në afërsi të qytetit, ku kalon lumi Dodon, kurse në luginën e Carakovistës nuk ekziston lumi. Këto dëshmi e nxjerrin Dodonën jashtë luginës së Carakovistës duke i orientuar kërkuesit e saj në veri të Epirit, në tokën molose.

Pjesa e parë

Manipulimi i dëshmive të autorëve të antikitetit

Po si u arrit që Dodona të vendosej në luginën e Carakovistës, kur burimet historike e vendosnin atë jashtë kësaj lugine dhe pikërisht në veri të Epirit? Duhet thënë se kjo gjë u arrit si rezultat i deformimit që Karapanos u bëri burimeve historike të autorëve të antikitetit, në materialin që i paraqiti institucionit shkencor francez i cili bëri certifikimin e Dodonës në luginën e Carakovistës.

Konkretisht:

1-Karapanos deformon dëshminë e Dionis Halikarnasit

E japim këtë dëshmi sipas Karapanos.

Karapanos, Konstandin, “Dodonë e ses ruins”. Paris 1878.

Duke e vendosur Dodonën në luginën e Carakovistës Karapanos argumenton:

“Distanca që ka kjo luginë me qytetin e Ambraqisë nga njëra anë dhe nga ana tjetër me Butrintin, përshtatet shumë mirë me kohën që Eneas iu desh në udhëtimin e tij nga Ambraqia në Butrint duke kaluar nëpër Dodonë”1).

“ La distance qu`il y a de cette vallée à la ville d`Ambracie, d`une part, et d`autre part, à Buthrotum, s`accorde aussi très-bien avec le temps qu`Ennée a mis pour accomplir son voyage d`Ambracie à Buthrotum en passant par Dodone”.

Dëshmia mbi të cilën është mbështetur Karapanos, të cilën e citon në librin e tij, është ajo e Dionis Halikarnasis II, 51.

Po a e vërteton kjo dëshmi e Dionis Halikarnasit ekzistencën e Dodonës në luginën e Carakovistës? Dëshmia sikundër jepet prej Karapanos, krijon tek lexuesi bindjen se Dodona ndodhet pikërisht në segmentin e rrugës Ambraqi-Butrint. Ky studim i Karapanos ka oponencën e tre anëtarëve të një institucioni shkencor francez. Ka gjithashtu dhe miratimin e këtij institucioni që e pranon Dodonën në luginën e Carakovistës. Lexuesi, përballë një institucioni shkencor evropian, e pranon Dodonën aty ku ajo na është servirur deri tani pa as më të voglën mëdyshje. Kështu nuk kanë vepruar vetëm individët, por edhe institucionet shkencore më të rëndësishme evropiane e botërore.

Kur lexuesi njihet me dëshminë e Karapanos se distanca Ambraqi- Carakovistë- Butrint, kërkon aq kohë për ta bërë këtë rrugë edhe sot, sa koha që iu desh Eneas për ta bërë atë, çdokush e merr si të mirëqenë që “arkeologu” Karapanos dhe stafi i tij, ka bërë në terren matjet përkatëse dhe konkluzionin e ka nxjerrë mbi bazën e tyre. Të mirëqenë këtë dëshmi e ka marrë edhe institucioni shkencor francez. Të mirëqenë e ka marrë edhe bota akademike, fillimisht evropiane dhe më pas dhe ajo botërore.

Po sa ishte koha që Eneas iu desh për ta përshkruar këtë distancë? Për sa kohë bëhej kjo rrugë në kohën e Karapanos? Asnjë e dhënë nuk na jepet. Duke mos dhënë asgjë konkrete si për kohën që iu desh Eneas për të vajtur në Dodonë, si për kohën që iu desh Karapanos për vërtetimin e kësaj hipoteze në bazë të dokumenteve të kohës apo matjeve të bëra nga vetë grupi i arkeologëve të Karapanos, mungesa e këtyre të dhënave kyçe e bën dëshminë e Karapanos një dëshmi të gjymtuar.

Në kohën e Karapanos perandoria osmane i kishte të shpallura distancat midis qyteteve. Madje jepeshin dhe me orë, siç do ta vërtetojmë më poshtë. Karapanos e ka zhdukur elementin kohë, që është elementi më i rëndësishëm për gjetjen e Dodonës së munguar.

Po si qëndron e vërteta? Dëshmia e Dionis Halikarnasit është një dëshmi e plotë që e ka të përcaktuar mirë elementin kohë.



Rruga për këmbësorë nga Gjiri i Artës deri në Janinë 15 orë udhëtim

Dionisi i Halikarnasit, Historia e vjetër e Romës, Libri II, 51(1,2).

“Ankizi me anijet, u nis nga Ambraqia dhe, duke lundruar pranë bregdetit, arriti në Buthrot, liman i Epirit. Enea, në anën tjetër, me ushtarët më të zgjedhur, pas një udhëtimi që mbajti dy ditë, arriti në Dodonë, me qëllim që të kërkonin mendimin e perëndisë; këtu gjetën edhe ata trojanë që kishin ikur bashkë me Helenin. Pasi morën përgjigjen hyjnore në lidhje me koloninë, i dhuruan zotit, bashkë me dhuratat e tjera trojane edhe kratere bakri, disa nga të cilat ndodhen edhe sot me mbishkrime shumë të vjetra, që tregojnë emrat e dhuruesve; së këtejmi arritën te anijet pas një udhëtimi që zgjati më se katër ditë. Ardhjen e trojanëve në Buthrot e tregon edhe një kodër e quajtur Troja, të cilën ata e përdorën atëherë për të ngritur lëmin”2).

Segmenti Ambraqi-Buthrot është i ndarë në dy pjesë. Ambraqi-Dodonë dhe Dodonë-Buthrot. Segmenti i parë Ambraqi –Dodonë është përshkruar për dy ditë. Segmenti i dytë Dodonë- Buthrot është bërë pak më shumë se dy ditë duke përfshirë dhe kohën e qëndrimit në Dodonë.

Po çfarë kërkonte të gjente Karapanos, Dodonën apo Butrintin (Buthrotin)? Karapanua ishte në kërkim të vendndodhjes së Dodonës, sepse Butrinti dihej se ku ndodhej. Anashkalimi që i bën gjetjes së vendndodhjes së Dodonës sipas përshkrimit të Dionis Halikarnasit është se Karapanos i trembej dëshmisë së tij. Kush kishte njohje për Epirin, e dinte se kjo distancë nuk mund të përshkohej për dy ditë. Perandoria osmane i kishte të publikuara distancat, në orë, midis qyteteve. Këto distanca na i jep edhe njëri ndër autorët e kësaj periudhe, Zoto Mollosi. në njërin nga librat e tij.

Zoto Molossi, Ipeirotikai Meletai, Athinë 1878.

“Janina (Joanina) 16 orë nga Arta”3)

Nëse distanca Artë- Janinë bëhej për 16 orë, distanca Artë-lugina e Carakovistës do të bëhej më shpejt, sepse kjo luginë ndodhet 18 km në jugperëndim të Janinës. Duke kontrolluar distancat shohim që lëvizja e këmbësorit është llogaritur afërsisht me 5 km. në orë 4).

Nëse do të nisemi nga Arta, do të mbërrijmë në luginën e Carakovistës rreth 3-4 orë më shpejt, pra kjo distancë do të përshkohej për 12-13 orë. Po këto distanca në orë llogariteshin për lëvizjen e ushtrisë dhe të karvaneve që transportonin mallra të ndryshme. Një grup i vogël njerëzish lëvizin shumë më shpejt. Në këtë mënyrë i bie që Enea për të arritur në Dodonën e Karapanos, ka udhëtuar vetëm 8-9 orë. Po Dodona sipas Dionis Halikarnasit ishte dy ditë larg nga Gjiri i Amraqisë, që do të thotë se Enea me ushtarët e zgjedhur pasi arritën ditën e parë në veri të Janinës, ditën e dytë arritën në Dodonë. Ja si dëshmia e Dionis Halikarnasit e largon Dodonën nga lugina e Carakovistës duke e vendosur atë në veri të Epirit, edhe një ditë tjetër udhëtim larg Janinës.

2- Karapanos deformon, dëshminë e Polibit.

Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878

“Rreth vitit 220 para Krishtit, tempulli i Dodonës u shkatërrua për herë të parë nga etolianët, lidhja e të cilëve ishte në luftë me Akejtë. Dorimahu, gjenerali i etolianëve, duke u hakmarrë ndaj epirotëve, aleatë të maqedonasve dhe të Lidhjes Akeje, pasi kishte shkatërruar një pjesë të madhe të Epirit, shkatërroi dhe Dodonën”4).

“ Vers l`an 220 avant J.-C., le temple de Dodone fut détruit pour la première fois par les Étolien dont la ligue était en guerre avec les Achéens. Dorimarque, général des Étoliens, se vengeant des Épirotes, alliés des Macédoniens et de la ligue achéenne, après avoir ravagé une grande partie de l`Épire, détruisit aussi Dodone 2). Shënimi 2. Polyb., Bell. soc. ach., IV, 67).

Në këtë koment të Karapanos, ajo që ne kërkojmë është se ku ndodhet Dodona. Karapanua na thotë se Dorimahu shkatërroi një pjesë të madhe të Epirit. Në cilën pjesë të Epirit hyri ushtria etoliane? Po në afërsi të luginës së Carakovistës ishte Passaroni, kryeqyteti i molosëve dhe njëkohësisht i epirotëve. Kjo distancë (Pasaron-Carakovistë) është rreth 20 km. Në Pasaron ishin garnizonet ushtarake. Nëse Dodona do të ishte në luginën e Carakovistës, ushtria etoliane nuk do të largohej paqësisht nga Epiri. Të paktën do të kishte një betejë midis dy ushtrive. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Pozicioni gjeografik i Pasaronit dhe i luginës së Carakovistës (Dodonës së Karapanos) është: lugina e Carakovistës në jug të Passaronit, ndërsa Passaroni në veri të luginës së Carakovistës. Ky pozicion gjeografik i luginës së Carakovistës na thotë që ushtria etoliane ka sulmuar nga Jugu i Epirit, pasi vetë Etolia shtrihet në Jug të fiseve epirote.

Për të patur një ide më të qartë i drejtohemi po atij burimi që i është drejtuar vetë Karapanos.

Polibi, libri IV.

“Kur erdhi dita e zgjedhjeve, etolët zgjodhën për strateg të tyre Dorimahun; ky, me të marrë fuqinë në dorë, mblodhi ushtrinë dhe hyri në krahinat e sipërme të Epirit, duke shkretuar vendin pa pikë mëshire dhe jo aq pse kështu ia kërkonte interesi i vendit të tij, sesa për t`u bërë keq epirotëve. Kur arriti në faltoren e Dodonës, ....." 5).

Shohim që Polibi e ka sqaruar dhe pozicionin gjeografik të hyrjes së ushtrisë etoliane. Pika e kontaktit fillestar të ushtrisë etoliane me Epirin është në pjesën e sipërme të tij. Kjo pjesë e sipërme e Epirit shënjohet me luginën e Përmetit. Për të hyrë këtu, ushtria etoliane ka përdorur rrugën në lindje të Pindit dhe pika e parë e kontaktit me fiset epirote shënohet në Luginën e Sipërme të Vjosës (Aoos). Dorimahu hyri në pjesën e sipërme të Epirit duke realizuar synimin e tij pa i shkaktuar ushtrisë asnjë dëm. Dhe ashtu ndodhi. Kronika e Polibit nuk na jep ndonjë detaj që ushtria epirote dhe ajo etoliane u ndeshën me njëra-tjetrën. Kjo dëshmi e Polibit e vendos Dodonën në veri të Epirit, sikundër e ka përshkruar.

Shohim se si e ka komentuar këtë dëshmi të Polibit një tjetër autor, në fjalorin e tij gjeografik. Duhet theksuar se duhet t`u besojmë studiuesve sipas profesioneve të tyre. Një historian, nuk ia lejon vetes të ngatërrojë datat me njëra-tjetrën. Një gjeograf nuk mund t`ia lejojë vetes të gabojë me pozicionet gjeografike apo kufijtë e krahinave njëra me tjetrën.

William Smith, Dictionary of Greek and Roman Geography (1854)

“E dhëna e shkatërrimit të Dodonës nga Etolianët tregon se ishte në frontin lindor të Epirit. Polibi thotë se Etolianët marshuan në pjesën e sipërme të Epirit, fjalë të cilat janë të njëllojta me Epirin e Sipërm ose pjesët më të largëta nga deti në drejtimin qendror të vargmaleve”6).

“The account of the destruction of Dodona by the Aetolians also shows that it was on the eastern frontier of Epeirus. Polybius says (l.c.) that the Aetolians marched “into the upper parts' of Epeirus)” (εἰς τοὺς ἄνω τόπους τῆς Ἠπείρου), which words appear to be equivalent to Upper Epeirus, or the parts most distant from the sea towards the central range of mountains”.

Gjeografi William Smith e ka marrë të plotë dëshminë e Polibit dhe ka përcaktuar koordinatat e Dodonës:

1- ishte në frontin lindor të Epirit.

2- ishte në pjesën e sipërme të Epirit

Të dy këto të dhëna e vendosin Dodonën në verilindje të Epirit. Në verilindje të Epirit është lugina e Përmetit. Lugina e Carakovistës është në mes të Epirit.

Manipulimi i dëshmisë së Polibit është shembulli më i qartë se si ka vepruar Karapanos. I ka hequr dëshmisë të dhënat gjeografike. Mungesa e këtyre të dhënave e bën dëshminë të pavlefshme dhe me të tilla manipulime Dodonën mund ta vendosësh ku të duash, por jo në vendndodhjen e saj reale.

3- Karapanos ka vendosur një lumë në luginën e Carakovistës, ndërsa ky lumë nuk ekzistonte

Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878, fq. 150.

”Një lumi të cilit disa autorë të vjetër i japin emrin Dodon dhe që ishte formuar nga një pjesë e ujërave që dilnin në këmbët e malit Tomaros, rridhte në luginën e Dodonës”7).

“ Une rivière, à laquelle quelques auteurs anciens donnent le nom de Dodon, et qui était formée par une partie des eaux jaillissant aux pieds du Tomaros, coulait dans la vallée de Dodone 2 Shënimi 2. Steph. Byz. In v. Dodoni et Eustath., Comm. In Homer., Il., B., v. 750 (v. page 130, note 1)

Po a ka lumë në luginën e Carakovistës? Sigurisht që nuk ka. Aq më tepër që ky lumë të kalojë pranë faltores së orakullit ku e vendosin autorët e antikitetit. Vazhdojmë më tej arsyetimin e Karapanos

Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878

“Tokat e kësaj pjese të fundit janë të përmbytura plotësisht gjatë dimrit nga ujërat e burimeve që dalin në këmbët e malit Tomar. Një pjesë e madhe e këtyre ujërave nuk pushojnë gjatë gjithë verës dhe sipas dëshmisë së fshatarëve gjysma e fushës formonte, para 30 vjetësh, një kënetë të përhershme”8).

“Les terres de cette dernière partie sont submergées presque en entire pendant l`hiver par les eaux des sources qui surgissent au pied du Tomaros. Une grande partie de ces sources ne tarissent pas, même pendant l`été, et, d`après le témoignage des villageois, la moitié de la plaine ne formait, il y a une trentaine d`années, qu`un marais permanent”.

Pjesa e poshtme e luginës, e gjatë vetëm 5 km., vetëm sipas dëshmisë së banorëve të fshatrave të luginës, ishte e përmbytur. Kjo do të thotë që në kohën e Karapanos, fusha nuk ishte vend moçalor. Po e pranojmë dëshminë e fshatarëve që 30 vite para vitit 1878, (pra, para viteve 1850), gjysma e kësaj lugine ishte një vend moçalor. Po nëse ekziston sipas Karapanos orakulli dhe vendi moçalor, nuk ekziston lumi, që është e dhëna më e rëndësishme që na vjen nga autorët e antikitetit dhe që pranohet edhe prej Karapanos: orakulli i Dodonës ndodhej pranë një lumi. Mungesa e lumit në këtë pjesë të poshtme të luginës vërteton që në këtë pjesë të luginës së Carakovistës nuk ka orakull të Dodonës pellazgjike.

Por duhet të theksojmë se në këtë pjesë të poshtme të luginës nuk ka patur as vend moçalor.

William Martin Leak, që e kishte vizituar këtë luginë 70 vite më parë se Karapanos, dëshmon se kësaj lugine i mungonte ujët “deficient in water”9), duke vërtetuar në këtë mënyrë se dëshmia e Karapanos për një vend moçalor 30 vite para tij, nuk ka qenë e vërtetë.

Po ekzistencën e lumit në luginën e Carakovistës e ka rrëzuar dhe Akademia e Athinës. Në librin e botuar prej saj “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997, është vendosur dhe harta e Epirit. Në atë hartë shohim që asnjë lumë nuk kalon pranë Dodonës. Në luginën e Carakovistës mungon lumi. Degët lumore janë formuar jashtë kësaj lugine. Në juglindje është fillimi i lumit Luros dhe në veriperëndim dega e lumit Kalamas fillon tek vendi i quajtur Psina.

Akademia e Athinës nuk mund të vendoste lumë, atje ku nuk ekzistonte.

Në përfundim të shqyrtimit të këtyre tri dëshmive e kemi të qartë se si u arrit që Dodona të vendosej në luginën e Carakovistës. U manipuluan prej Karapanos dëshmitë e autorëve të antikitetit. Jemi para të njëjtit fakt: ashtu si në një proces gjyqësor, kur një dëshmitar apo palë jep dëshmi të rreme. Nëse provohet që një vendim gjykate është marrë mbi bazën e dëshmive të manipuluara, çështja rishikohet.

Harta është marrë nga libri : “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997

Pra, lind e drejta që çështja të rishqyrtohet. Të tri këto dëshmi të manipuluara prej Karapanos përbëjnë dhe dëshmitë bazë mbi të cilat institucioni shkencor francez e certifikoi Dodonën në luginën e Carakovistës. Në kohën që këto dëshmi bazë provohen si dëshmi të manipuluara, praktikisht është rrëzuar dhe vendimi i institucionit shkencor që e çertifikoi luginën e Carakovistës si vendndodhjen e Dodonës. Ndodhemi para një procesi të ri vlerësimi.

Pjesa e dytë

Dodonën në luginën e Carakovistës nuk e vërtetojnë as gjetjet arkeologjike.

Gërmimet arkeologjike në luginën e Carakovistës të bëra prej Karapanos iu paraqitën institucionit shkencor francez që bëri dhe certifikimin e Dodonës në këtë luginë. Në këto gjetje arkeologjike nuk gjen tek asnjëra prej tyre ku të shkruhej qyteti i Dodonës. Në mbishkrimet e tjera, sidomos në ato që quhen petëza orakullore, vërtetohet se ato i drejtoheshin Di Naios, që do të thotë se ky qytet nuk i përket Dodonës e cila nderonte Di Dodonen. Oponentët e Karapanos: M. le Baron de Witte anëtar i Institutit, M.E. Egger dhe Leon Heuzey, nga moria e dëshmive arkeologjike nuk veçuan ndonjërën trej tyre për ta sjellë si provë për ekzistencën e Dodonës në Carakovistë, por e morën të mirëqënë Dodonën në luginën e Carakovistës, kurse dëshmive historike pothuajse iu shmangën fare.

Certifikimi i Dodonës në luginën e Carakovistës, në vendin e gabuar, përbën një nga gabimet më të rënda që shkenca ka bërë deri më sot. Tjetërsimi i Dodonës është tjetërsim identiteti, gjë që e futi shkencën historike në një rrugë të gabuar. Nuk mund të ketë kurrë përfundime shkencore, kur ato ngrihen mbi dëshmi të manipuluara.

Një nga momentet kur Dodona do të mund të shënonte kthesën e saj, ka qenë simpoziumi shkencor nën drejtimin e Pierre Cabanes: L`Ylliri meridionale et l`Epir dans l`Atiquite, Actes du colloque de Clermont-Ferrand, 22-25 octobre 1984.

Ndërmjet referuesve në këtë simpozium do të veçoj atë të arkeologut grek Sotirios Dakaris

Sotirios Dakaris: Organizimi politik dhe urbanistik i qytetit në Epir

“…Vendi i shenjtë i epirotëve ishte qendër e Aleancës Epirote (343/2 deri në vitin 234/3) dhe më vonë Koinion i Epirit (234/3 deri në vitin 168). Në fillim të shekullit të III-të ose pak më herët, Buleterioni u vendos në lindje të teatrit (43,60 x 32,50 metra). Trualli në pjerrësinë e brendshme ishte rregulluar si një teatër, me disa ndenjëse guri. Disa qindra persona që mund të vendoseshin brenda në Buleterion, i cili e kapërcente shumë numrin e atyre që duheshin për të përfaqësuar fiset e Aleancës apo të Koinionit. Nga fundi i shekullit të III, pranë tribunës ndodhej altari i Zeus Buleus. Aleanca drejtohej nga mbreti Molosisë, prostati dhe 10-15 magjistratë, anëtarë të fiseve. Pas rënies së fuqisë molose, Aleanca u zëvendësua nga Koinioni, në të cilin merrnin pjesë më shumë fise epirote. Ndoshta kjo rritje shkaktoi shtesën në krahun lindor, me dhoma shtatë vendesh në ndërtesën O, që shërbente për prytanët ose hoteleri për t`iu përgjigjur kërkesave më të mëdha të vendit të shenjtë.

Jashtë anës lindore të Buleterionit gjendeshin gjashtë baza me dekrete nderi të Koinionit epirot, ato mbanin disa statuja bronzi” 10).

Më tej arkeologu Sotirios Dakaris solli përmasat e disa qyteteve të Epirit dhe të Ilirisë së Jugut, ku mund të veçojmë

Kasope

a-muri rrethues 2630m + shtesë e mëvonshme

b- sipërfaqja 30 ha + 6 ha nga shtesa e mëvonshme= 36 ha.

c- popullsia 10,000-12,000 banorë.

shtëpitë me mure katror rreth 230 m2

Goumani ( Gitana).

a-muri rrethues 2400 m.

b- sipërfaqja 28 ha.

c- popullsia 8.000 banorë

Bylysi

a-muri rrethues 2600 m.

b- sipërfaqja 28 ha

Dodonë

a-muri rrethues 750 m.

b- sipërfaqja 3,5 ha.11)