top of page

Infrastruktura zgjedhore si garanci për standardet




Zgjedhjet për organet e qeverisje vendore të datës 14 maj 2023 janë të një rëndësie të veçantë, edhe për faktin se janë të parat pas çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe pjesmarrjes së opozitës, pas bojkotit që ajo u bëri në 2019-tën. Në këtë kuadër, për krijimin e një klime besimi mes palëve, rëndësi ka ndërtimi i një infrastrukture zgjedhore të standardeve bashkohore. Ndonëse në dukje, mund të konsiderohet si nocion abstrakt, po t’i referohemi kuadrit ligjor përkatës, krijimi i kësaj inrastrukture është përgjegjësi konkrete e njësive të qeverisjes vendore. Më konretisht, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë (Ligji Nr.10019, datë 29.12.2008, ndryshuar me ligjet nr.74/2012, datë 19.07.2012, ligjin nr. 31/2015, datë 02.04.2015, nr. 101/2020, datë 23.7.2020 dhe ligjin nr 118/2020 datë 05.10.202 - i përditësuar, 2020), në nenet 51, 52 dhe 62 përcakton qartazi paramentrat ligjorë të kësaj infrastrukture.

Nëse deri në zgjedhjet e para 2015, kolapsi niste me manipulimin e listave të zgjedhësve, tashmë kjo mundësi është e tejkaluar, për vetë faktin e hartimit të ekstraktit të përbërësve zgjedhorë të zgjedhësve nga Zyrat e Gjendjes Civile 15 ditë pas daljes së dekretit të Presidentit të Republikës për datën e zgjedhjeve, dhe përditësimi e publikimi fizik dhe elektronik i këtij ekstrakti, pothuajse çdo fillim muaj. Shembullin më korrekt në zbatimin e kësaj kërkese ligjore e jep bashkia e Tiranës, ku në territorin e 24 Njësive Administrative dhe tri lagjeve të saj, për numrin e përgjithshëm prej 699.092 zgjedhës të regjistruar janë ngritur 940 Qendra Votimi.

Pikërisht në kriteret ligjore që duhen përmbushur për caktimin e zonave dhe vendndodhjes së qendrave të votimit konsiston edhe barra më e rëndë e këtij procesi. Në Bashkinë e Tiranës është krijuar tashmë një përvojë pozitive, duke evidentuar që në fillim të procesit objektet publike, ato private dhe të posaçme se ku mund të ngrihen Qendrat e Votimit, bazuar kjo në kërkesat e nenit 62 të Kodit Zgjedhor, që Zona e qendrës së votimit të jetë brenda një territori kompakt dhe të pashkëputur gjeografik dhe numri i zgjedhësve për çdo qendër votimi të mos jetë më i vogël se 300 dhe më i madh se 1,000 zgjedhës.

Nga një vështrim statistikor, për Bashkiinë e Tiranës që do të ketë 1/5 e Qendrave të votimit në rang vendi, rezulton të jenë ngritur 867 Qendra votimi në objekte publike (Shkolla, qendra shendetësore etj), 41 qendra votimi në objekte private (lokale sherbimi në ato zona ku nuk ka objekte publike) dhe 4 në objekte të posaçme (institucione të vuajtes së dënimit, shtëpi të pushimit të pleqve etj).

Në Bashkinë e Tiranës, gjatë këtij procesi i është kushtuar vëmendje e posaçme edhe përmbushjes së detyrimit ligjor që brenda 60 ditëve nga publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhorë të zgjedhësve, njësitë administrative të kryenin lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të qendrave të votimit.

Në këtë aspekt, duhet vlerësuar insistimi i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) në kërkesën për informacion sa më korrekt mbi ecurinë e këtij procesi dhe financimin e tij nga Ministria e Brendëshme. Por edhe zbatimi me përpikmëri nga Njësitë Administrative i Urdhërit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Z.Erion Veliaj për delegimin këtyre të fundit të kompetencave të nënshkrimit të ekstrakteve të përbërësve zgjedhorë dhe listës së zgjedhësve, caktimit dhe shpalljes së zonave dhe vendndodhjes së qendrave të votimit, si dhe njoftimit të zgjedhësve, për vendodhjen e qendrës së tyre të votimit, të bashkimit dhe/ose ndarjes së qendrave të votimit etj.

Në funksion të përmbushjes së këtyre detyrimeve ligjore është ngritur dhe ka funksionuar rrjeti i koordinatorëve zgjedhor nga 24 Njësitë Administrative dhe Tri Lagjet e Bashkisë Tiranë, i cili pas trajnimit në janar 2023 nga ekspertë të KQZ-së ka funksionuar më së miri. Koordinatorët zgjedhorë kanë evidentuar gjithashtu gjendjen faktike dhe nevojat e çdo qendre votimi për bazën e duhur materiale, për plotësimin e së cilës ka një angazhim maksiomal nga strukturat e Ndërmarrjes së Objketeve Publike të Bashkisë Tiranë.

Në këtë kuadër, bashkëpunimi korrekt dhe intensiv Bashki-KQZ dhe konrektisht i Drejtorëve të Përgjithshëm respektivë Aurel Çuko e Erion Meta, drejtorëve e specialistëve të linjës Kujtim Sula, Irfan Dashi, Jonida Xhepa, Elvis Beja, Klodiana Nogu etj, mundësoi ngritjen në kohë rekord të Qendrave të trajnimit dhe realizimin e tij me kompetencë e profesionalizëm, për operatorët e Pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) si dhe të trajnimit të komisionerëve të Qendrave të Votimit.


Duke e konsideruar domosdoshmëri krijimin një infrastrukture zgjedhore sipas standardeve ligjore, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj gjatë një takimi me drejtues të institucioneve dhe strukturave të angazhuara me zgjedhjet (13 prill 2023), përcolli mesazhin për rëndësinë e sigurimit të standardeve zgjedhore, si garanci e përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve. Kjo sipas tij, për faktin se sigurimi i standardeve zgjedhore jep garanci për një pushtet i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Një proces zgjedhor i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar tërësisht në Kushtetutë e ligj, është detyrim thelbësor ndaj vendit tonë.

Mbështetur në kornizën ligjore që ofron bazë të mjaftueshme për zgjedhje demokratike në pajtim me normat ndërkombëtare, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe strukturat përkatëse të KQZ kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme, kanë nxjerrë urdhëra e udhëzime dhe mbi të gjitha kanë mbajtur nën monitorim gjithë procesin e ndërtimit të infrastruktrës zgjedhore, për ta vënë atë në start të mbarë. Në bashkinë e Tiranës, kjo i ka shërbyer më së mirë transparencës së procesit të paraqitjes tabelore të vendodhjes së Qendrave të Votimit dhe të Komisoneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

Parë nga një këndvështrim i përgjithshëm, zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore janë një test i rëndësishëm për ecurinë demokratike të Shqipërisë dhe pikërisht për këtë, një infrastrukturë zgjedhore bashkkohore, në këto pak ditë që na ndajnë nga 14 Maj 2023, duhet konsideruar si imperativ i ditës nga strukturat përkatëse.

*Avokat & Mjeshtër i Madh

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page