IN MEMORIAM: Ramadan Çera
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 18
- 4 min read

IN MEMORIAM
Ramadan Çera ishte dhe mbetet simbol i vlerave më të mira njerëzore
Besim SADIKU*
Halil RAMA*
· Në vitin 2021 publikoi për familjarët dhe miqtë, librin e tij autobiografik, me kujtime dhe histori dibrane me titull: “Nëpër shtigjet e jetës sime” që është një dhuratë tepër e vyer për të gjithë ata që la pas
Pesëmbëdhjetë vitet e fundit të jetës i kaloi mes Tiranës dhe Kembrixhit të Anglisë. Qëndronte në Kembrixh sa çmallej e çmallej me tre fëmijët e tij të mirëintegruar në Britaninë e Madhe, si dhe me dy mbesat e tre nipat që i donte dhe e donin aq shumë gjyshin e tyre të mrekullueshëm.

Dhe sërish kthehej në Tiranë ku e prsinin miqtë e shokët e tij të shumtë. Dhe ndërsa këta të fundit prisnin me padurim që Ramadani të kthehej në atdhe, të pinin bashkë kafetë e mëngjezit e të merrinin pjesë po bashkë në promovimet e librave e në veprimtaritë e Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ e pasardhësve, ku bënte pjesë, morën lajmin e hidhur të ndarjes së tij nga jeta në Angli me 24 Nëntor 2024, nga një sulm i papritur në zemër, në moshën 87 vjeçare, duke tronditur familjen dhe miqtë nga kjo ikje e trishtë.
PO KUSH ISHTE RAMADAN ÇERA?!

Dibrani që mishëronte dhe përçonte kudo e kuroherë vetitë dhe virtytet më të mira njerëzore dhe intelektuale, ishte djali i dytë, pas vëllait të madh, Hamdiut dhe motrës së tij të vogël, Nuries.
Nëna e tyre, Sulltane ndërroi jetë në moshë shumë të re, duke i lënë jetimë të tre fëmijët. Ramadani ishte vetëm 4 vjeç. Babai, Selimi i rriti me shumë vështirësi dhe nuk u martua më.
Ramadani kishte një pasion të madh për dijen, por në pamundësi për shkak të kohës së atëhershme, filloi shkollën fillore në kushte shumë të vështira në vitin 1948, në moshën 11 vjeç.
Në shkollë u pikas në veçanti për talentin në muzikë dhe në veçanti në bukurshkrim, dhe për këtë talent të lindur u caktua nga mësuesi i tij Ramadan Duka, si përgjegjës i gazetës së murit.
Shkollën e mbaroi në vitin 1951, por sërish në pamundësi të vazhdojë më lart për vetë kushtet e vështira familjare. Dëftesa e lirimit ruhet akoma në dokumentet e familjes.
Koha e vështirë, varfëria etj, ja pamundësuar shkollimin e mëtejshëm por gjithësesi ai nuk rreshti kurrë gjatë gjithë jetës së tij duke mësuar, si fillim çiftelinë dhe fizarmonikën dhe në kohën e internetit, teknologjinë e kompjuterit, telefonave celularë e të rrjeteve sociale (ku derdhte dhe përcillte mjeshtërisht talentin e tij të rrallë në shkrimin e gojëdhënave popullore, legjendave, alegosrisë dibrane, riteve dhe të poezive të krijuara prej tij).
Nga viti 1951 deri ne 1957, Ramadani u mor me blegtori, deri sa shkoi të kryente shërbimin e detyruar ushtrarak,
Në ushtri si fillim u caktua në Leskovik, pastaj në pikën kufitare Zhepë, Përmet, dhe më pas në Ersekë dhe Kolonjë. Në dhjetor të vitit 1960 u lirua nga ushtria me fletë lavdërimi për disiplinë dhe shërbim shembullor për ruajtjen e kufirit shtetëror, nga komandanti i brigadës, Zia Kambo.
Gjatë kësaj periudhe u spikat për aftësinë e tij në kërcim dhe disa herë drejtuesit e brigadës ushatarake i kërkuan që të bëhej pjesë e grupit valltar të Përmetit.
Pas mbarimit të ushtrise, Ramadani shkoi në Linzë, fillimisht punëtor në një grurore dhe shumë shpejt u ngrit në deryrë si brigadier i brigadës.
Në Linzë punoi 4 vjet, deri sa u emërua në Stebleve, në ndërrmarrjen Sharra, ku punoi deri në vitin 1969.
Në Maj të vitit 1970, Ramadani filloi punë në Minierën e Mermerit, Muhurr.
Në vitin 1972, ai mori pjesë në kursin 9 - mujor të muzikës në Peshkopi që më pas i dha mundësine të emërohej përgjegjës kulture – një pozicion pune që e mbajti për 25 vite.
Këtu, siç tregon Skënder Murrja që jepte lnënën e matematikës, ramadano do të ishte nxënësi shembullor i shkollës së mbrëmjes (në varësi të Shkollës 8-vjeçare “Nexhat Agolli” Muhurr) që zhillohej pa shkëputje nga puna në mjediset e minierës, e kësoj do të merrte me rezultate të shkëlqyera edhe dëftesëm e mbarimit të 8-vjeçares.
Ramadani në kujtimet e tij, për këtë periudhë shprehet në kujtimet e tij që i la si tesmament në dorëshkrim:
“Nga kjo ndërmarrje fitova shumë, sepse përfitova dhe shtëpi në Peshkopi. M’u dhanë 7 fletë lavdërimi nga ndërmarrja e Mermerit dhe nga ministri i industrisë i asaj kohe, Prokop Murra. Kam marrë shumë fletë lavdërimi, madje edhe në kohën e pensionit nga Organizata e Bashkuar e Veteranëve”.
Në shkurt të vitit 1977, u martua me zonjen Hajrie dhe bashkë kanë 3 fëmijë; Lindën, Albanin dhe Mirën. Të tre fëmijët tani jetojnë në Angli prej shumë vitesh.
Në fillimet e viteve ’90 Ramadani doli në pension, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga krijimtaria, studimi i historisë, veçanërisht asaj dibrane, muzika, dhe arti.
E kaloi kohën e tij në pension duke kultivuar më tej njohuritë e tij për artin, kulturën dhe historinë. Vlerësonte shumë kohën e bukur që kalonte me miqtë e tij të shumtë. Gjithmonë ishte kërkues për dije, dhe vlerësim shoqëror.
Në vitin 2012 u zhvendos përfundimisht në Tiranë ku zgjeroi rrethin e tij miqësor dhe gjithashtu u bë pjesë e Organizatës së Veteranëve. Shumë shpejt u aktivizua gjerësisht në krijimin e dokumenteve, aktiviteteve të administratës, dhe organizimin e eventeve të kësaj organizate, ku në Nëntor mori dhe një Çertifikatë Mirënjohje për kontributin e tij nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 2021 publikoi për familjarët dhe miqtë, librin e tij autobiografik, me kujtime dhe histori dibrane me titull: “Nëpër shtigjet e jetës sime” që është një dhuratë teper e vyer për të gjithë ata që la pas.
Ramadan Çera ishte njeri i jashtëzakonshëm me plot pozitivitet. E vleresonte kohën dhe njerëzit. Ishte i aftë të bënte shoqëri e miqësi me të gjithë, ‘gojë ëmbël pa e prishur muhabetin me askënd’, ashtu siç i ka hije një dibrani.
Vdekja e tij e papritur, për familjen është një humbje tepër e thellë. Jo vetëm bashkëshortja, fëmijët, nipërit e mbesat, por edhe shokët e miqtë e tij të shumtë, në Dibër, Tiranë e gjetkë, do ta kujtojnë gjithnjë me nderim Ramadan Çerën, si simbol i urtësisë, mençurisë e mirësisë njerëzore.
(Nga Besim Sadiku – Ish-Drejtor i Minierës së Mermerit Muhur dhe ish- Kryetar i Bashkimeve Profesionale Dibër, dhe Halil Rama – Mjeshtër i Madh, shkrimtar dhe publicist)
Comments