Imagjinatë


Astrit Lulushi

Çdo njeriu i ndodh të kërkojë në mendje për fjalë ose një emër, por më kot, ato janë përzierë e kthyer në të reja, janë harruar ose rikrijuar me tjetër emër. Mendja është një botë më vete, e pavarur nga shqisat e tjera, - shikim, erë, dëgjim, shije dhe prekje - ku njeriu endet, dhe shpesh përdor imaginatën për të sjellë në mendje emrin, vendin, punën, mjetet, fjalët e gjërat, lindjet e vdekjet - të gjitha janë kthyer në emblema. Sepse njeriu shprehet me simbole, si me partitë që pëgjithsojnë idetë e tyre. Duke qenë i zënë me përdorimet praktike të gjërave, njeriu harron se ato të gjitha janë imagjinatë a aftësi e mendjes për të krijuar. Poeti, p.sh., me një perceptim, u jep gjërave jetë, i kthen nga kohët e vjetra dhe harresa, vë sy dhe gjuhë në çdo objekt të heshtur dhe të pajetë. Edhe aI e sheh pavarësinë e mendimit si simbol, por nuk ndalet aty, ai prish status-quon, dhe e çliron mendimin; botën e percepton si një gotë të mbushur me shtresa në renditjen e duhur, qëndron më afër saj dhe sheh se mendimi është metamorfozë, shumëformësh; që brenda formës së çdo jete është një forcë që e detyron atë të ngjitet në një formë më të lartë; dhe duke ndjekur me sytë e tij jetën, i përdor format që shprehin atë jetë, dhe kështu fjala e tij rrjedh në një hap me rrjedhën e natyrës. Të gjitha këto faktet me të cilat njeriu ndeshet në jetë janë shenja, si postblloqe kufiri, ku përtej çdo kalimi gjendet një ndryshim në shkallë më të lartë. Ai përdor formën sipas jetës, dhe jo jetën sipas formës. Vetëm poeti shkruan e flet për çdo gjë, sepse ai nuk ndalet në fakte, por i përdor ato si pika-kalimi. Ai e di pse fusha pa fund e hapësirës u mbush me këto lule që ne i quajmë diell, hënë dhe yje; pse thellësia e madhe zbukurohet me kafshë, me njerëz dhe perëndi; sepse mbi fjalë hipën si të ishin kuaj mendimi.

15 views

Shkrimet e fundit