Iliriana Sulkuqi: E diela ime e kryqëzuar...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 29, 2024
- 1 min read

E DIELA...
( më tha..., i thashë...)
...dhe tha krekosur mbi gënjeshtrën e saj:
-Eja, nuk jam si ditëmotrat e mia
që të shtrydhën
sa veten ta bënë të huaj...
Jam pushimi, qetësia,
jam datëlindja pa datën e caktuar,
jam dasma, pikniku...,
jam vetë mrekullia...
I thashë:
-E djelë, kryqëzuar nga këmbanat,
si unë,nga ditëmotrat e tua,
Je Ditë që jeton
nga lutjet e zemrave të pafryma.
KISHA HARRUAR...
Kisha harruar
ta zgjoja veten nga përgjumja fëminore,
që nga shekulli
kur ime gjyshe
më ndillte pranë vatrës princin e kaltër...
Ma rriti fëmijërinë para kohe
duke më "yshtur" dashurinë
për gjithë botën...
...
Se ç'm'u zgjua
kjo vatër kujtese,
tashmë si legjendë...
( kanë thënë para meje
se, në moshën e gjysheve,
fëmijëria ka datën e djeshme...)
...
Vetëm një përrallëz
s'ma rrëfeu gjyshja ime e ndjerë-
Atë, të vërtetën e së vërtetës -
Princërit dhe yjet
kanë shkëlqim të rremë...
JEZU...
Mbi letrën e bardhë
me shkronja shpirti,
(pa dashje),
nga gota e dehur
pikoi verë dashurie...
JEZU,
me mua gotën trokite...?
Iliriana - E diela ime e kryqëzuar...
Brooklyn, NY
Komentarze