Nëse bëhet një propozim me një vlerë që e kalon gjendjen normale të sendeve dhe nëse ky propozim vjen prej figurës më të lartë të shtetit shqiptar që është kryeministri, të gjithë kemi të drejtë të hamendësojmë, të shohim çfarë ka të mirë e çfarë jo ky propozim, cili është qëllimi i tij, përse bëhet, çfarë e mirë na vjen prej tij dhe ku dëmtohemi e kështu me radhë.
Kryeministri shqiptar ka hedhur idenë që Urdhri Bektashi, i vetmi që e ka selinë botërore në Tiranë, të ndërrojë status, pra të njihet më shumë, të jetë një entitet jruidik me statusin formal të një shteti.
Arsyet që ai sjell në vëmendje janë vlerat që ka ky urdhër në hapësirën e besimeve fetare botërore dhe sidomos harmonia fetare mbi të cilin ai është ngritur. Ideja e kryeministrit vjen nga një kontekst tjetër dhe lidhet sidomos me imazhin e shqiptarëve, të cilët megjithëse janë pasardhës të Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili si asnjë hero tjetër në Mesjetë u shpall kampion i krishtërimit, megjithëse janë pasardhës të Nënë Terezës shënjtores së famshme që ngjizi veprën e saj si mishërim i mëshirës kristiane të Jezusit, megjithëse në historinë e tyre nuk kanë pasur asnjë konflikt fetar, ndërkohë që praktikojnë katër besime fetare, megjithëse janë ndër kombet e rralla në Europë që mbrojtën hebrenjtë nga shfarosja naziste në emër të një kodi moral që sot paragjykohet nga Europa, pra megjithë këto vlera, kjo Shqipëri sot dhe imazhi i saj paraqiten krejtësisht të deformuara.
Për europianët dhe të tjerët ne jemi një vend mysliman në zemër të Europës që eksportojmë krim, mafie dhe korrupsion. Këtë imazh të ndyrë që në një pjesë të madhe e kemi ndërtuar vetë dhe për të cilin punon natë e ditë opozita e drejtuar nga Sali Berisha, qeveria socialiste është përpjekur ta korrigjojë me sa ka mundur dhe ne, sot, për hir të së vërtetës po i paraqitemi botës me një imazh pakëz më të ndryshëm.
Jo vetëm pamja e ndryshuar e këtij vendi, zhvillimi mbresëlëlnës, paqja dhe harmonia siguria dhe oazi europeist që kemi krijuar në mes të Ballkanit, por edhe politika e jashtme dhe protagonizmi i Edi Ramës kanë lënë shenjë dhe kanë ndikuar për të ndryshuar imazhin e këtij vendi. Në këtë kontekst, Rama bën edhe propozimin për të ndryshuar statusin juridik të Urdhrit Bektashi.
Detraktorët që frymëzohen nga narrativa e penxheres së katiti të tetë apo nga shtatë penxheret, unë personalisht nuk i përfill. Ajo që dua të them në këtë rast është se entiteti juridik shtetëror i këtij urdhri nuk ndryshon asgjë në përmbajtje, sepse shtete të tilla njihen si entitete muzeale më shumë apo si vitrina dhe pushteti i tyre ndodhet në shpirtin e njerëzve. Territoret që kanë institucionet e kulteve në vendin tonë nga pikëpamja juridike janë zotërime që u përkasin vetëm atyre dhe si të thuash bëjnë pjesë në shtetin e tyre, ashtu sikundër edhe territoret që zënë ambasadat.
Ajo që ndryshon në këtë rast është vetëm statusi juridik më i lartë, më i ngritur dhe mundësia për t’u njohur e promovuar më shumë. Nëse religjionet e tjera si katolicizmi apo ortodoksia dhe islamizmi kanë një qendër, siç thotë me të drejtë Rama, Urdhri Bektashi nuk ka një të tillë dhe kjo qendër ndodhet në vendin tonë. Kjo mundësi e artë duhet shfrytëzuar për të ngritur në një stad më të lartë këtë besim që ka lidhje edhe me historinë tonë.
Nëse e lexon sot me vëmendje Fletoren e Bektashinjet të Naim Frashërit që në një farë mënyre është teksti i shenjtë i Urdhrit do të vëresh se ai tekst është një manifest i shkëlqyer i tolerancës, dijes, harmonisë dhe panteizmit. Aty ka më shumë tolerancë dhe më shumë kode perëndimore edhe se në Bibël. Çfarë të keqeje do të kishim nëse ai tekst i Naimit do të njihej këtej e tutje nga e gjithë bota me qenë se do të shërbejë si libër i shenjtë i këtij besimi sepse ashtu e shpalli Naimi. Në atë tekst gjenden të bashkuara të gjitha principet deiste e iluministe.
Mirëpo, ne shqiptarët vuajmë nga një sëmundje e vjetër që është amnezia totale. Historia jonë është një përsëritje e vazhdueshme e gabimeve sepse ne asnjëherë nuk e përfillim të shkuarën tonë si një të tërë që na përket neve. Jemi mësuar që ta hedhim në erë me dinamitin e fyerjes e sharjes të shkuarën tonë dhe të nisim gjithnjë nga e para. Rimarrja e kësaj narrative të harruar e të nënvlerësuar dhe dëshira për të ringritur atë në lartësinë e një vitrine politike botërore është një gjetje atdhetare sepse bën një përpjekje për ta ridimensionuar imazhin tonë dhe për të gjetur rrënjët e vërteta europiane.
Naimi, Hoxha Tahsini, Sami Frashëri e të tjerë rilindës të mëdhenj që e zhvilluan veprimtarinë e tyre në zemër të Stambollit ishin edhe iluministët e parë dhe nëse sot kultura turke ka edhe shenja të qytetërimit perëndimor kjo ka ardhur edhe në saj të kontributit të këtyre kolosovë sidomos të Smiut e të Hoxha Tahsinit. Bektashizmi gjithnjë është quajtur si kriptokristianizëm, si një besim që mbulon konfliktin fetar si një mundësi për të shmangur fondamentalizmin.
Në anën tjetër, të mos harrojmë problemet që na kanë ardhur nga besimet që i kanë qendrat e tyre jashtë territorti të Shipqrisë. Sot kur kriza që ka shpërthyer në Lindjen e Mesme rrezikon të ndezë edhe njëherë konfliktet fetare, promovimi i këtij Urdhri nga një vend si Shqipëria që është model për harmoninë fetare jo vetëm që e ridimensionon kuptimin dhe imazhin për vendin tonë por bëhet edhe një mënyrë për të promovuar vlerat e paqes. Po ashtu, në anë tjetër, përballë luftës kulturore dhe identitare që po trondit SHBA-të dhe Europën, një propozim i tillë është vetëm një fllad i lehtë paqeje në një botë që po shkon me shpejtësi drejt luftërave.
Comentários