top of page

Ilir Mborja: Myslim Maska vjen me "100 lirika dhe një qershi"


(Mendime për vëllimim poetik "100 LIRIKA DHE NJË" të Myslim Maskës)

Nga Ilir Mborja


Këto ditë, Shtëpia Botuese Toena nxorri nga shtypi vëllim poetik "100 LIRIKA DHE NJË" të poetit Myslim Maska Siç mund të kuptohet nga titulli "100 LIRIKA DHE NJË" e shoqëruar nga imazhi i një qershije, në këtë vëllim janë përfshirë 101 lirika. Në fund, si "qershia mbi tortë" vëllimi mbyllet me një lirikë të bukur, ndoshta më e bukura në krijimtarinë e Maskës..., që titullohet "Qershia"... Vëllimi poetik "100 lirika dhe një qershi" përmban një përmbledhje të pasur me lirika që kapin një gamë të gjerë emocionesh dhe situatash njerëzore. Vlerat letrare të këtij vëllimi mund të analizohen në disa drejtime kyçe: tematika, stili, simbolet dhe emocionet. Temat në poezitë e Maskës janë të larmishme. Shpesh në to përshkruhen ndjenja të thella dhe pesimiste, duke u fokusuar në vdekjen, dashurinë e humbur, dëshpërimin dhe vetminë... Për shembull, në poezinë "Dialog", poeti eksploron idenë e përjetësisë dhe dhimbjen e ekzistencës përmes një dialogu filozofik që nxjerr në pah natyrën e jetës dhe vdekjes: Dialog Ç’do të bëhet kur të vdesë jeta? - S’më ka shkuar ndër mend... - Më fal! Di një gjë siç ma tha BLETA: Është një MJALTË QË DHEMB… Në të njëjtën mënyrë, poezia "Mundim njerëzor" reflekton përpjekjet e pafundme të njeriut për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme dhe për frustrimet e pashmangshme që hasen gjatë këtij rrugëtimi. Poezia përmban një ndjenjë të thellë zhgënjimi dhe të pashpresës, një motiv i zakonshëm në vëllim: Mundim njerëzor Me mundim të jashtëzakonshëm njerëzor I krijova të gjitha, Pak nga pak: Shtëpi, Familje, Pasuri: Bleva dhe një llambë. Llambën kush ma fiku? Në errësirë Ngela prapë... Stili i krejt i veçantë i Maskës, që mund të konsiderohet si një stil plot sqimë, me përdorimin e kursyer të figurave letrare, por të fuqishme dhe të pasura artistikisht, karakterizohet nga një qasje tërheqëse dhe tepër koncize. Për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e tij në përgjithësi të çuditëshme, Maska përdor metafora dhe simbole..., shpesh duke krijuar një ndjesi të intensitetit dhe të papriturës. Për shembull, në poezinë "Skulptura e gjallë", poeti përdor metaforën e një njeriu të verbër që kompozon simfoni për të ilustruar krijimtarinë dhe izolimin e tij të brendshëm:   Skulptura e gjallë Skulpturat s’i bënë vend, Por dhe nuk e dëbuan. I verbëri ecte me shkopin e vjetër, Duke trokitur mbi pllakat e dyshemesë Si mbi tastierë të një pianoje gjigande Dhe kompozonte simfoni Që i dëgjonte, ndoshta, Vetëm ai… Dhe ra në dysheme Dhe vdiq... Brofën skulpturat, e morën në krahë Dhe e vunë në ballë të “MUZEUT”, Pritën sa ngriu në këmbë, Pastaj, Sypërlotur zunë vendet që kishin.   Simbolet janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e poezisë së Maskës. Në poezinë "Qershia", që, siç thamë, është gjithashtu poezia përmbyllëse e vëllimit dhe që (me meritë) ka zënë vend në titullimin e tij, qershia simbolizon diçka të pastër dhe të brishtë. Akti i poetit që "vesh qershinë me rrobat e tij" tregon një përkushtim dhe sakrificë të thellë, ndërsa "transformimi i qershisë në një qenie të gjallë" sugjeron një ndjenjë të ringjalljes dhe të shpresës...  

Qershia Qershia dridhej në avlli Me vello dëbore. M’u dhimbs aq shumë Sa hoqa këpucët dhe ia vesha I hodha xhaketën supeve Dhe pallton e madhe Dhe kapelën… U habita kur lëvizi Më përshëndeti dhe iku. Ngriva në vend të saj… S’di pse më morën pastaj Me arkivol Më futën thellë. Para se lopatat të hidhnin dhé Pashë qershinë, Të përkulur mbi mua Dhe ca lot dëbore më zgjuan: U mrekulluam, Më tej S’mbaj mend ku shkuam…

Poezitë e Maskës, duke ofruar një udhëtim të thellë në psikikën njerëzore, sigurisht që janë tejet të ngarkuara emocionalisht. Ndonjëherë, përtej normalitetit, ndoshta edhe më shumë se ç'janë pritshmëritë e një lirike të dhimbshme. Në poezinë "Zogjtë", autori përshkruan një njeri që, pas daljes nga çmendina, i kërkon erës të mos trembë zogjtë brenda tij... Duke përdorur këtë imazh, krejt spontanisht, poeti ilustron brishtësinë e tij mendore dhe përpjekjen e vetëdishme për të ruajtur një farë normaliteti... Zogjtë Sa doli nga çmendina, I bërtiti erës me sa fuqi kishte: – Të lutem, Të lutem shumë! Mos qaj nëpër pyje, Se do më trembësh zogjtë, Që këndojnë brenda meje…! ... Poezitë e Maskës, për përzgjedhjen e motiveve, imazhet dhe këndvështrimin krejt të veçantë të këtyre imazheve, bëjnë që, në shumicën prej tyre, me një të lexuar, të mbahen mend... Sot Sot, Hëna doli Një minutë me vonesë. Ndoshta Mbajti një minutë zi Për HALITIN, Babanë tim...   Në klubet e natës Në klubet e natës, Në shishet boshe të rakisë, konjakut Verës, uiskit Shoh imazhet e miqve të mi Të lodhur, të munduar Të ndershëm Te rraskapitur… Siç shoh dhe rrufjanët.   Në përfundim mund të themi se vëllimi "100 lirika dhe një qershi" i Myslim Maskës është një kontribut shumë i mirëseardhur në letërsinë bashkëkohore shqipe. Duke përdorur një stil të veçantë dhe tejet emocional për të shprehur mendimet e tij mbi jetën, vdekjen, dashurinë dhe vuajtjen njerëzore, me këtë vëllim poetik, Myslim Maska konsolidon përfundimisht një vend të nderuar mes poetëve tanë që lëvrojnë lirikën sentimentale. Poezitë e tij, si pakkush tjetër, përçojnë një ndjesi të thellë pesimizmi, por gjithashtu rrokin bukurinë dhe përkushtimin në mes të këtyre ndjenjave, duke krijuar një efekt të fuqishëm dhe të paharrueshëm për lexuesin.

2 Comments


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
May 29, 2024

      Ja dhe një tjetër liqen poetik i krijuar nga një qind e një rrëke, përrenj, lumenj të lirikës myslimiane, që i shtohet universit të pafund të poezisë. Urojmë të ketë sa më tepër frekuentues për t'ia shijuar bukuritë. 

    Shumë suksese poetit Maska, përgëzime z.Mborja për njoftimin dhe analizën! K.Gjergji. 

Like

Guest
May 29, 2024

Myslim Maska me 100 lirikat e tij, arriti të zbus penën e një kritiku të pafalshëm. Pa tjetër që ka bërë punën e saj dhe qershia. Urime të dyve!

Vasil Klironomi

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page