ILIAZ BOBAJ: NINULLA E NËNËS
- Jan 21
- 3 min read

ILIAZ BOBAJ
-cikël poetik
NINULLA E NËNËS
Fkokëzbardhur, ballërrudhur,
jam kthyer si nga përralla,
para pragut ku u linda,
mbledh kujtime borë të bardha.
Dhe i zgjoj nga gjumi i gjatë,
sa i prek pak me kujtesë,
ato çelin si zambakë,
gjallërohen, marrin jetë.
Janë aq shumë...s'i nxen shtëpia,
s'kanë një grimë pluhur në shpinë,
asnjë rrudhë s'ka marrë freskia
dhe në flokë s'kanë asnjë thinjë.
Vijnë larg, nga një kohë tjetër,
nga një kohë e tjetër stine,
por, ndërsa ato vijnë pranë,
unë shkoj pas, te kohë e tyre.
Dhe vazhdoj kërkoj me ngut,
rrëmoj thellë kujtesën time.
-Ç'po kërkon ? - më thotë një zë.
-Një ninullë të nënës sime.
AI
Ai iku si gjithë të tjerët nga kjo botë,
u këput e ra si një gjethe.
Vetëm zërin nuk ia dëgjoi askush,
se gjithë jetën foli me vete.
Kur po ikte,
e dëgjuan t'i dilnin ca fjalë nëpër dhëmbë:
-Heshtja, - tha, - është protestë,
e folura ka kosto të rëndë.
NË IKJE
Të shoh, largohesh qetë - qetë,
me hap të bukur si dikur,
magjike dhe tani që ikën,
siç ishe kur vije tek unë.
Nuk pres të kthehesh, e ç'vlen kthimi,
një kthim është një pendim i lehtë,
më mirë një ikje dinjitoze,
se sa një kthim pa dinjitet.
Unë përkujdes mungesën tënde,
si një emblemë të çuditshme,
aty ke lënë të gjithë enigmat,
gjithçka të bukur, të magjishme.
Aty shkëlqen si gur smeraldi,
gjithçka që patëm unë e ti,
ca gjëra që na mbetën peng,
të shenjta gjer në shenjtëri.
Nuk di me vete ç'të të jap,
nuk di se çfarë të mbaj me vete,
veçse për ty në shpirtin tim,
nuk gjej gjëkund një pikë urrejtje.
Prandaj rri si pikat e heshtjes,
me sy andej nga ikën ti
dhe të përcjell kështu mes heshtjes,
me mall, me dhimbje, dashuri.
ÇAST
Mes nesh rri heshtja,
si një përrua i thellë, i qetë.
Secili mban dhimbjen,
në bregun e vet.
GURËT
Kështjellat tona, me gurë të mëdhenj, të rëndë,
i ngritën paraardhësit tanë.
Edhe luftrat e mëdha i bënë ata.
Ne e gjetëm gjithçka të vënë bukur mirë,
në kështjellat tona, të lashta sa bota,
që kanë për themele legjendat
dhe frymëmarrje lirinë,
ndërtuar me gurë të mëdhenj, të rëndë,
bashkë me plagët që iu la koha.
Dhe krenohemi sikur i ngritëm vetë.
Ndërsa me duart tona,
vëmë ca gurë të vegjël, të lehtë.
TI VJEN PËRHERË
Ti vjen përherë më zgjon kujtesën,
ashtu siç më vjen vetëm ti,
tek unë qëndron sa duhet ndenjur
dhe shkon, që të vish përsëri.
Si roja në një vend të shenjtë,
unë derën hapur lë përherë,
se ti do vish siç vjen mëngjesi,
do hysh si flladi në pranverë.
E di që vjen nga rrugë e largët,
se malli zjarrin ta ka ndezur
dhe do të rrish pakëz tek pragu,
si besimtari në një tempull.
Ca fjalë të shenjta do më thuash,
pasi të jemi krejt të vetëm,
si cicërimë e dallëndyshes,
kur kthehet tek folezë e vjetër.
Kam dashur shpesh të ta mbyll derën,
betim kam bërë si murg i rreptë,
po prapë betimin e kam shkelur
dhe derën e kam hapur krejt.
Më kot me veten jam betuar,
se derën ty do të ta mbyll,
tek unë do jesh sa të jem zgjuar,
ndaj kur të duash, hyr dhe dil.
DJE DHE SOT
Jetoja në një pyll t dendur.
Rrugica ime,
një fije peri mes tij,
nën hije pemësh, pa dritë.
Thoshja me vete:
-Më duhet fusha për sytë !
Sot jetoj në një fushë të hapër,
syri prek pafundësitë.
Në një fushë të hapët, pa asnjë udhë,
dielli e ndriçon me dritë të ëmbël.
Them me vete:
-Më duhet një rrugicë për këmbët !
PUSHTETI I TAKAVE TË TUA
Nga hapi yt zgjohet rrugica,
sa shkel mbi të, pikojnë muzikë,
takat e gjata si gjilpëra,
me majën e hollë sa një pikë.
Ndërsa ti shkon si fllad i lehtë,
e brishtë si flutura mbi ftua,
në rrugë sundon pushteti i rreptë,
pushteti i takave të tua.
Mbi to gjithçka i duhet syrit,
të ndizet gjer në marrëzi,
aty dëshirat, dehur, çmendur,
edhe hutimi, po aty.
Teksa shkon tej si fllad i lehtë,
nën ritme takash trak e trak,
në rrugë lë pas ndjesinë e rreptë,
pushteti yt perandorak.
PARADOKSI YNË
Dhe pse na erdhi si dritë hyjnore,
liria, ëndrra jonë e pritur aq gjatë,
kërmijtë në tokë shtohen papushuar,
pëllumba në qiell ngjiten pak, sa pak...









Comments