top of page

Ikja e paralajmëruar e një kryeministri


Leon Lekaj

Për të gjashtën ditë me radhë një pjesë e madhe e shqiptarëve protestojnë, duke tronditur pushtetin rilindas në themelet e tij të pista, të cilat vazhdojnë të nxjerrin “ujin e zi” nëpërmjet dhunës së pashoqe ndaj të rinjve dhe të rejave.

Para pak ditëve, makina vrasëse e rilindjes, qëlloi mbi buzëqeshjen e një të riu 25 vjeçar, qëlloi mbi frikën e tij për tu përballur me policinë “që s’duam”, qëlloi mbi ëndrrat ei tij për një jetë më të mirë. Klodian Rasha mbylli sytë përgjithmonë ende pa mbërritur në spital dhe ky fakt mbetet një enigmë që ngre shumë pikpyetje.

Së pari, Rama me direktivë nga larg, nxorri në pararojë militantët. Dolën njerëz të indoktrinuar e të paguar, me qëllim që njerëzit ta largonin sa do pak vëmendjen nga humbja e jetës të një të riu. Shqiptarët panë se si u derdhën lot për pemën e Krishtlindjeve, apo për ndonjë semafor të rrëzuar. Por kjo nuk funksionoi. Në të gjithë vendin njerëzit u derdhën nëpër sheshe.

Me një ndjesë dhe një shkarkim të domosdoshëm ministri, ndoshta spiropalët e rilindjes, të cilët i ka vendosur në grushtin tij të pistë (me thonj të palarë, thoshte Nano) kryegaztori i saj Edi Rama, mund ta kishin kaluar shumë më lehtë situatën, por shefi i qeverisë, i cili e qëmtoi revoltën prej botigëve të New Yorkut, nxorri prej mëngës asin e zakonshëm: shpifjen!

I riu Klodian Rasha kishte “pasur armë” dhe një të shkuar (lexo biografi) të dyshimtë. Gojë të liga, të cilat shteti shqiptar duhet me pa tjetër ti përgënjeshtrojë, (akoma nuk kemi versionin zyrtar se si u vra K. Rasha) flasin për një përleshje trup me trup mes policëve dhe viktimës, dhe se vdekja e Klodianit nuk erdhi si rezultat e ikjes së tij “me armë në dorë”, apo e plumbit mbas shpine, por se ajo kishte ndodhur gjatë kohës së përleshjes mes tyre. Por dudukët (altoparlantët) e kryeministrit ju mjaftoi fjala e shefit. Ca media pranë qeverisë, se dhe disa të “pavarura”, kryeredaktorët e të cilëve bëjnë mirë të varin personalitetin e tyre gazetaresk në shtyllën e parë, u ngutën ti frynin fort atyre, aq sa të shurdhonin popullin me thirrjet histerike, se Klodiani paskësh qenë një kriminel dhe se në fund të fundit, “policia që s’duam”, nuk bëri gjë tjetër, veçse vrau një të tillë. Por as futja e armëve tek viktimat kësaj here nuk funksionoi. Kjo praktikë, (futja e armëve në kishë) e ndjekur prej etërve të tyre, kur donin të burgosnin klerin katolik, i ndezi më tej gjakrat. Kjo ndezje gjakrash rriti besimin se shqiptarët tashma nuk janë më ato delet e “urta” të Spirokalit, (e cila me paturpësinë më të madhe deklaroi se këta që protestojnë nuk janë shqiptarët), por janë europianë të denjë, të një shteti, i cili për shkak të keq qeverisjes së tij nuk po e gjen dot rrugën drejt Evropës.

Si një politikan me sjellje dhelpre, edhe andej nga magazinat e shtrenjta të New Yorkut, tek bënte selfie me grekun e Pfizer, Alberto Burlas, kokëministri i të gjithë i shqiptarëve Edi Rama, duke e parë se shpifja e tij nuk ngjiti tek protestuesit, nxori nga arkivat e veta kurbanin. Jo librin e famshëm, me të cilin ka bërë një pjesë të mirë të “pasurisë” së tij të deklaruar, por projektoi atë që do të flijohej, në emër të qetësisë së kolltukut të tij. Ministri Lleshaj, ose kryepolici i “ujit me gaz”, u bë kështu flija e radhës.

Po përse nuk qetësoi turmat vendimi i Ramës për të larguar ministrin Lleshaj? Pse për të gjashtën ditë, mes fytyrave të vrenjtura të punonjësve cilvilë të ish sigurimit të shtetit, mes shkopinjve të policëve dhe gazit lotsjellës të këtij shteti policor, të rinjtë vazhduan revoltën e tyre?

Ka një përgjigje të cilën rilindja e njeh mirë; të rinjtë protestues, nuk e ndjejnë jetën të sigurt me “policinë që s’duam”.

Dhe kanë të drejtë!

Tek sheh në një video me zë dhe figurë, e cila këto ditë qarkulloi nëpër rrjetet sociale, ish punonjësin e sigurimit të shtetit aq të zellshëm e aq të devotshëm, nuk ke se si të ndjehesh mirë. I punësuar në aparatin shtypës të Edi Ramës dhe Ardi Veliajt, vemja e organeve të diktaturës, si një hijenë e pështirë, e cila del vetëm natën, mundohej të fshihte fytyrën e tij. Po përse? Nëse ai ishte brenda rregullave të shtetit, për të tërhequr zvarrë një adoleshent, përse duhej ta fshihte identitetin e tij të zi?

Protesta vazhdoi edhe mbrëmë, por shumë organe jo qeveritare, janë të shqetësuara për fatin e disa adoleshentëve. Nëpër intervista të kanaleve të ndryshme do të dëgjosh nëna dhe baballarë, të cilëve iu është rrëmbyer fëmija nga shteti, pa dhënë as shpjegimin më të vogël. Pa folur për rregullat anti kovid, të cilat kryeministri fort i merakosur i shqiptarëve i ulëret me të madhe kur vjen puna që grumbullohen kundra qeverisë së tij! Qelitë janë me dy tre fishin e kapacitetve dhe mediat flasin për një trajtim jo njerëzor brenda tyre, ndërkohë që Edi Rama bën paradën e radhës, bën gjestin “human” duke vizituar sërish familjen e Klodian Rashës.

Rivrasje për së dyti! Këtë tha kokë ulur i ati i 25 vjeçarit të vrarë.

Ka kohë që vendi im po rrëshqet drejt një diktature, por protestat e të rinjve, për vrasjen e Klodian Rashës japin ende shpresë se Shqipëria ka djem e vajza që e duan lirinë dhe ata do të dinë ti dalin zot asaj, duke dhënë mesazh për ikjen e paralajmëruar të një kryeministri.

Athinë 15/12/2020

183 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page