top of page

I tillë ishte  Jeremija, shpirti i mirë i Arbanasit


Sylejman Morina

“Tek Zoti janë çelësat e ngjarjeve dhe asgjë në tokë nuk ndodh pa Zotin” (Ivica Mateshiq-Jeremija)

Nga Sylejman Morina

Në shtratin e spitalit të qytetit të Zarës, i pushuan dhimbjet e mëdha luftëtarit, shkrimtarit, komandantit, diplomatit, arbnesh Ivica Mateshiq-Jeremija. Për atë dita e parë e verës kishte qenë dita e fundit në këtë botë të përkohshme. Shpresat e familjes, miqve, bashkëluftëtarëve u shuan me lajmin e trishtuar, se shpirti i mirë i Abneshit të Zarës nuk do të jetë në mesin e tyre. Sëmundja, në tre muajt e fundit e kishte shkatërruar trupin e tij dhe nuk ia lejoi të takohej me ta. Këtyre u mbetej vetëm të pranonin ngushëllimin dhe t’i ruajnë kujtimet e pa harruara që i kishin për të. Nëna, Marija, e kishte përjetuar plagosjen e të birit në frontet e luftës(Maslenica), ajo në fushëbeteja ia kishte menduar vdekjen, por vdekja e luftëtarit ndodhi në spitalin e qytetit në moshën 61 vjeçare. Jeremija edhe më parë ka pasur probleme me shëndetin, që herë pas here sëmundja nuk e linte të qetë. Lexuesit e vëmendshëm të shkrimeve të tija, kanë mundur të hetojnë, se nga e enjtja e 19. 03. 2020, penda e shkrimtarit, arbnesh mr. Ivica Mateshiq-Jeremija ishte ndalur, nuk vazhdojnë shkrimet e kolumneve në “Zadarski List”, e dora e tij kishte pushuar për gjithmonë. Ai nuk ishte pjesëmarrës në promovimin e veprës së tij “Branitelji iz Zadarskih Arbanasa u Domovinskom Ratu” e cila mbeti e fundit përfundimisht.

Promovimi ishte caktuar në qershor për festën e arbneshve, por sëmundja nuk ia kishte mundësuar pjesëmarrjen as për një çast të shkurtër. B.Kotllar më njoftoi ,se “Miku ynë, Ivica Mateshiq është shumë rëndë i sëmur. Mjerisht vepra“Branitelji iz Zadarskih Arbanasa u Domovinskom Ratu”, për të cilën kam kontribuar, nuk ka përjetuar promovimin meritor, pikërisht për shkak të gjendjes së tij të rëndë shëndetësore.” Tani gjithçka më ishte bërë e qartë. Vepra iu kishte kushtuar luftëtarëve arbneshë, pjesëmarrës në luftën për mbrojtjen e shtetit të ri të Kroacisë, në të cilën edhe 9 djelmosha kishin rënë dëshmorë. Në këtë luftë disa arbnesh edhe kanë pasur pozita të larta ushtarake, si Ivica. M.Jeremija dhe brigadieri Danijel Kotlari. Arbneshët e dëshmuan lojalitetin e sinqertë nda atdheut tyre Kroacisë. Si shumë vepra tjera, edhe ky projekti i gjashti në radhë është financuar nga vëllezërit Peroviq, humanistë të përkushtuar që në vijimësi i financojnë veprat të cilat kanë lidhshmëri me arbneshët. Po ashtu nuk duhet harruar punën e madhe të bërë nga Bernardi në përgatitjen teknike të kësaj vepre, me dizajn të veçan të. Ideja për këtë vepër kishte qenë e Bernardit dhe e vëllezërve Peroviq, siç ka theksuar edhe vetë Jeremija.

Lajmin për vdekjen e Jeremijes e kishin pritur me pikëllim, jo vetëm arbneshët, shqiptarët dhe bashkëqytetarët zaras, bashkëluftëtarët kudo që ishin, si edhe ata që kishin lexuar veprat e tija. Mjetet kroate të informimit qendror apo lokale i kishin njoftuar me kohë opinionin për vdekjen e tij,duke ofruar të dhëna konkrete për personalitetin e Jeremijes.

Vetë përcjellja mortore madhështore, me nderime ushtarake dhe me pjesëmarrje të qytetarëve tregonte respektin e tyre që kishin pasur ndaj personalitetit të Jeremijes. Kjo dëshmoi se zgjedhja si qytetar i vitit i qytetit Zarës më1994 nga anketimi i gazetës “Narodni List “nuk kishte qenë rastësi. Sigurisht, mos të ishte gjendja pandemisë, numri i pjesëmarrësve do të ishte edhe më i madh. Në mbledhjen komemorative në sallën solemne të Universitetit Zarës dhe në varrim kishin marrë pjesë edhe personalitete të larta ushtarake,politike e kulturore. “Sot po qan familja, arbneshët e tu dhe tërë Zara jote. Krenar që të patëm, me lot në sy, i kishte thënë fjalët shoku i fëmijërisë dhe miku, ish komandanti Danijel Kotlar. Shumë prekëse kishte qenë fjalimi lamtumirës i bashkëluftëtarit, Zhupanit Bozhidar Login shprehur në mënyrë elektronike..,pasi ishte në izolim shtëpiak . Në emër të lidhjes së shkrimtarëve të cilës i kishte takuar edhe Jeremija, kishte folur Marijan Bilosniq i cili pos tjerash kishte thënë : ” Ka një kuptim simbolik për mua. Mateshiq është shkrimtari i fundit mitik. Secila nga librat dhe tekstet e tij ishte një falënderim. Pas gjitha roleve të tija në jetë,mbetet për ne poeti Jeremia dhe lavdia e fjalëve të tij”.

Në varrim kishin marrë pjesë edhe gjenerali i njohur Ante Gotovina,brigadieri Danijel Kotlar, Koloniel Mihovil Zubçiq. kol. Danijel Telesmaniq Did. gjen. major Mladen Fuzul, major Joshko Pula, major Elvis Kuriq, etj .Nga institucionet shqiptare kishin marrë pjesë Ambasadori i Kosovës në Kroaci,Gëzim Kasapolli dhe atasheu ushtarak kol. Skender Hoxha dhe zonja Elvira Isufi, Ministre Fuqiplotë në Ambasadën e Republikës se Shqipërisë në Kroaci, si dhe personalitete tjera.

Lufta e kishte bërë Jeremijën shkrimtar

Jeremija, ishte një luftëtar vullnetar që nga orët e para (1991), i ishte bashkuar forcave mbrojtëse kroate, si dhe shumë arbneshë tjerë, me qëllim çlirimin e një pjese të okupuar të Kroacisë nga serbo- çetnikët. Në këtë luftë të drejtë mbrojtëse nuk kishte munguar as pjesëmarrja e kontributi i shqiptarëve, qoftë duke dezertuar nga JNA (APJ) apo duke iu bashkuar me vullnet ushtrisë kroate, si ushtar apo si kuadro ushtarake. Me këtë fitore historike të ushtrisë kroate, me fitoret e Ushtrisë Boshnjake, me triumfin e UÇK-së, në Koshare e Pashtrik, u thye miti serb për ushtrinë e pamposhtur serbe, përfunduan këngët e trimërisë me guslla, tani filluan këngët e vajtimit..

Aty ky bien dëshmorët ajo tokë bëhet e bekuar!

Jeremija, gjatë luftës ishte i pakënaqur me pikëpamjet e zotërinjve që flisnin për luftën nga distanca, e disa edhe kishin qenë skeptik për mundësinë e fitores ndaj çetnikëve, si dhe nga informimi sipërfaqësor i një pjese të shtypit për rrjedhat e luftës. Ai në këto rrethana filloi të shkruante nga fushëbetejat nën dritën e qirinjve, në copa letre të cilat i botonte në gazetën “ Narodni List”. Në intervistën e realizuar me të, në vitin 2010 ishte shprehur: “Po mos të ishte lufta, Jeremija nuk do të ishte shkrimtar.”. “Në shkrime, ai është gjithashtu kritik ndaj atyre që nuk iu përgjigjën thirrjes për të mbrojtur atdheun, sepse ata që shkuan në luftë shpesh u tallën për idealizmin e tyre”.

Kujtimet nga lufta ishin frymëzim i pashtershëm i krijimtarisë së tij, si dhe devijimet e deformimet shoqërore në kundërshtim me idealet e dëshmoreve, luftëtarëve të gjallë, të sëmurëve e invalidëve. Ai shkroi për t`ia pasqyruar gjeneratave të reja, se liria kishte kushtuar me gjak të dëshmorëve, me trupa të copëtuar luftëtarësh, me gjymtyrë të humbura maleve, me invalid që në trupat e tyre i mbajnë plumbat e armikut, me trauma të pashërueshme ,vuajtje e tmerre qytetaresh pleqsh, grash e fëmijësh, me shkatërrime ekonomike me pasoja shumëdimensionale. Aty ku toka laget me gjakun e dëshmorit ajo bëhet e bekuar!

Nuk duhet harruar të kaluarën, e cila atdheun e bënë edhe më të dashur.. e lirinë më të çmuar.

Si askush tjetër me shkrime e mbrojti luftën e drejtë dhe të pastër të luftëtarëve kroat, të akuzuar gjëja për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte.(Gjykata e Hagës) qasja e së cilës që të fajësoheshin e barazoheshin viktimat me agresorët që e gjakosen Evropën në dekadën e fundit të sh.20 !!.

Kriminelët e masakrave të shumta, gjenocidit, dhunimeve, kampeve, shkatërrimeve,si dhe hajnat e kufomave (nga Kosova) mos të mbeteshin të vetëm, por të përfshihen edhe ata që i bënë rezistencë agresionit, që mbrojtën lirinë e tyre, pragun shtëpive, popullin, të shpallën fajtorë. !!

Jeremija, në shkrime e në takime të ndryshme, në vijimësi kërkoi kushte më të mira për familjet e dëshmorëve, invalidëve e luftëtarëve. Atë e brente fakti se me qindra luftëtarë kishin bërë vetëvrasje, se luftëtarëve nuk duhej vetëm t’u sigurohet një pension dhe të ishin larg nga rrjedhat shoqërore e të mbeteshin në margjina të shoqërisë, sepse shumica e tyre kishin qenë të rinj nga mosha.

Veprimtaria Letrare

Jeremija që nga viti 1994 deri në 2020 i ka të botuara 11 vepra. Vepra e parë ishte ”Krizh Moje Braqe” Mirëpo veprimtaria e tij është më gjerë :ka shkruar skenarë filmash,tekste për DVD, disa edhe në bashkëpunim me Sergjo Nikpalin dhe Drago Mariqin. B.Kotlarin. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar Ushtarak në Bracciano - afër Romës, ishte shpërblyer tri herë për skenarët (2006, 2OO7 dhe2008).

Stili i veçantë i të shkruarit, më fjali të shkurta, më aq thellësi e ndjeshmëri shpirtërore e vazhdonte ta pasqyronte luftën dhe me pendë t’i mbronte vlerat e luftës .Nuk lejonte të harrohen ata që e kishin mbrojtur Kroacinë,pa shkrimet e tija shumë personazhe do ishin mbetur të panjohura. Ishte i guximshëm dhe kundërshtar i pa kompromis ndaj të pavërtetës dhe devijimeve sociale, politike e morale. Në kolumnet e tija ka shumë rimë që tingëllojnë sikurse të ishin poezi. E këto e bënin që dallohet Jeremija nga shkrimtarët tjerë kroat, si dhe nga përmbajtja e temave dhe mesazhi i tyre. Jeremija, ishte një kronist i luftës, për të cilën shkroi ashtu, siç e kishte parë e përjetuar thellë shpirtërisht zhvillimet e saj. Ai i përshkroi me korrektësi, vuajtjet, tmerret dhembjen nga humbja e shokëve, por edhe krenarinë nga trimëritë dhe fitoret madhështore të gardistëve. Pjesët e Kroacisë që nuk e kishin përjetuar luftën dhe nuk kishin pësuar shkatërrime sikurse, Vukovari, Zara, Gospiqi e Dubrovniku nuk i kishin perceptuar fitoret e kontributin e luftëtarëve njësoj, sikur pjesët e çliruara.

Personalitet i gjithanshëm

Ka pasur funksione të ndryshme, shoqërore, politike ushtarake-kolonel, Shefi i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Ministrisë së Mbrojtjes, Atashe ushtarak në Itali, Maqedoni që ka mbuluar Shqipërinë dhe Kosovën. Jeremijes iu kanë ndarë mbi 15 shpërblime ushtarake e civile,Nga kryetari republikës nderohet me medaljen "Danice hrvatske s likom Marka Marulića" (1998), dy herë i shpërblyer nga Papa është dekoruar edhe nga Republika e Shqipërisë- me Shqiponjën e Artë, më 2017 nga Forca e Sigurisë së Kosovës , me Medalje për Bashkëpunim Special nga Forcën e Sigurisë së Kosovës- 2016. Në një takim u kishte thënë të pranishmëve, “Kur duhet të vendosni për diçka, gjithmonë mendoni për ata njerëz( Dëshmorët) dhe nuk do të gaboni. Ju mendoni atë se çfarë ata menduan dhe ndërgjegjja juaj është e pastër. Ju nuk do të gaboni nëse vendosni mënyrën si ata menduan”

Kontakti me Jeremijen

Ishte atashe ushtarak në Ambasadën Kroate në Itali, kur e kisha realizuar një intervistë, me të cilën e kisha botuar në disa gazeta të përditshëm të Kosovës “Koha Ditore” ,”Zëri” dhe në dhe në disa gazeta tjera. Lidhjet tona e që nga ajo kohë asnjëherë nuk janë shkëputur . Në Zarë jemi takuar edhe gjatë promovimit të veprës sime , “Arbneshi nuk harrohet”(2018),ku edhe ia dhurova një kopje, të cilën e pranoi me kënaqësi. Ai tha:” edhe unë juve t`iu dhuroj një vepër timen” . Më dhuroi veprën “Pjesma Garde hrvatske" (Kënga e Gardës Kroate).Priste me pa durim që një vepër e tija të promovohet në Prishtinë, dhe aty të takoheshim (pjesë e letrës së tij).”sp di kur vi n Prishtin , ma kurvi ju kame sire leni bot falminder

Ivica ( kam mendua me prezentua librin t ri n Prishtin para se iki n shpi spodi a kame pat kov prse kam n t brambt dit pak problem me shndet).

Kjo dëshirë i mbeti e parealizuar që para njerëzve të gjakut tij ta promovojë veprën.(për mos realizimin e kësaj mund të dijë më shumë prof.Bardh Rugova)

Jeremija, gjithherë ishte i respektuar nga arbneshët, qarqet fetare, politike, ushtarake, kulturore, ishte shtyllë edhe në organizimet kulturo –fetare të arbneshve. Ai bashkëpunoi me shumë krijues arbneshë, si dhe me shoqatat kulturore arbneshe dhe bibliotekën e Arbanasit me shoqatën e shqiptarëve të Zarës, si dhe me shumë intelektualë shqiptarë.

Bashkëpunimi me komunitetit shqiptar të Zarës

Aktivisti i njohur e intelektuali Mr.Vesel Leka, i cili ka bërë një punë shumë të madhe e të çmueshme në organizimin dhe fuqizimin e shqiptarëve të Zarës, ndërlidhjen e shoqatës së shqiptarëve me shoqatat e arbneshve, si dhe ndërlidhjen e këtyre të fundit me institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës. Poashtu kontribuon në organizimin e mësimit të gjuhës shqipe për nxënësit shqiptar të shkollave fillore e të mesme të Zarës, ka organizuar vizita me arbnesh në trojet shqiptare, si dhe vizitën zyrtare në Shqipëri me kolektivin e shkollës fillore të Arbanasit “Kruno Kërstiq” , ku ishin takuar edhe me Presidentin Meta.

Me rastin e vdekjes së Jeremijës, ai u shpreh: Ishte vdekje e madhe ishte një vdekje e madhe . IvicaMateshiq- Jeremia, është arbneshi në mesin e të paktëve që e ndjente veten sikur një Shkodran i ardhur rishtas në Arbanas të Zarës. Ai e mbante të gjallë jo vetëm identitetin kulturor e politik të Arbanasit, por e freskoi akoma më fuqishëm bashkëpunimin në mes të emigracionit shqiptar dhe atij arbanas. Mjaftonte një telefonatë, ai të ishte në mesin tonë për ndonjë̈ aktivitet kulturorë ose në shoqërimin e delegacioneve nga Kosova e Shqipëria. Ai e kishte të fortë edhe imazhin e një̈ komandanti për çlirimin e Kroacisë̈ bashkë edhe me arbëneshë të tjerë̈ të shumtë. I kishte edhe përgjegjësitë̈ tjera diplomatike gjë̈ që ndikonte fort në vendimmarrje jo vetëm për mjedisin ku jetonte. Me iniciativën tonë, ai pranoi të ishte konsull i Shqipërisë̈ në Zarë dhe ka pritur për konkretizimin e saj. Ai e ndjente veten se në damarët e tij rrjedh gjak shqiptari dhe në misionet diplomatike e ushtarake e ka mbrojtur çështjen shqiptare përballë̈ përfaqësuesve civil e ushtarak të huaj. Ai i ka paraqitur edhe aktivitetet dhe veprimtaritë̈ tona në shtypin periodik të Zarës. Ai e fliste mirë gjuhën arbneshe e shqipe dhe tregonte ngjarje gazmore dhe batuta pandërprerë̈. Me vdekjen e tij, të gjithë ne e ndjejmë̈ veten të plagosur rëndë̈ në ecjen tonë të mëtejme, për t’i realizuar ende shumë nevoja kulturore e njerëzore për këtë̈ komunitet arbnorë që mban mbi supe ende peshën e shumë ngjarjeve për kaq vite e shekuj. Arbneshët do ta tejkalojnë dhembjen, por Jeremija do të mbetet inspirim i përhershëm për të ngritur dinjitetin dhe krenarinë arbneshëve, në mësimin e gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë, zhvillimin e aktiviteteve politike e kulturore, duke luajtur një rol ndërlidhës mes Zarës, arbneshve dhe institucioneve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Po ashtu në organizimin e vizitave vëllazërore e studimore me arbnesh në Kosovë e Shqipëri.




Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page