I pakapshëm… ky Pastruesi ynë
Fatmir Terziu
Ikje dhe venitje. Venitje dhe ikje…, por duke lënë asgjë pas. Asgjë?! Nga të dyja ato që kanë mbetur shihen letrarisht vetëm plazma mjegullnaje, më saktë ka mbetur vetëm tymi brenda një pusulle të palexueshme shkrimi. Mungon Oksigjeni. Më saktë mungon Fryma e pemëve. Intrigon ajo që mbetet të jetë një karburant për një zjarr të furishëm. Dhe tymi bëhet roje e qiellit?!
Kërkuesi i së vërtetës shëtit në botën e tij imagjinare. Pas gënjeshtrave mashtruese të dëshpërimit, rikuperon „dhimbshëm“, (me gjasa dhimbjeje) fjalët lënduese që zemra (juaj) nuk mund t'i durojë.
Ndonjëherë e vërteta, është thjesht e neveritshme. Diktohet syrazi duke djegur ata që afrohen shumë. Më shumë e më shumë. Vetëm duke ndjekur. Vetëm duke djegur. Asgjë nuk ndryshon. Nuk ndryshon edhe kur … fabula metohet nga Ndotja. E Ndotja shëtit me Torbën e Mëkatit në krahë të Kryeministrit.
Në sallë është zhurma. Zhurma. Heshtja e zhurmuar. Pritja…, kjo kërkon të arratiset nga sytë e Gardistëve me rrogë. Kërkon dhe mbetet në pritën e Pritjes.
Në pritje. Shtatë ideale përtej dertit. Të shtata të shtrembëruara, dhe në mes tyre mblidhet djallëzia. Djallëzia dhe babëzia e përfytyruar në errësirën e Torbës së Pastruesit. Dhe kjo është simbolika e Torbës. Gjithnjë e më konsumuese. Torba sjell grykësi.
Grykësi përçmuese, ashtu si yjet e padukshme, „shkëlqen“ Krenaria. E nevojshme?! Lukunia si një bimë qorre pret dritën. E drita e pakapshme, si hëna pas reve. E hëna pret që të largohet Zemërimi . Ashtu si zjarri. Epshi digjet në erë. Ata janë gjithnjë Një, aty, edhe kur duket se janë Dy.
Dhe më përtaci habitet. Ai as që u shfaq. Nuk u shfaq kurrë. Të gjithë ata, të 140-tët kishin mbiemrat para emrave, ndërsa u betuan dhe u votuan. Të gjithë ata ishin ëndërrimtarë.
Torba u rishfaq. Ai ishte i pakapshëm… I pakapshëm…, i pa fshirë nga batica e sallës. Diku turfullon me vullnetin e tyre. Vetëm Torba (ri)kujton. Gjithmonë në pritje të një Pastruesi Tjetër.
Nexhi Baushi
Kapje e një fakti që në pamje të parë nuk të bën përshtypje, por vetëm një karagjozllk të tipit k/m, por shtjellimi dhe kuptimi i vprtetë i atij veprimi është meritë vetëm e një sy vtojtuesi dhe letrarizuesi paçka se dhimbjen e mban brënda. Për mua një shkrim plot vlera