I dashur Profesor Fatmiri,
Në esenë tuaj të shkëlqyer, me titull “Shpella në zemër të qeverisjes së Ramës”, të botuar në portalin tuaj “Fjala e Lirë” të ditës së sotme (05 shkurt 2022), ju shkruani:
“Rama, nga ana tjetër, është nën presion jo për shkak të ndonjë faktori të jashtëm politik, por kryesisht për shkak të skandaleve në qeverisjen e tij të korruptuar. Dhe është falë mungesës së drejtimit të tij që qeveria e tij tërhiqet nga një gabim në tjetrin. Të huajt e përkëdhelin ende?”.
I keni rënë pikës, miku im i çmuar. Rama sigurisht që nuk mund të jetë kurrsesi nën presionin e kurrfarë faktori të jashtëm, sepse përkrahja e atij faktori ka qenë tepër e dukshme gjatë qeverisjes së tij 8-vjeçare, kur ai (Rama) ia hodhi mirë në qafë lakun e varfërisë shumicës së shqiptarëve (çka solli si pasojë braktisjen e vendit nga më shumë se gjysmë milioni njerëzish dhe që nuk u pasqyrua absolutisht në shkurtimin e numrit të deleparazitëve në Kuvend) dhe kur deledeputetët e tij ia kanë mbajtur avazin për bukuri.
Rama ka gëzuar përkrahjen e gjithanshme nga brukselizmi, paçka se qeverisja e tij 8-vjeçare ka qenë një turp me damkë jo vetën për Shqipërinë, por edhe për mbarë kombin shqiptar. Ajo përkrahje e ka burimin te psikologjia shoviniste e pararendësve të brukselizmit, të cilët, në bashkëpunim të ngushtë me shovinizmin rusocarist, e kanë urryer paq kombin shqiptar. Çuditërisht, pararendësit e brukselizmit nuk ishin të ndikuar absolutisht nga autoriteti i lartë shkencor i shumë dijetarëve të shquar perëndimorë, të cilët patën bërë vlerësime të shkëlqyera për lashtësinë e gjuhës shqipe, gjë që nuk mund të mos ishte vlerësim mjaft objektiv edhe për mbartësit e saj.
Ju pyesni:
Të huajt e përkrahin ende?
Sigurisht që e përkrahin fuqimisht, sepse Rama është mjaltë e sheqer me diplomatët e huaj, pararojën e të cilëve tani e kryeson Yuri Kim. Se diplomatët e huaj shikojnë vetëm interesat e xhepit të tyre dhe as që e çajnë kokën fare për lakun e varfërisë në qafën e shumicës së shqiptarëve. Në heshtje, të huajt e kuptojnë fare mirë se në ç’gjendje katastrofike e ka katandisur Rama vendin tonë. Megjithatë, ata e kanë mik të çmuar dhe, për t’i shpëtuar “nderin”, jo më kot kanë qarkulluar ca fjalë (nuk e di me siguri nëse janë të vërteta apo thashetheme) se Rama mund të marrë një post të rëndësishëm ose në selinë e NATO-s në Bruksel, ose në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 05 shkurt 2022
top of page
Search
Shkrimet e fundit
bottom of page
Comments