
I dashur askush!
Ka ardhur letra që më keni shkruar. Është e lagur. Nuk jam i sigurtë se çfarë e ka lagur atë, lotët e tu apo shiu që u derdh gjatë rrugës. Nuk mund të lexohet. Por jam kurioz se cili nga dy përfundimet e mia do t'ju kënaqte.
Sidoqoftë ashtu sikurse dhe letrën edhe jetën Unë dua t’i teorizoj në terma konkretë, por nuk jam i sigurt se ku të filloj. Fillimi duket se nuk ka ndodhur kurrë, megjithatë fundi duket tepër i afërt. Nuk e kuptoj, vërtet. Ndjej një lloj agonie. Agonia është e mbarueshme, por jo ndjenjat e krijuara prej saj. Unë nuk e lexoj letrën por të kuptoj ty, si të gjithë askushët e tjerë. Të kuptoj se mund të jesh:
I verbuar nga dëshirat.
I zhveshur nga arsyet.
Një goditje e vazhdueshme nga vetëdija. Ah, dhe këtë të fundit më duket se e dija. Është një diktim i mrekullueshëm. Mendja jote është në një rrotullim të vazhdueshëm. Por dije dhe këtë gjë. Edhe pse kam një kohë shumë të gjatë që bisedoj me mendjen, ne ende nuk jemi miq. E kështu dua të të peys: Ku është padrejtësia nëse lind ai që e krijon?
Natyrisht kjo nuk ndodh nga Birra poetike, as nga Mendimet në fermentim. Kazani poetik po shpërthen me një birrë gjallëruese brenda një gote. E aty, natyrisht vetëm aty si i sifistikuar, Ju jeni hapësira boshe që ekziston brenda një kujtese të fosilizuar.
Tashmë jam duke e përfunduar, edhe pse mbeta letrën tënde pa e lexuar. Gjithçka, duke përjashtuar buzëqeshjen tuaj të palicencuar, është e zymtë. Sikurse vetë jeta. Jeta është një stërvitje monotone. Letrat janë si letra. Veprat mbesin vepra. Aty ushqehet besimi. Por, edhe besimi është i pafuqishëm të shuajë kujtimet e tharta të së shkuarës ku digjet edhe hija e njerëzve.
Nuk e di a u kuptuam!
I dashur askush.
Nuk e di a më kuptuat!!?