top of page

“I ÇMENDURI”QË NA MAHNITI


Vullnet Mato Tregim Arrita në qendër të fshatit,në mesditën e vapës së korrikut. Ndalova disa minuta te salla e freskët e klubit, ku porosita një kafe. Pas pak hyri aty dhe personi që prisja. Ishte një mesoburrë i thatë, me flokët e ballit të degraduar në push të hollë, të verdhëremë. Ai i përshëndeti të gjithë me përzemërsi. Mua më shtrëngoi dorën fort dhe duke më vështruar buzagaz, u ul në karrigen përballë. Ishte drejtori i shkollës së mesme të zonës. Quhej Bezat. Në fillim kuvënduam mbarë e prapë, pastaj ai vijoi: -Do të të prezantoj sot njeriun më të çuditshëm, që kam parë gjatë viteve që punoj në këtë zonë, për të cilin të kam folur pak para cakohesh. Është një i çmendur, që pikturon e ka bërë shpikje aq të bukura, sa të lë me gojë hapur. Dhe të mendosh, s'ka bërë asnjë shkollë për atë punë dhe as ka dalë nga fshati për të parë ndonjë piktor diku gjetkë. Ai ka edhe një emër, që ua shton gazin njerëzve, quhet Gjelok Pula... Si duket, me emrin, prindërit e tij kanë dashur t'i kompesojnë mbiemrin e trashëguar. I kredhur, siç isha, në përfytyrimin e atij njeriu, më pushtoi një kureshtje e tillë, që më bëri të çohem menjeherë nga karrigia. Dhe bashkë me Bezatin u nisëm pa u vonuar të shkojmë në shtëpinë e tij. Pasi zbritëm shkarëzimin nëpër rrugicën e ngushtë, u gjëndëm në një vend të thelluar, që ngjasonte me sheshin në fund të shkallëve të një amfiteatri të lashtë. Mjedisi përqark ishte qerthulluar nga blerimi i dëndur i drurëve të gështenjave dhe mes tyre ndodhej shtëpia dykatëshe e sapondërtuar e Gjelok Pulës. Qëkur kam qënë i vogël, nuk më ka pëlqyer kurrë t'u afrohem të çmendurve. Jo nga frika, por sepse ndjej një keqardhje sfilitëse, kur e shoh njeriun të ketë përfunduar në atë gjendje të vajtueshme, ku e çon logjika e sëmurë. Ndaj u ndala dhe e pyeta Bezatin: -Ky i çmenduri Pula, mos ndodh ndonjëherë t'i largohet mbiemrit, për t’u bërë gjeli agresiv i emrit të vet? Bezati qeshi një grimë me këtë lojë fjalësh. -Jo. -tha pas pak. –Thonë se është i heshtur dhe i zymtë. Unë e kam parë vetëm nja dy herë, po ç’më kane treguar të tjerët. Megjithatë mos e gërmo shumë se nuk i dihet!... Nuk më kish pëlqyer kurrë t'u afrohem të çmendurve. Jo nga frika, po sepse ndjej një keqardhje sfilitëse, kur shoh ku e çon njeriun logjika e sëmurë. Megjithatë Lëvizëm drejt ndërtesës me mure guri, ku një palë shkallë të jashtme ngjiteshin deri në katin e dytë. Trokitëm dhe njeriu i çuditshëm doli te dera me një vështrim indiferent, duke shtrënguar me të dy duart një tufë me lulëkuqe. Kishim përballë një burrec, të cilit nuk i zgjuam asnjë interes për t'i shkëputur sytë nga tufa e lulëkuqeve. M'u desh ta mposhtja ndjenjën e tmerrit që më pushtoi, kur pashë fytyrën e tij të parruar me ca qime të hirta, flokët e dendur si shkurre, të lëshuar deri poshtë veshëve, vetullat e trasha si dy bishta dhie, sytë gri të futur thellë ballit me një vështrim të errët, të ftohtë, indiferent. Kishte veshur një bluzë tutash të dalëboje dhe pantallona doku blu, që i rrinin aq të gjera, sa dukej si i futur në thes. M'u desh t'i jap dorën e t'i them me një zë disi të druajtur: -Na kanë thënë se je artist nga duart, ke bërë disa shpikje e piktura shume të bukura... A ka mundesi t'i shohim nga afër!... Gjelok Pula nuk foli. U ndermend nje grimë, pastaj bëri një hap prapa dhe ne të dy me Bezatin e ndoqëm, me kujdes. Hymë në një korridor të pashtruar. Mbi binarët e dyshemesë ishin hedhur vetëm disa dërrasa plepi të pambërthyera. Ai shkelte serbes mbi to dhe u ndal para një dere me prag të drunjtë. Futi dorën thellë në pantallona dhe nxori një çelës të çuditshëm, që e kishte bërë vet. Ishte një tub dy pëllëmbë, me ca dhëmbë metalik të salduar te maja e me një rreth mbajtës te fundi. E ngjeshi thellë në derë dhe e rrotulloi me një kërkëllimë metalike të mbytur. Mandej e tërhoqi me kujdes dhe e futi sërish në brez, si të ishte çelës thesari. Rregulloi një çast drejtpeshimin e vet mbi dërrasën ku kishte qëndruar, pastaj zgjati këmbën e djathtë, rëndoi mbi pragun e derës dhe priti, sikur të ndodhej përpara një enigme. Befas u dëgjua një gurgullimë e rëndë, që zgjati dy-tri sekonda. Dhe dera u hap krejt, duke u futur e gjitha në mur. Ishte diçka si te ajo porta magjike "Sezam hapu!" Mbeta i stopuar një grimë. Më pas i thashë ta hiqte këmbën nga pragu. Dhe përsëri u ndie ajo gurgullima mistrioze, që e nxori derën nga muri dhe rimbylli dhomën. Atëherë shkela vet mbi pragun e drunjtë dhe vështrova përpjetë, midis një të çare te kasa e derës. Po ç’të shihje! Një mori trungjesh të lidhur me tela çeliku nën çati, kapërtheheshin me njëri-tjetrin dhe lëviznin poshtë e përpjetë, sa herë hapej e mbyllej dera. Pra, i çmenduri kishte zbatuar në mënyrë të përpiktë e autodidakte ligjin e kontrapeshave, të cilat mbanin derën pezull dhe krijonin lëvizjen e saj para-prapa, sa herë shkelej pragu. Ky zbulim më la krejt të shtangur. Në çastin kur hymë brënda dhe u ndie mbyllja automatike e dhomës, hodha sytë prapa derës. Atëherë vura re, se ajo nuk ishte një derë e thjeshtë dosido. Por kishte nga ana e brendshme një trajtim artistik të rrallë. E punuar e gjitha me dru arre, sipërfaqja e saj ishte ndarë në tri pjesë të barabarta. Në secilën prej tyre ishin vendosur nga tri zemra druri, duke formuar në këtë mënyrë nëntë katërkëndësha, që shkëlqenin nga lustra. Kur vuri re stepjen time, Gjeloku zgjati dorën serbes dhe takoi një çelës elektrik te cepi i murit. Në derë u ndezën menjëherë tetëmbëdhjetë rrathë me ngjyra, që u ngjanin stopave të automjeteve. Tani ajo dukej si ndonjë portë magjike, që të merrte sytë me vezullimin e saj. U përkula fare pranë dhe vura re, se rrathët e ndritshëm ishin thembra të rrumbullakosura, nga ato pantoflet plastike të grave. Transparenca dhe kombinimi i kuadratëve të vegjël, të këtyre thembrave blu, të kuqe, jeshile, të verdha, rozë, saks, violet, krijonte një rëzëllitje ngjyrash, që do të mahniste edhe profesionistin më të specializuar të ndriçimit dekorativ. Të krijohej përshtypja sikur kishe hyrë në skafin e nëndetëses fantastike të Zhyl Vernit. Duke pikasur çmeritjen time, Gjeloku çmendurak takoi edhe një çelës tjetër. Dhe këtë e bëri me një intensitet të tillë të lëvizjes së krahut, si të donte t'u jepte ndjesive të mia të tronditura një goditje akoma më të fuqishme. Befas u duk sikur në gjysmerrësirën e asaj dhome leu dielli verbues. Tavani, i ndërtuar i tëri me rrathë prej allçie të ngjyrosur e të ngritur në reliev, nga më i vogli në qendër, deri te më i madhi që pushtonte kupolën e dhomës, ishte plot me llampa elektrike të madhësive të ndryshme, të vendosura gjatë perimetrit të çdo rrethi. Ato vinin duke u hapur në mënyrë valëzuese, nga më e madhja pesëqint watëshe në mes, që ishte dielli, deri te llambushkat më të vogla në rrethin e fundit, të cilat, sipas Gjelokut, ishin yjet. I mposhtur tërësisht nga pushteti i fuqishëm që merrte aty fantazia krijuese e atij marroku, mendova: Kushedi sa ditë e netë punë ngulmuese e rropatëse i qenë dashur Gjelokut të palodhur, për të punuar në pozicionin kryepërpjetë jo vetëm gjithata rrathë me harqe aq të përpiktë, po edhe instalimet e ndërlikuara elektrike përbrënda tyre, të përshtatura për tensione të ndryshme. Pa llogaritur më tej ngjyrosjet në formën e brezave të ylbertë të këtyre rrathëve dhe llampave, me një harmoni ngjyrash, që të bënte për ta patur zili atë mendjen e tij të çmendur. Ndriçimi i fuqishëm i tavanit i kishte bërë edhe muret të llamburisnin. Tani reflekset e dekoracioneve të shumta e plot ngjyra, që përhapeshin në të gjitha anët, të godisnin në sy me një shkëlqim lëbyrës. Të katër faqet e murit ishin ndarë në blloqe të barabartë kuadratësh vertikal. Brënda tyre ishin pikturuar të gjithë llojet e zogjve, që këndonin në fshatin e Gjelok Pulës dhe të gjitha lulet e gjethet, që kishin çelur para syve të tij të mprehtë e të kujdesshëm. Motivet popullore, ornamentet floreale dhe gjithë lajlet e tjera simbolike, me linja aq të ndërlikuara, ishin punuar me ca nuanca ngjyrash tepër transparente, që binin në sy menjëherë për origjialitetin e tyre. Kjo më nxiti ta pyes: -Ku i ke gjetur këto ngjyra kaq të bukura? Ai më hodhi një vështrim zhbirues dhe uli kryet. Mandej drejtoi sytë sërish dhe tha si me përtim: -Njashtu... I bëra vet... -Me çfarë i ke bërë? -Njashtu. - tha sërish dhe heshti. -Mbase ruan sekretin e prodhimit. -më pëshpëriti Bezati te veshi dhe më ngjeshi supin. Mund të ishte edhe kjo. Veçse nuk po kuptoja ku e kishte hallin që s'po hapej në bisedë. Pata përshtypjen, se pyetjet e mërzisnin. Por në reagimet e fytyrës së tij të parruar, vihej re qartë, se i bëhej qejfi që punimet e tij po na pëlqenin shumë dhe kuturisi të më shpjegojë shkurt, se i përgatiste nga lulet e ndryshme, nga gjethet dhe rrënjët e bimëve, duke i zier me kripë e limontos. Për këtë qëllim e kishte mbledhur edhe atë tufën e madhe me lulekuqe, me të cilën doli te dera. -Or po ç'i do llafet, ky qenka mjeshtër! -tha befas Bezati. Unë buzëqesha dhe vijova të sodis fundin e mureve. Deri në lartësinë një metër e gjysmë nga dyshemeja, dhoma ishte veshur rretheqark me fileto ahu, të krijuara prej dërrasash të zgjedhura me damarë të errët në formë rrëkera ujërash. Ato ishin kanalizuar hollë dhe ishin llakuar me rrëshira pishash e kumbullash, që bënin të dukej sikur veshja e drunjtë ishte mbuluar me një cipë të hollë qelqi. Mandej oxhaku ishte një mrekulli më vete. I punuar i tëri me gur të butë, kishte formën e një gjarpri të madh, të spërdredhur e pulla-pulla. Bishti i tij përfundonte në tavan dhe goja hapej mbi vatër sa gjerësia e saj. Gjuhën e këtij zvarraniku të gurtë, që i shëmbëllente një dragoi kinez plotë kolorit, e përbënin dy çengelët me zinxhirë të gjatë ku vareshin kusitë dhe kuptimin e plotë, e jepte ndezja e zjarrit flakërues. E pyeta Gjelokun ku e kishte parë këtë tip oxhaku dhe ai tha: -Në mëndje... Çfarë nuk shihte ai, në atë mendjen e vet, ku fantazia pleksej me marrëzinë! Te vatra e shtruar me ngjyrim të kuq, përgatitur me çimento dhe tjegulla të shtypura, më tërhoqën vëmendjen dy kapakë alumini. Kur i zbulova vura re, se ishin dy tenxhere të vogla të ngjeshura rrafsh me vatrën. Fundet e tyre kishin nga një vrimë në mes, ku ishin lidhur tuba të padukshëm, për të përcjellë jashtë dhomës ujërat e shpëlarjes së filxhanëve të kafesë. Në të dy skajet e kornizës prej dru lisi të vatrës, gjendeshin dy butona të bardhë, të bërë nga kocka kali. Shtypa njërin dhe befas kanatet e dritares anësore ia bënë "shtrak", duke u hapur tërësisht, deri sa takuan takot prej gome në mur. Në mënyrë që kur të frynte erë e fortë e të kthente oxhaku, ajri i dhomës së zjarrit të pastrohej vet. Duhej një ditë e tërë për t'u njohur me të gjithë potencialin e krijimeve, ku kishte derdhur pasionin e vet Gjelok Pula, në arte, zeje, ndërtime, sajime, adoptime, shpikje dhe përdorime teknikash të shumëllojshme e origjinale. Ishte një tërësi voluminoze punësh, të akumuluara prej vitesh, që shkonte nga kanapetë e rehatëshme anësore me mpleksje rrypash kamardarje, deri te krevatët perandorak për vete e për djalin, kokat sferike dhe gdhendjet artistike të të cilëve të habisnin. Më tej, binin në sy sëndyqet e valixhet e vizatuara me penela të bërë nga bishti i kalit, me susta që hapnin vrikthi kapakët e tyre, me bravat e çuditshme të bëra prej gëzhojash të verdha. Si dhe një mori sendesh të tjera, të lindura nga mitra aq pjellore e fantazisë së tij. Elementet e rëndomtë të tokës, druri, metali dhe guri, pasi bini në duart e tij magjike, bëheshin elemente jetësor, me bukuri të veçantë dhe përdorim komod. Pak nga pak, në trurin tim të ndezur u ravijëzua tërësisht një dilemë e madhe, që më ishte gozhduar në mendje qysh në kontaktin e parë me produktin e materializuar të mendimit të këtij njeriu. Si ishte e mundur që i çmenduri të bënte krijime të tilla? Arti i punëve të tij, kërkonte një mprehtësi mendore të tejkaluar, nga ajo logjika e rëndomtë për punë të zakonshme e njerëzve të tjerë të kësaj krahine, ku ky person ishte shfaqur si përjashtim. Mos vallë këtë përjashtim quanin këtu çmenduri?... Dhe duke hedhur sytë një grimë mbi figurën e Gjelokut, aq në kontrast me punën, sikur m'u fashit çdo mendim e më rrëmbeu sërish thirrja e shkëlqimit verbues të artit të tij, që dukej sikur buçiste me tone të larta nga të gjitha drejtimet rretheqark. Tashmë kureshtja për dhomat e tjera zuri të trokasë parreshtur në mendjen time. Gjeta rastin t'i them Gjelokut, se ende nuk isha ngopur plotësisht duke parë. Po të donte, mund të na çonte edhe në dhomën ngjitur. Ai u step dhe largoi fytyrën nga vështrimi im ngulmues. -Ajo s'bën të shihet... Mirëpo njeriu është i prirë gjithmonë për të parë pikërisht ato që s’ bëjnë të shihen. Ndaj iu luta me zjarr të na e tregonte edhe atë dhomë, nëse brënda saj nuk kishte njerëz. Me të njëjtin pasion e përforcoi kërkesën edhe Bezati. Atëherë Gjeloku bëri përpara mekanikisht, me një ecje krejt të pavullnetshme. Pasi hodhi disa hapa duke u mbajtur nëpër faqet e murit, për të mos u rrëzuar nga lëkundja e ndonjë dërrase të pambërthyer të korridorit, më në fund ai shtyu edhe derën e dhomës tjetër. U duk menjëherë, se kjo ishte "studioja" e punës së tij. Një rrokopujë sendesh, një çrregullim total, një kaos i vërtetë. Nga mesi i dyshemesë, deri në tavan, ngriheshin në të dy anët rafte të gjatë e të shumtë. Ata ishin bërë prej dërrasash të lidhura me tela çeliku njëra përmbi tjetrën që, në mënyrë të shkallëzuar, formonin kënde të pjerrët. Në ato rafte të rëndomtë gjendeshin çikërrima e rrangulla të çdo lloji, që nga gozhdë të ndryshkura, copëra xhamash me ngjyra të mbledhura rrugëve, pantofle të vjetra, kanaçe, tela, kartona, llastiqe, predha kundërajrori të zbrazëta, kallama kënete, copëra lëkurësh, lëkura gjarpërinjsh, krahë fluturash, dhëmbë ujku, pendë zogjsh, guralecë zalli, brirë lopësh, kocka kuajsh, guacka kërmijsh, bërthama frutash, gogla dushku, boçe pishash, deri te lëngu ngjitës i këmbëve të ziera të bagëtive, që e përdorte si tutkall. Aty përpara, dy dërrasa të brimuara e të kapura me vida i shërbenin si morseta për të punuar drurin. Zdruqet dhe sharrat e të gjitha llojeve, çekiçët, sqeparët, daltat dhe veglat e tjera i kishte sajuar vet në forma krejt origjinale dhe mjaft praktike. Objektet e shumta, çikërrimat e rëndomta dhe grahmat e rënda që përhapeshin prej tyre, më bindën, se krejt arsenali, mbi të cilin vepronin duart e tij transfomuse, përbëhej nga mjete rrethanore. Aty e pashë të udhës ta pyes: - Ç'mendon t'i bësh tjetër kësaj shtëpie fantastike? -Açesor...-u gjegj pa u menduar gjatë, si herët e tjera. -Ashensor?! -ndreqa fjalën me habi, duke menduar, se kjo dëshirë e tij ishte vërtet diçka që mund të merrej si shprehje e tepruar e një të çmenduri. -Njashtu. -pranoi në çast korrigjimin e fjalës. Bezati qeshi me tonalitet të lartë. -Po a e di ti, -i thashë me seriozitet. -se për të ngjitur një arkë në katin tënd të dytë, duhet së pari një elektromotor i fuqishëm? Gjelokut i shkëlqyen sytë me një dritë sigurie të çuditshme. -E kam ble! -tha dhe më tërhoqi për krahu deri në fund të korridorit, ku një alamet pajisje të tillë e kishte mbuluar me një thes plastmasi nga të plehut kimik. -E si mendon ta bësh? -e pyeti Bezati. -Vajta pashë atë të turizmit…-u gjegj duke shprehur keqardhje. -Po ky që kam gjetur vërtitet shumë... Do t'i bëj një rrotë të madhe me dhëmbë, nga dru gorrice, që t'ja uli ca vërtitjen... Qesha, nga bindja se edhe kjo, që dukej si dëshirë prej të çmenduri, kishte një pikënisje logjike. Kur dolëm jashtë, gjinkallat vazhdonin të jehonin në kulmin e ekstazës së tyre dhe hijet e ngjeshura të gështenjave na grishnin për t'u shtrirë në barin e njomë. Gjelok Pula, i çelur tashmë në krejt pamjen e vet prej fjalëve të mia inkurajuese, më tërhoqi mënjanë. Pasi u larguam ca hapa nga Bezati dhe e mposhti një çast tronditjen, më tha me një zë pëshpëritës, gati të dhimbshëm. - Pse më thua artist?... Të tërë tallen e qeshin me mua, më thonë "i çmendur ?"... Më mallëngjeu dhe u ligështova shpirtërisht aq tepër, sa më erdhi vërtetë shumë keq për të. -Për mua, ti je më i mënçuri në këtë fshat!... -i thashë duke i rrahur supet. -Po pse më tallin? -shtoi me dhimbje të thellë. -Tallen ata që janë prapa botës, që s'kuptojnë nga kjo punë e bukur që bën mëndja jote. Sytë e tij shkëlqyen papritmas me lotë gëzimi dhe filloi të më hidhte ca vështrime plot mirënjohje. -Edhe unë çuditem... -pasoi duke fshirë cepat e errët të syve me trinën e dorës. -Shumë herë them me vete, jam vërtetë ashtu si thonë... Po kur i futem punës, mendja më punon si sahat... -Mbase duhet të hysh edhe në muhabet me fshatarët. Jo vetëm të punosh i mbyllur. Mbaje veten si gjithë të tjerët! - i thashë me ton këshillues. -Ata nuk rrinë të parruar e të paqethur. Dhe nuk rrinë vetëm... U mendua një grimë herë dhe paskëtaj sajoi për herë të parë një buzëqeshje të trishtme e të nemitur. Mandej m'i mori të dyja duart m'i puthi e m'i lëmoi me dashuri. U përshëndetem ngrohtësisht me të dhe u nisëm. Kuptohet vetiu, rrugës isha tepër i ngarkuar me emocionet e forta, që më shkaktuan të gjitha ato sa pashë e dëgjova tek ai njeri dhe i thashë Bezatit: -Ndodh jo rrallë, që njeriu i talentuar, me atë pasionin e tij të përqendruar, për t'iu kushtuar artit deri në harrimin e vetvetes, ndryshon jo vetëm mënyrën e të jetuarit, po edhe raportet me njerëzit e tjerë. Mirëpo është fatkeqësi e kohës dhe mjedisit ku jeton, kur kjo veçanti e tij, merret nga të tjerët si çmenduri. Bezati u përkul këputi një kërcell të thatë. -Mirë s'kuptojnë krijimtarinë e tij, po pse t'i thonë i çmendur e të tallen me të? -Sepse shohin një njeri që u duket ndryshe nga vetja, me veprimet e pazakonshme, me pamjen e tejkaluar, apo me qëndrimin e veçuar. Ky njeri i çuditshëm dinte fare pak gjëra nga kjo botë. Sepse jeta merrte në sytë e tij trajta reale vetëm kur, prej drurit, gurit dhe ngjyrave plot nuanca, bënte realitet të bukurën e fantazuar nga korja plot frymëzim e trurit të tij. Po ta kishin dërguar me kohë në një lice arti, kjo mendje, në dukje e çalë, do të ishte tani një vlerë për thesarin e përbashkët, që quhet art. Dhe nuk mund të mos mendosh e të të vijë keq, sa shumë talente të pazbuluar vdesin rrëzë maleve, mes pyjeve, apo edhe ndanë fushave, pa i parë kurrë dyert e mëdha të shkollave artistike, në të cilat shpesh shkojnë ata që kanë tepër dëshirë dhe pak talent.

35 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page