Hysen Ibrahimi: Reflektim mbi veprën...
- Oct 6, 2025
- 2 min read

Reflektim mbi veprën “Rruga e Isa Boletinit për Pavarësinë e Shqipërisë, 28 Nëntor 1912” të autorit Aleksandër I. Bajgora
Sot pata nderin e veçantë të pranoja si dhuratë veprën me titull “Rruga e Isa Boletinit për Pavarësinë e Shqipërisë, 28 Nëntor 1912”, të autorit Aleksandër I. Bajgora. Kjo vepër dallon dukshëm nga botimet bashkëkohore, për shkak të formës së saj të veçantë: ajo është përgatitur tërësisht me bukurshkrimin origjinal të vetë autorit. Ky element e kthen librin në një krijim unik, që ngjall kujtimet e epokës së Rilindjes Kombëtare, kur mendimtarët dhe shkrimtarët shqiptarë botonin veprat e tyre në dorëshkrim, me qëllim që t’i shërbenin çështjes kombëtare.
Autori, Aleksandër I. Bajgora – të cilin e kam nderin ta quaj mik dhe e thërras me dashuri “Sandër” – shfaqet në këtë vepër jo vetëm si studiues dhe historian, por edhe si një figurë që mbart shpirtin dhe idealizmin e rilindasve tanë të mëdhenj: Jeronim De Rada, Anton Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Naim Frashëri, Hasan Prishtina, Naum Veqilharxhi, Thimi Mitko, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni) e shumë të tjerë.
Vepra, e përbërë nga 532 faqe të shkruara me dorë, përfaqëson një punë të jashtëzakonshme kërkimore e krijuese. Ajo është e pasuruar me fotografi, dokumente dhe materiale arkivore, që i japin tekstit një dimension dokumentar të çmuar. E gjithë struktura e librit ndërtohet mbi bazën e dëshmive autentike dhe referencave historike, duke ruajtur në mënyrë të përpiktë origjinalitetin dhe vlerën burimore të lëndës së trajtuar.
Në këtë kuptim, “Rruga e Isa Boletinit për Pavarësinë e Shqipërisë, 28 Nëntor 1912” mund të konsiderohet si një vepër e rëndësishme historiografike, që sjell një kontribut të çmuar në fushën e studimeve kombëtare. Me guximin intelektual dhe përkushtimin e tij të palëkundur, autori ka arritur të hulumtojë dhe ndriçojë hapësira të reja tematike në historiografinë shqiptare, duke e bërë këtë libër një dëshmi të rrallë të pasionit për atdheun dhe historinë e tij.
Në përmbyllje, shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta për autorin, mikun tim Aleksandër I. Bajgora, për këtë vepër madhore, e cila përbën një pasuri të vlefshme për kulturën dhe kujtesën historike shqiptare.
Autori, Aleksandër Istrefi - Bajgora, ka shërbyer si komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 141 "Mehë Uka" të Zonës Operative të Shalës.


![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_442,h_250,fp_0.50_0.50,q_35,blur_30,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)
![Shpresa Fundi Gjergji: PENTAGRAM në BBR[1] – Ku arti flet me zë radiofonik](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.png/v1/fill/w_292,h_165,fp_0.50_0.50,q_95,enc_avif,quality_auto/a48dbc_e29293ec150845cab21cb4eb7c932b24~mv2.webp)




Comments