top of page

Hysen Dervishi prezanton librin “Dibra, zani i shqipes”


Prof.Bujar Kapexhiu - “Nderi i kombit” vlerëson veprën krijuese të autorit të 7 librave


Në 80-vjetorin e lindjes Hysen Dervishi

prezanton librin “Dibra, zani i shqipes”


Halil RAMA – Mjeshtër i Madh


Prezantimi i librit të shtatë “Dibra – Zani i Shqipes” në praninë e qindra përfaqësuesve të elitës krijuese dibrane e asaj kombëtare, në sallën “Unesco” të Muzeut historik kombëtar, si dhe akordimi i titullit “Ambasador i Paqes”, pikërisht në ditëlindjen e tij të 80-të (28 tetor 2023), përbëjnë padyshim ngjarje kulmore në jetën e Mjeshtrit të Madh Hysen Dervishi. Dhe pikërisht në këtë atmosferë festive, i pari do të ishte Prof. Bujar Kapexhiu – “Nderi i kombit”, që përveçse moderimit nëpërmjet fjalës së tij të rrallë artistike, do të vlerësonte me objektivitet veprën krijuese të Hysen Dervishit, jo vetëm për produktivitetin por dhe për cilësinë e saj. Kapexhiu, ikonë e artit e kulturës sonë kombëtare si regjisor, skenarist, karikaturist, aktor i mirënjohur shqiptar por dhe shkrimtar i mirënjohur, veçanërisht me veprën e tij madhore “Burri i odës dibrane” (kushtuar Hazis Ndreut-Nderi i Kombit”), ndër të tjera tha se Hysen Dervishi gjatë gjithë jetës ka qenë personifikim i kësaj ode unike në historinë tonë kombëtare dhe së fundmi, me poemën “Dibra – Zani i Shqipes” i lartëson dhe ngre në piedestal historinë dhe personalitetet e saj të shumta.

Ky vlerësim i kreut të Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, prof. Bujar Kapexhiu dhe interpretimi me ndjenjë nga Aqif Ademi – regjisor, aktor dhe shkrimtar, i vargjeve të kësaj poeme: “Dibër moj me mendje pushke/Zani yt në kup të qiellit/Ti je lulja më e bukur, që shkëlqen në rreze të diellit…”, ma përforcoi bindjen time se me librin “Dibra – Zani i Shqipes”, Hysen Dervishi prezantohet si poet i përmasave kombëtare.

Botimi dhe promovimi prej tij në harkun kohor të një dekade i 7 librave me titujt sinjifikativë: “Krenaria”; “Dibra – zemra e kombit”, “Përmbledhje me poezi”, “Luftëtari i lirisë”, “Vjeshtë e përgjakur”, “Nostalgjia e vendlindjes” dhe i poemës homerike “Dibra – Zani i Shqipes” që prezantoi së fundmi, është vërtetë një arritje madhore e tij. Kështu, ai me meritë ka hyrë dhe zënë vend të dinjitetshëm në fondin e artë të letërsisë shqipe. Kjo për faktin se firmën e Hysen Dervishit mbajnë monografi e poezi, portrete e analiza ku lëvrijnë ngjarje e personazhe të historisë sonë kombëtare.

E ka bërë këtë veçanërisht në monografinë voluminoze “Dibra – zemra e kombit”, të promovuar bujshëm në këtë sallë e të mirëpritur nga lexuesi i shumtë dhe e bëri edhe më 28 tetor 2023, duke na mbledhur po në këtë sallë – tempull i dijes për të na prezantuar, jo më një e dhjetra vjersha, por një poemë që për nga përmasat homerike, sjell 4352 vargje në 1088 strofa të 272 faqeve të librit “Dibra – Zani i Shqipes”.


ASKUSH SI HYSEN DERVISHI NUK MUND TA SHKRUANTE HISTORINË E DIBRËS NË VARGJE

Dhe jo për nga madhësia, por për peshën e mendimit poetik që përcjell nëpërmjet kësaj poeme, për profilizimin brilant të qindra personazheve që qëndrojnë hijerëndë pë panteonin e vlerave tona kombëtare, Hysen Dervishin do ta quaja Fishta i Dibrës. Kjo për faktin se askush si ai nuk do të mund të shkruante historinë e Dibrës në vargje, histori kjo që na bën e duhet të na bëjë krenarë të gjithë ne dibranëve.

Në këtë poemë H. Dervishi ngre në piedestalin që meritojnë, jo vetëm personalitetet dibrane me rrezatim mbarëkombëtar në histori, që nga Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, origjinën dibrane të të cilit të mirëargumentuar nga shkrimtari Fatos Daci – Mjeshtër i Madh, më së fundi e deklaruan edhe autoritete zyrtare turke, Qemal Ataturku – strategu i madh i revolucionit xhonturk me origjinë nga Koxhaxhiku i Dibrës; Nikollë Kaçorri nga Krej Lura e Dibrës, filozof dhe politikan me prirje përparimtare – nënkryetar i qeverisë së Ismail Qemalit; Iljaz Pashë Dibra – Kryetar i Lidhjes shqiptare të Prizrenit, Dine Hoxha i Muhurrit të Dibrës, politikan dhe diplomat i shquar, këshilltar i Mbretit Zog dhe prijës e udhëheqës i kryengritjeve popullore kundra serbëve.., por edhe elitën krijuese dibrane me përfaqësues dinjitozë si Haki Stërmilli, Hazis Ndreu – Nderi i Kombit; Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit, Ahmet Prençi, ndër poetët e prozatorët dibranë, krijimtaria e të cilit vlerësohet krahas më të mirëve personalitete të letrave shqipe, ashtu si edhe akademik Shaban Sinani, Xhafer Martini, Agron Tufa e dhjetra te tjerë, që në fushën e letrave, artit e kulturës u lënë trashëgim brezave krijimtari letrare kaq shumë të vlerësuar.

Po, ato janë siç shkruan poeti Hysen Dervishi në një nga strofat e kësaj poeme: “Skënderbe e Ahmet Zog/ Vehbi Dibra e Iljaz Pasha/ Elez agë e Haxhi Lleshi/Qindra vjet nuk lind kjo tokë…


Hysen Dervishi – Mjeshtër i Madh, akademik i kulturës dibrane, personalitet potencial, shoqëror e politik, romancier, tregimtar, poet, studjues – Nderi i kulturës dibrane dhe “Qytetar Nderi” i Bulqizës, sjell në këtë poemë një prurje krejtësisht të veçantë dhe mjaft cilësore në botimet me poezi të tri dekadave të fundit. Si njohës i thellë i historisë, kulturës, traditës dhe personaliteteve dibrane, vlerat madhore të tyre i reflekton në poemën e tij “Dibra, zani i Shqipes”, të shkruar jo në një ditë, në një vit apo një dekadë, por që në rininë e tij të herëshme të viteve ‘60-’70-të të shekullit të kaluar. Do të mjaftonin për këtë qoftë edhe vetëm vargjet e kësaj poeme: “Se je Dibër e je libër/ Je me nder e mendjendritur/ Je punëtore shumë luftëtare/ je e thjeshtë e shumë e dijtun…”. Me një lëndë kaq e pasur dhe të larmishme të kësaj poeme, (si dhe e gjithë poezia e këtij liriku), pas akumulimit të tij në pesë dekada, Hysen Dervishi sjell për lexuesin vargje të modelit fishtian, që u shkrumbëzuan dhe u hirnosën, ndoshta të kyçura në sirtaret e tavolinave të tij të punës si mësues, regjisor e organizator shumë i zoti i veprimtarive kulturore – artistike në Peshkopi e Bulqizë…apo në sepetet e shtëpive të tij në Lukan, Bulqizë, Burrel e këtu në Tiranë, dhe që në këtë poemë na shpalosen me një shkëlqim të rrallë.

Vargje mbresëlënëse të kësaj poeme janë edhe ato kushtuar krijuesve e personaliteteve akademike të sotëm të Dibrës, mes të cilave do të veçoja:

“N’sofër të parë Shaban Sinani/ Qemal Disha e Ilir Gjoni/ Isak Shehu e Gafur Muka/ Ilir Krosi e Sakip Cami….. e kështu në vijimësinë e kësaj poeme ka mijëra vargje ku profilizohen të tjerë burra të shquar të Dibrës, si Faik Shatku e Fuat Dibra, Llan Destani e Xhemal Berisha, Bashkim Dedja, Sami Baholli e Xhemal Xhunkshi, Ulsi Manja – ndër ministrat më të susksesshëm të derisotëm të Drejtësisë, shqiptare, ish – Ministrja e Arsimit dhe Kulturës Tefta Cami si dhe dhjetra të tjerë, madhështinë e të cilëve ai e përcjell edhe me dashurinë për Dibrën, si në vargjet: “Ah moj Dibër m’kpute shpirtin/ Sa thellë fort e njeh burrninë/ Më merr malli për gjithë njerëzit/T’rri në oda e t/njoh urtinë…”, për të vijuar më pas me vargjet: “Dibra ime shekulljane/ Yje shndrisin n’sofrën tane/ Të gjithë bijtë e tu moj nanë/ Moj krenarja hane-dane”.


POEMË ME METAFORA E KRAHASIME INTERESANTE

E ndërtuar me një strukturë të veçantë në strofa me nga katër vargje, me metafora e krahasime interesante, kjo poemë vjen si një prurje krejtësisht e veçantë dhe mjaft cilësore në botimet me poezi të tri dekadave të fundit.

Me këtë poemë të rrallë për nga stilistika e figuracioni, Hysen Dervishi na shfaqet si njohës perfekt i poezisë dhe veprave letrare në tërësi të Fishtës, Mjedës, Koliqit, Migjenit, Kutelit, Spasses, Kokonës, Shefki Karadakut, Dritëroit, Moikom Zeqos, Preç Zogajt e tjerë, teksa na jep në vargjet e saj nuanca të dallueshme kulturore, në përputhje harmonike me zellin e tij studjues e krijues. Vlerë e shtuar e këtij libri janë edhe 330 personalitetet dibrane të skalitura aq bukur nga Hysen Dervishi në 291 faqe të këtij libri famoz, me nga 3-4 radhë poshtë fotove të tyre. Ata, si edhe e gjithë elita krijuese dibrane do t’ju jenë për jetë mirënjohës për këtë vepër shumëdimensionale, i nderuari Hysen Dervishi.

Ndaj dhe me të drejtë poeti dhe analisti i disa veprave letrare, Dukagjin Hata, shprehet se “Kur kthen faqen e fundit dhe mbaron së lexuari poemën “Dibra – Zani i Shqipes” të autorit Hysen Dervishi, kupton se një libër i tillë, i munguar në kolanën e botimeve që kanë në fokus Dibrën dhe botën dibrane, ka qenë i nevojshëm dhe duhet të jetë në bibliotekën e çdo dibrani.”.


Më tej në një analizë më të thelluar të kësaj vepre, Dukagjin Hata shkruan se: “Me anë të faktit dhe analizës, induksionit dhe deduksionit, përshkrimit dhe investigimit historik, portretit, etj, poeti trajton pamje të thyera të historisë dibrane, individë dhe kontribute, që tashmë e kanë kaluar provën e kohës dhe janë kthyer në etalone vlerash për dje, për sot dhe nesër”. Vlerat ideoartistike të kësaj vepre shumëdimensionale i evidentoi më së miri poeti Avni Ndreu, njëherazi koreograf – Mjeshtër i Madh, themelues dhe drejtues i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i kombit”. Veç të tjerash ai evidentoi rrugëtimin e suksesshëm të Hysen Dervishit, kur studjonte në Institutin e Lartë të Arteve dhe më pas në specializimin pasunuversitar për regjisurë, si regjisor në shtëpinë e kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi dhe arritjet si drejtor i kinoklubit “Minatori”Bulqizë.

Çast vërtetë emocionant në këtë veprimtari promovuese festive qe dhënia e titullit “Ambasador i Paqes” që Federata Universale e Paqes i akordoi Hysen Dervishit. Prof. dr. Astrit Memia, një nga drejtuesit e kësaj Federate, dega Tiranë, duke i dhënë Hysen Dervishit këtë titull tha se emri i tij është një vlerë e shtuar për armatën qindramijëshe të ambasadorëve të paqes në mbarë botën. Dhe ndërsa vetë Hsen Dervishi do të mbante fjalën falenderuese, atë do ta “ndëpriste” nipi i tij, Danieli, teksa në krah të prof. Kapexhiut do të recitonte aq bukur vargjet e poemës së gjyshit: “Kurrë s’do shuhet emri Dibër/ Mendja e hollë asht shkrujt në libër/ Ndaj t’urojmë për jetë e mot/ T‘u shkroft emni kudo në botë…”.

Madhështinë kësaj veprimtarie promovuese festive mbresëlënëse ia shtuan me performancën e tyre grupi i valleve të Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – Nderi i Kombit”, artistja famoze Vera Laçi që me zërin e saj melodioz në interpretimin e këngëve me motive dibrane ngriti peshë zemrat e pjesmarrësve si dhe këngëtari Dritan Jashari me këngën kushtrim kushtuar gjeneralit me shajak Elez Isufi – Nderi i Kombit.




50 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page