Hyqmet Zane: Një emër vlere mes letrave dhe zërit real për Çamërinë
Prof Dr Fatmir Terziu
Sot gjithkush e shikon bardhësinë e flokëve të tij, ndërsa ai ndjek udhën e ditëpërditshme në Elbasan. Ka lënë pas viteve vendlindjen e tij Tiranën dhe mban në gji dashurinë për prejardhjen e tij nga Filati i Çamërisë. Mjaft e njohin dhe me këtë emër. E kështu ndodh ta shohësh. Ta shohësh dhe të mendosh se vitet kanë ikur shpejt në këtë bardhësi të flokëve dhe në atë shtrëngim muskujsh sportisti, që dikur kishte mjaft ëndrra. Është një nga mësuesit e dalluar e të vlerësuar, dhe kur ai me dorën e tij u mësonte mrekullisht Gjuhën e bukur Shqipe dhe Letërsinë brezave të shkollave në Zavalinë, Shtërmen e Cërrik, që tashmë janë në mjaft pozicione drejtimi dhe në jetën e tyre të ëndërruar. Është dalluar për mbledhjen e fjalëve të radha dhe kështu ka hyrë dhe në botën e bukur të komunikimit në disa mjedise dhe zhanre.
Është gazetar, analist, publicist, aktivist dhe bashkëautor e autor në mjaft libra. E ka pasur këtë zell që në Cërrik, ku ai jetoi dhe përjetoi vuajtjet e ardhura nga e shkuara e keqe, diktatura komuniste, dhe nga vuajtjet që pësoi i Ati, Nuri Emin Zane, që kishte qenë i internuari i kohës së egër të Nazizmit. Kështu, në vitet e mëpasshme, babai i Hyqmetit, Nuri Emin Zane që kishte provuar dy gjenocidet, atë gjerman dhe atë grek, do të gjendej në birucat e hetuesisë së Elbasanit nën kërcënimin e jetës nga hetuesi Thanas Caku dhe shefi i degës së brendshme të asaj kohe Shim Kolla. Gjithë kjo vetëm e vetëm pse ai ishte nga Çamëria, vetëm e vetëm se ai ishte krenar për kontributet e tij në luftën antifashiste. Por i Ati i tij nuk kurseu asgjë që djaloshi i vetëm i tij, që kishte mjaft talente të ecte në jetë. E në këtë qasje vuajtjesh nëna e tij e dashur mbante mes lotëve amanetin e të shoqit, që të edukonte e të rriste mes vuajtjeve një njeri, një personalitet sikurse është sot Hyqmet Nuri Zane.
Shoqëria e tij e gjimnazit në Cërrik, ka mbetur një shembull mirëkuptimi dhe komunikimi, sepse sikurse shrehet vetë ai „gjithnjë gjendemi mes njeri-tjetrit dhe kemi gjetur gjuhën e vazhdimësisë së vlerave që kemi kultivuar vite e vite më parë.“ Ky është Hyqmet Zane, ose sikurse pëlqen ti thonë Filat Zane. Për Hyqmet Zanen kjo e shkuar e bukur e shoqërisë së Cërrikut „Është një shembull që u ka rënë në sy edhe miqëve tanë sepse mes nesh ka një miqësi të vërtetë dhe të sinqertë dhe shoqëria jona ka pasur një heterogjeni në të ashtuquajturit “biografi” se mes nesh ishte edhe Aljosha, që i ka pasur të dy prindërit të burg, mes nesh gjendej edhe Petrit Çomo që nëna e tij Liri Belishova ka qenë zyrtare e lartë e ish nomenklaturës, pro që u persekutua keqas, mes nesh janë edhe nga ata q ëkanë pasur “biografinë” e mirë që nuk e çanin kokën për këtë fakt e kështu me rradhë. Kjo sot ka mbetur si një model që edhe maturat para nesh, edhe pas nesh na shohin me syrin e xhelozisë, por edhe të kënaqësisë për shoqërinë që kemi.“
Në fakt kjo shoqëri mezi pret dita-ditës që të lexojë artikujt e Hyqmet Zanes. Nuk ka media në shqip që shkon nga e djathta të mos e kërkojë dhe mbajë në faqet kryesore emrin e këtij gazetari tashmë me emër në Elbasan e më gjerë. Ai është për ta thënë me plotë gojën zëri më i drejtë e më i përkushtuar i të drejtës së një populli të tërë që u përzu nga shtëpitë e veta në Çamëri. Ai tashmë me plotë gojën mund të thuhet se është një ekspert i kësaj të drejte, që falë studimeve, kërkimeve, angazhimeve, aktivizimeve dhe shkrimeve e analizave e rendisin atë në plan të parë. Këtë mendim e kanë mjaft, por një nga intelektualët më fisnikë e më të përkushtuar që kam njohur ndonjëherë, biri i Çamërisë, Daman Sinani shprehet me fjalët më të ralla për Hyqmet Zanen. Vetë Hyqmet Zane shprehet kështu „Shoqata Çamëria na bëri bashkë me Daman Sinanin që në krijimin e saj më 1991 si kryetarë të saj në Elbasan. Unë isha në Tiranë në themelimin e Shoqatës me kryetar Abaz Dojakën dhe më pas me një grup intelektualësh çamë e krijuam atë edhe në Elbasan, kur Damani u zgjodh kryetar dhe unë isha sekretar. Për fatin e keq sot kjo Shoqatë Çamëria në rrang kombëtar dhe lokal është bërë inekzistente me ndihmën e atyyre që panë interesat e tyre privat para kauzës së madhe dhe amanetit të të parëve tanë. Kjo është një fatkeqësi që më shqetëson sepse ata që mbajnē mandate deputetësh në emër të Çamërisë, janë vetëm kukulla parlamentare dhe jo përfaqësues të Çamërisē.“
Dhe kështu e gjen Hyqmet Zanen gjithnjë mes patriotësh nga Çamëria e trevat e tjera shqiptare, që gjithnjë kanë në plan të parë Atdheun, Shqipërinë dhe mbarëvajtjen e shqiptarëve. Atë e gjen me intelektualin patriot Isa Kreka ish-Pronarin e TV „Dardan“ që mes të tjerave u krijoi vend gjithë gazetarëve të asaj kohe të kontribuonin dhe të gjendeshin mes një sfide të re të asaj kohe. Hyqmet Zane shkruan në kujtimet e tij „Ishte mezi tetori me 1999 kur kam nisur punën në TV Dardan. Ka qenë eksperienca më e mirë e punës sime në media, veç pjesëmarrjes në gazeta të ndryshme. Falë Zotit orientimi ka qenë në drejtimin e një pune me ideale për çështjen kombëtare në përgjithësi dhe atë çame në veçantim, por edhe politikën gjithashtu. Duhet të përmend në veçanti Presidentin e këtij televizioni Isa Kreka që na dha mundësinë e një pune vërtetë të madhe dhe voluminoze, ku spikatëm si televizion në opinionin publik në Elbasan e më gjerë. Por ishte edhe stafi kompakt që dha frutet e veta në suksesin tonë.“
Para disa kohësh, autori i librit voluminoz „Kosova dhe Çamëria përmes dëshmive rrënqethëse“ Hyqmet Zane me redaktor Profesor Doktor Luçiano Boçin, duke më dhuruar këtë libër më la një shenjë mjaft pozitive, ndërsa ato ditë kisha humbur të dy prindërit e mi, dhe ai bashkë me disa shokë e miq, falë ngushëllimeve më foli dhe për brendinë e këtij libri, tek i cili pashë një faqe të tërë plotë fakte e dëshmi, një zë alternativ e mjaft të drejtë. Me këtë libër Hyqmet Zane dhe me qindra e qindra artikuj të tjerë ka vërtetuar dhe një herë se është një meritor i arritjeve me mund e me djersë, mes sfidash të shumtat të jetës. Hyqmet Nuri Zane një meritë të madhe ka dhe për përmbledhjen publicistike të artikujve që ai ka shkruar për çështjen në fjalë „“Çamëria, toka pa njerëz, njerëzit pa tokë” që është redaktuar dhe recensionuar nga Prof Dr Emine Sadiku.
Po ashtu dhe libri tjetër "Çamëria dhe Kosova - Genocid pa ndëshkim" me kujtimet e protagonistëve që kanë parë genocidin në Çameri me 1944-45 dhe të kosovarëve që panë genocidin më 1998-1999 mbetet i një rëndësie të veçantë. Edhe tek libër parrathënien e ka realizuar me dashuri dhe përkushtim bija e nderuar e Çamërisë, pedagogja e mirrënjohur e Elbasanit, Prof Dr Emine Sadiku. Profesore Emine Sadiku shprehet „H. Zane ka meritën e padiskutueshme të grumbullimit të zellshëm të një materiali të bollshëm për bëmat, aktet dhe aksionet genocide të kohëve të ndryshme ndaj etnosit shqiptar çam.“ Në lidhje me genocidin Sadiku shkruan „Autori H. Zane këmbëngul me argumente se reprezaliet, denigrimi, dëbimi, persekutimi, vrasjet e therjet e çamëve nga grekët (me mirëkuptim dhe mbështetje të qeverisë greke) ishin tamam një genocid, një shfarosje në masë e njerëzve të pafajshëm. Ngjashmëria me holokaustin e hebrejve para dhe pas luftës së dytë botërore është e madhe në shumë pikëpamje. Për të mbështetur më tej mendimin e autorit për genocidin ndaj çamëve do të sjell disa thënie autorësh të ndryshëm, shqiptarë dhe të huaj. Studiuesi famoz, profesori i nderuar S. Repishti, paraqet me saktësi shkencore e bindëse historinë e asaj treve aq te keqtrajtuar, Çamërisë, nga qeveritë, politikat greke e më gjerë. Dokumentacioni dhe retorika e tij nuk flasin, por ulërijnë. (S. Repishti, Referat „Me rastin e 70-vjetorit të masakrave greke në Çamëri“)“
Urimet më të mira për z. Hyqmet Zane. Një intelektuai i mirë formuar. Në shkrimet e shumta të tij, krahas trajtimit me profesionalizëm të problemeve të ndyshme që na shqetëdojnë, spikat fuqishëm dashuria e madhe për Çamërinë dhe dhimbjen therëse për banorët e asaj treve që u kositën nga predikimet e ortofokdisë bizantine. Falenderime dhe "Fjalës së lirë" , që herë pas here lartëson figura të tilla me vlera të larta intelektuale, që i shërbejmë zhvillimit të vendit dhe kombit. Respekte.