
Nga TIMO MËRKURI
Kur më 25 Nëntor 2005, Iso-Polifonia kaloi nën mbrojtjen e UNESCO-s si një nga pasuritë e rralla të trashëgimisë kulturore botërore, pakkush e vlerësoi këtë si një nderim që i bëhej kulturës sonë popullore dhe ca më pak të tjerë u ndërgjegjësuan për punën e madhe që është bërë për t’ia arritur kësaj dite.
Që iso-polifonia ishte dhe mbetet një kryevepër e kulturës shpirtërore, këtë më së miri e dimë vetë ne shqiptarët që e kultivojmë atë, por e rëndësishme është që të tillë tani e vlerëson edhe bota e qytetëruar nëpërmjet organizmave të saj ndërkombëtar, e klasifikon si një ndër kryeveprat e njerëzimit, madje duke e marrë në mbrojtje nga dëmtimi, që në këtë rast është harresa.
Është normale që kur dikush të bëjë portretin etnik, historik dhe moral të shqiptarit, përkrah dobësive - sikundër edhe te popuj të tjerë – do të evidentojë edhe vlerat e qytetërimit të lashtë të Butrintit, të Gjirokastrës, të Beratit, dhe krahas këtyre vlerave material do shtojë I befasuar edhe vlerat shpirtërore të popullit tonë, që çfaqet si një kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit me një forme muzikore shumë të hershme, shumë të larmishme dhe shumë të veçantë, me iso-polifoninë. Pra, në një sipërfaqe sipërfaqe më pak se 10 mijë kilometër katrore, Shqipëria i ka prezantuar njerëzimit jo pak, por katër kryevepra që shpallen pasuri botërore. Nuk gjej dot një shembull tjetër identik në gjeografinë e botës. Kjo dendësi e pasurive kulturore botërore në këtë territor shqiptar, madje në një pjesë të vogël të territorit na jep të drejtën e një krenarie të ligjshme.
Duke menduar se të gjitha këto kryevepra që i bëjnë vetëm kryeartistët, nuk kanë lindur nga hiçi, por janë fryt i krijimtarisë së një populli të lashtë dhe të talentuar, para botës së qytetëruar plotësohet më së miri portreti i popullit tim, i bukur e plot kulturë. Atëherë dikush do të rishikojë mendimet e veta për këtë portret.
Mirëpo efektet e revolucionit industrial dhe zhvillimet demografike në Evropë dhe më tejë, nuk mund të mos sillnin një qëndrim të ri ndaj kulturës popullore, braktisjes së saj. Me të tilla efekte negative erdhi edhe tek ne ndryshimi në strukturën social-politike pas viteve 90, dhe nuk kish si të mos vinte e tillë. Braktisja e fshatit, (vatra ku rruhej më shumë tradita e hershme kulturore, ambienti ku ndizeshin dhe transmetoheshin këngët popullore), em igrimi i popullatës në moshë të re jashtë vendit, prishja e raportit traditë kombëtare – muzikë e huaj etj, solli si pasojë largimin nga tradita, bëri që të harrohet e të braktiset kënga dhe vallja popullore, të prishet struktura mbartëse e tingëlluese e iso-s.
A nuk e kini vënë re se shumë nga ne, ndonëse me origjinë nga trevat isopolifonike, nuk dimë të këndojmë këngë me iso? Kjo nënkupton se ne që nuk dimë të këndojmë me iso nuk jemi të aftë artistikisht të mbartim dhe përcjellim traditën tonë kulturore, identitetin tone, ndërkohë që aplikojmë e zhvillojmë lloj-lloj shkollash e teknikash muzikore moderne. Të rinjtë në shkollat tona, kanë një ndjenjë “turpi” të këndojnë labçe, të këndojnë traditën muzikore që e ka rrënjën qysh në fëmijërinë e njerëzimit, sepse hamendësojnë se mos bashkënxënësit i quajnë “katundarë”, “të prapambetur”, të “dalë jashtë mode” etj, etj, epitete, të cilat largojnë dëshirën për të kënduar shumëzërrëshin tonë me iso.
Pikërisht kësaj braktisjeje, kësaj harrese i bën apel vendimi organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e vlerave kulturore të njerëzimit, i 25 Nëntorit 2005, duke evidentuar vlerën e pa përsëritshme të saj, për lashtësinë, origjinalitetin dhe strukturën muzikore, duke konfirmuar se iso-polifonia ka mbetur po aq moderne, po aq e bukur në transmetimin e emocioneve dhe vlerave estetike tek dëgjuesit, sa edhe format e tjera muzikore e në mos më tepër. Është njësoj si të marrësh nën mbrojtje e t’i ruash nga prishja shtëpitë karakteristike të Beratit e Gjirokastrës, apo rrënojat e Butrintit. Është e thjeshtë që ato të prishen e në vend të tyre të ngrihen gradaciela, por bota gradaciela ka në çdo qoshe të saj ndërsa Butrint, Berat, Gjirokastër e Iso-Polifoni, në formën strukturore krejt origjinale, ka vetëm në Shqipëri. Paraardhësit tanë, që kanë ngritur këto kryevepra kanë lënë pas trashëgimtarë që s’e kanë të vështirë të ngremë gradaçiela në të tjera vende, se kemi të vështirë të ngremë lloj-lloj shkollash e teknikash muzikore, por këtu shtrohet problemi që të ruajmë dhe të përcjellim në brezat e ardhshëm, sikundër i përcollën brezat e mëparshëm, përmes transmetimit gojor tek ne, këto tradita kulturore të krijuar në shekuj nga breza të tërë njerëzorë, traditë, që se ka asnjë popull tjetër.
Duke qënë se flasim për iso-n le të sqarojmë se ajo përfaqëson masën, kolektivitetin, në kuptimin figurativ popullin, qysh në emrin e saj që do të thotë “njësoj” (i=një+ soj= iso), na duhet të pranojmë se në këngën popullore Ajo është e madhërishme, është e tërëfuqishme. Iso-ja nuk njeh autoritet shtetëror apo krahinor, ligjor apo zakonor që të mund ta ndërpresë dhe këtë autoritet të saj ja ka dhënë edhe këngës isopolifonike. Po nisi kënga dhe iso-ja, sado i madh dhe autoritar të jetë ai që vjen, është i detyruar të presë sa të mbarojë ajo, pavarësisht se ata që këndojnë dhe ata që mbanë iso mund të jenë njerëz fare të thjeshtë. Në këtë konteks ata janë këngëtarë, popullorë dhe shprehin dëshirën e popullit. Emrat dhe postet, profesionet dhe pasuritë e të ardhurve përballë këngës dhe iso-s nuk kanë asnjë vlerë. Vetëm pasi mbaron isoja (jo gjithë kënga, por vetëm iso-ja e strofës që këndohet), pra vetëm pasi qetësohen mbajtësit e saj (unë do thosha që pasi mbaron aprovimi apo dekretimi që i bën ajo asaj çka deklaron marrësi), vetëm atëherë i bëhen të gjitha nderet e duhura mikut të porsaardhur. Dhe këtu s’ka asnjë qejfmbetje apo keqkuptim. Të gjithë i nënshtrohen këtij rituali, vetëm iso-ja ka të drejtën të nënshkruajë vendimet që paraqet propozuesi-marrësi dhe ky është një moment solemn si momenti i nënshkrimit të dekreteve nga Presidenti i vendit. Kur iso-ja nuk e aprovon atë që thotë marrësi, kënga “nuk vete”, solemniteti bie, prandaj ajo “kënga” nuk mund të vazhdoj më as në atë ambient ku krijohet dhe as në çfarëdolloj ambienti tjetër.
Iso-ja është shpreh kolektivitetin e procesit të të kënduarit ndaj ajo s’mund të mbahet nga një njeri i vetëm, madje edhe në rastet kur dikush “logat” me vete, ai i jep këngës intonacionet e një grupi.
Një fjalë e urtë, e futur edhe në nenet e kodeve zakonore shqiptare thotë se ‘’miku në shtëpinë e shqiptarit është i dërguar i zotit’’. Mirpo edhe miku i porsa ardhur që e gjen të zotin e shtëpisë në mes të këngës, është i detyruar të presë sa të mbarojë iso-ja, duke u bërë në këtë mënyrë i vetmi detyrim për mikun në shtëpinë e shqiptarit. Duke qënë se miku është i dërguar i Zotit në shtëpinë e shqiptarit dhe ky i dërguar i Zotit detyrohet të presë sa të mbarojë këngë, atëherë rezulton se iso-ja është më e lartë se një i dërguar i Zotit.
Kjo ndodh se vetë iso-ja është tepër qiellore në botën shqiptare, madje mund të themi se ajo është vetë qielli ku fluturon shqiponja e këngës. Këngët mund të jenë të rrëmbyera, të shpejta, të ngadalta, këngë trimërie me krisma armësh si vetëtima apo këngë dashurie me ëmbëlsinë e luleve të porsaçelura, këngë vaji që kullojnë dhimbje apo këngë gazmore. Gjithfarë llojesh mund të jenë këngët, por iso-ja është vetëm një, hijerëndë dhe madhështore si kuvendi i burrave kur miraton vendime te rëndësishme psh për të ngritur flamurin e kryengritjes.
Në fakt iso është vetë flamuri ku këngëtarët qëndisin shqiponjën e këngës.
Kolektiviteti i iso-s nuk do të thotë se të gjithë mund të mbajnë iso, sikundër jo kushdo bën pjesë në kuvendin e burrave dhe pyetet për vendime të rëndësishme. Nuk është fjala t’ia bëjmë në grup vetëm eeeeee... por të krijojmë një ambient komod për këngën, të krijojmë një shtrat ku kënga të lundrojë lirisht dhe të shprehi qartë mendimin dhe ndjenjën. Sepse dhe mbajtja e iso-s është një art më vete, jo më pak i rëndësishëm se “marrësi” apo “hedhësi”, sikundër e kanë theksuar edhe studiues të tjerë ajo është si sharku që e mbështjellë këngën për ta mbajtur ngrohtë. Vetëm brenda këtij “sharku”, pra isos, kënga merr tërë vlerat e saj dhe shpirti derdhet lirisht në art.
Iso-ja nuk njeh hierarki njerëzish racash e feje, gjendje pasurore apo gjendje civile, origjinë shoqërore apo origjinë fshati apo qyteti. Mbajtësit e iso-s ulen të gjithë bashkë, afrojnë kokat me njeri tjetrin, bashkojnë zërat e tyre në një dhe, kush i sheh nga larg s’mund të kuptojë kurrsesi sa veta janë ata që mbajnë iso. Në një këngë, po hyre në grupin e saj dhe nuk di të mbashë iso, kënga të nxjerr jashtë saj pavarësisht nga rangu shoqëror apo pasuria që ke.
Për të mbajtur iso ulen pranë e pranë i pasuri dhe i varfëri, akademiku dhe analfabeti, biondi e bruni, i riu dhe i vjetri duke humbur kështu identitetin e tyre me të cilin diku, dikur mund të krenohen ose turpërohen. Ata vihen tërësisht në shërbim të iso-s duke u shndërruar kështu në një Atlas që mban mbi supe kupën e qiellit.
Madje dhe hasmët mund të ulen pranë e pranë, të mbajnë iso-n dhe më pas diku larg mjediseve të iso-s, detyrimisht larg këngës, të vazhdojnë hasmërinë, të rigrinden apo të vriten me njeri tjetrin. Po kurrsesi në mes të iso-s, kurrsesi pranë këngës, askush nuk do të guxonte as të mendonte (pavarësisht që s’do ta linin të tjerët) të vinte dorën mbi armë për të vrarë e për të marrë hak. Këto kanë qenë ligje të pa shkruara që rregullonin jetën e bashkësisë, ambientin e këngës. Arma shkrepet pranë të iso-s vetëm në drejtim të qiellit, për të shprehur dhe shtuar gëzimin e momentit Për çdo gjë tjetër pjesëtarët konsideroheshin “të çarmatosur”, ndonëse mund të kenë armët e vogla në brez. E pra vetëm iso-ja, vetëm kënga isopolifonike e ka çarmatosur shqiptarin.
Është pikërisht iso-ja ajo që i ka dhënë emrin dhe natyurën këngës isopolifonike, ose siç quhet “shumëzërrëshi” shqiptar. “Marrësi”, “hedhësi” dhe “pritësi” janë thjeshtë zërra solo në këngën isopolifonike, që mund të këndojnë edhe solo vetëm, por iso nuk është zë muzikor solo dhe nuk mund të këndohet nga një njeri i vetëm. Iso është një korr dhe përfaqson vullnetin e popullit në këngën që këndohet. Pra isopolifonia ekziston si marrëdhënie mes zërave polifonikë dhe isos si kor, pra iso në një anë dhe polifonia nga ana tjetër ku bashkimi i tyre jep “polifoninë me iso”, “polifoninë shqiptare” ose shkurt “isopolifoni”.
Flamuri i iso-s është më i madhërishëm se flamurkat e vockla të partive politike të vetëquajtura të mëdha. Ka tremijë e më shumë vjet që valëvitet ky flamur. Ka parë njerëz, rende shoqërore, parti e shoqata në zenith e në theqafje. Ka pritur e përcjellë, jo rrallë me indiferencë totale ndaj zhurmës së tyre, gjithfarësoj marrëzish të mendjes njerëzore.
Po si ka lindur kjo magji stërshekullore?
Njerëzimi para se të fillojë të këndojë, bile para se të fillojë të flasë, ka filluar të qajë, të vajtojë, të rënkojë. Një dhimbje fizike ka provokuar lot e rënkime, një dhimbje shpirtërore i ka bërë ato më të shpeshta, më ritmike. Njeriu pasi qan, vijon të rënkojë për dhimbjen që provoi. Mendojmë se pikërisht ky rënkim është zanafilla e iso-s, ndërsa teksti vajtimor është zanafilla e këngës. Dhimbja shpirtërore për të dashurin e vdekur, shoqëruar kjo me ritin e varrimit, grumbulloi historikisht bashkësinë, e më vonë të afërmit pranë të vdekurit. Dhimbja e shprehur me vajtim e me rënkim, herë të gjithë bashkë e here veç e veç, por gjithsesi, vajtimi i njërit shoqëruar me rënkimet e të tjerëve, është zanafilla e grupit.
Dikur, dikush, pjesëtar i fisit apo kalimtar i rastit që e pa këtë ritual dhe i dëgjoi vajtimet e rënkimet, mendoi se kjo ishte e bukur të përsëritej, qoftë për dhimbjen që provokonte, qoftë për kujtimin e të dashurit të vdekur, të cilin e përjetonte në ato çaste qoftë për vetë emocionet estetike që krijonte ligjërimi. Dhe filloi ndoshta të përsëriste fjalët e vajtimit apo të imitonte rënkimin, duke u bërë pa vetëdijen e tij këngëtari dhe mbajtësi i parë i iso-s.
Edhe popujt e tjerë kanë qarë e rënkuar –do thotë dikush- përse nuk e kanë iso-n? Po, kanë qarë edhe popujt e tjerë, sepse vajtimi është jo vetëm traditë në të gjithë Mesdheun, por një traditë mbarëbotërore, ndaj dhimbjes dhe vdekjes. Merita e popullit tonë është pikërisht se këtë vajtim dhe rrënkim jo vetëm e ngriti në art, por edhe e ruajti për një kohë shumë të gjatë si simbolin e dhimbjes, të ndarjes dhe veçanërisht si nderimin e thellë dhe human për njeriun që ndahet prej familjes. Këngët e koreve antike ilire dhe greke nuk kanë qenë gjë tjetër veçse dialog mes ligjërueses (vajtores) së parë dhe korit (vajtoreve që shoqërojnë vajtoren kryesore me rrënkimet e tyre, por këtë herë të ngritur në artin dramatik. (Lidhja logjike e iso-s me koret antike greke e ilire është një temë më vete për t’u studiuar më me profesionalizëm, por që gjithsesi është një lidhje, që afron dhe jo largon, që bashkon për vetë lidhjet e hershme kulturore të të dy popujve tanë).
Ka tre mijë vjet që ky rënkim, kjo mërmërimë kolektive që u përpunua duke arritur sot në majat e artit, hoqi diçka e mori diçka duke u përsosur vazhdimisht dhe u ngjit në piedestal. Na është rrëqethur trupi e shpirti, na ka gufuar zemra nga këngët e iso-t e tyre. Kemi vrapuar nëpër festa e festivale, kemi kënduar e debatuar me njeri tjetrin për më të bukurën e këngëve dhe të iso-ve, kemi hequr e hedhur vallen e rëndë të burrave të shoqëruar me këngë e iso duke bërë të dridhet dheu nën hapat tona. Kemi jetuar me iso-n duke e bërë pjesë të domosdoshme e organike të jetës sonë aq sa shpesh themi – ai mban iso të mire - sikundër themi ai është murator i mirë, usta i mire, ……. . i mirë. . Dhe sot moderniteti i jetës, urbanizimi e progresi po e kërcënojnë me harresë.
A nuk të duket si afrimi i një gjëme, si diçka e shtrenjtë që të shpëton nga dora në mes të detit dhe s’ke si e gjen dhe s’ke si e mbron? Pikërisht si një paralajmërues, në gjuhën e mitit do të thoshim si një orakull i Dodonës avitet në këtë rast vendimi i 25 Nëntorit 2005 i UNESCO-s, për ta marrë nën mbrojtje këtë thesar, që të mos na ‘’shpëtojë nga duart’’ neve që jemi në mes të detit të tranzicionit të stërzgjatur. Populli ynë do t’i jetë mirënjohës firmëtarëve të këtij vendimi. Dhe jo vetëm atij, por dhe birit të tij që ja prezantoi shkencërisht botës këtë pasuri të rallë, birit të tij me një emër të thjeshtë, Vaso Tole, gati anonim, si një pjesë iso-je e shkëputur rastësisht nga ndonjë këngë.
Sarandë, më 2008-2021