Historia e ngritjes së Muzeut të Kastriotëve në Sinë


Studjuesi Besnik S.Kebej sjell fakte arkivore dhe burimore për origjinën dibrane të Skënderbeut





Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

• Gjon Muzaka që në shekullin e 16-të ka lënë si testament: “Ta dini se gjyshi i Zotit Skënderbe quhet Pal Kastrioti dhe nuk pati më shumë se dy fshatra të quajtura Sinë dhe Gardh i Poshtëm…” (Gardhi i Poshtëm ndodhet në Muhurr)


Librin “Origjina dibrane e Skënderbeut” (Historia e ngritjes së Muzeut të Kastriotëve në Sinë) të autorit Besnik Selman Kebej, që është një studim vërtetë shkencor, ndër të tjera e bën të besueshëm një referencë nga historianët e mirënjohur, prof.Stafanaq Pollo e prof.Kristo Frashëri. Në një fletore që ruhet me fanatizëm nga arkitekti i këtij muzeu Besnik S. Kebej, ish drejtor i shkollës 8 - vjeçare Sinë, akademikët e mirënjohur, si dhe disa autoritete vendore të kohës në rrethin e Dibrës, lexojmë shënimin:

“Sinë, 12 shtator 1982.

Vizituam muzeun e vogël të fshatit Sinë, vendi i origjinës së Kastriotëve dhe Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Përshëndesim nismën e banorëve të Sinës dhe atyre që e përkrahën ngritjen e këtij Muzeu. Urojmë që ai (muzeu) të pasurohet sa më shumë e më shpejt dhe të kthehet në një objekt historik të vizitueshëm për edukimin e brezit të ri. Urojmë që së shpejti në Sinë të ngrihet muzeu kombëtar kushtuar Familjes së Kastriotëve e bijve e bijave që nxorri kjo derë e shkëlqyer, veçanërisht heroin e pavdekshëm, Skënderbeun”.

Kristo Frashëri, Hysen Lala, Stefanaq Pollo, Hazis Ndreu – Firmat (Libri “Origjina dibrane e Skënderbeut”, faqe 218- botimet M&B.) .

Në vitin 1974, çështja e origjinës krahinore të Kastriotëve, u bë objekt i një studimi të veçantë të Profesor Kristo Frashërit, i cili për herë të parë trajton shkencërisht edhe çështjen e vendit ku lindi Skënderbeu. Në artikullin e tij me titull “Nga ishin Kastriotët? Ku lindi Skënderbeu?”, ai shtroi për diskutim dhe ballafaqim, të gjitha burimet arkivore dhe letrare, të cilave u shtoi edhe të dhënat toponimike që mblodhi në terren. Nga analiza e këtyre të dhënave, Profesor Frashëri del në përfundimin se, me emrin Has, kronika raguziane e Lukarit dhe koleksioni boshnjak i Fermexhinit, nuk kanë pasur parasysh krahinën e sotme të Kukësit, pasi kjo krahinë, deri në fund të shek. XVI quhej Pashtrik. Ata, sipas Profesor Frashërit, kanë patur parasysh një nga krahinat e rrethit të Dibrës, qendra e së cilës është Çidhna, e masakruar barbarisht nga Sulltan Mehmeti II më 1466, në gjirin e së cilës ndodhen fshatrat Kastriot, Sinë dhe Gardhi i Poshtëm, që lidhen historikisht me familjen e Skënderbeut.

Tridhjetepesë vjet pas inaugurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë të Dibrës, (18 shtator 2020) një vizitë impresionuese këtu në vendorigjinën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e Kreut të Shtetit shqiptar Ilir Meta, do të shërbente për ripërtëritjen e traditës së kësaj zone. Një ditë historike kjo, pasi referuar pikërisht veprës madhore të prof.Kristo Frashërit “Historia e Dibrës”, që qëndron hijerëndë përkrah busteve të Gjon, Pal e Gjergj Kastriotit në hyrje të Muzeut, presidenti Meta, ashtu si edhe elita historike e kombit që vizituan këtë muze para tre vitesh, do të “legjitimonte” këtë fshat si vendorigjinë e kastriotëve.

Por ai që i ka paraprirë kësaj ngjarrjeje madhore është pikërisht, mësuesi i apasionuar pas historisë Besnik S. Kebej, i cili pas një pune studimore 30 vjeçare na dhuron veprën e tij monumentale “Origjina dibrane e Skënderbeut – Historia e ngritjes së Muzeut të Kastriotëve në Sinë”, me 255 faqe, plot referenca, burime arkivore e bibliografike.

Redaktori i librit, dr.Fejzulla Gjabri, ndër të tjera e vlerëson atë për një mënyrë ndryshe të trajtimit të origjinës së Kastriotëve. Kjo sipas tij për faktin se, Besnik S.Kebej, “duke qenë punonjës për disa kohë në Muzeun e Skënderbeut në Sinë, ka fituar përvojën e trajtesave historike, duke përfituar dhe nga debatet e shumta rreth origjinës së Kastriotëve, të parëve të Skënderbeut. Në këtë libër është puna e tij më se 30 vjeçare, duke mbledhur e sistemuar të dhëna për vendin e origjinës së Heroit”.

Bazuar në referenca të shumta nga studjues të njohur vendas e të huaj që janë marrë me këtë temë, autori i këtij libri trajton shkencërisht tema të tilla si “Kastriotët dhe Skënderbeu”, “Cilët janë dibranët”, “Kastriotët, trashëgimia dhe territoret”, “Kastriotët, etimologjia, flamuri dhe stema”, etj. Ndërsa në kapitullin e 7 “Disa toponime që formojnë një territor unik”, ai jep të dhëna për disa fshatra sipas defterit turk, për të vijuar më pas në kapitullin e 8-të me “Pak arkeologji në trojet e Kastriotit”.