Histori e shkurtër dhe një fakt për Heroin e Demokracisë Kristo Mema


Kristo Mema

THIRRJE ZGJIMI


(Histori e shkurtër dhe një fakt për Heroin e Demokracisë Kristo Mema)


Fatmir Terziu


Në të dalë të Malasenit një grup qensh morën rrugën nxitimthi kah kanalit, që ende kutërbonte nga plancat e hedhura tej shpërfilljes për ndotjen dhe ambientin, dhe që rrethohej nga antenat e Radiostacionit të Cërrikut, që fliste sipas tij dhe antenave të larta që pushtonin fushën, ende në gjuhë të huaj. Pjesa tjetër kafshonte tinëz daljen kurizmehët të Qytetit të Cërrikut. Lagjja në kah heshti. Nuk kishte asnjë shpirt rreth këtij qyteti të zvetënuar nga vitet dhe dielli nuk kishte arritur të dilte nga retë sikurse dilte përditë. Errësira e tokës kishte gëlltitur buzëqeshjet e popullatës dhe natyra kishte pushuar të tregonte ekzistencën e saj.

“Zogjtë duhet të kenë emigruar herët.” – tha Kristo dhe i foli disi ngutshëm shoferit që të nxitonte.

“Era ishte e fortë mbrëmë, gati prishi degët e çdo peme që gjendej para shtëpive”. – foli shoferi si për të zbukur paksa fytyrën e lodhur të Kristos.

“E di, e di.” – shtoi Kristo. “Eh, era… era ka forcën e Zotit…”

“La vetëm pëshpëritjen e pranisë së saj pas.” – vazhdoi shoferi.

“Mirë, era. Po kjo mut ere çfarë la pas? Mos vallë këto karagjozllëqe të ardhura nga Kaukazi, nga mendjet shkretëtirë të Siberisë?” – ndërhyri Kristo dhe bëri gati gjysëm i përkulur nga ana ku ndodhej pikërisht ajo ngrehinë e betonuar me pesë cepa. Pastaj ofshau. Shfryu dhe… shau nëpër dhëmbë. Shau orën e alarmit që e mërziti pasi nuk e zgjoi në kohën e duhur, në pesë të mëngjesit dhe Kristo ishte zhgënjyer në paditurinë e asaj ore që u zgjua nga skutat e errësirës, vetëm pasi ai u lirua nga burgjet e diktaturës.

Pastaj i dha urdhër shoferit të kthente drejtimin e makinës. Kam harruar diçka dhe duhet të… Ndërsa makina bëri pas, lotët nisën të bënin punën e tyre. Por ishin si të thuash grimime në faqet që hera-herës merrnin forma dhe ngjyrime të ndryshme.

“E përse dole tani? Ti nuk dilje asnjëherë nga këto zgavra?! Apo… e ke rrugën e lehtë tani që vitet të lodhën duke të mbajtur brenda në errësirë? O lot mos dil kot! Nuk më lodh e nuk më mundon dot!”- fliste me vete Kristo. Dhe vazhdoi pastaj me zë.

Ja shikoje …

Kampi tela me gjemba Nr.3.

Ja shikoje…në Cërrik. E njeh veten këtu? E njeh … E çfarë loti ishte atëherë? Kush e përfillte? Ai lot kishte brenda një Glob dhe Globi i sillej si një shkop

Ti ishe një prej kampeve me tela me gjemba. Të njihnin me … me numrin 3. Të njihnin me trinomin e tyre… e më pas ta vunë numrin tjetër… atë 5-sën e mutit.

Ishte viti 1952 kur të vendosën duke të shkundur në djepin e madh të edukimit dhe të ngulën këtu në Cërrik. Ishte gusht 1952. Internime dhe dëbime në masë si në orrigjinën tënde siberiane e të bënë me si “kampin e Cërrikut”. Kampi?! Tortura makabre e nënshkruar nga këto pesë cepa. E i dërgove kokëulur njerëzit me peshë e me tru, njërezit me nder e me kulturë, njërëzit me komb e dashuri për të punuar papushim ditë e natë në ndërtimin e uzinës së naftës. Edhe kur të mbyllën si kamp na lanë pas këtë betonarme të ngulur ndanë udhës… për të na kujtuar e rikujtuar ditët e vitet e torturës… Por, unë… eh unë dhe të gjithë ata që s’të dunë (duan) do të të shkulim… do të të tregojmë vendin e do të hapin rrugën se këtu bëhen tashmë dhjetëra aksidente. Ti, o i mallkuar ia ke zënë frymën lirisë së rrugës …

Kur makina u kthye, ajo nuk parkoi e vetmuar. Pranë saj u rrjeshtuan edhe mjaft të tjera. Burrat që dolën prej makinave kishin tashmë një detyrim… Ndërsa zhurma bëri kureshtarë mjaft të tjerë, edhe antenat e Radiostacionit dukej sikur kishin fjalën e tyre në këtë ditë.

Vetëm qentë që kishin lënë kanalin e ndotur ishin shtrirë dhe jargaviteshin tutje në kthinë…

29 views

Shkrimet e fundit