Zoti kryeminstër, këndoni sa të doni tallava, por hiqni dorë prej bullizmit!
Tashmë të gjithë dinë se sa akt i dënueshëm është bullizmi. Psikologët, sociologët, por edhe pedagogët, e deri mësuesit e thjeshtë merren seriozisht, me këtë fenomen negativ, i cili është ka patur një përhapje të madhe, sidomos në vitet e fundit.
Duket se një prej qenieve njerëzore, të cilit nuk i kanë shkuar në vesh këto ngjarje, jeni ju, kryeministri ynë i fortditur. Nëse pasojat do të ndaleshin këtu, do të mendoja se kjo është e keqja më e vogël.
Për fat të keq jo!
Pak ditë më parë ju, kryetari i sektit të RI-(bastardhimit 70 vjeçar), në një prej daljeve të tua të shëmtuara në publik, u përpoqe të përqeshje (bullizoje) një kandidat të opozitës. Emri i kundërshtarit tënd, nuk ka aspak rëndësi, përballë gjestit të një kryeministri. Një gjest i neveritshëm, i paskrupullt, i dënueshëm, një dhunë psikologjike e papranueshme, jo vetëm për një shef qeverie si ju, por edhe për një njeri krejt të zakonshëm.
Në qoftë se kjo do të ishte hera e parë, që ju, Edi Rama, bëni bullizëm të pastër, ndoshta do të kishte kaluar si një gafë aksidentale, apo si një çast skizofrenie, e një njeriu (???), i cili duhej të mos lakohej, por të injorohej, e të harrohej. Për fat tonë jo fort të mirë, ky është një gjest i përsëritur shpesh prej jush, dhe në një përsëritje kërkohet gjithmonë një logjikë. Ndryshe, duhet të pranohet versioni i kundërt i saj.
Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me një logjikë të sëmurë, e cila jo rrallë ju ka çuar z. kryeminstër edhe në një fjalor seksist, bastardh, të turpshëm, apo surrogat.
Për ata që kanë kujtesë jo shumë të fortë, unë do të bie tek ky shkrim modest ca emra, të cilët kanë qenë “viktima” të bullizmit të tij.
Vjollca Vokshi, Grida Duma, Edi Paloka, pa përmendur këtu gazetarët e “kazanit mediatik”, (të cilin shefi i qeverisë, vazhdon ta zbresë në vende humnerash, për sa i përket lirisë së shtypit), nëpër emisione apo intervista, kanë qenë prè e sulmeve tuaja. Lista zgjatet edhe më andej, po të kujtojmë kapjen për veshi të gazetarit Bledi Fevziut, të diplomatit Egin Ceka, e deri tek bullizmi ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. (I harruam këmbë majë këmbët e tua në OSBE).
Por e keqja në vendin tonë nuk ka fund. Tek sheh ju, kreun e qeverisë, në një gjest delirant, e të pahijshëm, (pasi jeni ngopur me tallava) i cili pasohet me ngërdheshje dhe hungurima qeshjesh nga pjesmarrëse “intelektuale”, nga ca “gra zonja”, të cilat “duhet ti kapin për veshi burrat e tyre të paudhë”, apo “ti mbyllin me çelës në shtëpi” se bëkan zullume dhe shkojnë e votojnë për “ditëzinjtë”(nënkupto opozitën), nuk ke se si të mos të të kapë trishtimi.
Një shfaqe e shëmtuar, si ato e viteve shtatëdhjetë, me pritje të “improvizuar”, kur Enver Hoxha brohoritej nga kooperativistët e zonave, përsëritet gati krejt identike. Këngë e valle, parulla për partinë e për udhëheqësin e saj(nënkupto ju), lule, e tundje duarsh, slogane kundra opozitës, atmosferë mllefi dhe urrejtje ndaj saj, e në këtë sfond shfaqeni ju, Edi Rama, me një masë të konsiderueshme “buzëqeshje” si ajo e “udhëheqësit të lavdishëm”, duke u munduar që t’i prekni të gjithë me dorë, që të ndalni sado pak histerinë e turmës. Pastaj fillon seanca e dytë. Ngërdheshja juaj.
Kaq poshtë kemi rënë?
Me këtë ikonë shqiptarët duhet të identifikojnë veten në këtë çerek shekull të mijëvjeçarit të ri?
A kanë pasoja sjelljet e tua të pa përgjegjshme Edi Rama?
Mendoj se po!
Këto ditë, në mediat sociale, u shfaq një burrë në moshë të konsiderueshme, e ndoshta të papranueshme për shprehjen banale, me të cilin shau ju, z.kryeminstër i vendit. Natyrisht që nuk më erdhi aspak mirë, por duke menduar pozicionin e tij dhe tuajin, bëj pyetjen: A e njihni qoftë edhe pak psikologjinë e popullit tuaj ju, “artisti shumëplanësh”? A e dini mëndësinë e shqiptarit për familjen?”. E nëse nuk e njihni, a keni këshilltarë, që kanë studiuar për psikologji dhe sociologji, të cilët patjetër, duhet t’ju këshillojnë se si të silleni? Apo për ju ata janë “të pagdhëndur” janë “shpellarë”.
Zoti kryeministër!
Shqipëria nuk është një çiflik i mbushur me ministra dhe ministresha të tipit spiropal, ballukeshë, apo me tao tao e, lal era, të cilëve i fyeni dinjitetin sa herë që doni. Vendi im është vend i njerëzve me dinjitet, vend i njerëzve të punës, vend i njerëzve, që kanë fituar lirinë, të cilën aq fort iu a kishin mohuar baballarët e tu shpirtërorë.
Prandaj, nëse doni të bëni më të paktën për postin që mbani, këndoni nga mëngjesi deri në mbrëmje tallava, por hiqni dorë prej bullizmit!
Leon Lekaj
Athinë 11/05/2023
Comments