top of page

"Hija" që "vrau" POETIN FEJZI DIKA



(ese)


Nga Përparim Hysi


Kurrë nuk është vonë që të sjellësh para lexuesëve, me aq mundës që ke, një POET si FEJZI DIKA. Natyrshëm (dhe ca më shumë për të ardhur keq) që një POET si FEJZI DIKA ka humbur mjegullave të kohës veç për shkaqe banale dhe tepër subjektive.

* * *

Sikur të ndaloja paksa dhe të lija lexuesit në hamendësime, kam bindjen e plotë që jo vetëm do tundnin kokët me dyshim, por afër dy të tretat do thoshin:- More ku e ke gjetur se as që e njohim,jo dhe jo, por as kemi dëgjuar për të.

Fatkeqësisht, kështu është. POETI FEJZI DIKA ka humbur"mjegullave" të kohës,se jo vetëm nuk ka pranuar "të këndojë në kor", por u ka vënë"kryq" gjithë lirikave të tij,se e shihte ngado shkonte "hijen" që e ndiqte pas. Vetëm për të shuar kuriozitetin e të gjithë atyre që nuk kanë dëgjuar për të, në "vija të trasha", po ju tregoj për të.

Një fëmijë jetim,pa nënë e baba, nga GOSTIVISHTI i KOLONJËS,më së fundi,arrin të regjistrohet në LICEUN FRANCEZ të KORÇËS në vitin 1921. Dhe siç tregon: aq i varfër qe,sa mbi pallton me andra,në një orë mësimi, i varet një morr. Mësuesi e nxjerr jashtë dhe fatkeqi:shpërthen në lot. E gjen drejtori (drejtori ishte francez) dhe,sa njeh vobeksinë,ndërhyn në ministri dhe varfanjakut i akordohet bursë për në internat. Dhe të jesh i varfër (mund të të hajë dhe morri), nuk është fare turp, por ajo që ia rrit karizmën këtij varfanjaku është një fakt shumë domethënës: në çdo klasë në tabelë nderi dhe,pas përfundimit me rezultate të larta: bursë studimi për histori-gjeografi në MON PELIE të FRANCËS. Dhe në MON PELIE dhe shoku i klasës që një ditë prej ditësh, do bëhet numri një i Shqipërisë. Ky,"shoku",qe hija që e ndiqte pas. Nga kjo"hije" aksidentalisht i shpëtoi pushkatimt apo burgut.Po, për ta "trashur" edhe ca biografinë e tij, mund të shtoj: ëndërronte të stuidonte për filozofi (ia arriti këtë në vitin e dytë), por ministria i preu bursën. Takimi me ministrin (atë kohë ministër Arsimi qe POETI HILË MOSI).përfundoi me një kompromis: do studionte për filozofi dhe për pedagogji. Për këto dhe u laurua dhe,kur u rikthye në SHQIPËRI ka punuar në shkolla të ndryshme të vendit:në Lice, në pedogagjiken e Elbasanit, në shkollën Tregtare të Vlorës, në Gjirokastër apo në shkollat e Tiranës. Kjo"bredhje" nëpër shkolla të ndryshme, janë si ato vendet e punës "par time",se me të vërtetë janë nga më të çuditshmet: e emrojnë; e pushojnë. Fillon u mëson shqipe dhe frëngjisht ca diplomatëve sovjetikë,po, kur"u hodh bomba" mbi ambasadë,"hija" kish futur në listë dhe FEJZI DIKËN! I shpëtoi jetën, por jo"kuletën" veç ndërhyrja e ambasadorit rus tek "hija". Dhe sa për"kuletën" mos e merni si pezhorative:vetë Poeti shkruan:-Atje, në ambasadë, merrja disa herë më shumë se sa mësues. Shpëtoi,por i prenë burimin e të ardhurave: e pushuan edhe nga puna,por dhe nga përkthimet dhe ca më keq: bashkëshorten e tij,NORA PROSIN (shifni mbiemrin dhe reflektoni më tej) që,atëkohë,ishte spikere në Radion e TIRANËS,e pushuan nga puna me motivacionin absurd:-pinjolle e një familjeje aristokrate e reaksionare!!! "Reaksionarja" jo vetëm mbijetoi,por si poliglote bënte kurse private dhe,kur dhe ato burime u prenë,filloi të qepte me makinë dhe"çirak" që e ndihmonte në të vetmin burim jetese:kishe dhe"filozofin" e MON PELIES. Është situatë surealiste:sa për të qeshur,aq dhe për të qarë. Them kështu se PROFESORI i MON PELIESË demontronte dinjitet me veshjen sharmante,duke takuar bashkëshokët e penës, të kulturës dhe, ca më shumë, të ideve properëndimore,si: LASGUSH PORADECI,SKËNDER LUARASI,MITRUSH KUTELI, MUSTAFA GREBLLESHI,STERJO SPASSE. Për mos u zgjatur: profeesorit, mes tjerash, një ditë prej ditësh,(ngaqë ia njihnin penën e mprehtë dhe,sado që i kish prerë me kohësh shkrimet) iu kërkua të shkruante kujtimet,sidomos ato të FRANCËS, Përgjigja mohuese dhe e prerë prej tij:- Asgjë nuk mbaj mend!!!, u"filtrua" si shfrim nga"bashkëshoku" dhe,kur nuk e priste, kjo"humbje kujtese" bëri që Profesori për"një thelë, pagoi një pelë". Njërin nga djemtë,NILSIN,ia prangosën si armik. A nuk bën kështu dhe me djalin e PETRO MARKOS? Dhe kur PROFESORI FEJZI DIKA shko në amshim më 16 janar 1983, fjalën e përcjelljes e mbajti PETRO MARKO që vuri në dukje gjithë meritat që kish FEJZI DIKA si pedagog, poet dhe përkthyes.

* * *

POETI FEJZI DIKA. Unë u "marrosa" që në bankat e shkollës me poezinë,- shkruan poeti. E filloi në LICE dhe e vazhdoi atë deri në vitin 1944. E kuptoi që ishte"lux" i vështirë për t'u ushtruar,se më mirë se kushdo e njihte "hijen" që i rrinte pas. Në shtypin e kohës u prezantua si një poet lirik dhe kritika e kohës e përafronte me LASGUSH PORADECIN. Libri i tij me poezi "Rrezet e larushme" u prit ngrohtë jo vetëm nga lexuesit,por me superlativa shkruan për të si poet,kolegë të penës,si LASGUSHI,PETRO MARKO,STERJO SPASSE, MUSTAFA GREBLLESHI, MITRUSH KUTELI e të tjerë. Po në këtë kohë,FEJZI DIKA del me novelën "Pasqyra" e cila,po kështu, u vlerësua nga kritika e kohës. Dalldinë apo"marrosjen" pas poezisë,FEJZI DIKA,e tregoi dhe në FRANCË ku botoi 17 poezi. Ka shkruar ose më mirë ka përmbledhur në ibrin e tij"Në ëndërrime pa kufi" rreth 100 poezi lirike dhe veç tyre,edhe poezi në gjuhën franceze.

* * *

Në një vështrim të përgjithshëm,pasi lexon poezitë, formon bindjen se"hija" e rëndë e diktaturës ka vrarë një poet lirik. Një poet që është i bindur se vetëm lexuesi është ai që i vë notën mirë apo keq një krijuesi. Nëse BORGHES thotë:" Arti është një pasqyrë ku duket jona fytyrë",them që përmjet artit të tij, poeti,FEJZI DIKA,ravijëzohet si një fytyrë e ëmbël me një ndjeshmëri të thellë shpirtërore. Vetëm pak,si për ta afruar me lexuesin,e ftoi të shijojnë vargje të tiila:

Oh,se ç'm'i kishe flokët mike..

Oh,se ç'më kish flokët mike, të lara me ar

Të derdhura mbi supe, ngjisnin qelibar

Oh,se ç'më kishe turpin, mike, gdhëndur me mermer

Ditën që të pashë, nga mendja s'e nxjerr.

Ja dhe një lirikë tjetrër

Vjazës ledhatare

Hiri i saj më bën për vete

Sa kam humbur qetësinë

E sodis ngado që vete

Ia ndjej fort bukurinë

Dhe vjen,mandej (gjithmonë sipas meje) strofa apogje:

Ç'emër mban? S'ke për ta gjetur

As tani,as ndonjëherë

Është si diamant i mbetur

Shumë thellë në minierë.

Tek shikoj poezitë e POETIT FEJZI DIKA dhe tek vërej se sa me lehëtësi e thjeshtësi shkruan, befas më kujtohet,POETI I MADH AMERIKAN,WALT WHITMAN që thotë:-Arti i artit, lavdia e shprehjes dhe rrezëllimi ndritës i shkronjave, është thjeshtësia". Ja një strofë,sa e thjeshtë:" Ty pranvera gjithë të qesh/mua dimri më kanoset/ ti si lule del në shesh/zemra ime pse brengoset? Ose në një tjetër poezi:" Rrroj si murg i vetmuar/ ti kudo më del në sy/ndërsa jam duke lexuar/nëpër shkronja të shoh ty.

Dhe nëse doni ndonjë"përafri" made in PERSI BYSHE SHELLEY që thotë:"Shpirti takoi shpirtin në buzët e të dashurve, vështroni një nga poezitë kushtur bashkëshoretes NORA PROSI;

Si një sutëzë e bekuar

Pranë, pranë më qëndro

Vëma kokën në kraharuar

Që ta ndjejë sa më do.

..............................................

Jam i lirë e nën zgjedhë

Rob i lumur,se të dua

Ëmbël koha le të rrjedhë

Si për ty dhe për mua.

Ose le ta shijojmë së bashku këtë lirikë dystrofshe

"Fash' i rrezeve të tua

Më magjepsi pa kufi

Që nga floku gjer në thua

Më përshkon me ëmbëlsi.


Hirin tënd duke soditur

Unë bëhem gjithë sy

Sy i mallshëm, i ngulitur

Sy që rron vetëm për ty.

* * *

Theksoja që POETI i jepte rëndësi lexuest dhe,sipas tij, lexuesi vë notën krijuesit:" I dashur lexue/shijen tënde çmoj/për gjë s'e peshoj/kritikun sulmues."

Në vend të epilogut:

Në varrezat e SHARRËS ku prehet PROFESORI dhe POETI FEJZI DIKA në epitaf,sipas amanetit, është shkruar:

"Hodha trupin si lëvere

Dhe qëndroj si shpirt i lirë

.Në çdo vend në hapësirë.....................................

Në një vend pa mistere

Injesuar krejt me jetën

Përshkoj mbarë gjithësinë

Bimën,shtazën e njerinë

Tani rroj me të vërtetën

Mora formën e paprekshme

E gjeta qetësinë."

Veç vargu i fundit sikur të jepë gjithë atë kalvar mundimesh të këtij NJERIU të DITUR dhe të Një POETI LIRIK që ia vranë dhe muzën,por dhe shpritin e bukur dhe të bardhë.


Tiranë,25 prill 2021

112 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page