top of page

“ Hija ”… e Kadaresë


Petraq Kote

Shkruar nga Petraq Kote    

Do doja ta çelja këtë ese klasikisht, si gjithë esetë e tjera ndër botë, por leksiku i ri Kadarean “ Hija ” sikur më thirri e më tha: “ Çele me mua ”! Dhe unë e çela me këtë leksik të paralindur e sa dalë në dritën e diellit leksikor shqiptar: … hirnore, kotni, qiellzanë, vargorë,dalzotsve, imtonte, heshtim, sipërane, mahi(ja), barksonin, mesore(t), vetë(oi), krusmë… dhe më tej duke i tërhequr vëmendjen vetes vazhdova: Përse do ta mbaroja së lexuari aq shpejt këtë libër, kur do t’i rikthehesha e rikthehesha disa herë faqeve të tij të njerëzuara baladisht dhe po aq herë, në fund të tij të lexoja shënimin tim, lënë atje pas lexuar, si shkrim me ethe, si shtatë rikthim-udhëtimet e heroit tonë në Perëndim, Francë, Paris.

“ Kam fat që Kadarenë e lexoj në shqip dhe shumë fat që unë u linda në dheun që u lind edhe Kadareja, në Shqipëri. Dhe po aq e duam Shqipërinë, sa kur na e shajnë qajmë dhe kur e “shajmë” qajmë. Kështu ndodhi edhe me Konicën, Fishtën, Nolin...

Kadare tashmë ka besimtarët e vetë lexonjës. Si perëndia pellazge e oratorisë, e ligjërimit, “E Thëna”, që unë e dua, e respektoj, e adhuroj, i bindem, në qetësinë time absolute, por jo qorre, në vetminë time të paqme dhe të urtë. Askush dhe askurrë më mirë se ai nuk ka ligjëruar në shqip, por edhe në gjuhë të tjera ( i përkthyer ), më me art. Asnjëherë nuk ka pasur shqiptar, por edhe qytetar të botës, më njeri se ai. Ai shkon drejt primatit çdo herë që boton një novelë, një tregim, një publicistikë, një poezi. Jam i sigurt, si ai do të lindin shqiptarkat në mijëvjeçarin e pestë pas Krishtit. Ndërsa botërorkat, kurrë. Shumë herë e kam pyetur vetveten me çudi: -Kush e lindi “Hija”, “Muzgu i Perëndive të Stepës” apo “Muzgu i Perëndive të stepës”, lindi “Hija”? Apo të dy qenë ngjeshur brendshmi njëri-tjetrit dhe ne nuk i pamë,(dje), se sot i pashë?! E çuditshme! Muzgu i Perëndive… mbante brenda lëkurës së vetë, “Hija” d.m.th. Lindja, Perëndimin. Por… -S’ka çudi, - thirra, - të dy kohët, Kostandinin, Doruntinën (Silvenën), Baltën, Besën, Incestin, Shkapërximin i mban mbi shpinë “ kali ” Kadare, në të dy rastet, hipur mbi arkmortin avion. Romani “Hija” i shkrimtarit Kadare është prozë psikologjike, aspak autobiografike. Këtë herë më e ndjeshme, më afër shpirtit të popullit të tij. Ai operon në dhomat e pafundme të shtëpisë së ftohtë të cerebrit të tij, poetikisht. O plotfuqi e Elokuencës, Etikës! Që mund të quaj dhe Zot! A e shkon ndërmend ndonjë Perëndi tjetër e jotja (pellazgjike), për Ty s’ bëhet fjalë, se Kadare në uzinën e tij të letërsisë prodhon dështim, siç kineasti në “Shënime të një kineasti të dështuar”? Apo siç rreshtoi shkronja dhe rendi leksik anglez në “Mobilives” Irini dhe Renata Dumitrascu më datën 18 korrik 2005, në shkrimin “ Kadare is no Solzhenitsin”… Sigurisht, Kadare nuk është Solzhenitsin. Është shkrimtar – poet më modern se Solzhenitsin. Më perfaqësiv dhe më “ pushtonjës” shpirtrash letrarë se Solzhenitsini. Ai vërtet nuk komunikoi me lexuesin shqiptar, me veprat e tij letrare të së njëjtës kohë (1984 – 1986), romanin “Hija” me titullin fillestar “ Tre K ”, “ Vajza e Agamemnonit ”, “ Ikja e Shtërgut ”, por komunikoi me Parisin, Botën dhe për këtë të vërtetë të bukur dëshmon presidenti i shtëpisë botuese “ Fayard ” zoti Claude Durand. A s’ishin vepra në vazhdim të veprës letrare kadareane këto?! I kujtoj Dumitrasku – dhe romanin “ Kështjella ”. Në këtë roman Kadare tregoi thyerjen e pa diskutueshme të perandorisë më të madhe dhe më të egër të botës, asaj turke, përpara një grushti populli të krishterë siç ishin shqiptarët e lënë vetëm në mes të historisë nga Evropa po e krishtere. Kjo është disidencë e vërtetë letrare e jo disidencë prozaike shtyranakë! A nuk ishte Shqipëria e lënë përsëri vetëm, në mes të rrebeshit të perandorisë më të ashpër komuniste, po përsëri nga Evropa e Krishterë?! Pra, Kadare është pa dyshim së bashku me Prenushin, Xhagjikën, Poradecin, Palajn, Xhaferrin etj., shkrimtar disidentë. Kadare në romanin “ Hija ” shpall hero të disidencës shqiptare, personazhin kryesor të kësaj vepre dridhëronjëse letrare “ kineastin e dështuar ”, dysinë e tij “ shoku im i Moskës ”, (me heshtjen e zgjuar dhe të zgjuarën heshtje) dhe më shumë, të Lindjes ish-komuniste evropiane. Retorikën e tij letrare që i ngjishet magjikisht stilistikës së tij, figurave të mendimit dhe gjithë veprës së tij letrare, duke e ngritur këtë kompleks arti, në Mrekulli Botëror. Kur në vitet katër mi lexuesit globalist do të lexojnë veprat e Kadaresë, askush nuk do të marr mundimin të pyes e di për Shqipërinë, Lindjen dhe Perëndimin evropian të viteve dy mijë-tre mijë, disidencën, përkrahjen a diçka tjetër që ka jetuar autori. Ai thjesht do të vlerësojë artin dhe pas artit, shkrimtarin, Kadarenë. Është banale të studiosh e ngresh në “studim” jetën private të autorëve të ndryshëm që bënë, bëjnë dhe do të bëjnë art, në çdo zhanër, në çdo vend.(!!!) Kadare prodhon vetëm kulme. Kulme ku rron njerëzia letrare. Pse jo edhe njerëzia e zakonshme që ne e “banalizojmë” me fjalën ordinere, të paktën virtualisht?! Ai e ndërtoi makinën gjigante të shkrimit, letërsisë, artit elitar në ferr dhe tash së fundi e transferoi në parajsë ose Paris, ose “Vendi që s’ urrehet dot!” Romani “Hija”, përveç se ka metaforë danteske, ka edhe reminishenca të metaforës servanteske. Ai vjen era Dn Kishotit moderne. Servantesi u plagos disa herë në luftë kundra errësirës turke mesjetare e u mbajt peng nga piratët e detit balltik. E kur zbriti në tokë u tall keq me tokën e tij deri sa nxori në dritë “ Don Kishoti i Mançes ”. A nuk ka një arketipi edhe këtu? A nuk është “shoku im i Moskës” (shkrimtari) dysia e “ kineastit ”? Kineasti nuk lufton me mullinjtë e erës spanjolle, ai lufton me mirazhet e byrosë politike të shtetit të tij totalitar deri në festivalin e filmit në Kanë, që janë shefi i kuadrit, kryetari i bashkimeve profesionale, “laluci”. Ai tall, përbuz, urren popullin që ka një mbiemër të rrjedhur fatmirësisht prej një shpendi krenar e të pa mposhtur, por që fatkeqësisht të mposhtur, të turpëruar. Ai nuk lufton dhe tall kohën. Ç’faj ka koha?! A nuk ishte e njëjtë ajo edhe në Hungari, në Poloni, në Çekosllavaki e gjetkë, ku njerëzia kryengrinin?! Ismail Kadare do dhe luan me simbolin. Do dhe luan me simbolet. Do dhe luan me simbolikën. Vetëm për pak zgjim qytetar. Vetëm për pak shkrirje kurmi kombëtar. Vetëm për pak vetë-përplasje. Vetëm për pak vetë-shoshitje njerëzore shqiptare. Vetëm për pak shkapërxim. Aq sa dalja nga ferri shqiptar është e pa mundur, sepse shqiponja mbi të cilin ka hipur ferrani, ka dy koka dhe dy kokat duan sa herë shtyjnë përpjetë, ndonjë pjesë trupi… Të ishte ferran gjermani që ngjitej nga thellësia e ferrit, do të dilte, siç edhe doli(199 ), sepse e tyrja shqiponjë kishte vetëm një kokë. Ka mbi dhjetë vjet që u shkruat romani “Hija”, shtator 1984 - dhjetor 1986, katër vjet nga botimi, në “Onufri 2003” dhe ende shqiptarët nuk kanë dalë nga ferri! Kineasti i Kosovës është ende në ferr. Kineasti i Shkupit qytetit të shenjt të Dardanisë, i Ulqinit, i Preshevës, i Janinës është akoma më larg, në paraferr. O Kadare! ( Në vend të Zotit ). … dhe një ish kryeministër i Kosovës artikulon: Po mori Mitrovicën Serbia, ne do të kërkojmë Preshevën! O Kadare! “ Po më more dheun tim,- thotë i pakujdesshmi ish-kryeministër shqiptar i Kosovës, - unë të kërkoj dheun tim ”! Po harron Ky ferran se Shqipëri është deri në Nish ( Njësh), Preshevë, Manastir, Dibër, Plavë, Guci është komb i “ kineastit ”, “ shkrimtarit ”, “ byroistit ”, “ lalucit ”, “ Kostandinit ”, “ Doruntinës ”, “ kalit ”, “ varrit ” dhe duhet të njehsohet, do apo nuk do Serbia, Rusia, Evropa! Romani “Hija” ka shtatë shënime. Si të shtatat e “ Kineastit ” të cilat u përshpirtën në hollin e manastir – ambasadës Franceze në Tiranë. (E përse kërkonte ftesë Kineasti? I vdekuri nuk mund të ftohet!). I vdekuri nuk mund të ngrihet nga varri! Por ja, që Kineast – Kostandini ngrihet nga varri! I ka dhënë besën nënës… Të shtatë shënimet kanë harmoni, ankthi është ura që i lidh ata në një, triumfi, ose fara. I gjithë libri “ Hija ” ka një strukturë të realizuar me dimensione universi. Stilistika kadareane është e lartë. Gjuha standarde e bën edhe më të ndjeshëm lexonjësin. Kadarenë mund ta lexojë e gjithë njerëzia e botës e shtresëzuar shoqërisht. Dhe e gjitha merr dhe kthen mezazh. Boshti ku rrotullohet ideja e romanit “ Hija ” e shkrimtarit dhe poetit me kurorën e Olimpit mbi kokë është: Çdo fillim nuk merr shpesh kuptim dhe hija e njeriut, poetit, shkrimtarit, gjeniut, Kadare bredh pastaj nëpër kështjellën El - Letrar të mbretit të Nobelit në Suedi… Titujt e shënimeve janë të lidhur me kompozicionin e veprës dhe tregusiv të nën ideve të shkrimtarit e një kohe edhe si nën tema. Romani hapet me “ Matanë Pasqyrës ”. Vazhdon me “ Që të shkosh në Paris, duhet ta urresh atë”, “Ankth ”, “ Djalli ”, “ Kumti nuk kapërcen ”, Incesti “ dhe mbyllet me shënimin thirrje ose shfrimin shpirtëror “ Aleluja “! Në kopertinat e palosura ka një shkrim eseistik nga (shtypi i huaj ) dhe në kopertinën e prapme, topmendime nga personalitete të artit dhe kulturës botërore. Ballina prezanton lexuesin me dy gra – pemë, matanë Silvena, këtej Luljeta, ku në mes gjetheronë pema dysi kineast: “ Shoku im i Moskës “.


48 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page