Heshtja e këpucëve

    Heshtja e këpucëve


    Fatmir Terziu



    Këpucët e mia, pala e ditëve të punës, nuk bënë asnjë lëvizje jashtë kutisë, ku zakonisht mbahen pas largimit nga këmbët e lodhura prej tyre. Nuk dolën, përfshirë pasditen e së premtes, të shtunën dhe të dielën. I pashë me një sy. I preka më një dorë. Ndiheshin si një petë e butë. Nuk kisha më tutje asnjë motiv të bëja asgjë. Këpucët nuk iu duheshin këmbëve të mia dhe kështu vetvetiu ishin vetëanulluar me shërbesën e tyre të përditësisë dy herë, pa llogaritur të plotë pasditen e së premtes. Arsyeja nuk gjendej në mospëdorimin e tyre. Mospërdouesi, zakonisht ka një arsye.

    Dhe, në këtë rast, ndihesha pak më i qetë, pak a shumë si një njeri që përpiqet të bëjë veten e dorëzuar nga oreksi, pos gripit, që të hajë më shumë se një herë në ditë. Pyesja veten nëse dikush e vërente atë që po më ndodhte. Pyesja veten nëse dikush e dinte atë dhimbje që gërryente në fytin tim. Ndërsa këpucët nuk ndjeheshin, e kuptoja se me këtë shpërfillje u kisha shkaktuar edhe atyre këtë çrregullsi gripale. E kisha edhe hamendësi, edhe gungë në fyt.

    Pyesja veten nëse ata kujdeseshin për veten e tyre?

    Në fakt mendoja se kjo gjë e vogël po më dëmtonte më shumë mua, se sa këpucët, të cilat kishin harruar detyrën e tyre të përditshme. Dhe unë mendoja për këpucët.

    Po për mua?

    A mendojnë të tjerët për mua?

    A flasin për mua?

    Mënyra se si të tjerët mendojnë për mua, mënyra se si flasin për mua, mënyra sesi më trajtojnë… Fundja nuk është sikurse lidhja ime me këpucët e përditësisë. Gjithçka është vetëm në kokën time, duke u rrotulluar pa pushim.

    Sa kam nevojë të ndjehem kështu?

    Sa i bezdisshëm që jam?

    Si nuk mund ta kontrolloj prirjen time?

    Sa shumë emocionues dhe dramatik që jam. Fundja për këpucët…

    Pyes veten nëse këpucët, e dinë pse gjërat që thuhen, mendohen dhe ndjehen, ndikojnë kaq shumë.

    Të mendosh je fyes?

    Sidoqoftë është për këpucët…, për ndryshimin e lidhjes mes tyre.

    Dhe Ju… Ju të Tjerët … Mund të më kërkoni të ndryshoj dhe unë mund të veproj ndryshe, por prapë jam unë. Jam unë, që merrem me këpucët… Merrem me to çdo ditë. Unë jam pikërisht unë. Nuk mund të lodhem ndonjëherë.

    Imagjinoni të jeni “unë” çdo ditë.

    Unë jam gjithmonë mirë. Mos më lini të ju mashtroj, është linja ime e preferuar e të qënit shumë mirë edhe kur… gunga gripore në fyt nuk është thjesht se më cyt. Brenda po qaj. Brenda po tretem dhe nga jashtë po shtirem.

    E kuptoni këtë?

    Lotët e mia janë tharë. Dhe ju dëshironit heshtjen. Ja pra i heshta edhe këpucët… Unë po përpiqem kaq shumë për të siguruar heshtjen që ju keni kërkuar. Kështu që mos më pyesni pse jam zhdukur. Mos më pyesni pse po e humb jetën në një kontratë të panënshkruar me këpucët.

    Mos më pyesni pse nuk do të dal që të më sugjeroni përsëri: Pi çaj! Vishu mirë! Shko tek mjeku! Mos më pyesni pse nuk do të flas apo buzëqesh, do të qaj apo të bërtas. Mos më pyesni pse më mungon emocioni.

    Vini re, por mos pyesni.

    Unë do t’ju them edhe një herë. Nuk ka asgjë që unë mendoj se nuk më gllabëron plotësisht. Asgjë që ndjej që nuk konsumon çdo mendim timin dhe çdo sekondë të ekzistencës time.

    Më thatë të hesht.

    Ju më kërkuat të ndaloja të ndjeja mënyrën sesi unë bëj gjërat, se si i zgjidh dhe i braktis këpucët. Kështu që unë e kam zbrazur veten time, deri në fundin tim, vetëm për të ju kënaqur të gjithëve ju. Nuk e kisha fjalën për këpucët. Ata u habitën që i zgjidha dhe dy ditë e gjysëm u mundova të provoja heshtjen që Ju kaq shumë e kishit ëndërruar. Heshtjen e këpucëve.

    5 views

    Shkrimet e fundit