
1.
Raki „Rigoni“
Fatmir Terziu
Stina rri në heshtje mes nesh si një përrallë
shishja endet në brendësinë e saj si një baladë,
kofshë e bardhë.
Mendjet tona po përhumben në mendim të thellë
a mund të themi pa filluar se jemi të pirë,
më besoni,
ngrejmë dolli me raki rigoni.
A mund të ngrihet një dolli me një lëng të tillë
gota brenda saj përpihet si Bota
e tretur po emocionon ndjesinë,
dhe mendimin në infinit,
mushkonjat klithin nën petromaks pa frikë
jemi në Butrint.
Midhjet në pjatancën e madhe
lëvrijnë si hapësira skaj më skaj
qielli është tymosur nga një cigare
që digjet në vetminë e saj.
Sekreti nuk ka asnjë lidhje me të,
misteri vazhdon
Shishja ka mbaruar. Fjalët janë thënë. Shkojmë.
Ndërsa drejtohesh nga dera,
me ty end tehin e saj vetmia,
sytë fiksohen shkitazi mbi disa kuti:
„Made in Butrint, Albania“
„The destination: Australy“.
Stina lëvrin mes nesh si një përrallë
shishja endet në brendësinë e saj si një baladë,
kofshë e bardhë.
Liqeni nis me një gudulisje
ka huqe,
pastaj buzëpuqet i lyer me buzëkuqe.
2.
Ksamil
Çfarë e tundon një kamarier në orët e vona?
një pije që e mërzit atë,
ai shpëlan pjatat, duke hedhur një vështrim
tek klientët që gërhijnë në tavolinat e tyre,
duke u rikthyer në lajmin e djeshëm,
ekrani bën garë me tik-taket
Skambil është emri i hershëm,
me Zogun janë lidhur faktet,
Ai e ngriti fshatin e djeshëm si veri
kur u rishkroi të përzënëve fatet
nga Varfani i kazasë së Gumenicës-Çamëri.
Duke rregulluar përparësen e tij për ditën që vjen,
gërvisht në bllok, ai shkruan faturat dhe shukërima
përcjell retë që kalojnë derën
dhe zogjtë në pragjet e dritareve pa zë,
duke vazhduar këngën e atyre që i kanë lënë,
këngët e atyre që nuk do të kthehen më.
Flitet instiktivisht në këto këngë
i kanë këto rakia dhe kënga
ai shkund kokën me më pak serbes
duke ndarë lodhjen si gllënjkë nga gllënjka
me dolli të tillë deri në mëngjes,
aty ku gjoks zbuluar ka mbetur vasha
e gjumi është bërë dembel.
Dil o Yll i mëngjesit dil,
si atëherë mbi Skambil!
3.
Gumenicë
„Heshti Gumenica, ullinjtë zgjoi Filati,
Malit të Bozhurit iu rregjua shtati“ (Popullore)
****
Zëri është si një vajzë e lindur nga valët e tretura
largët në blunë që çmallet
kornizë e skalitur,
gurrë e hijshme e së cilës është e njohur për shtojzovalle
që këndojnë në det
…dhe përfundojnë në male.
Zëri është si një vajzë e cila, del në muzg,
do të kalojë dallgët e pastra të Jonit
me lotin e kristatë të qiellit
nën ombrellën e hënës
në agim, mban në hapësirë dritë të pastër,
e tret me mallin e nënës,
kush do të pi për kujtimin e babait,
pi një gllënjkë nga lumi i Kalamait.
Zëri është si një vajzë nga kordoni i gjelbër
mban rrathë të farkëtuara nga këngët e Jonit
një palë vathë nga shiu i stinës
një gjerdan të endur nga mëndafshi i një ninulle
që u pasua brezave dita-ditës.
Zëri është e gjitha. Bukuritë
të gjitha hijeshojnë kopshtin e bekuar
me lulet e tyre shumë ngjyrëshe të dashurisë,
…dhe fshin sytë e lotuar, mbetesh i hutuar
ke puthur ajrin në Gumenicë.
Comments