
SHPENDI TOPOLLAJ
ELFRIDA LEZI HEDH HAPA TË SIGURTË NË RRUGËTIMIN POETIK
(Rreth librit “Mendime në varg”)
Të gëzon fakti që gjithmonë e më shumë po shtohen prurjet poetike të vajzave dhe grave në qytetin tonë. Dhe më së shumti, ato shkruajnë kur ndodhen larg, në emigracion. Atje, mesa duket, i zë malli, i mbysin kujtimet dhe i mundon vetmia. Dhe pikërisht kjo vetmi e ka shtyrë mesa duket rumunin Paul Celanin që t`i quajë poetët, rojtarët e fundit të vetmisë. Në vetminë e saj, por fillimisht atje në Greqi, nisi rrugëtimin e saj poetik edhe Elfrida Lezi. Ja si shprehet vetë ajo: “Në grackën e vetmisë / Ku heshtja mbretëron / Kujton vitet e rinisë / Një nostalgji të pushton…” (“Dashuri e fjetur”). Por ka një ndryshim; i shkroi ato në gjuhën greke dhe më pas i përktheu në gjuhën amtare, duke i botuar me titullin “Mendime në varg” nga shtëpia botuese, tashmë e njohur “2Mprinting”. Viktor Hugo e ka quajtur poetin një botë e mbyllur brenda një njeriu. Natyrisht që edhe Elfrida, brenda vetes mban botën e saj, të cilën si gjithë të tjerët, herë e shfaq dhe herë e fsheh. Ajo e shfaq në bisedat me të tjerët, dhe e fsheh kur flet me vete, pra kur mediton. Por sado që ta fshehë, do i dalë se s`bën fjala F. Nietzches i cili për poetët shprehej se “nuk kanë skrupuj kundrejt përvojave intime të tyre: i shfrytëzojnë”. Dhe nga ky shfrytëzim, lind poezia. Sa forcë dhe bukuri i jep artit të të shkruarit në përgjithësi sinqeriteti, e veçanërisht poezisë. Sa e besueshme bëhet krijimtaria letrare kur aty gjen copëza nga vetja jote, nga përjetimet e tua, nga përvojat presonale. Pa këtë sinqeritet që dikush mund ta quaj rrëfim i dalë nga shpirti, i ndjenjave, emocioneneve, gëzimeve, zhgënjimeve e pse jo, edhe hidhërimeve, sidomos poezia do të qe e vakët e pa jetë. Ajo nuk do të ngjiste te lexuesi, dhe mesazhi që kërkon të japë do të humbiste brenda kotësisë së saj. Dhe është ky sinqeritet që na bën ta quajmë Elfridën, qysh në librin e saj të parë, poete. Por në këto rrëfime poetike ajo, ashtu sikurse e thotë në gjemanisht emri i saj tregohet “e matur në paqe”. Kujdeset për të gjetur fjalët e duhura e të mençura, figura të thjeshta e pa ngarkesa të tepërta që brenda tyre kanë të moralshmen. Kritiku ynë nga më aktivët, Fatmir Minguli, duke folur për këtë vëllim ka thënë se “libri “Mendime në varg” me poezitë e larmishme na çon te katër dashuritë, që janë për Zotin, për njerëzit, për natyrën dhe për qytetin”. Por meqenëse dashuria në kuptimin intim të saj, këtu zë vendin kryesor, edhe unë do përqendrohem vetëm tek ajo. Duke shkruar për dashurinë, Elfrida mes rreshtave që hedh në letër nuk ka teprime e pasione, por sikurse e theksova, arsye dhe qetësi, pra vetpërmbajtje. Nuk është e para që e ka provuar “tradhtinë” e dashurisë së dikurshme. Ajo me zjarrin e saj, me misteret dhe enigmat e veta i ka lënë mbresa të pashlyeshme, të cilat nuk mund të harrohen kurrë. Duke i vërtitur nëpër mend, simpatitë, flirtet e para, takimet drithëruese, puthjet e fshehta, premtimet e përgjërimet e dikurshme, tani që nuk i ke më, të merr malli edhe për atë stolin ku takoheshit, për rrugicën me kalldrëm ku të ngacmoi ai me ndonjë fjalë përkëdhelëse, vallzimin në mbrëmjen e maturës, shkëmbimin e shikimeve në Plazh, marrjen e një letre me citate e vargje pushkiniane, tingujt e asaj këngës që e pëlqenit të dy etj. etj. të vërtiten para syve këto dhe gudulisesh brenda shpirtit tënd dhe jeta të bëhet atë çast edhe më e bukur, më e gëzueshme. Të ngjallet një optimizëm frymëzues, që kur e ke dhe talentin e kthen në poezi. Ke nevojë që gjëndjen tënde emocionale, ta ndash me të tjerët. Nobelisti Alexis Leger (Saint - John Perse), pyetjes se “Përse shkruan?” i ka dhënë shpjegimin se “Poeti do të përgjigjet përherë shkurt: Për të jetuar më mirë”. Ja pra, edhe Elfrida, duke na bërë të pranishme çastet e saj të lumtura, shkruan për t`u ndjerë më mirë, më e lehtësuar, më e motivuar. Ajo, me anën e poezive, lehtëson shpirtin e pastaj bën edhe bilancin e momenteve të rëndësishme të jetës së saj, duke i pohuar vetes ndershmërinë dhe anën humane që e karakterizon. I thashë këto, pasi shumica e poezive të përfshira në këtë libër, i janë kushtuar atij që iku… kokën pas, për të mos kthyer, duke marrë me vete ëndrrat e shumë premtime, duke lënë pas, një zemër të thyer, një mal dëshirash dhe shumë kujtime! (“Ti ike”). Por ja që kështu ka qenë dhe kështu do vijojë mbetet në jetë të jetëve natyra njerëzore; me tradhtira, me drama e tragjedira. Kjo, nga ana tjetër ka qenë edhe arsyeja përse Denis de Reugemont, kulturologu sviceran, i vuri vulën duke thënë se “Po të mos ekzistonte tradhtia, ku do të përfundonte imagjinata e poetëve?” Ama, brengat më të mëdha, që marrin përmasat e vuajtjeve e deri të mosharrimit më së shumti gjejnë fole në zemrat e femrave. Ndaj Elfrida çuditet me heshtjen që pllakos kur bije nata, ndaj pyet: dikush, diku a mendon vallë? Për një zemër që gjumi s`e zë? Dhe nuk ngurron të thotë: “Kjo natë e gjatë “po më vret” (Te “Kur nata zbret”). Apo te poezia “Mall”: “Kjo natë shumë po më mundon / Bashkë me kujtimet që vijnë varg / Ah, malli rri zgjuar, se ti mungon / Ende ndjej psherëtimën tënde… dhe pse je larg!” Ka dhe ditë apo netë kur makthi i shndërrohet në ëndërr me rreze drite, me dashuri, me mall, me frymëzim, dhe të gjitha së bashku i japin lumturi. Si thosh Pushkini për Ana Kern: “Kujtoj me mall një çast takimi / Përpara sysh m`u shfaqe ti / Si vezullim i një vegimi / Si engjell plot me bukuri”. E më tej, si te “Mall” ai shkruante: “N`andrralla jete zhurmëkote / Në dhimbje brengash e mërzi / Më grishte larg fytyra jote / E zëri yt plot ëmbëlsi”. Elfrida vajzë kishte të drejtë kur hidhte në letër fjalët deklarative: “Unë të desha si e marrë, e të prisja / Ashtu si toka e zjarrtë, shiun pret / Mijra herë, në pritje vdisja / Se të desha me të vërtetë” (“Unë të desha”). Nga ana tjetër, duke lundruar në dallgët e tronditjve shpirtërore, ajo edhe shpreh revoltë si te poezia “Merri!” ku shkruan: “Me ty shumë dhimbje mblodha / Vetëm fjalë… fjalë e premtime / Sikur ta dije sa shumë u lodha! / Sinqerisht, tani ndjehem ngrohtë në zemrën time”. Madje ajo kërkon të dehet një çast me gotën e verës, vetëm e vetëm të mundet të harrojë (Te “Prap do dehem”). Dhe ngushëllimi, pra zbutja e shqetësimit ngaqë ai i paemri ka shkuar në punë të tij, vajzës poete i vjen thjesht nga kujtimi për të: “Edhe pse bashkë s`puqemi më / Shpirti, shpirtin pranë e ndjen / Kur humbas, në vetmi nuk më lë / Dhe në skajin më të errët / Ti vjen e më gjen!” (“Ti më gjen”). Se edhe ajo e di se “Ashtu si mendimet e mia / Janë te ti, por s`të prek dot” (“Për ty”). Le që ajo ka bindjen që e shfaq te poezia “Ka kohë…” se edhe në mos u takofshim në këtë jetë, e di… do të shoh në botën përtej. Dhe ajo e mbyll ciklin e poezive për gjurmët e pashlyeshme që dashuria ka lënë në shpirtin e saj me bindjen se “Është bukur të duash e të të duan. / Është njerëzore të thuash më fal. / Është bukur kur kujtimet i ruan. / Është bukur kur shprehesh dhe pa fjalë”. Dhe duke ditur se jeta vazhdon, ajo me gjysmë zëri artikulon: “Jo… s`mërzitem, nuk do të qaj / Me lotët thura vargje / Pse desha shumë, s`ndjehem me faj / S`do dergjem dëshpëruar stolave në parqe”. (“Mësova”). Duke botuar këto poezi të ndjera, të moshës më të bukur, Elfrida Lezi, jo vetëm shndërrohet në një piktore të shpirtit sikurse vëren shkrimtari britanik Isaac D`Israeli, por edhe zgjon te të gjithë lexuesit, kujtime nga ato që edhe pse të trishta, të bëjnë të ndjehesh mirë. Përsa i përket strukturës së poezive të Elfridës, mendoj se atyre ua shtojnë së tepërmi vlerat, përdorimi i rimave që sa vjen e po harrohen në krijimtarinë e poetëve tanë. Por këtu ka vend për një vrejtje: nuk duhet përdorur rima me të njëjtën fjalë si p.sh. fq. 10 ty - ty, fq. 25 mirë - mirë, fq. 31 fund - fund, fq. 43 mua - mua, fq. 80 shumë - shumë, fq. 83 ty - ty, fq. 88 shumë - shumë, fq. 118 ty - ty, fq. 123 saj - saj, fq. 128 pres - pres. Gjithashtu, ka një rregull në metrikë në ndërtimin e strofave nga vargjet. Varg quhet bashkimi i një togu fjalësh që kanë një numër të caktuar rrokjesh dhe theksash ritmikë. Vetë emrin, vargu e merr nga numri i rrokjeve që e përbëjnë. Si të tilla, ato duhet të jenë të njëllojta dhe jo herë tetë rrokshe e herë pa kufizim, sikure ndeshim raste të tilla në këto poezi. I theksova këto, që në qoftëse libri ribotohet, fare lehtë mund të ndreqen dhe poezia të bëhet me tingëllim akoma më të këndshëm.
Comentarios