Hasan Shahinaj: Disa risi të një libri me vlera të mirëfillta e të veçanta
- Feb 2
- 3 min read

Refleksion studimor
Në shumëllojshmërinë e botimeve të sotme anë e kënd vendit, libri i autorit tonë, Z. Aqif Ademit meriton rilexime e refleksime për veçoritë specifike që ka. Ashtu si ish-bujku tradicional dibran që përzgjidhte me shumë merak farën; po kështu edhe i talentuari autor Aqif Ademi ka gjëmtuar e seleksionuar fort kujdesshëm nga elita intelektualo-kulturologjike e Dibrës sonë shumë e shumë figura të spikatura, të cilat zënë vend në vëllimin nr. 2 me titull « Me dibranët e shquar ndër vite », për të cilin libër voluminoz prej 1175 fq., unë përzemërsisht e përgëzoj dhe e falenderoj me sinqeritetin e dashamirësinë më kulmore mirënjohëse. Ja ca detaje risish sa më koncize nga refleksioni im:

Së pari, ky vëllim libror me dukuri dhe profil publicistiko-portretizues po edhe analitiko-sintetik përmban pa mëdyshje edhe natyrë të mirëfilltë enciklopedike; gjë që tregon qartazi se autori
A. Ademi, përpos erudicionit të gjerë vetiak, falë përvojës së gjatë në disa zhanre artistiko-letrare që i ka lëvruar ndër vite, është pikësepari një “vëzhgues cilësor i hollë” e madje vizionar për të dhënë thelbin tipik të çdo personazhi/eje të përshkruar detajshëm, bile të shquar, siç i konturon e definon Ai vetë.
Së dyti, si rrallëkush autor tjetër, thuajse në 1/4 e librit, me finesë e mjeshtëri të përveçme e të lakmuar, gjatë përshkrimit kujdeset mirë për linjën etër-bij/a duke evokuar objektivisht e logjikshëm rrënjët tona burimore të brezave dibranë të respektuara e të nderuara në kohë e në hapësirë. Kjo linjë, sipas meje H.Sh., është një risi tjetër plus në shumësinë e vlerave të këtij libri aktual, retrospektiv e të domosdoshëm, rrezatues vlerash.

Së treti, në plejadën e suksesshme të disa autorëve dibranë, ku tashmë mban meritueshëm vendin dinjitoz edhe autori ynë Aqif Ademi; mua personalisht, familjarisht, farefisnisht më vjen mirë, duke u ndjerë modestisht krenar se: autori në fjalë A. Ademi vë pikën mbi “i”, duke portretizuar plot figura rrezatuese tradicionale e të sotme të Gollobordës sonë. Kjo risi librore parafrazoon, rikujton, dëshmon, evokon njëherazi atë që kanë shkruar në shekullin e kaluar shkrimtarët dhe atdhetarët e orëve të para sikurse Haki Stërmilli, Ismail Strazimiri e të tjerë se: Golloborda ka qenë dhe është Dibra e Epërme. (Dmth, autoktone në trojet e veta trashëgimore iliro-arbërore). Në këtë kontekst, unë në shenjë miradie për të talentuarin autor Z. Aqif Ademi, në monografinë time historiko-pedagogjike, botuar në vitin 2018, kam theksuar kryemesazhin metaforik: « Drini i Zi, o i vetmi vëlla, Trebishtin tim të madh vendlindës prej Dibrave pse ma ke nda trojesh, kur kanë të njëjtët prindër nënë e baba?!.. » Është fjala reale e jo alegorike, madje e dhimbshme deri në palcën kockore, edhe për 7 fshatrat gollobordase të shkëputura padrejtësisht nga trungu etnik amë dhe dhënë shtet-fqinjit kufitar nga Traktatet famëkëqia të Fuqive të Mëdha në harkun kohor 1913-1923. Pra, e përsëris, janë 7 fshatrat qysh nga Zhepishti e Otishani e deri në Jabllanicë në prag e në dorë të Llabunishtit vendlindjes të së ndjerës nënës sonë Nurie Murad Asanovska.
Së katërti, qartësisht dukshëm po edhe tërthorazi, libri voluminoz prej 1175 fq. na ka sjellë vlera të mirëfillta e të vërteta pa asnjë ekuivok dokumentaro-kronikore; gjë që motivon edhe njëherë aftësitë e përveçme origjinale të autorit A. Ademi; sepse trevën e Dibrës famëmadhe ndër shekuj e ka përshkruar me zell, pasion e humanizëm të thekur qysh nga Lan-Lura liriko-trimërore e deri në skajin fundor të trinomit burrëror gollobordas Sebisht-Borovë-Zabzun; Fushë-Studën e Llangë, pa asnjë fije hatërmbetjeje ndërkrahinore. Kjo natyrshëm është risi më vete etj. etj.
Së fundi, vetë titulli i goditur, kuptimplotë e domethënës i librit, duke na epitetuar Të Shquar secilin/ën personazh dhe veçmas personalitetet me peshë kombëtare, nuk është elozh apo lavdërim. Përkundrazi. Objektivisht, subjektivisht e krenarisht të të 250-ve profile prej nesh, autori i mprehtë e inteligjent A. Ademi, na apelon, na sedërson në shkallën më kulmore që: domosdoshmërisht dhe me patjetër, si i thonë, përvojat cilësore dhe vlerat tona t'ia përcjellim dita-ditës brezit të ri për ta çuar emrin e Dibranit në lartësinë e Korabit!









Comments