top of page

HASAN SASAJ...


HASAN SASAJ, NJË NGA NACIONALISTËT

E SHQUAR TË BREGUT TË DETIT.


Nga Ideal Serjani


Hasan Sasaj lindi më 1886, në fshatin Sasaj të rrethit të Sarandës, që bën pjesë në Bregdetin e Poshtëm të rrethit të Sarandës.

Si mbiemër ka përdorur emrin e fshatit, si shumë njerëz të dëgjuar në atë kohë. Kjo ishte një karakteristikë e nacionalistëve. Ka përdorur edhe emrin e babait, Dautit, emrin Hilmi (që në turqisht do të thotë: i mësuar).

Mbiemri i fisit është Ahmati. Nga i ati, Dauti dhe nga e ëma Havaja, u pajis me një edukatë të shëndoshë. I ati, Dauti, punonte nëpunës dogane në Mitilini, ishull i Greqisë, afër Turqisë. Dauti e mori të birin dhe e futi në shkollë. Mbaroi gjimnazin, ku mori njohuri të shëndosha për kohën. Gjimnazi ishte dygjuhësh turqisht-greqisht. Më pas përvetësoi edhe italishten. Me mbarimin e shkollës filloi dhe ky punë në dogana.

Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare në Vlorë më 1912, abandonoi detyrën dhe u kthye në Vlorë, pranë Qeverisë së Ismail Qemalit, po në të njëjtin sektor. Me rënien e qeverisë së Vlorës dhe fillimin e Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u bë shesh lufte për ushtritë e huaja. Jugu i Shqipërisë u përfshi nga flakët e shovinizmit grek. Fshati u shpërngul totalisht për në fshatrat e Vlorës. Në këtë kohë Hasan Sasaj, ndodhej krahinar (kryetar komune) në Zadrimë. Gjatë kohës që ndenji këtu, u njoh dhe krijoi miqësi me At Gjergj Fishtën.

Është për t’u shënuar se gjatë kohës që ishte në Mitilinë, kur kishte ngjarje të mëdha, vinte në Shqipëri.

Kështu, nëpërmjet Lesko Raçës nga Palavlia e Delvinës u njoh me Bajo e Çerçiz Topullin, Nazif Hadërin, Sulejman Delvinën, Namik Delvinën, Nimet Abazin e të tjerë. Po kështu ka marrë pjesë në një mbledhje në Gurrë të Vergoit, në vitin 1911, ku krerët u betuan se do të ngrinin popullin e do të luftonin për flamur dhe indipendencë.

Më 1913 – 1914 ka luftuar me armë në dorë kundër andartëve grekë, në Kuç të Vlorës, së bashku me bashkëfshatarin, Asllan Çeli. Më 1916 mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, nga i cili doli qeveria e përkohshme e Aqif Pashë Elbasanit (Biçakut). Nga kjo qeveri emërohet krahinar në Libofshë, ku vazhdoi deri më 1924. Në vitin 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës. Gjithashtu, në qeshor të vitit 1920, mori pjesë në Luftën e Vlorës, me armë në dorë.

Pati një veprimtari shumë të gjerë. Përveç Zadrimës, shërbeu edhe në Mesaplik të Vlorës, në Bubullimë të Lushnjës etj. Por veprimtarinë më të gjerë e kreu në Libofshë për afro 8 vjet. Libofsha kishte një degë të fuqishme të shoqërisë “Bashkimi”. Hasani kishte një miqësi të thellë me Avni Rustemin.

Disa miq të afërm të tij kanë pohuar se personi që do të vriste Esat Toptanin, është caktuar me short dhe një nga ata që janë caktuar se kujt do t’i binte shorti, ka qenë edhe Hasan Sasaj.

Kriza politike e viteve 1920 – 1924, tensionet e larta midis rrymave demokratike e antidemokratike, rrezikuan seriozisht jetën e popullit, të ardhmen e tij dhe indipendencën. Kulmi i revoltës arriti me vrasjen e Avni Rustemit, vrasje e cila u bë pretekst për shpërthimin e Revolucionit të Qershorit 1924.

Ja se ç’shkruante gazeta “Politika”, që dilte në Vlorë, nën drejtimin e Halim Xhelos, e datës 17 prill 1924, pikërisht katër ditë para vrasjes së Avni Rustemit, për figurën e Hasan Sasajt.

Në një kronikë me titull “Koha e rebelëve, Një tjetër...! thuhet tekstualisht:

“Z. Hasan Sasaj, një patriot, një nga ushtarët e Kongresit të Lushnjës, më parë ndodhej si krahinor në Libofshë dhe, ca kohë më parë, shpërngulet për në Mesaplik... dhe z. Hasan u pushua nga puna, se në Libofshë u dërgua një shërbëtor i Qemal Vrionit, një farë Llukan Panajoti, i cili ka qënë krahinor në Jergucat, ku nga shkaku i vjedhjeve zyrtare që kishte bërë, ish hequr me kohë dhe ish dërguar në gjyq.

Pra, po ta gjykojmë punën më gjakftohtë, kuptojmë që për t’u pushuar nga puna duhet të jesh i ndershëm, patriot dhe të paktën të kesh marrë pjesë në ndonjë lëvizje kombëtare dhe për t’u emëruar, duhet të jesh shërbëtor i bejlerëve, antipatriot dhe të paktën të kesh marrë pjesë në një lëvizje antikombëtare”.

Në Libofshë Hasani u njoh dhe bashkëpunoi me patriotë vendas, por kishte marrëdhënie të mira dhe me klerikët e Manastirit të Ardenicës. Në një monografi me titull “Dita nuk është larg” shkruar nga Naun Kule, kushtuar Naun Doko (Prifti), ndërmjet të tjerash flitet edhe për Hasan Sasajn.

“Mes burrave që vinin nga rruga, dallohej trupi i gjatë i Naunit me uniformën e “Bashkimit”: qillota e xhaketë të zezë, gërmën “B” në të majtë, takijen e bardhë në kokë dhe kërrabën e dhënarit në dorë. Në krah kishte krahinarin e Libofshës, Hasan Sasaj, mikun e tij, i cili ndonëse mbante njëfarë pozite shtetërore, ishte i pakursyer e guximtar, në ndihmën që u jepte djemve dhe veprimeve të tyre demokratike. Jepnin e merrnin në bisedë me Ikonom Dhimën, Tun Gjergjin, Zoin, Trifonin, Gorin, Uanin e të tjerë vendas, që i kishin futur në mes dhe u ngadalësonin ecjen me pyetje të shumta”.

Në kapitullin “Bina e re, qereste e vjetër” të po këtij libri bëhet fjalë për ndarjen e tokës. Tashmë është vendosur qeveria e Fan Nolit dhe duhej bërë reforma agrare. Qe vjeshtë e vitit 1924. Fshatarëve u duhet një organizëm, një komitet, ku të kërkojnë të drejtën për tokë. Ja seç thuhet tekstualisht:

“Qëllimi ishte, që bujqve t’u ngroheshin krahët, t’u rritej trimëria për të kundërshtuar bejlerët. Po hynte vjeshta. Qe kohë lëmi dhe grazhdarët prisnin bereqetin... Në kulmin e entuziazmit të njëmijë e ca fshatarëve që mbushnin çairen, tek Lisi i Gegëve në Vanar, pas fjalimit që mbajti Nauni, propozoi anëtarë për një komitet. Çdo emër që thërriste pasohej nga brohoritje. Të gjithë ata ishin të njohur për luftë kundër bejlerëve dhe shokë e bashkëluftëtarë të Naunit. Komiteti vendosi për kryetar patriotin Hasan Sasaj, nënkryetar e sekretar Jorgji Dhamon, anëtarë Zoi Ndrekon, Tun Gjergjin e Anastas Laskën (ky i fundit “Mësues i Popullit” – I.S.). Kryetari u zotua në emër të Komitetit, se do të luftonte me të gjitha mënyrat e forcat që t’i mbronte bujqit. Pas thirrjeve “Poshtë bejlerët, rroftë opinga” fshatarët kënduan e hodhën valle deri në të errur...” (faqe 185, cituar sipas gazetës “Drapër e Çekan” Fier 8.12.1979).

Mirëpo për shkaqet që dihen qeveria e Fan Nolit nuk e pati jetën të gjatë. Fanolistët pas rënies do të goditeshin nga një valë e fuqishme.

Në muzeun historik të Fierit ndodhen dy telegramet e mëposhtme:

Muzeu historik Fier

Fotokopje, poza 492/74

TELEGRAM

Krahinës Libofshë

Meqënëse qendra e kësaj krahinari do të bëhet front lufte, duhet pra të bashkoi me fuqi këtu e të shkoni në Fier.

Ministri i Luftës

Nënkolonel Kasemi (Qafëzezi) d.v.


Nga ana e tij krahinari i Libofshës, në mbështetje të telegramit të mësipërm, njofton nënprefekturën:


TELEGRAM NR.417, TEPËR URGJENT

Libofshë, 25.12.1924

Nënprefekturës së Lushnjës

Ministri i luftës tash më urdhëron të largohem që këtej medoemos. Stop.aparatin e telefonit e mori. Stop.

Krahinari i Libofshës

Hasan Hilmi (Sasaj)


Pas kësaj periudhe Hasani kthehet në fshatin e lindjes në Sasaj. Me ndihmën e shokëve e të miqve zinte ndonjë punë, por pa kaluar muaji pushohej nga puna si antizogist. Por Zogu i premtoi përsëri postin e krahinarit, pavarësisht se ai nuk e pranoi punën e re.

Në një nga votimet e zhvilluara në vitet ’30, ishte zgjedhës i dytë. Pushtimin fashist e priti me urrejtje, por më e tmerrshmja ka qenë periudha e luftës italo – greke, 28 tetor 1940 deri në prill të vitit 1941.

Në fshatin Sasaj në disa shtëpi u vendosën oficerë dhe ushtarë grekë, si në shtëpinë e Remzi Serjanit, të Shefqet Basharit, Hasan Sasajt etj.

Oficerët dhe ushtarët u sollën shumë keq me popullin. Në një raport të Prefekturës së Gjirokastrës dërguar Këshillit të Ministrave, më 7 maj 1941, thuhej: “Gjithë automjetet, vetura e qerre, i kanë marrë ushtria greke. Përgjithësisht atje ku kanë qënë vullnetarë e milicë, i kanë marrë dhe fati i tyre nuk dihet, shumë persona i kanë vrarë. Ka me mijëra familje që janë pa banim, pa plaçkë, pa të holla, pa bagëti e pa një grimë buke... “

Më poshtë raporti i Prefekturës pohon: “Grekët në përgjithësi, janë sjellë shumë keq dhe atje ku thuhet se asht respektue Nderi, nuk është e vërtetë, pse grekërit banimin privat nuk e kanë respektue dhe në familje brenda kanë shti ushtarët e tue qëndrue kështu nderi nuk asht respektue...”

Në këtë kohë Kryqi i Kuq Amerikan akordon një ndihmë prej dy milionë dhrahmi dhe këto ishin në dispozicion të një komisioni që kryesonte Dhespoti për të ndihmue të dëmtuarit nga bombardimi, në Gjirokastër, Delvinë, Përmet, Porto-Eda (Saranda), Himarë. Duket se një pjesë orthodoksësh u ka dhënë Dhespoti dhe askujt prej myslimanëve...” (AQSH, Fondi 249, V.1941, D. I., 1168, f.4,5,6,7). Në fshatin Sasaj grekët torturuan të ëmën e Hasanit, Havanë, duke i hedhur vaj të nxehtë në vesh, kurse Nure Qejvanin e therën me thika.

Hasani urrente si grekët ashtu edhe italianët. Duke folur një greqishte të pastër, në bisedë me gjeneralin grek, Hasani i shpreh pakënaqësinë duke i thënë: “Nuk kam parë e dëgjuar deri më sot që dy shtete të bëjnë luftë në një shtet të tretë. Prandaj shkoni luftoni në vendet tuaja, ç’kusur ka Shqipëria!” – Do ta thuash më këtë fjalë? – ia ktheu gjenerali grek. – E kam thënë, e thom dhe do ta thom, - iu përgjigj i vendosur Hasani.

Për këtë Hasani internohet në Athinë dhe futet në burg. Me ndihmën e disa miqve arratiset nga burgu dhe mik pas miku arriti të takojë edhe një familje bunecjare të fshatit Bunec, të cilat ikën dhe e lanë vendin nga një epidemi e kolerës. Dhe kështu në maj 1941, arriti në fshat.

Gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, megjithëse i moshuar përkrahu luftën si luftë antifashiste, për një Shqipëri të lirë e demokratike. Gjatë viteve 1942-1944 bëri pjesë në këshillin nacionalçlirimtar të fshatit, si anëtar dhe kryetar.

Pas çlirimit me goditjet që mori nacionalizmi, Hasani u mbyll në vetvete. Shkak qe edhe mosha, por edhe humbja që pësoi në Operacionin e Qershorit ku iu vra djali i vetëm, Namiku, duke i lënë vajzën jetime. Në këto kondita, xha Hasani, i drejtohet Enver Hoxhës, me një letër që mban datën 21.03.1959.

Po japim tekstin e plotë të letrës:


“Sh. Enver!

I shtytur nga rrethanat që më poshtë do t’ua parashtroj, vendosa t’ju preokupoj edhe pak minuta, që ndërmjet punërave të rëndësishme që ke, të hedhësh një vështrim, sado të vogël, edhe për punën time. Jam nga katundi Sasaj i rrethit të Sarandës, i quajturi Hasan Daut Ahmati, vjeç 73. Kam gruan, dy vajza dhe vajzën e djalit, i cili m’u vra nga gjermanët në operacionin e qershorit 1944. Nën okupacionin turk kam studiuar në Mitilinë të Greqisë, ku kam mbaruar gjimnazin turk dhe mbas kësaj kohe, kam qënë i emëruar si nëpunës dogane, më vonë krahinar, ndërsa në fitin 1912, kur u ngrit flamuri në Vlorë, abandonova detyrën dhe kalova e qëndrova në gjirin e udhëheqjes së Qeverisë Provizore, pranë Ismail Qemalit dhe me t’u larguar grekët nga krahina jonë, erdha në vendlindje (Sasaj).

Në vitin 1916, kur u krijua Qeveria Provizore Shqiptare, me në krye Aqif Pashë Elbasanin (Biçakun), u emërova krahinar në Libofshë të rrethit të Lushnjës, ku edhe unë kam dhënë kontributin tim patriotik në drejtime të ndryshme, në vazhdim deri më 1924. Kam marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës. Mbas Kongresit dhe me cilësinë time zyrtare kam qenë një nga demokratët kryesorë të politikës së Fan Nolit dhe si fanolist, në vitin 1924, që kryengritja e Zogut triumfoi, u pushova nga detyra...

Nga viti 1924 dhe më vonë, me ndërmjetësinë e shokëve të mi, që më njihnin mirë, emërohesha në punë shtetërore nga autoritetet lokale, porse pa mbushur muajin pushohesha vazhdimisht, nga biografia ime antizogiste... Qysh prej fillimit të Luftës Nacionalçlirimtare, kam marrë pjesë aktive, kam qenë përgjegjës, nënpërgjegjës e anëtar i këshillit prej vitit 1942-1944, megjithëse me moshë të kaluar, porse kam qenë i patronditur në çdo drejtim që e lypte nevoja e Luftës Nacionalçlirimtare, nuk jam tronditur nga çdo rrethanë e armikut dhe nga ana tjetër kam mbajtur lart moralin e luftëtarëve tanë të fshatit, por edhe të shumë partizanëve që lufta i pruri në pragun e fshatit tonë. Në vitin 1944, në luftën që u bë në fshatin tonë, m’u vra djali im i vetëm, Namik Ahmati, shpresa ime e jetës dhe më la vajzën jetime. Pas Çlirimit kam marrë pjesë si nënpunës shteti në grumbullimin e Valanidhit, si më 1958 ashtu edhe më 1959. Në vitin 1957, kur u mblodh Konferenca e Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare, si i tillë dhe me ftesë të veçantë, kam marrë pjesë dhe unë. Po në vitin 1957, me krijimin e kooperativës bujqësore në fshatin tonë mora pjesë në të, nga të parët dhe dorëzova të gjithë pasuritë që kisha ku edhe sot jam anëtar i saj.


Shoku Enver!

Shkurtimisht ju parashtrova biografinë time dhe, si përfundim ju vë në dijeni se gruan time e kam të operuar dhe nuk është në gjendje pune, vajzat që të tria në moshë të vogël që nuk sigurojnë dot jetesën e tyre, kështu që unë duke u ndodhur para këtyre rrethanave të vështira, për jetën time, sepse jam plak 73 – vjeçar dhe s’më ka mbetur asnjë pikë fuqi fizike, detyrohem t’i bëj apel ndërgjegjes suaj dhe të ndërhyni për të më caktuar një pension patriotik, që të mund të jetoj ndër këta pak vjet që më ngelen”.

Këtu përfundon letra e këtij nacionalisti sa i thjeshtë, i dërrmuar, aq edhe modest, që gjithë jetën e tij nuk pushoi së punuari e së luftuari për çështjen kombëtare. Mirëpo askush nuk ia vari Hasanit. Nderin më të madh ia bëri kooperativa bujqësore, e cila e caktoi roje në bostanin e kooperativës, poshtë fabrikës së vajit me dhjetë ditë pune në muaj!! I dëshpëruar, me zemër të copëtuar, pa përkrahje u sëmur dhe vdiq në spitalin e Sarandës më 8 prill 1964. Duke qënë një nacionalist i papajtueshëm me çdo antishqiptar, duke qënë një demokrat i formuar dhe me bagazh teorik e praktik, xha Hasani do të mbetet një shembull dinjitoz, për fshatin e lindjes, krahinën, kombin shqiptar, në altarin e shenjtë të shqiptarizmës.

160 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page