HARTAT ME NGJYRA I VLERËSON VETËM PËRMBAJTJA


Fahri Dahri

Analistët duhet të bëjnë analiza me llogjikë. Kur analizat bëhen për rastet që pasqyrojnë vullnetet e politikave të partive, kërkohet të jenë tepër korrekte. Analizat të përqëndrohen rigorozisht në subjektin përkatës, në rastin të zgjedhjjeve politike. Në asnjë rast të mos kapërcejnë duke tjetërsuar problemin nga politikat partiake në përpjekje për të përçarë dhe krijuar ndasi mes vëllazërisë shqiptare. Hartat dy ngjyrëshe, nuk i përkasin zgjedhësve dhe zgjedhjeve, edhe më të turpshme, për të mos thënë të neveritshme, ato bëhen kur komentohen nga disa "dijetarë" të pa përgjegjshëm. Hartat me ngjyra sipas pozicioneve gjeografike, jug, veri, lindje dhe perëndim, gjithnjë në kendvështrimin tim, mund të shprehin gjithçka, veç një gjë nuk mund ta shprehin, pikërisht qëllimin dashakeq të ndarjes së vendit dhe krahinave sipas ngjyrave partiake. Jo se ngjyrat kanë aftësi kundërvënie mes tyre, por sepse subjektet që kanë "rrëmbyer" disa ngjyra përpiqen që me anë të ngjyrave të krijojnë diferencime artificiale brenda banorëve të krahinave të të njëjtit komb. Dihet

se të gjitha pozicionet gjeografike janë vende ndodhjeje dhe nuk shërbejnë aspak në përcaktimin e përkatësisë politike.Votat që janë hedhur nga zgjedhësit, nuk tregojnë aspak ndarje veri-jug, sepse votat janë prezent, me të gjitha ngjyrat në çdo qendër votimi, në të gjithë vendin. Kjo duhet të kuptohet nga të gjithë lloj shkruesit, folësit me shkrim, këndim dhe fotografim. Ndryshe, dmth të trajtohen votat sipas orekseve partiake duke krijuar alibi për të përçarë banorët mes krahinave, nuk bëhet gjë tjetër veçse vihet në zbatim praktika e njohur armiqësore mijëravjeçare ndaj kombit tonë "përça dhe sundo".

Me keqardhje lexojmë dhe dëgjojmë, në shumicën e mediave pasqyrimin me endje të hartës së vendit me dy ngjyra, të shoqëruar në komente se qeveritë tek ne veprokan me dallime dhe diferencime preferenciale ndaj krahinave, në përputhje me përkatësinë e ngjyrës votafituese. Ithtarët e "çpikjes" së hartave dy apo më shumë ngjyrave, dëmtojnë vetveten. Ata mioposen nga vetë fakti se në asnjë qendër votimi nuk ndodh që të jenë votues 100 % të së njëjtës ngjyrë, por votues të disa ngjyrave. Si rrjedhojë çdo qeveri, sado "katile" të jetë nuk e merr dot kurajon që të "sakrifikojë" duke djegur barin e njomë bashkë me barin e thatë. Është e pranueshme dhe e drejtë se ngjyrat përdoren nga partitë, por me mbarimin e zgjedhjeve dhe formimin e qeverisë, qeveria dhe shteti në tërësi, detyrohen të veprojnë dhe të shërbejnë njëlloj për të gjithë shoqërisë, e cila mbulohet vetëm me ngjyrën e Flamurit, bazuar detyrimisht në Kushtetutë dhe në aktet ligjore të Republikës dhe në ligjet Ndërkombëtare.


Më duhet të sjell një rast si shembull për të vërtetuar se votat nuk mund t'i ndajnë banorët sipas pozicioneve gjeografike. Një shembull i vërtetë për një familje prej 8 vetash me të drejtë vote. Në zgjedhjet e datës 25 prill 2021, tre pjestarë të kësaj familjeje votuan majtas dhe pesë pjestarë votuan djathtas. Në këtë rast është e kuptueshme se nuk mundet që kjo familje, në kulmin e shtëpisë të ketë hartë një ngjyrëshe, në kushtin që çdo kulm ka vend për të vendosur vetëm një hartë. Këto dy qendrime të kësaj familjeje, nuk ndikuan në "përçarjen" e familjes. Mbetën po ata që ishin, prindër dhe bijë e bija. Nuk mbajnë mëri, as zemërim, përkundrazi i njohën zgjedhjet dhe ecin krah përkrah drejt së ardhmes më të mirë si të familjes dhe shoqërisë në tërësi.

Së fundi, nëse partitë tona (që janë familja jonë) dëshirojnë seriozisht që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, ti lënë sedrat, egot dhe të tregojnë realisht qendrimin demokratik. Kështu, sigurohet shpejt në kohë, hapja e negociatave, ndryshe humbim shansin, siç ndodhi kur pozita e sotçme ishte opozitë, në rastin e miratimit të tre ligjeve të shumë përfolura, në vitin 2013.

Besoj se duhet të kuptohet nga të gjithë se çdo e mirë që i ndodh Shqipërisë, është pa diskutim e mirë edhe për të gjitha partitë, të djathta dhe të majta.

Të gjitha sa sipër dihen dhe njihen nga të gjithë, por kjo trajtesë synon të ndikojë sadopak në frenimet e ecurive egoiste, apo euforive, mbasi si njëra palë dhe tjetra kanë shumë detyrime për të bërë, të cilat duhej të ishin bërë.

Kështu duhet të ecet. Dhe jo ndryshe!.

Fahri Dahri, më 04/maj /2021


37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif