top of page

HALUÇINANTE


Noke Abilekaj

HALUÇINANTE

1. Jetoj në një botë sferike, sferë rruzulli, sferë hëna, sferë dielli, galaktika- rezervuar sferash.

Fjala, mendimi, dashuria, sferike.

2. Eci në rrugët e qyteteve, më shfaqen gjallesa sferike. Marrin rrokullimën nëpër trotuare dhe shtypin, dhe shtyjnë njëra – tjetrën. Vërsulen në rrugë para makinave duke u uluritur metaleve dhe gomave, edhe këto sferike.

Ndjekin me kokëfortësi sfere trajektoren e nisur, kështu provokojnë mijëra përplasje, pështjellime trajektoresh, djegie meteorësh jetësorë. veçse përgjegjësia është prej sfere:

Unë nuk fajoj, jam sferë, s’kam sy e vesh, s’kam duar e këmbë, s’kam as organe qejfi, lëri të tjerat. Fundjafundit, tek më do qejfi i kam të gjitha. ç’përgjegjësi kërkon nga unë? Kupton?

Ti s’kuptoke asgjë, qenke më shurdh, më qorr, më memec qenke tamam sferë. O zot, kujt t’i flasësh?! Kujt t’i varësh fajin në këtë botë sferash rrokullimëmbartëse? Mua?! Kurrë, gozhdë të tillë s’do të kem. Jam sferë e origjinës.

3. Rrokubares rrugëve të qyteteve, dëgjoj tinguj mavi, më nervozojnë zhurmat murrashe, zëri i verdhë i mikut përbri më vjen i rrumbullakët. Nuk marrë vesh çfarë thotë, tund kokën dhe i them: Po. Ai nuk e sheh fare kokën time. E si ta shohë? Koka ime është thellë në qendrën time. Pa e parë fare kokën time që pohon, pa e dëgjuar fare zërin tim rozë, mbetet i kënaqur, mbetet i kënaqur që të ma hedh mua, të them unë: Miku më dëgjoi, domethënë më përfilli. Ehe, ç’rrokudallkauk sferik! Unë sapo ia loza atë lojë, kur sikur e dëgjova bëra.

3/1 Le të kërkojë të vërtetën, e vërteta është thellë në zgavrën time, dhe ata që duhet të gjejnë të vërtetën janë diku, në rrokullimën e tyre pa ngjyrë.

Çfarë meriton dyfytyrshi? Rrokullisem pesë centimetra kub majas, marrë kthesë një tonëshe, bëj sikur do të mbahem dhe e vërvis nën gomat sferike atë, që s’e njeh vlerën time prej sfere.

Kush do zbulojë fajin tim? Di sfera nga rrokulliset?!

4. Si të gjithë në botën e sferave Edhe unë shaj e shahem, godit dhe goditem, rrah e rrihem. Jam sferë, shtatëqind breza sferë; ç’më duhet mua se ç’bëj unë? S’ju duhet ç’thonë e ç’bëjnë as sferave të tjera. Ky rregull na mban tok sfera e mbisfera.

E përse të ketë faj e fajtor në një botë sferash, ku dhe drejtësia sferike është dhe s’i duhet drejtësisë ç’thotë e ç’bën drejtësia.

Themi që pata faj, kush e pa? Rreth nesh kishte vetëm sfera; ato i drejtojnë sytë nga qendra e tyre, kuptohet, nga bytha e tyre, se atje i kemi të gjitha ne sferat; edhe sytë, edhe turinjtë, edhe bythën; në qendër. Prandaj e shtyjmë ca vjet jetën.

O Zot, po të mos i kishim në qendër. Ne do të ishim të gjithë sakat, ne do të ishim të gjithë një ngjyrë, të gjithëve do na sterronte drita, do të na dukej njolla; njolla që mbetet pas vaktit, njolla që lë përleshja e gjinive, njolla që na spiunon fajin.

Merita e botës sonë sferike; ekzistenca e qendrës në honin tonë, atje ku konservojmë njollat deri në kalbjen që na sulmon.

5. Kozmos sferik; Gjithçka e kruspullosur në qendër, thellë e ngjeshur në qendër. Ti s’sheh të miat, unë s’shoh të tuat. Kështu të dy dalim në rrugë të kaltër, të lëmuar si sferë, barknxirë si sferë. S’mund të ketë faj, as fajtor, kur dhe drejtësia sferike është, e nuk i duhet ç’thotë e ç’bën.

6. Në këto sfero-çoro-goditje, si gjithë sferat u godita dhe unë, prapa kokës u godita. Shkova pak ditë në botën e të ikurve, ku gjithçka më qartë dukej; gjallesat njerëzore ishin, lule falnin njëra-tjetrës, jeta ish e përjetshme, prandaj e harruar grykësia, një gotë liri me dhjetëra tonë ar nuk ndërrohej. Gjymtyrët, veshët, brirët në dritë të madhe ishin, xixëllonin. Dhe askujt s’i shaheshin, s’i thyheshin, as i goditeshin.

Paqja rridhte nga shpirtrat.

Më lutën andej të qëndroja, pendimin në gojë më zunë, veç unë u ktheva këtej përsëri; sferë jam, thashë, për një atom ar, shes njëmijë kilogramë liri. Dhe ligj mund të ketë, të tillë grykësi ta vuaj një mijë jetë.

6/1 U ktheva në botën me diell e hënë rrumbullake, me llamba rrumbullake në rrugë, që zbardhin skenën për mua, zbardhin skenën për ty, por ne e shohim dhe nuk e shohim njëri-tjetrin, luajmë rolin tonë në pafundësi.

Ç’duhen këta diej, këto hënëza e drita? Secili jeton në thellësi; mendimin, ndjenjën, fytyrën i fsheh në gropën e tij. Atje drita, edhe hëna, edhe dielli shuhen. Barku sferik i përpin, i nxin.

7. Me një oqean lakmie në shpellë të kokës, rroku, rroku, rrokubares, shkel rrugën e shkurtër, i vij rrotull tokës; fyej, vras, thyej eshtra sferike. Nuk pendohem. Kur kthehem dhjetë hektarë lavdi e pesë metër nder sjell.

Jam sferik, as më pak, as më shumë; Nuk më duhet mua ç’them e ç’bëj unë.

8. Nëpër një pemë ngjyrë trëndafili, rroku – rroku si përherë, deri në ullukët e qiellit zhytem. Gërvishem atje në shumë lloje ngjyrash, të kaltrën kërkoj, të kaltrën s’e gjej. Të kaltrën s’e gjej sepse unë nuk e di ç’është e kaltër për mua, ç’është e kaltër për tjetrin dhe për ty.

Qielli të kaltër nuk ka; mblidhni gjithë trupat gjyqësore, ftoni këshillin më të lartë të drejtësisë, qeveritë e parlamentet, përfundimi do dalë: O sfera, ngjyrën e kaltër qiellit ia kanë marrë, na lini pesë vjet, dhjetë vjet në pushtet, t’iu sjellim hajdutët të gjallë. Po nuk patë qiellin të kaltër, këtu na varni përjetë, me damkën e pushtetit në ballë!

Hi-hi, sferat këto mbroçkulla i qeshin, i përmjerrin dhe gjithë jetën i hanë.

9. Atje lart gjeta fronin e të madhit, e gjeta dhe i thashë dy fjalë: Dëgjomë mua sferën, ti fron, dëgjomë e shkruaj me radhë; sferik më qenke dhe ti, sferik do kesh dhe aganë, por përshëndete nga gjithë sferat, duan a s’duan të tjerat, s’trembem nga faji. Kaq lart sa u ngjita s’kanë ç’më bëjnë, trapi s’ua mban.

Përshëndete tët Zot dhe i thuaj; për Zot edhe ne e mbajmë, veçse është i pazoti, racionet mirë s’na i ndan.

Përshembull s’më trajton mirë mua që bëj vepra të mira, veç fjalën nis të tallë, ndërsa vetë ka thënë: Veprat besohen jo fjalët.

Kështu unë i mjeri ndes vetëm qirinj dhe s’shtyp të gjallët. Fqinji im i bën të dyja; qirinjtë i ndes të trashë e të gjatë, të gjallëve u bluan kokallat. Unë shkrihem për kafshatën, fqinji vështron lart e larg, blen makina luksoze, vjen në qiell me aeroplan, lutet para teje për mua, zbret poshtë, më shtrydh e më shan. I ndëshkuari prapë jam.

Kam të tjera e të tjera, veç tek të shoh që je rrumbullak, druhem pak; nuk ke vesh, as sy, as hundë, as gojë, as mendjen ku e var. Një pikë mbështetje s’e ke, si do zgjatësh dorën për ne?!

Froni-vuv u tund e u shkund, tha e ç’tha nuk e di, mora rrokullimën nëpër shpellat e qiellit, zbrita në shtëpi. U ula pranë rrokusferës sime, e mblodha në gji.

10. Se ne sferat biem mbi një femër, rrokullisemi sferë mbi sferë, bëjmë dashuri; të shtojmë racën tonë, të shtrohet me sfera toka, mbiuji dhe nënuji, të bëhemi shumë e shumë, miljarda mijë, pirgu i sfeave mbi qiej të arrijë. Të ngjishemi faqe më faqe, të të them unë, të më thuash dhe ti, me vrull drite rrokufjala të eci, të rrah gjithë veshët e botës, tetë herë në sekond tek nisja të vijë.

Ç’të thashë e ç’më the të ushqejë çdo sferë, nga vrima gojë në zorrën e trashë, tetë herë në sekond të ridalë jashtë, të ndyjë ç’nuk është ndyrë, ndyrësia të shijojë, të përhapet si vlerë.

Në këtë botë sferash, ku jam unë, e jemi të dy, na duhet që vlera të nginjet me ndyrësi.

Kështu, syri i lig pa na ngrënë, rrokubaresim në jetë të jetëve, dhe nesër bëhemi vërtet miljarda mijë RROKUMBRETËR dhe RROKUMBRETëRI.

Maj-qershor 2000

(10 poezi në një, botuar te “Gazeta e Athinës”, më qershor 2000 dhe përfshihet në përmbledhjen “Vjen fjala tjetër”, 2002

3 Comments


Poema “Haluçinante” është poema e tretë e librit “Vjen fjala tjetër”. Unë personalisht do të preferoja të ishte ajo që hapte librin (pra që prezanton fillimisht poetin me lexuesin), pasi më duket më dinamikja dhe modernia nga të tjerat, e kompletuar dhe që mund t’i qëndrojë kohës, apo lexuesit jashtë realitetit shqiptar (por e kuptojë që nga logjika e përmbajtjes përse është vënë kjo renditje dhe mund të them se vjen e suksesshme). Vargu e kuptimi i tij estetik dhe mendimtar gjendet në një lojë të përhershme me fjalët “sferë” dhe “rrokullisje” dhe devijime të tyre me fantazi lojcake që sjell një <<marrëveshje>> të poetit me shqipen e tij të lëmuar. “Rrokubares rrugëve të qyteteve/ dëgjoj tinguj mavi,/ më nervozojnë…

Like

mich.maska
May 18, 2021

HALUCINANTE, Nje poeme e mrekullueshme, teper e thjeshte, flosofike ku substancen jetesore e ben fije-fije , kat me kat te gratacielit te jetes shqiptare. Dhe jashtezakonishte e veshtire dhe e nderlikuar per idene dhe mesazhet qe percjell ne zberthimin dhe interpretimin e tyre. Obligimi dhe pergjegjesite artistike, te autorit duken qarte, nga varianti i pare gjer tani.

Konceptimi i "Njeriut Sfere" eshte nje gjetje origjinale, realiste dhe teper e besueshme per njeriun e kohes sone. Kaq, tani per tani. Me tej, Malet tane me te Larte, themi ne nga BERATI.

Urime te perzemerta Noke!, suksese te tjera.

Me respekt, Myslim Maska. Athine.

Like

Dhimiter Xhoga
Dhimiter Xhoga
May 18, 2021

Noke me ka mare malli COVID-i sme le te dl nga itikami. Faleminderit Ty qe te kemi Vigan,emrin shqiptar Vlonjat lart na mban. Ju prifte e mira e mira,ja tashti po i lexoj vargjet,kafen e mengjezit pire, Mes Torontos Torontos jam...mendien me Ju dhe ne ATDHE e kam. Guri Naimit D.. Ti e di.. kete 10 qershor- 85 vjetorin kam, festuar mes athines bashke sa e sa festa.. me lente COVIDI te kthehem ne atdhe-Te pakten,te me prehen eshterat atje,, Ju pacim e,MBRODHESI !

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page