top of page

Halil RAMA: U promovua monografia “Xhelal Marku, gazetari akademik me penë e kamera”




 

Libri i autorit Fran Lleshi, kushtuar njërit prej pionierëve të gazetarisë televizive


XHELAL MARKU -  gazetari me karrierë të shkëlqyer akademike dhe profesionale

Halil RAMA

„Mjeshtër i Madh“

 

•           Krijimtaria publicistike, mjaftë produktive e cilësore e Xhelal Markut ka qenë evidente edhe në vitet  1998 - 2010, kur ai ka punuar në mediat private të kryeqytetit, si në Televizionin Kombëtar “Arbëria”, në “Koha Televizion”, etj, ku dhe ka fituar një përvojë të re në fushën e gazetarisë, të regjisë e të kameras. Gjatë kësaj periudhe ai është vlerësuar edhe për tre dokumentarët për pyjet, realizuar sipas një projekti të Bankës Botërore, si dhe dokumentarët: “Mespërmes bjeshkëve të Tropojës” dhe “Shënime për Reçin”

 

Para pak ditësh, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkëncave në Tiranë, u promovua monografia “Xhelal Marku, gazetari akademik me penë e kamera”. Në 373 faqet e kësaj monografie lexuesi njihet me profilin e një intelektuali me karrierë të shkëlqyer akademike dhe profesionale.

Krahas etapave të shkollimit, autori i këtij libri, Fran Lleshi, e vlerëson Xhelal Markun, si pionierin e parë të gazetarisë televizive për Mirditën, Pukën dhe Matin në RTSH, i cili sillte për publikun emocionalitet, përmes punës së tij krijuese, me shumë art e shije artistike, përmes së cilës shpaloseshin arritjet, transformimet, mendimet kreative e shkencore, bota e pasur shpirtërore me epikën dhe poetikën e larmishme të asaj kohe.

Redaktori i librit, publicisti dhe shkrimtari i mirënjohur Albert Zholi, në parathënien e librit, ndër të tjera i kushton vëmendje historisë së vendlindjes së Xhelal Markut, krahinës së Reçit të Dibrës, një krahinë e njohur për tradita të shquara atdhetare, për trimëri e bujari, për besë e qëndresë të pamposhtur përballë pushtuesve, tradhtarëve dhe armiqve të vendit ndër shekuj.

Pjesë interesante e librit janë përshkrimi brilant i momenteve që kanë mbetur në kujtesën e gazetarit Xh.Marku. Po ashtu edhe shkrimet e kreut të IV “Promovim vlerash nga krijimtaria e gazetarit Xhelal Marku”.

 

VLERËSIME TË DISA PERSONALITETEVE AKADEMIKE E TË LETRAVE

 

Vlerat e këtij libri konsistojnë veçanërisht në kreun e V-të “Opinione për gazetarin Xhelal Marku”. Kështu nëse Zef N. Brozit, ish deputet dhe ish-kryetar i Gjykatës së Lartë, nënvizon faktin që “Personaliteti dhe veprimtaria profesionale e Xhelal Markut, është vlerësuar para viteve 1990 e deri më sot, me disa tituj, çmime, dekorata e çertifikata nga institucione shtetërore qëndrore e lokale dhe nga shoqata të ndryshme”, ish-kryetari i Bashkisë Rrëshen, Gjon Deda shprehet se: “...gazetari Xhelal Marku, mbrojtësi elegant i burimeve të informacionit, në punën e tij rezulton një temperament i qëndrueshëm, kompetent, etik dhe vizionar gjatë gjithë karrierës së tij, si në shërbim të mësimdhënies në shkollën e mesme Rrëshen, në shërbim të gazetarisë dhe reporterit në RTSH, ashtu edhe si specialist i turzimit në Ministrinë e Turzimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku mbylli karrierën e vetë”.

Kësisoj e plotësojnë profilin akademik e profesional të Xhelal Markut me opinionet e tyre edhe shkrimtari e kulturologu Ndue Dedaj, ish-shefi i Arsimit e Kulturës Mirditë Pjetër Doda, shkrimtari dhe poeti Gjovalin Ndoja, gazetari i RTSH Defrim Methasani – Mjeshtër i Madh, Aleksandër Ndoja – kryeredaktor i revistës “Mirdita”, si dhe disa personalitete tjera të publicistikës dhe letrave.

Kjo për faktin se, me një karrierë të shkëlqyer profesionale dhe akademike, si mësues, gazetar, studiues e publicist,  Xhelal Marku, padyshim që është një ndër zërat e spikatur të elitës dibrane në metropolin shqiptar.

Si pinjoll i një familje e fisi emërndritur nga Kraj Reçi i Dibrës, Ai, jo vetëm do ta ruante por edhe do ta pasuronte këtë emër, në të gjitha etapat e jetës së tij, si nxënës e student i shkëlëyer në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, nga fillorja e 8-vjeçarja në vendlindje, gjimnazi në Peshkopi e deri me studimet e larta në Universitetin e Tiranës, fakulteti Histori – Filologji, dega Gjuhë – Letërsi Shqipe, ku dhe është diplomuar me titullin: “Mësues i gjuhës dhe i letërsisë për shkollat e mesme”.

 

PERSONALITETI I TIJ, KUDO DHE NË ÇDO RRETHANË REFLEKTONTE VLERA

 

Në Dibër, e veçanërisht në Mirditë e Tiranë, ku kaloi pjesë të konsiderueshme të jetës Xhelal Marku njihet si një nga korifejtë e vërtetë të publicistikës, kulturës dhe arsimit kombëtar. Personaliteti i tij, kudo dhe në çdo rrethanë reflektonte vlera, për të cilat ishte e etur shoqëria jonë. Bashkëkohësit e mbajnë mend që në vitet 1973-1974 kur si mësues i Letërsisë në Gjimnazin “Bardhok Biba” të qytetit të Rrëshenit, qe një njeri me nivel të lartë në të gjitha dijet, një filozof dhe psikolog, mësues dhe edukator shembullor, që gjithkujt i duhet në ditë të vështira.

Më pas, në harkun kohor të më shumë se dy dekadave (1974-1998) Xhelal Marku do të bënte emër si një nga gazetarët më të mirë të  Radiotelevizionit Shqiptar për rrethet e zonës verilindore: Mirditë, Pukë, Lezhë, Mat, Kurbin e Krujë.  Autoritete dhe njerëz të thjeshtë të këtyre rretheve si dhe drejtuesit e institucionit do ta vlerësonin atë si personalitetin që kudo dhe në çdo rrethanë reflektonte vlera. Si i tillë do të merrte vlerësimet maksimale dhe të titullohej “Gazetar i Kategorisë së Parë” e më pas, në vitin 1988, të dekorohej me urdhërin: “Naim Frashëri”, për pasqyrim dinjitoz e me profesionalizëm të veprimtarive në rrethet përkatëse.

Pikërisht, mbështetur në këtë CV kaq të pasur, para dy viteve ai mori titullin  “AKADEMIK”, akorduar nga Bordi i Akademisë Shqiptaro-amerikane të Shkencave dhe Artit, Nju Jurk. Në ceremoninë mbresëlënëse që u organizua me këtë rast në sallën  “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë, personalitete të publicistikës, artit, kulturës e shkencës, intelektualë më në zë, jo vetëm të Dibrës e Mirditës, por nga i gjithë vendi e vlerësuan Xhelal Markun si një dishepull të dijes dhe simbol të filozofisë dibrane.

Vlerësime të tilla ka marrë Ai edhe kur është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” nga vendlindja e tij, ish Komuna Reç e Dibrës, si dhe me çertifikatën “Mirënjohje” nga Bashkia Peshkopi, ndërsa në vitin 2017, ka marrë titullin e lartë “NDERI I QARKUT DIBËR”, ku përfshihen katër bashki, një titull rajonal ky, me të cilin, për herë të parë vlerësohet një gazetar i Medias Shqiptare.

 

ZË I SPIKATUR NË HISTORIKUN E RTSH

 

Xhelal Marku ka hyrë me dinjtet edhe në analet e historisë së Radiotelevizionit Publik Shqiptar, duke u përfshirë më 2012 në vëllimin e dytë të historikut të këtij institucioni të rëndësishëm mediatik kombëtar të vendit, si një nga 16 figurat më të përzgjedhura të tij.

Kjo ngjitje në shkallaren e karrierës së tij, padyshim që vjen pas evidentimit të vlerave si publicist, e veçanërisht të kohës kur punoi si ish - korrespondent i RTSH-së për Mirditën. Ndaj dhe Bashkia Rrëshen dhe Pallati i Kulturës i këtij qyteti, në vitin 2008, organizuan veprimtarinë: “Mirdita përgjatë tre dekadave në fokusin e gazetarit - Xhelal Marku”, ku ai u nderua me çertifikatën“Mirënjohje” nga Bashkia Rrëshen.

Profesionalizmin e lartë si publicist ai e ka shfaqur edhe si bashkëpunëtor i rregullt e korrekt i medias së shkruar, duke sjellë për lexuesit shkrime problematike e me interes për publikun, si: reportazhe, komente e analiza politike, ku përmendim, komentin politik: “Etika dhe morali…”, si dhe reportazhin “Shënime për Reçin” etj, që u vlerësua me çmim të parë në konkursin “Krijimtaria dibrane 2007”, si dhe mjaft portrete e skica për figura të njohura të krahinave të Mirditës e të Dibrës.




Krijimtaria publicistike, mjaftë produktive e cilësore e Xhelal Markut ka qenë evidente edhe në vitet  1998 - 2010, kur ai ka punuar në mediat private të kryeqytetit, si në Televizionin Kombëtar “Arbëria”, në “Koha Televizion”, etj, ku dhe ka fituar një përvojë të re në fushën e gazetarisë, të regjisë e të kameras. Gjatë kësaj periudhe ai është vlerësuar edhe për tre dokumentarët për pyjet, realizuar sipas një projekti të Bankës Botërore, si dhe dokumentarët: “Mespërmes bjeshkëve të Tropojës” dhe “Shënime për Reçin”. 

Xhelal Marku punoi për tri vite (2010-2013) edhe si specialist i lartë në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun, në Agjensinë Kombëtare të Turizmit (AKT), pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS), sot Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit (MTM). Edhe në këtë institucion ai u dallua për përkushtimin maksimal, profesionalizmin e lartë dhe vizionin bashkohor.  Madje, si rezultat i një pune të përkushtuar studimore, arriti të përgatisë dhe botojë librin e parë kombëtar për Turizmin, me titull: “TURIZMI SHQIPTAR”, që u promovua me shumë sukses në kuadrin e veprimtarive kushtuar 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një libër i plotë, gjithpërfshirës dhe me informacionet më të reja e të kompletuara për turistët vendas e të huaj.

Ndër projektet e tjera të punës së tij krijuese, janë edhe përgatitja për botim e një libri me përmbledhje nga krijimtaria e tij publicistike në vite, përgatitja për botim e një libri të ri me portrete, skica e monografi kushtuar figurave më të njohura të Mirditës e të Dibrës, si dhe libri “Reportazhe dhe intervista”.

Talentin, zgjuasinë dhe fisnikërinë e tij, Xhelal Marku i ka shfaqur edhe në jetën shoqërore. Në takime promovuese, në raste dasmash e gëzimesh të tjera familjare, jo vetëm në Dibër e Mirditë, por edhe këtu në metropolin shqiptar ai do të merrte rolin e drejtuesit e të organizuesit të talentuar. Gjithnjë në koherencë me realitetin objektiv, Ai do të evidentohej si njeriu që i zinte vend fjala dhe i kishte dukë puna.

Në një vështrim kompleks të personalitetit të tij, (ngaqë e kam njohur nga afër) do të veçoja, tri konstatime përcaktuese për dimensionin njerëzor e shoqëror të Xhelal Markut.

Konstatimi i parë lidhet me vetëdijen e tij kombëtare.

Konstatimi i dytë është se ai ishte dhe mbeti idealist në raport me të vërtetën. Parë nga një vështrim analitik, Ai asnjëherë nuk bënte dhe nuk bën lëshime në të vërtetën dhe kurrësesi nuk lejonte dhe nuk lejon devijimin nga e vërteta.

Konstatimi i tretë, ka të bëjë me faktin e pakundërshtueshëm se Xhelal Marku, ashtu si edhe dhjetra bashkëkohës të kohës së monizmit, në vitet e mëvonshme u shdrrua në pikë referimi për bashkëbiseduesit në takime të ngushta e publike.

Si rrjedhojë e cilësive të veta të shquara profesionale, humane dhe sociale, Xhelal Marku është bërë si një lloj magneti që ka krijuar një rreth gjigand miqsh dhe një popullaritet mahnitës. Marrëdhëniet me njerëzit ai i ka dhe i konsideron të shenjta dhe pikërisht këtu qëndron edhe madhështia ne këtij intelektuali, simbol i një familje me tradita e emër të mirë, ku gjenden të kombinuara: mençuria, bujaria, fisnikëria e zemërgjerësia, që Ai do t’i mishëronte e perfeksiononte ato gjatë gjithë karrierës së tij prej afro pesë dekadash.

64 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page