Ribotohet me kërkesën e lexuesve, në tre vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të mirënjohur
“SAGË MBRETËRORE”, ROMANI EPOPE I SHEFKI KARADAKUT
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Thjeshtësia, bukuria deri në modernitet, fjala e gdhendur, në çdo rresht, si në poezi dhe në prozë, mesazhi qytetar dhe patriotik që transmeton është dallimi që e bën Karadakun të qëndrojë denjësisht si një gur i madh në murin e lartë të letërsisë shqipe
Pas ribotimit një vit më parë të romanit “Puthja e ngrirë” me kërkësen e lexuesve, Familja e shkrimtarit të mirënjohur Shefki Karadaku, në tre vjetorin e ndarjes nga jeta po përmbush një tjetër amanet të tij: ribotimin e romanit “Sagë Mbretërore”. E veçanta e prozës së tij në këtë roman epope është poezia e shkrirë brenda saj me figura letrare dhe artistike që të mrekullojnë. Me këtë vepër, Karadaku ka dhënë një kontribut të madh edhe për romanin historik.
“Sagë mbretërore” në fakt është një triptik me tre romane.
Pjesa e parë apo romani i parë i këtij triptiku me titull “Rebelimi” flet për mbretërimin e shkurtër të Princ Vidit dhe ngjarjet që u zhvilluan në Shqipëri deri në largimin e tij dhe fillimin e Luftës së Parë Botërore. Ngjarjet tregohen me mjeshtëri artistike nëpërmjet personazhit kryesor Kanan Griva.
Pjesa e dytë titullohet “Prag lufte” dhe flet për kapitullimin dhe nënshtrimin e Mbretit Zog para fashistëve italianë që e gllabëruan Shqipërinë para se të fillonte zyrtarisht Lufta e Dytë Botërore.
Ndërsa pjesa e tretë me titull “Eklips” tregon si u eklipsuan Mbretëria dhe Parlamenti Shqiptar nga Mbretëria Italiane dhe gjasme qeverisja shqiptare në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Nëpërmjet personazheve konkrete historikë dhe personazhit personifikues Kanan Griva, lexuesi futet dhe kupton vorbullën e ngjarjeve të popullit tonë nga fillimi i Luftës së Parë Botërore deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, periudhë me dritë hije edhe në ditët e sotme
Bardhyl Ajazi, Shkrimtar & studiues e ka cilësuar romanin “Sagë Mbretërore”, një dokument historik për tokën e lashtë – perlë e natyrës shqiptare.
Në këtë roman epope shtjellohen ngjarje të rëndësishme fill pas shpalljes së pavarësisë e në vazhdim. Aty shpërndahet tisi i kohës dhe qartësohen shkaqet dhe rrethanat në të cilat erdhi dhe më pas iku Princ Vidi, dhe më tej si rrodhën ujërat e turbullta nëpër këtë tokë të lashtë, perlë të natyrës. Duke shfletuar tri pjesët domethënëse të romanit: “Rebelimi” – “Prag lufte” – “Eklips”, përpara syve kalojnë në mënyrë kronologjike ngjarje të mëdha me ardhje dhe ikje monarkësh, me ardhje plot pompozitet dhe ikje me turp, me ardhje dhe ikje diplomatësh dinakë, me ardhje dhe ikje gjeneralësh mburravecë, me ardhje dhe ikje perandorësh e perandorish, që, në mënyrë të fshehtë apo të hapët, në rrugë diplomatike djallëzore, apo ushtarake të pamëshirshme, donin të rrëmbenin dikur copën më të madhe të kësaj toke të bekuar nga Zoti. Por të gjithë këta ardhacakë mizorë të paftuar a të padëshiruar, gjetën këtu një truall të nxehtë, që i dogji këmbët si dhe një popull liridashës, që u dogji të gjitha planet skllavëruese e asimiluese të tyre. Një popull, që lirinë e ka të shtrenjtë sa ka jetën.
“Duke shfletuar librin, vetvetiu lexuesi bëhet pjesë e atyre ngjarjeve falë bagazhit të pasur njohës dhe punës së përkushtuar shumëvjeçare të Shefki Karadakut. Si shkrimtar i talentuar dhe me përvojë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e letrave, ka ditur të ndërthurë me mjeshtëri të vërtetat e dokumentuara dhe historike me ngjyra artistike e nerv poetik komponent të rëndësishëm për një vepër të madhe letrare kaq të mirëfilltë. Në roman, ashtu si ngjarjet, një vend të veçantë zënë aktorët, që luajnë këtë dramë shekullore, figura të njohura e pak të njohura, figura të rëndësishme e tepër të rëndësishëm, vendas apo muhaxhirë, të fuqishëm dhe tepër të ndërlikuar, por autori, me eksperiencën dhe stilin e tij të veçantë, duke përdorur me mjeshtëri dialogun, bën që këta personazhe të shumtë e të papërcaktuar, të qartësojnë me gojën e tyre pozicionin, qëllimin dhe karakterin e tyre. Dhe kjo e bën romanin tërheqës, komunikues dhe lehtësisht të kuptueshëm nga lexuesi. Më poshtë, po shkëpus disa pasazhe të vogla për të ilustruar paksa përmbajtjen e romanit”, shkruan Bardhyl Ajazi. (Gazeta “Republika”, 25 nëntor 2012).
Thjeshtësia, bukuria deri në modernitet, fjala e gdhendur, në çdo rresht, si në poezi dhe në prozë, mesazhi qytetar dhe patriotik që transmeton është dallimi që e bën Karadakun të qëndrojë denjësisht si një gur i madh në murin e lartë të letërsisë shqipe.
Pas analizës së mirëfilltë të romanit “Sagë mbretësore”, poeti dhe studjuesi i njohur i historisë Sakip Cami shprehet se “Karadaku shkroi kaq shumë dhe me kaq talent, duke kontribuar për letrat shqipem edhe në romanin historik, e duke pasuruar kështu fondin e letërsisë sonë dokumentare, po Instituti i letrave shqipe kur do të kujtohet për të? Ai shkroi dhe na la gjëra të bukura dhe me vlerë për brezat që janë sot dhe për ata që do të vijnë””.
Ka të drejtë kolegu e bashkpuntori im i ngushtë S.Cami, sepse të shkruash 13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela, që të gjithë me subjekt të zgjedhur e të arrirë, nuk janë pak. Ato janë një kontribut i çmuar për të sotmen dhe për të nesërmen, që të mos ketë “Puthje të ngrirë”, që fjala e lirë të rrjedhë si “Ujëvarë”, që “Gjergj Elez Alia” t’u transmetohet brezave si njeri trim dhe i besës, si njeri i zgjuar dhe i ditur, që respekton njerëzit e tij, por edhe vizitorët e huaj të rajonit e të botës, që “Shkumbini” të mos shkatërrojë tokat, por të përmirësojë ekologjinë tonë, që “Elbasani i bukur” të çlirohet nga ndotja dhe të shndërrohet në turizmin tradicional shekullor.
Pikërisht për këtë galeri veprash dinjtoze, të vlerësuara jo vetëm nga kritika letrare por edhe nga personalitete të letrave si Petro Marko, Llazar Siliqi, Adriatik Kallulli, Moikom Zeqo, Dr. Lutfi Turkeshi etj, Shefki Karadaku meriton të vlerësohet nga Institucionet Shtetërore, Ministria e Kulturës dhe Presidenti i Republikës. Sepse, rrallë gjen në historinë e letërsisë shqipe një autor si Shefki Karadaku, të vlerësuar nga pena të spikatura si: Agim Cerga, Perikli Jorgoni, Milianov Kallupi, Riza Lahi, Jusuf Shahini, Leonard Veizi, Mujë Buçpapaj, Ramazan Vozga, Namik Selmani, Sazan Goliku, Sakip Cami, Neritan Dragoti, Ahmet Banushi, Ermir Hoxha, Tomor Jolldashi, Mihal Disho etj. Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11 ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN. Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit.
Nga ky këndvështrim duhet vlerësuar kontributi i bashkëshortes së tij Nadire Karadaku, e njohur si redaktorja, juristja, noterja, nëna dhe bashkshortja shembullore “Ambasadore e Paqes” – model i gruas fisnike e me inteligjencë të rrallë. Dhe jo vetëm kaq. Ndoshta si askush tjetër ajo ka kontribut të veçantë si bashkpunëtorja më e denjë, redaktorja dhe botuesja e dhjetra librave të bashkëshortit të saj, shkrimtarit të mirënjohur Shefki Karadaku. Dhe teksa i përmend bashkshortin ajo përlotet, pasi për të Shefkiu ishte në sintoni të plotë si shkrimtar dhe njeri i mrekullueshëm. Ndaj dhe pohon njëzëshëm se ka qenë me fat që për rreth gjysmë shekulli ishte përkrah tij. Ai nuk jeton më, por kudo që rrotullohet në shtëpi i duket sikur e ka pranë, pasi kudo prek libat e shumtë të tij që përbëjnë një pasuri tejet të vyer, jo vetëm për familjen, por parasëgjithash për kulturën tonë kombëtare. Krahas punës së përditshme në zyrën noteriale të së bijës Albanës, për punën dhe shembullin e së cilës ndjehet krenare, ajo flet me krenari për veprën letrare të bashkëshortit dhe për angazhimin e saj konkret në ribotimin me kërkesën e lexuesve të romanit “SAGË MBRETËRORE”.
Nadire Karadaku është ndoshta nga zonjat e rralla jo vetëm si frymëzuese e krijimtarisë së bashkëshortit të saj të ndjerë, shkrimtarit të mirënjohur e shumë të suksesshëm, Shefki Karadaku, por edhe mbështetësja e financuesja e botimit të 20 librave të tij. E sapodiplomuar për gjuhë-letërsi (dhe më pas edhe juriste e funksionare në Ministrinë e Drejtësisë), që në rininë e saj ka shkruar dhe botuar poezi, skica e tregime të arrira artistikisht dhe të vlerësuara nga lexuesi i asaj kohe. Ditën e që mori titullin “Ambasadore e Paqes” nga FPU, u prezantua jo vetëm si njohëse perfekte e letërsisë botërore e asaj shqiptare, por edhe si një kritike e mirëfilltë letrare.
Atë mund ta veçojmë si një ndër të paktat gra shkrimtarësh që u janë përkushtuar bashkëshortëve të tyre, duke i krijuar Sh.Karadakut një mjedis të qetë familjar, mbështetur dhe inkurajuar atë për shkruar dhe botuar librat, por edhe duke e këshilluar edhe me mendime kritike. Sepse e adhuron letërsinë. Që në adoleshencën e hershme ka lexuar klasikët e botës, të përkthyer mjeshtërisht tek ne, si Tolstoin, Shekspirin, Dostojevskin, Pushkinin, Gogolin, Çehovin, Heminguejn, Re Markun, Drajzërin, Hygoin, Balzakun, Mopasanin, Gollsuorthin, Arçibald Kronin e shumë e shumë të tjerë. Në këtë këndvështrim, ajo pohon se ishte me fat që bashkëshorti i saj, ishte poet dhe prozator me shumë talent.
Ndoshta si askush, Nadire Karadaku është angazhuar në përjetësimin e vepës së bashkshortit shkrimtar edhe tre vjet pas ndarjes së tij nga jeta, (më 16 mars 2021 në moshën 80 vjeç), qoftë si bashkrealizuese një vit më parë e dokumentarit “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”(sipas skenarit dhe librit tim me të njejtin titull), si dhe në organizimin e pëkujtimit të ditëlindjeve të tij me praninë e divës së skenës dhe ekranit Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, që i ka për zemër dhe i interpreton mjeshtërisht poezitë e këtij kolosi të letrave shqipe , si dhe dhjetra miqve e bashkpunëtorëve të tij.
Comments