top of page

Halil Rama: Sistemi politik dhe morali njerëzor në romanin e Dokles

  • Jan 14
  • 7 min read

 

Ekzaminimi i sistemit në romanin

e Dokles "Asnjë trokitje në qiell"

 

Halil RAMA-Mjeshtër i Madh

 

·      Romani i shkrimtarit të mirënjohur Dokle, si diagnozë shoqërore dhe një pasqyrë e ashpër e tranzicionit shqiptar

 

Romani i ri "Asnjë trokitje në qiell" i prozatorit, tashmë të mirënjohur, Namik Dokle është vërtet befasi e botimeve të fundit – befasi kjo që konsiston qoftë për fabulën dhe problematikën e saj, për një mënyrë moderne të rrëfimit, për leksikun tejet të pasur, ashtu dhe për anën kompozicionale, ngjarjet dhe personazhet, që të ngërthejnë dhe s'të lënë të shkëputesh pa i shkuar deri në fund. Madje, një lexuesi të vëmendshëm i duhet ta lexojë me "laps e bllok" në dorë, për të shënuar morinë e fjalëve të reja, aq shumë shprehjeve filozofike, apo fjalëformimeve interesante.

Si një nga lexuesit e parë të këtij romani kam ndjerë kënaqësi të veçantë me njohjen e aq shumë fjalëve të rralla...ku pothuajse në çdo faqe ka mençuri ngacmuese… që sërish na e rikujton mallin për të “blerë nderin” sipas romanit “Dhjetë gramë nder” të autorit. Sinqerisht fundvitin e kaluar nuk kam lexuar roman më tërheqës se ky...

Një roman që ka brenda artistikisht edhe 97-tën e kobshme, edhe tortën e madhe të 100 - vjetorit të pavarësisë, edhe helikopterin me ndihma që s'po duket në qiellin e fshatit malor të izoluar nga bora, braktisja dhe vetmia, edhe kalvarin në burgjet e diktaturës, edhe plagët e prostitucionit, edhe aventurat gazetareske të Zefit me pulat e krimbura që ende gatuhen për të burgosurit, ngaqë tenderin e fiton përherë i njejti biznesmen... edhe....

Kësisoj Namik Dokle vjen edhe me këtë roman si njohës dhe përçues perfekt i realiteteve tronditëse nëpërmjet fjalës dhe një trilli artistik befasues...     

 

PAK NGA NGJARJET DHE PERSONAZHET…

 


Shtatë personazhet e romanit: Tina (Agetina), Gjyshi (Pal Bukmira), Varrbuksja, Zefi, Zikra, Juri dhe Davidi janë protaganistët e gjendur në sprovën e urisë dhe të vetmisë, të harrimit dhe të shpresës së humbur. Në dimrin e acartë të funddhjetorit dhe fillim janarit, ata janë në betejën e jetës dhe ndarjes nga jeta.

Që në faqen 7 të romanit, në episodin “Tina: Mbeta vetëm me një djalë”, do të mjaftonte qoftë dhe perifrazimi: “Me ato që ka parë e vuajtur zemra ime do të ishte çarë edhe zemra e malit tonë dhe do të nxirrte përjashta  gjithë ujërat që rrjedhin në të, do të ishte shuar edhe hëna nga dhimbja, do të kishte rënë prej qiellit edhe ylli i mëngjesit e do të ishte copëtuar nëpër gërgjet e grykës së lumit”, për të kuptuar gjendjen e rëndë në të cilën vepron personazhi kryesor. Ajo është “një grua e vetmuar kullumajkë”, e mbetur qyqe me tre djem, pasi bashkëshortin ja vranë në vitin kobzi  1997 në mbrojtje të nderit, teksa atë po e përdhunonin dy kriminelë të armatosur. Është nëna që do të kishte mbetur kërçik e tharë e përvëluar, e djegur e shkrumbuar nëse do t’ja merrte e keqja edhe djalin e vogël, Jurin, ashtu si dy djemtë e tjerë.

Është drama e një nëne që djalin e madh Artionin e humbi kur ishte 18 vjeç, një ditë gushti, kur kishte shkuar në bjeshkë për boronica dhe nuk u kthye më.

“E kërkuan me ushtri dhe polici, shtet e qeveri, por djalin tim të humbur nuk e gjetën as në tokë e as në qiell…”. (fq.11). Dhe si të mos mjaftonte kjo, humbi sërish edhe djalin e dytë, Genin ushtarin shqiptar të Korpusit të Paqes (e vdekjes) që erdhi i vdekur, me amanetin e fundit: më varrosni te gjyshi! Dhe gjyshi Pal Bukmira, që s’e duroi dot këtë dhimbje të madhe. Një natë të atij dimri të acartë shkoi të flejë tek varri i nipit për të mbetur kallkan i ngrirë…

Pali është gjyshi trim dhe i mençur që kur nga ideologjia komuniste u imponua mosbesimi në Zot dhe mbyllja e kishave e xhamive, e ndau Biblën fletë-fletë dhe ua shpërndau bashkëfshatarëve…(Ai e ndau fletë-fletë dhe ua shpërndau njerëzve për të cilët mendonte se nuk do ta spiunonin. Pashë dritën e Zotit. Ma ruaj këtë fletë nga libri i shenjtë, deri sa ajo dritë të ndriçojë përsëri!”- fq..37).   Dhe kur i mblodhi pas ’90-tës, nga mungesa e njërës fletë zbuloi spiunin që e kishte denoncuar, nga ku vuajti kalvarin e burgjeve të diktaturës. Ai ndërroi jetë kur kishin mbetur në lakun e borës, në lakun e qoftëlargut, si në rrethim.

 

ME SYTË NGA QIELLI…

 

Përsëritet thuajse i njejti rrethim, tri dekada pas shembjes së diktaturës, kur sërish “shteti demokratik” i lë pjstarët e një familjeje patriote të vdesin me sytë nga qielli se mos u vjen t’i shpëtojë helikopterori, se mos kujtohen për ta ata që djalin e vrarë të Korpusit të Paqes erdhën dhe e varrosën me ceremoni dhe fjalime, duke e shpallur dëshmor, ndërsa për familjen e tij as që duan t’ja dinë….

Në ankthin e kësaj pritjeje të gjatë e përshkruan Dokle edhe Varrbuksen – personazhin më interesant që “gjallnon prej vdekjes”, një grua e braktisur prej të gjithëve e që ka gjetur të vetmen mënyrë jetese; shkon nëpër varrime dhe ushqehet me “drekat e vdekjeve”.

Për profilizimin mjeshtëror të Varrbukses do të mjaftonte qoftë dhe perifrazimi i mëposhtëm: “Nuk e di pse më shijoi aq shumë dreka e varrimit të një deputeti, të cilin e gjetën të vdekur dhe lakuriq në shtratin e dashnores, mirë të të bëhet thashë, kur nuk ke takat për pjeshkë pse del në bjeshkë, por m’u duk sikur hëngra këmbët e mia në një vdekje tjetër seksi, një djalë i ri i vrarë nga burri i gruas që ai dashuronte, ishin dashuruar të dy me njëri-tjetrin qysh pa u martuar ajo me atë burrë paralli, se mos ishte e para që prindërit e martojnë për para dhe, në atë drekë, kur i thashë një familjari, mos iu raftë e keqe tjetër, ai më tha mua dhe të tjerëve që qenë aty, nuk ka të keqe më të madhe se e keqja që nuk të zihet për të keq”.(fq.63) 

 

KUR NUK KA SHTET HAJDUTI BËHET MBRET

 

Gjuhën e thjeshtë popullore, plot kolorit dhe ide të Namik Dokles e dallojmë edhe në portretizimin e Zefit, personazhit që kërkoi punë në policinë e burgut vetëm me një qëllim, se duke njohur kriminelët më të famshëm do të mësonte diçka mbi vrasjen e babait të tij (nga kriminelt e 97-tës).  Kësisoj, N. Dokle, me gjuhën e pasur letrare, të nuancuar, shumështresore sjell freski në prozën tonë. Për dallim nga krijuesit tjerë, Dokle, në burimet dhe në rrethin tematik të prozës së tij, preokupohet më shumë me çeshtje aktuale ekzistenciale  të shoqërisaë sonë. Mjafton për këtë qoftë dhe stigmatizimi i ish byroistëve në gojën e Zefit polic. Ja si shkruan autori (fq.93-94): “Në ditët e para në burg gjeta mbetjet e fundit të bllokut të Byrosë Politike, shumë prej tyre e kishin kryer dënimin dhe kishin shkuar, kush e di se ku, kishin frikë të dilnin në rrugë. Ata që kishin mbetur ishin më qeramanët…Edhe mua, megjithëse kisha qenë në punë të mirë, kur i dëgjoja më vinte t’i pështyja. Më në fund nuk durova dhe i thashë njërit prej tyre, që dikur kishte qenë shumë i rëndësishëm, po ju, sa djem vratë në kufi, pse i pushkatuat ata dy djemtë poetë vetëm për një vjershë, ç’patët që e vratë atë poetin dy vjet para fundit tuaj, kur e gjithë Europa po e hiqte dënimin me vdekje?! Po kujt t’i thuash! Do ta kërkoni Enverin, bërtiste njëri prej tyre, por s’keni për ta gjetur, ja këtu do të jemi. Kur nuk ka shtet, hajduti bëhet mbret…”.

Po ashtu lexuesi i këtij romani njihet edhe me Davidin, personazhin për të cilin babai i tij pagoi një milionë dollar që të bëhej me një zemër të re e që jeton me ankthin se mos kjo zemër është e njerit prej djemve të Tinës.

Dhe përveç episodeve të shumta, hasim edhe “ndërmjetëse”, ku autori luan me fjalët: “Arbain i mallkuar! Na mbylli këtu dhe na la pa e parë Bigbradherin e sivjetëm..” 

 

PASURIMI I LEKSIKUT TË GJUHËS  SHQIPE

 

Në romanin e fundit “Asnjë trokitje në qiell”, botim i prestigjiozes “TOENA”, (si edhe në romanet tjera; “Dhjetë gramë nder”, “Kolerë në kohë të dashurisë”, “Ditët e lakuriqëve të natës”, “Vajzat e mjegullës” etj), është evident kontributi i autorit Namik Dokle në pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe.

Ja disa fjali e shprehje frazeologjike që i ndeshim thuajse në çdo faqe të këtij romani e që e dëshmojnë më së miri këtë (pa i komentuar ato):  

-Më ra për hise e idhta e jetës, e kam ngjyer bukën me vner..(fq.9).

-Deka dhe miku vijnë pa tregue…(fq.17)

-Respekti për të vdekurin nuk ka adresë….(fq. 24).

-Varri nuk ka derë, jashtë mbetet vetëm duhma e vdekjes. e athtë, e idhtë, e thartë, e zezë, e terrtë, e dridhshme, e mjegullt, e ftohtë…. (Fq. 26).

-Mbetëm në rrethak të arbainit…(fq.33).

-Heu burrë i paburrë…I mbushe pantollt me shurrë…(fq.35).

-Guximi që buron nga mirësia është trimëri, guximi që buron nga e keqja është barbari….. (fq.35).

-Zoti është mirësia njerëzore, po vdiq ajo, Zotit nuk i duhet më jeta…(fq.37).

-Fale, Zot, nuk din çfarë asht kah ban….dhe… Mirësia është vetë Perëndia….(fq.39).

-Jemi një tufë mendjesh të ngujuara në rrethakun e dimrit….(fq.49).

-Muret heshtin kur politika vret…(fq.93).

-Njerëzit e sotëm dëshirojnë të kundërtën e Dostojevskit që këshillonte të rrishë sa më larg mashtrimit të vetvetes…(fq. 97).

-Mundësia e përhershme e vdekjes po më pushton mendjen si ajo llurba e baltovinës që futet nëpër shtëpitë e një qyteti të përmbytur…(të kujton realitetin e trishtë që përjetuan qytetet dhe fshatrat e përmbytur nga shirat e para pak ditëve)…fq.107.

-M’u nxi jeta djalë pa ty, mue m’u nxi e bardha bjeshkë…fq.231.

Mund të zgjateshim edhe me dhjetra perifrazime të tjera për të konkluduar se proza e Namik Dokles i bën nder letrave shqipe. Proza e tij ka personazhe të skalitur dhe përshkrime brilante, si ekzaminimi më i saktë i sistemit (të djeshëm dhe të sotëm).

Në romanin “Asnjë trokitje në qiell” autori përdor metafora sinjifikative, sikundër janë nata, dimri i acartë që simbolizon të keqen, helikopteri i shpresave të humbura, telefoni pa tel si përsiatje e vetmisë etj., si dhe monologët e brendshëm që i japin një bukuri e përjetim të veçantë leximit të tij.

Përshkrimet e shumta ambientale, detajet e shpeshta, elementet e veçantë etnopsikologjike, përshkrimet e përgjithësuara të atmosferës politike të kohës, atmosfera e përgjithshme e jetës së njerëzve të thjeshtë, të gjitha këto jepen përmes sintezës dhe vështrimit të fenomeneve të jetës nën prizmin e shkrimtarit bashkëkohor. Po ta karakterizonim vetëm me tre fjalë librin e ri të Dokles, mund të thoshim se ai është romani për njeriun e braktisur dhe vetminë e tij.

1 Comment


F. Terziu
Jan 14

Një koment i përkorë dhe i denjë nga Halil Rama, i cili me qartësi kritike dhe ndjeshmëri njerëzore e lexon romanin “Asnjë trokitje në qiell” si një akt akuze morale ndaj sistemit dhe si një testament dhimbjeje për njeriun e braktisur. Analiza e tij arrin të ndërthurë me mjeshtëri dimensionin politik me atë etik, duke nxjerrë në pah jo vetëm fuqinë rrëfimtare të Namik Dokles, por edhe thellësinë filozofike të veprës. Ky shkrim konfirmon Halil Ramën si një kritik, analist, lexues elitar dhe interpretues serioz të prozës bashkëkohore shqiptare, ku letërsia shihet si ndërgjegje shoqërore dhe jo thjesht si art i fjalës.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page