Halil RAMA: Shqipëria bëhet
• Mesazhi që përcjell shembulli i Adriatik Kajës me plantacionin e tij të mollëve në Gjoricë të Poshtme, është më aktual së kurrë, për të mos i braktisur fshatrat, që janë burim jetese e begatie, me ajër të pastër e prodhimtari të bollshme
"Shqipëria do të bëhet vetëm me punën e përkushtimin e shqiptarëve. Vetëm në Shqipëri shqiptarët ndihen të barabartë e me dinjitet për punën që bëjnë. Vetëm në Shqipëri do të ndiheni krenar". Ky mesazh që Znj.Tefta Cami, ish-Ministre e Arsimit dhe Kulturës, përcolli para dy muajsh në takimin festiv të organizuar nga përfaqësues të diasporës shqiptare nga disa shtete të botës, në shatin kufitar Viçisht të Dibrës, është kuptuar drejtë, pikërisht nga pasardhësit, në vendlindjen e saj. Njëri prej tyre, Adriatik Kaja ka realizuar një plantacion me mollë të disa varieteteve: starking, golden, rrëneta, belflor etj.
Vetëm 5 kilometra poshtë Viçishtit, në Gjoricë të Poshtme, edhe ky, fshat kufitar që ndan dy Dibrat dhe ku deri para tri dekadave nuk mund të vije këtu pa marrë më parë leje në Degën e Punëve të Brendshme, ky plantacion, i ndërtuar jo vetëm me shumë mund e përkushtim por edhe me vizion bashkëkohor, është një copë Shqipërie e begatë.
Adriatik Kaja shprehet optimist për kurorëzimin e mundit e djersës në këtë plantacion prej 4 ha me mollë, ku pret të vjelë e shesë 1000 kv mollë të cilësisë së parë. Ky fermer shembullor kultivon këtu lloje të ndryshme të mollëve që prej 10 vjetësh. Tani në stinën e vjeljes së tyre ai i gëzohet prodhimi të bollshëm e të një cilësie të standardeve europiane.
"Krijimin e këtij plantacioni e kam nisur para 10 vitesh, Fillimisht në parcela më të vogla, për të arritur sot tek 4000 rrënjë në 4 hektarë, të gjitha në prodhim të mbarë.",- thotë Adriatiku. Atij i qesh fytyra kur pohon se të gjithë prodhimin e pritshëm prej 1000 kv mollë e ka të kontraktuar me një kompani grumbullimi e përpunimi në Fushë Krujë.
Eshtë vërtetë kënaqsi e veçantë të ndodhesh mes këtij plantacioni, ku mollë të variteteve të ndryshme sikur ta bëjnë me sy, për t'i këptur me dorën tënde e për të shijuar ëmbëlësinë e tyre. S'ka se si ky realitet mahnitës, të mos i frymëzojë e kënaqë edhe miqtë e mi, ikoën e gazetarisë sportive, mjeshtrin e moderimit dhe të dokumentarit televiziv Defrim Methasanin dhe fotoreporetin profesonist Fehmi Lleshi.
"Brenda këtij plantacioni gjigand është jo vetëm fantazia, mundi e djesra e Adriatikut dhe familjarëve, por dhe shpirti i tij krijues" ,-thotë Defrimi, ndërsa Fehmiu rend të realizojë shkrepje të mahnitshme, të cilat do të zbukuronin reportazhin e çdo gazetari.
Adriatik Kaja është jo vetëm një ndër kultivuesit më shembullorë të mollëve, por edhe me vizion bashkëkohir e njohës i mirë i historisë. Ndaj nuk nguron të na shoqërojë në kodrën sipër plantacionit të tij të mollëve, ku ndodhet memoriali kushtuar qëndrësës së dibranëve kudër taborrit turk të Hajredin Pashës.. Gjithkush që viziton këtë memorial ndjen krenari legjitime, sepse ai ngrihet madhëshor në vëndin ku në vitin 1844 është zhvilluar beteja e famshme kundër ekspeditës turke të komanduar nga Hajredin Pasha.
Ky memorial që simbolizon besën e krerëve të Nandë Maleve kreshnike të Dibrës, (siç shkruan studiuesi Sakip Cami) përcjell ndër breza skenarin e betejës, armikun, armatimin dhe forcat e tij, forcat tona dhe qëndresën e tyre heroike dhe masive, heronjtë, dëshmorët, terrenin, motin dhe gjithçka u bë në atë betejë, që në aspektin historik, pas vdekjes së Skënderbeut, afro 400 -vjet më vonë, është një nga betejat më të egrat, më të pabarabartat dhe më të përgjakëshme në historinë e popullit shqiptar.
Dhe ndërsa meditojmë këto çaste, nuk ngrojmë të shprehemi se Adriatik Kaja është shembulli më i mirë i jetëzimit të mesazhit se Shqipëria, për lirinë e pavarësinë e së cilës luftuan e derdhën gjakun të parët tanë, bëhet. Ndaj dhe e gjejmë me vend t'i rikthemi mesazhit të Znj.Tefta Cami për t'i dhënë fund emigracionit dhe braktisjes së fshatit! Shembulli i Adriatik Kajës tregon më së miri se pasuria, e ardhmja e çdo shqiptari është këtu në Shqipëri, në fshatrat tonë, sepse Shqipëria ka pasuri pafund tokësore e nëntokësore, klimë e turizëm malor e detarë. Ndaj sot më shumë se kurrë është aktual mesazhi për të mos i braktisur fshatrat, që janë burim jetese me ajër të pastër dhe begatie e prodhimtari të bollshme.
Comments