top of page

Halil RAMA: Për romanin “muzgu gri” të Jofif K. priftit



 

Drama e shpopullimit në romanin “muzgu gri”të Jofif K. priftit

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

Shpopullimi masiv, drama më e madhe e shqiptarëve në shekullin XXI, përshkruhet me nota therëse në romanin “Muzgu gri” të autorit të njohur Josif K. Prifti.

Them, i njohur (dhe i vlerësuar nga kritika letrare), sepse ai ka arritur të botojë vëllimin e parë me tregime “Një mbrëmje vonë” që para 43 vitesh, kur krijimtaria e letrarëve të rinj (siç ishte edhe Ai atëhere) i nënshtrohej një ekspertize të thelluar letrare nga ekspertët e kriitikës lerrare dhe recenzentët e Shtëpisë Botuese të kohës “Naim Frashëri”,  për të vijuar me botimin e vëllimit të dytë “Bisedat e Stinëve” më 1985.

E pasoi një pauzë e gjatë këtë autor në krijimtari, deri në vitin 2000 kur botoi librin me esse “Hija ime ka frikë”.  Dhe sërish pauzë e gjatë (plot 24 vjet) për t’u prezantuar me lexuesin, kësaj here vitin e kaluar (2024) me romanin “Muzgu gri”.

Ky kapërcim befasues nga proza e shkurtër në atë të  gjatë, dallohet fare qartë nga lloji dhe stili i veçantë i këtij romani, ku në 65 episodet e tij përçohet me mjeshtri të rrallë artistike brenga e braktisjes të një fshati provincial.

Në lëndën e këtij romani lexuesi vërtetë do të befasohet nga thënie proverbiale të këtij autori që përligjin dramën e shpopullimit si: “Ikja dhe vetmia e plakin njeriun. Në vetmi nuk ka ditë. Nuk ka natë. Nuk ka botë. Nuk ka kohë”; “Vetmia është akulli që gërryen shpirtin e ngurtë”; “Në fshat ka ca kohë që vdekja fle”; “Po bëhemi fshati i të çmendurve” e dhjetra të tjera kësisoj.


Josif K. Prifti vjen kështu me këtë roman si njohës gjer në perfeksion i leksikut të vendlindjes, reflektuar ky në shtjellimin e ngjarjeve, ndërveprimit dhe portretizimit të personazheve.

Kështu ai e përçon si brengë dhe shqetësim troinditës eksodin e madh rural përgjatë viteve të fundit që ka çuar në rënien drastike të numrit të banorëve dhe në rritjen e numrit të banesave të braktisura. Përçon mjeshtërisht brengën e fshatarëve që vetëm tokën e varrit kanë pronën e tyre…Kështu i përshkruan autori “gurët e kalldrëmit që janë të vjetër sa vetë jeta e njeriut” dhe ku “në të çarat e tyre rrëketë e shiut zbresin më shpejt se gjëja e gjallë”.

Po a ka jetë në fshatin e braktisur?!

Autori i këtij romani, si mjeshtër i rrallë i rrëfimit e përçon këtë brengë në ndërveprimin e personazheve të tillë si “Marina e bukur” dhe “Fotina që braktis fjalët në lëndinë, hedh heshtjen në qivur dhe mbyll dërrasat”, ndërsa lodhja nga braktisja e detyron të zbresë poshtë në fshat.


Josif K. Prifti  shfaqet kështu si mjeshtër i përshkrimit të shpirtit, ose më mirë të instinktit njerëzor, të atij pushteti misterioz që shpesh e tërheq njeriun atje ku ai vetë e kupton se nuk duhet të shkojë...E dallojmë këtë qartazi në përshkrimin e dramës së bashkëshortëve Manof e Marina, ku i pari në përvuajtjen e shpirtit pse bashkëshortja nuk po i sjell një fëmijë që ta trashëgojë, bëhet mik i rakisë në lokalin e fshatit. Ndërsa Marina e konsideron vehten të vetme në këtë botë, e bindur se “Perëndia, mëkatarin e dënon me vetmi”.  Ndaj dhe “Trishtimi në sytë e saj është ngurtësuar”, ndërsa “Fjalët e Manofit janë copëza akulli”.

Gjithësesi autori tenton t’i largohet disi trishtimit teksa e përshkruan Marinën me flokët e zinj që i derdhen mbi supe dhe me fundin e  hollë e që fsheh një pjesë të kërcinjve. Por sërish (fq.61) Manofi ja shpreh mllefin Marinës  kur i thotë: “Vetëm gjumë di të bësh në këtë botë. Një fëmijë nuk më dhe. Është më i zoti kali i Nosit se unë…!”.

Me gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante e përshkruan autori edhe personazhin me emrin Fotaq, që u plak e nuk zuri mend, që “thonë se hedh sytë te gratë e botës”e që gjithsesi “Fjalët e tij bëhen kokrra breshëri”.  

Për të kuptuar trishtimin e autorit për mplakjen e fshatit, mjafton ta perifrazojmë atë në faqen 28 kur shkruan se “Në fshat nuk ka grua me barrë. Vetëm vdekje. Janë shtuar varret”. Dhe më tej në faqen 31 kur ndër të tjera shkruan se “Fryma e njeriut po shuhet nga kolera e kurbetit”.

Autori përcjell mjeshtërisht edhe plagën e rëndë të prostitucionit, ku edhe në fshatra të tilë të braktisur ndodhet ndonjë si  “Gruaja e Bamit, që është  femra e vetme që  shëtit në shehin e fshatit…. Shkon në qytet dhe kthehet në mbrëmje. Në qytet ka njohur shumë klientë, për secilin merr dhjetë euro. Ndryshe nga gratë e veja në fshat. Ato marrin vetëm pesë euro…” (fq.33), E kështu, gruaja e Bamit ngelet prapë me barrë dhe fshatarët me të drejtë thonë se në fshatin e tyre “vetëm gruaja e Bamit dhe kafshët pjellin!”.


Kështu, edhe Dafi, vajza e varfër e fshatit, që “kur djemtë e trazojnë kur e ndeshin nëpër qoshe…”, “….ajo ngërdheshet duke hapur këmbët. Këtë mënyrë ka gjetur për t’u hakmarrë. Ngre fustanin deri në brez dhe tregon seksin. Dafi është vetëm trembëdhjetë vjeçe”. (fq.71).

E kësisoj për autorin e këtij romani mjaftë tërheqës “jeta është hipokrizi e gjallë. Qesh, qan, gënjen…Nuk ke me kë të shkëmbesh dy fjalë….Fshati ka vdekur…”. (fq.52)

Një veçori tjetër e këtij autori është mjeshtria e rrallë në përshkrimin e peisazheve. E ndeshim këtë pothuajse në të 65 episodet. Evidente kjo qoftë dhe në fundin e episdodit të 31 kur shkruan: “në netët e marsit, dielli bën gjumë të thellë. Mëngjesi zgjohet me sy të kuq. Shiu i spërkat qerpikët...” dhe ku “macet e përgjumura, vrapojnë për ushqim..”. Ndaj dhe “Shërbetori i kishës nuk përgjigjet dhe nuk përshëndet. Hija e tij rrëshqet e heshtur tatëpjetë…” Apo dhe nga pjesa që autori ka vënë në kopertinë e fundit të romanit: “…Dhe pas kësaj vjen pikërisht koha kur dielli lind i lodhur, vesa shuan shkëndijat në uullukun e oxhakut dhe Vllahopoli fle i mardhur. Kur pranvera laget trekëndëshi i përmbysur bie në humnerë…”.

Kësisoj, nëse migrimi në vetvete tregon modelin e një bote që po ndryshon në aspektin politik, gjeografik dhe demografik që sendërtohet në fakt në zemrën e ndryshimeve ekonomike, sociale e kulturore të shqiptarëve që nga vitet 1990 e këtej, për autorin e këtij romani, kjo plagë e rëndë nga e cila lëngon shoqëria e sotme shqiptare ka çuar në braksijen masive të fshtarave në të cilat sot gjen shtëpi pa frymë që dita ditës rrënohen e shemben.

Në tërësinë e tij “Muzgu gri” është një roman social që paraqet me realizëm përjetimet e autorit Josif K. Prifri në një fshat të braktisur nga rinia që ka mërrë ruugët e botës dhe që si ai sot janë thuajse gjithë fshatrat e qytetet proivianciale të Shqipërisë.

Si veçori të spikatura të këtij autori do të veçoja natyshmërinë në rrëfimin e ngjarjeve, ndërtimin e veçantë kompozicional, kohezionin dhe trillin artisik befasues. “Muzgu gri” është një vepër që lexohet me kënaqësinë, një prozë me element jetësorë. Ai lexohet për gdhendjen që autori u bën personazheve, për narrativën e rrjedhshme, për kujdesin në ruajtjen e ritmit të rrëfimit, për ndjenjat e holla dhe lirizmin, për epikën e kohërave dramatike dhe qasjet që individi i bën kohës. Lidhur ngushtë me trillin artistik mjaftë befasues, Josif K. Prifti na jep edhe analizën e situatave, qoftë të shkaqeve që çuan në këtë katrahurë të shpopullimit masiv të popullsisë dhe të fenomeve gërryese të shoqërisë së soteme në tranzionin e tejzgjatur.

 
 
 

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page