Halil Rama: PËR ROMANIN “DJALLI I DYTË”...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 11
- 7 min read

GENOCIDI USHQIMOR, MORAL DHE SHPIRTËROR NË ROMANIN “DJALLI I DYTË” TË QAZIM SHEHUT
Halil Rama – Mjeshtër i Madh
· Qazim Shehu prezantohet në këtë roman, me profilin e një shkrimtari, të një prozatori të suksesshëm, pasi, jo vetëm përshkruan ngjarje dhe ndërton personazhe, por edhe i sjell ato te lexuesi me një stil të rrjedhshëm, fjalor të pasur dhe figuracion të gjetur, çfarë i jep atij dimensionet e një shkrimtari të suksesshëm
Në fjalorin politik të tri dekadave të fundit, fjala “genocid” ka gjetur përdorim të gjerë, sa here iu referohemi gjyqeve të montuara dhe dënimeve me burgje e internime të qindra- mijëra shqiptarëve të pafajshëm gjatë regjimit të diktaturës komuniste. Dhjetëra shkrimtarë, të njohur e të panjohur, i janë qasur kësaj teme në tregimet, poezitë, novelat e romanet e tyre, duke sjellë të letrarizuara për lexuesin ngjarje nga më tronditëset që përjetuan viktimat e atij sistemi makabër, ndër më të urryerit.
Krejt ndryshe i qaset kësaj teme shkrimtari i njohur Qazim D. Shehu në 32 episode (23 në pjesën e parë dhe 9 në pjesën e dytë”) të romanit të tij të sapo botuar “Djalli i dytë” me 210 faqe.
Kjo për faktin se genocidin çnjerëzor që përjetuan ish- të burgosurit politikë e trajton lidhur ngushtësisht me genocidin ushqimor, moral dhe shpirtëror të pjesës më të madhe të popullsisë.
Nëse në pjesën e parë, përshkruan ngjarje dhe fakte të përjetuara nga personazhi kryesor Arsen Lipa dhe babai i tij Idriz Lipa - ky i fundit i dënuar me vdekje me pushkatim, por që ia shpëtoi jetën një ish - ministër i dikaturës që më pas do dënohej vetë me vdekje nga dikatura që hante bijtë e saj, djali i tij, Arseni, profilizohet mjeshtërish nga autori si përjetues jo vetëm i genocidit që vuajti në burgjet e diktaturës si bir armiku, por edhe i genocidit ushqimor, moral e shpirtëror, si punëtor një një ish-kooperativë bujqësore.
“Arseni e kujtonte edhe Dilo Bërdufin, një fshatar të tyre, që punonte së bashku me Idrizin. Kur erdhën ekspertët e Degës së Brendshme, me Dilon nuk u morën fare, ndërsa sikur ta dinin ose e dinin, iu drejtuan Idrizit dhe Arsenit dhe i arrestuan në vend. I ati e mohoi sabotimin….Por nuk e besuan. A nuk ishte Idriz Lipa një i prekur me një xhaxha të arratisur në Amerikë që villte vrer kundër atdheut në një radio të huaj, duke e quajtur komunizmin një barbari…? Atëherë Arseni nuk dinte gjë, ai u habit kur oficerët e Degës erdhën aq shpejt dhe verifikuan dëmin…Për dy thasë çimento që ishin çarë dhe hedhur nëpër shkurre Idrizi nuk dinte gjë, por përderisa ai hodhi hekurat përse duhej ta kursente çimenton?”
Qoftë dhe nga ky perifrazim (f.6), kuptohet se si i sajonte akuzat përbindëshi Sigurim i Shtetit, për të burgosurit, madje dhe pushkatuar ata që i konsideronte armiq të Partisë.
GENOCIDI USHQIMOR

Autori Q.D.Shehu, njohës gjer në perfeksion i bëmave të kasnecëve të nomenklaturës, sjell më tej episode, kur Arseni përjeton genocidin ushqimor. Jo vetëm në ditët e para të daljes nga burgu, kur nga e mospasmja, për ditë të tëra ushqehet vetëm me arrat që i mblidhte natën tek ish- arrat në pronësi të të atit, por edhe kur gratë koperativiste merrnin me vete bukë misri të lyer me vaj kikiriku dhe për të siguruar 100 pikëshin e ditës së punës që shpërblehej me 3 lekë të reja, nuk nguronin të bëheshin dashnore të brigadierit, kryetarit të këshillit e deri të funksionarëve të partisë në rreth.
“Genocidi ushqimor bënte kërdinë në to…Ai i shihte sa herë sesi gratë merrnin bukë misri vetëm me turshi, ose të lyer me pak vaj kikiriku me një shtresë të hollë sheqeri nën të. Hanin të mënjanuara nga njëra-tjetra se u vinte zor, ndërsa ishin të gjitha njësoj….”(faqe 109).
Çfarë përjetimesh të dhimbshme, madje dramatike!. Është koha kur partia-shtet trumbetonte sigurimin e bukës në vend, ndërsa ata që e prodhonin nuk ngopeshin as me bukë misri të mykur nëpër magazinat e kooperativës.
“Ata mbillnin misër, grurë, patate, fasule, qepë, patëllxhana e çfarë nuk prodhonin, por këto të gjitha ua merrte me çmim të lirë shteti dhe dita e punës ishte tre ose katër lekë. Çoheshin që në tre të mengjesit kur binte me tërsëllimë çanga, linin krevatet e ngrohtë ose të sëmurin në vatër, gratë linin foshnjat duke qarë dhe dilnin në aksion në fushatën e korrjes së grurit. Dhe nuk hanin bukë gruri por vetëm prej misri…Dhe vlera e ditës së punës ishte sa e një pakete cigareje, pastaj vidhnin fshehtas dhe kush kapej denoncohej publikisht, pështyhej ose dënohej nga gjykatat popullore…”. (f.109)
Kësisoj, autori i mirënjohur Qazim Shehu shkruan qartë e bukur, me mjete shprehëse e stil të veçantë letërsinë e një kohe të trishtë, të cilën brezi i sotëm dhe ata që do të vijnë as që mund ta imagjinojnë.
SHTHURJA OSE GENOCIDI MORAL

Autori Qazim Shehu e përshkuan Arsenin në dhjetëra raste kur ai e shihte me sytë e tij sesi shiteshin gratë e gjora për pesë pikë para një maskarai që ishte brigadier dhe sekretar apo kryetar. A s’janë këto aspekte të shthurjes dhe genocidit moral të një shoqërie në rrënim?!
“Pamundësia për t‘u ushqyer ishte një genocid i proteinës…dhe kjo bënte që secili të merrte ndonjë masë në fshehtësi, të dilte natën e të vidhte, të sajoheshin xhepat nën pantollona, sidomos nga gratë, të cilat i maskonin me përparëse ose me fustanet e tyre prej basme të rrjepur ose të dalë boje”.(f.30). Këtu kemi trillin befasues letrar të autorit kur përshkruan rastin e Zogës që u bë dashnorja e brigadier Lymit, kur ai e pa me xhepat e fryrë me fasule poshtë fustanit, e ajo i tha: “Më bëj ç’të duash, veç mos më nxirr para popullit….” Kësioj, brigadier Lymi, që autori e përshkruan “një burrë rrondokop, gjithnjë me bllok në dorë”, është pëfqësuesi më i errët i shoqërisë së asaj kohe mynxyrë.
Në këtë rast si dhe në letrarizmin e bëmave të Fanit, kryetarit të këshillit tëe Bashkuar, autori Q. D. Shehu shfaqet para lexuesit me tekst të përzgjedhur letrar prej tij, figurshëm, çka përbën strukturën gjuhësore, stilistike, estetike dhe arkitekturore të këtij romani. Duket fare qartë kjo në episodin e fjalëtjerrjes se gjoja Zoga nuk do të merrte pjesë në votimet për Frontin Demokratik, ndërsa do të ishte Lymi garanti i të kundërtës para autoriteteve partiake e pushtetore.
“Brigadieri e dinte se partia për moral nuk të fal dhe imoralët i diskreditonte më shumë se të tjerat….Ai po mendonte se tashmë lidhja e tij e fshehtë me Zogën ishte zbuluar ose në mos ishte në grackat e dyshimit, dhe atij po i silleshin rrotull, për ta kapur me presh në duar…”.
TRILLI BEFASUES LETRAR ME LETRËN
E KRYEKËSHILLTARIT PËR MËSUESE LIRËN
Të gjitha orgjitë e ish- funksionarëve politikë e pushtetorë në ish- kooperativat bujqësore, autori i vendos nën vëzhgimin e rreptë të ish- të burgosurit politik Arsen Lipa, siç lexuesi do ta kuptojë më lehtë tek trilli befasues letrar i letrës së kryetarit të Këshillit të Bashkuar, Fan Marteshi, për mësese Lirën.
Lira si edhe dy shoqet e saj mësuese nga Jugu që po kalonin tre vite si të tilla në këtë fshat të thellë malor, për të suguruar transferimin do të ishin preja e këtij pushtetari, që mishëron veset më të këqia të njeriut.
“Fanin, Lira e çonte te kroi dhe nuk i jepte ujë Atij i ishte krijuar ideja fikse se asaj ia kishte qejfi e s’dihej se si pendohej e pse mbrapshtohej, dreqi e merrte vesh…”. Në këto dilema autori trillon bukur letrarisht një letër dashurie që kryetari i Këshillit të Bashkuar, Fani, ia qëndis Lirës dhe ia jep një nxënësi që t’ja çojë asaj. Por këtu rrokullisen ngjarjet, sepse nxënësi e hedh pa dashje në rrugë letrën e ajo i bie në dorë ish- të burgosurit politik Arsen Lipa.
Dhe që këtu nis rrokullima e kryepushetarit, por që ai, pas ndërrimit të sistemit do t`i futet biznesit.
Kështu ndodh edhe më Zogën, dashnoren e Lymit, që ndërsa në vitet e ish -koopertiavës ndërrojnë rolet duke u bërë ajo brigadiere e Lymi punëtor, pas ’90-tës e paraqet edhe atë me lokalin më të famshëm të fshatit.
Po në qasjen e genocidit moral, ky autor i sprovuar tashmë ia servir lexuesit lëvizjeve groteske të njerëzve dyfytyrësh, që ndonëse gjatë kohës së monizmit penetruan nëpërmjet pasjes së teserës të PPSH, pas 90-tës e përgjatë këtij tranzioni të gjatë 35 vjeçar, kaluan në kahjen tjetër, duke u bërë deputetë e zyrtarë të mazhorancave të të dyjave partive e deri anëtarë të shoqatave të ish- të të burgosurve politikë.
QAZIM D. SHEHU- PROFILI I NJË SHKRIMTARI
E PROZATORI TË SUKSESSHËM
Qazim D. Shehu, trillet befasuese letrare të të cilit duken qoftë dhe në titujt e vëllimeve me poezi që ka botuar ndër vite, si: “Fjalët e mëngjezit”; “Fund shpirti”; “Kush e shpiku dashurinë”, “Përmendore në shpirt”, “Në ndodhtë të duhemi”, “Zogu i lumit”, “A isha unë Adami yt”, “Ti më thërret dashuri”, “Flutur puthje”, “Pikëllimi i yjeve”, “Mund të jesh tij”, “Syri i ditës”, Krahë përmallimi”, “Vitet e humbura”, “Duke kërkuar ditë më të bukura”, “Mëkat i pakryer”, si dhe i vëllimeve me tregime: “Sa kushton një legjendë”, “Një monument në ecje”, “Të jetë Ana”, “Rusianka”, “Një dritë që s’ndizet për këdo”, “Gruaja që thurte bizhu”e “Keqkuptimi”, (përkatësisht prej shtëpive botuese “Onufri”, “Toena”, “Nacional”, “Globus R”, “Enja” e “Emal”, edhe në këtë roman spikat si mjeshtër i portretizimit të personazheve. Këtë e bën sepse di të gjurmojë e të hulumtojë, të shkoqitë e të interpretojë ngjarjet dhe historitë.
Mjaftojnë qoftë dhe këto përshkrime fizike e trupore, si: “E shoqja e tij Meri (e Fan Marteshit, që quhej Mereme por nuk e preferonte me këtë emër), një grua disi e bukur, por, ndërsa të gjithë thoshin për të se ajo nuk ishte bishtëpërdredhur si Fani, përkundrazi një zonjë – grua, që hynte e dilte nëpër shtëpitë e zonës për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve…”, apo: “…Zoga, gjithë hire dhe me një trup që ende nuk ishte vyshkur nga jeta e trazuar që bënte nga kërcënimi i atij të kalamenduri (Bashkëshortit Vegimi kur ishte çliruar nga çmendina)…”, apo: “Lira, që kishte lexuar të gjitha verat e Gorkit, Tolstoit, Shekspirit, Gëtes, Balzakut, Hygoit - një agjitore e flaktë, një vajzë e zonja që i këndonte goja si bilbil nëpër mbledhjet e brigadave, kur lexonte gazetën”…, si dhe “personazhe të lopëzuar” .., e të tjerë si Lame Dushku, Alush Hidërshaj, Qerim Skopiti, “gratë që zbrazëtia e jetës i çonte drejt një fuqie ekstremë të seksit të fshehtë, të tradhtisë ndaj burrit, ashtu si burrat vazhdonin po të njetën linjë dhe në fund ishin po në të njëjtin hulli, duke vënë maskën e lumturisë bashkoshortore”, që nga autori vijnë në faqet e këtij romani si personazhe të mbushura me pasione dhe emocione të pandalshme drejt sfidave të jetës e drejt suksesit.
Qazim D. Shehu i vendos personazhet e romanit të tij “Djalli i dytë” secilin në vendin dhe me profilin e merituar. Kësisoj, ai prezantohet në këtë roman, me profilin e një shkrimtari, të një prozatori të suksesshëm, pasi, jo vetëm përshkruan ngjarje dhe ndërton personazhe, por edhe i sjell ato te lexuesi me një stil të rrjedhshëm, fjalor të pasur dhe figuracion të gjetur, çfarë i jep atij dimensionet e një shkrimtari të suksesshëm.
Comments